Periudha: 2015-2019

Nga Valbona Nathanaili

Synimi i këtij artikulli është të krijohet një ide e përgjithshme nga publiku i interesuar për fondet financiare të akorduara nga Ministria e Kulturës në mbështetje të shoqërisë civile dhe individëve gjatë periudhës kohore 2015-2019, për këto terma: sa është shuma totale e vënë në dispozicion (për thirrjet e dhjetorit), sa është numri i projekteve të mbështetura, vlerësuar në një perspektivë krahasuese (organizatë/individë), sa kanë qenë shumat minimale dhe maksimale të përftuara në çdo vit, si dhe kush është përgjegjës për alokimin e tyre.

Të dhënat janë nxjerrë nga faqja on-line e Ministrisë së Kulturës (programi i transparencës, “Regjistri i kërkesave dhe përgjigjeve”, prill 2015-dhjetor 2018 (https://kultura.gov.al/regjistri-i-kerkesave-dhe-pergjigjeve/), si dhe nga publikimi i rezultateve të thirrjeve.

Nga të dhënat, numri i projekteve hartuar nga individë dhe të mbështetur financiarisht, për periudhën 2015-2019 ka ardhur në rritje. Ekziston prirja, që aplikimet e këtij grupi të jenë individuale, pra kryesisht një person i vetëm; rrallë aplikohet në grupe prej dy anëtarësh.

Sa i takon organizatave që kërkojnë mbështetje financiare në fushën e librit dhe të kulturës, ka prej tyre që kanë ruajtur të njëjtën tematikë, veçanërisht ato që merren me organizimin e panaireve të ndryshme të librit, si dhe të koncerteve. Fitues të fondeve janë edhe disa universitete private: Universiteti Metropolitan i Tiranës (çdo vit rresht, gjatë periudhës 2016-2019, nëpërmjet qendrës Metroresearch), Universiteti Polis dhe Universiteti Europian i Tiranës.

Nga të dhënat e “Regjistrit të kërkesave dhe përgjigjeve”, në përgjigje të një kërkese ardhur pranë protokollit, Ministria e Kulturës nuk ka ushtruar audite as për organizatat, as për individët, për mënyrën si janë shpenzuar fondet e dhëna prej saj për periudhën  2016 – 2017.

Në vitin 2015 (thirrja për aplikime dhjetor 2014), shuma e fondeve publike për subjektet e shoqërisë civile (individë dhe organizata) është 23 milion lekë; shuma minimale e përfituar nga një organizatë për këtë vit është 200,000 lekë, ndërsa shuma maksimale është 2,119,000  lekë.

Në vitin 2016 (thirrja për aplikime dhjetor 2015), shuma e fondeve publike për subjektet e shoqërisë civile (individë dhe organizata) është 54.7 milion lekë; shuma minimale e përfituar është 195,300 lekë, ndërsa shuma maksimale është 1,500,000  lekë; nga 92 projekte të mbështetura nga Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, 20 kanë qenë individualë (kryesisht një person dhe shumë rrallë 2). Ndryshe, projektet e suksesshme fituar nga individët kanë qenë në masën 22%. (Në total, shuma e fondeve publike të akorduara nga Ministria e Kulturës për vitin 2016, për projekte artistike në fushën e art, kulturë dhe trashëgimi kulturore, në mbështetje të subjekteve të shoqërisë civile është 147,593,227 lekë).

Në vitin 2017 (thirrja për aplikime dhjetor 2016), shuma minimale e përftuar është 200,000 lekë dhe shuma maksimale e përfituar është 1,600,000 lekë; nga 123 projekte të mbështetura nga Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, 51 kanë qenë individualë (kryesisht një person dhe shumë rrallë 2). Ndryshe, projektet e suksesshme fituar nga individët kanë qenë në masën 42%. (Në total, shuma e fondeve publike të akorduara nga Ministria e Kulturës për vitin 2017, për projekte artistike në fushën e art, kulturë dhe trashëgimi kulturore, në mbështetje të subjekteve të shoqërisë civile, është 157,655,671 lekë).

Në vitin 2018 (thirrja për aplikime dhjetor 2017), nga 128 projekte të mbështetura nga Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, 32 kanë qenë individualë (kryesisht një person dhe shumë rrallë 2). Ndryshe, projektet e suksesshme fituar nga individët kanë qenë në masën 25%.

Në vitin 2019 (thirrja për aplikime dhjetor 2018), nga 151 projekte të mbështetura nga Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, 50 kanë qenë individualë (kryesisht një person dhe shumë rrallë 2). Ndryshe, projektet e suksesshme fituar nga individët kanë qenë në masën 33%.

Për katër vitet e marrë në konsideratë (2016-2019) janë mbështetur në total, në shifra absolute, 494 projekte, nga të cilët 153 kanë qenë individualë, ose ndryshe, projektet e suksesshme fituar nga individët kanë qenë në masën 31%.

Nga të njëjtat burime, për vitet 2016 dhe 2017 nuk ka pasur asnjë shërbim të prokuruar për këto organizata që kanë marrë fondet. Për këto dy vite janë shpërndarë, në total, 77.7 milionë lekë vetëm për këtë thirrje.

Procedurat për dhënien e fondeve për OJF-të, sipas burimeve të mësipërme ndjekin këtë procedurë (Burimi: Regjistri i mësipërm, nr. 56, datë 7.03.2018, kërkesë për informacion): me urdhër të Ministrit përkatës, krijohet Kolegjiumi, i përbërë nga pesë punonjës ekzistues të Ministrisë së Kulturës (i përkohshëm, shpërndahet me mbylljen e thirrjes), të cilit i bashkangjiten 5 punonjës në rolin e një sekretarie teknike, si dhe 1 punonjës i Drejtorisë së Financës. Propozimet nga Kolegjiumi shkojnë te Ministri, i cili merr vendimin.

Në faqen e Ministrisë të dhënat për projektet kanë vetëm këto të dhëna: fushën ku zbatohet projekti, titullin, emrin e aplikantit, qytetin ku zbatohet dhe periudhën (ose kohëzgjatjen e zbatimit).

Nga të dhënat, projektet zbatohen kryesisht në Tiranë. Për vitin 2019, nga 151 projekte, 63 prej tyre zbatohen vetëm në Tiranë (ose 42%) dhe afro 18 të tjera e kanë edhe Tiranën si vend ku zbatohen.

Nuk ka asnjë të dhënë për objektivat e projekteve, për rastet e suksesit, për perfomancën, për mësimet e nxjerra, për rekomandimet që mund t’u bëhen të interesuarve në të njëjtën fushë, për aktivitetet e kryera, për mënyrën si janë seleksionuar, për vendin ku depozitohen rezultatet e projektit, për të metat që janë vënë re, për synimin për t’i replikuar në sa më shumë rrethe e zona.

Së fundmi, ka arsye të shtrohet pyetja, që nëse një organizatë a shoqatë mbështetet për katër a pesë vjet me të njëjtin projekt, atëherë ai projekt nuk i takon më organizatës a shoqatës, por Ministrisë së Kulturës, ose të paktën nuk duhet të përfshihet në një thirrje ku supozohet se të gjithë e fillojnë startin me të njëjtat kushte: konkurrojnë me ide të reja, të panjohura për Kolegjiumin e Ministrisë dhe për vetë Ministrin.