Nga Valbona Nathanaili

Në zgjedhjet e 25 prillit 2021, Partia Socialiste po kërkon një mandat të tretë. Në fushën e arsimit, programi i Partisë Socialiste është vijimësi e programit të vitit 2013, mbi bazën e të cilit janë vendosur objektiva të reja. Kryeministri ka zgjedhur t’i prezantojë personalisht disa nga pikat kyçe të planit të veprimit 2021-2025 (lexo më poshtë):

https://top-channel.tv/2021/03/16/rama-prezanton-programin-per-arsimin-gjuha-angleze-qe-ne-klase-te-pare-dhe-fundi-i-mesimit-me-dy-turne

Çfarë mund të thuhet në lidhje me to?

(Parantezë: Synimi është analiza vetëm e këtyre pikave, pra jo si ka punuar apo nuk ka punuar Partia Socialiste në këta 8 vjet në fushën e arsimit)

  1. Programi nuk të frymëzon!

Nuk është ide e re që anglishtja do të mësohet që në klasë të parë, sepse privati e fillon që në kopsht. Ide e re është që në shkollat me një turn që kemi aktualisht dhe në të tjerat që premtohen se do të ngrihen, dita e shkollës nuk mbyllet me mbarimin e orëve të mësimit dhe një nga lëndët e kurrikulës bërthamë, në arsimin e mesëm të lartë do të mësohet në gjuhën angleze.

Teza “Deri në 2025 të gjithë drejtuesit e shkollave do licencohen për të drejtuar një qendër komunitare ku mësimi, aktivitetet kulturore dhe ato komunitare janë bashkë” më kujtojnë vatrat e kulturës së kohës së diktaturës. Shkolla qendër komunitare ka dështuar si projekt, ndërsa vetë shkolla e drejtorëve është e gabuar në objektin që ka: të licencojë drejtorë! Kujt i duhen kaq shumë drejtorë të licencuar, kur vendet e drejtorëve janë zënë të gjitha dhe nëse fiton prapë Partia Socialiste do jenë po ata! Mund të funksionojë në Amerikë, nga mund të jetë marrë modeli, por nuk ka nevojë të shpenzohet kaq shumë për tambura. Po mësuesit? Ndjekin 5 vjet shkollë për t’u bërë mësues dhe ngelin në masë në provimin e licencës! Nuk gjen dy universitete që kanë kurrikul të njëjtë në programet e diplomimit të mësuesve! Kurrikulat hartohen sipas njerëzve që duan të marrin në punë! Një shkollë për mësuesit? Pse jo! Kjo mund të të frymëzojë!

Nuk është ide e re ngritja e kampuseve të universiteteve, pasi kanë ekzistuar dhe funksionuar që në kohë të diktaturës. Ide e re është, për shembull, që qeveria harton një program që nxit biznesin të bashkëpunojë me universitetet, për të aplikuar për projekte pranë Bashkimit Europian për kërkim shkencor e inovacion. Shqipëria ka nivelin më të ulët të pjesëmarrjes dhe përthithjes së fondeve nga BE sa i takon shkencës dhe inovacionit. Probleme kaq të rëndësishme nuk i lihen në dorë tregut, nuk i lihen në dorë nismave personale. Probleme kaq të rëndësishme shndërrohen në objektiva! Covid-19 tregoi domosdoshmërinë e zhvillimit të shkencës për një vend!

  1. Programi nuk i përgjigjet realitetit social aktual në vend

Në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më shqetësuese polarizimi i shoqërisë. Hendeku ndërmjet klasave po bëhet gjithnjë e më i madh, ndërsa klasa e mesme është pothuaj inekzistente. Për të ndihmuar këtë klasë, jo vetëm cilësisht, por edhe në numër, duhet arsim i mirë dhe që e rëndon sa më pak buxhetin e familjes. Partia Socialiste, duke qenë e majtë, me politikat e saj, duhet të punojë për zbutjen e këtyre disniveleve. Të frymëzon, nëse Partia Socialiste zotohet se do të punoj: të paktën deri në nivelin e fillores, shkollat publike duhet të jenë cilësisht të pakonkurrueshme; apo që shteti do të rimbursojë fëmijët e moshës deri 12 vjeç me 5000 lekë në muaj për aktivitete fizike dhe libra; apo që fëmijët e shkollave publike 9-vjeçare do hanë, të paktën, një vakt në shkollë.

  1. Ka një mungesë koherence ndërmjet pikat kyçe të planit të veprimit 2021-2025 dhe sfondit të zhvillimeve dhe të gjendjes aktuale në vend

Partia Socialiste premton se do të rrisë pagat e arsimtarëve me 40%. Në fakt, krahasuar me Partinë Demokratike që premton rritje me 15% çdo vit (në total, për katër vjet, shkon në 60%) duket më real. Por vendi ka më shumë se dy vjet që vuan pasojat e një tërmeti të fuqishëm dhe të një pandemie të tejzgjatur, ekonomia është e asfiksuar, shumë biznese janë mbyllur, funksionojnë kryesisht shërbimet, ndihma e shtetit për njerëzit që dolën të papunë nga pandemia ka qenë pothuaj zero. Nga do dalin këto para? Mund të mendohej se këto para mund të dilnin me ndonjë lloj politike të re taksash, por programi i Partisë Socialiste sa i takon taksave nuk ka ndryshime thelbësore! Mungon një faturë financiare! Mbetet ndoshta për ditët në vijim! Në një kohë kur shkollat dhe universitetet publike kanë nevojë për fonde për shpenzime bazike.

Dhe një shqetësim që ka më shumë se një vit që po diskutohet e debatohet:

Në vitin 2013, kur Partia Socialiste fitoi mandatin, në një nga pikat e programit thekson se do të zhvillojmë “Politika arsimore që i mundësojnë çdo të riu deri në moshën 26 vjeç diplomim në universitet, formim në një profesion ose mundësi sistemimi në një punë.” E përkthyer ndryshe është nxitje e të mësuarit përgjatë gjithë jetës. Por një problem shumë delikat që ka më shumë se një vit që po diskutohet është pamundësia e të diplomuarve me Master Shkencor në Shkencë të kenë mundësi të formohen për profesionin e mësuesit. Janë me dhjetëra që më shkruajnë dhe më pyesin vazhdimisht se çfarë po bën Ministria e Arsimit! Rrallë janë më shumë se 26 vjeç! Ndoshta kryeministri e mendon se një problem i tillë është zgjidhur në tetë vitet që la pas, se është hartuar një politikë arsimore që i jep mundësi, një personi që ka studiuar pesë vjet shkencë, të bëj edhe një kurs formimi në pedagogji-psikologji dhe të ketë mundësi të sistemohet në punë si mësues! Jo, nuk është zgjidhur! Duhej të ishte përsëri pjesë e objektivave dhe planit të veprimit 2021-2025! Edhe kjo një mungesë tjetër koherence!