Sfida të vjetra dhe nevoja për një qasje tjetër filozofike

  • Abstrakt 

Në ditët e sotme, shoqëria po e rrit gjithmonë e më shumë vëmendjen e saj ndaj universiteteve, me besimin dhe shpresën për të përfituar sa më shumë nga dijet, arritjet e perceptimet që gjenerojnë këto institucione. Nga ana tjetër, vetë universitetet po i kushtojnë vëmendje gjithmonë e më të madhe studimeve që kanë synim të marrin në analizë situatën në të cilën ndodhen, sikundër edhe atyre që, mbi bazën e kësaj analize, ofrojnë ide e vizione, rekomandime e sugjerime se si të ecin përpara.

Ky kontribut ka synim të marrë në analizë sfidat me të cilat u përball shoqëria shqiptare
në periudhën e pranimit të kandidatëve për studentë në institucionet e arsimit të lartë,
për vitin akademik 2016-2017. Për këtë, artikulli sjell në vëmendje nevojën për një qasje të re në lidhje me këtë procedurë dhe opsionin për të ndryshuar filozofinë në lidhje me
regjistrimet në IAL, krahas një përmbledhjeje të shkurtër krahasuese të mënyrave të pranimit e regjistrimit të kandidatëve për studentë në SHBA, Astrali dhe në disa vende të Europës. Një nga konkluzionet është se pranimi i kandidatëve për studentë në institucionet
e arsimit të lartë duhet të jetë rrjedhojë e një procesi organizues dhe selektues nga vetë këto institucione, ndërsa roli i Ministrisë përkatëse të kufizohet vetëm në disa tipare monitoruese.

  • Hyrje 

Fillimisht duhet të theksojmë se nga viti 1990 dhe deri më sot, mënyrat dhe kërkesat
për pranimin e kandidatëve për studentë në institucionet e arsimit të lartë, në Shqipëri,
kanë ndryshuar disa herë, duke kaluar nga një model në një tjetër, nga një përvojë në
një tjetër. Por pavarësisht zgjedhjeve që janë bërë, sado karakteristika të ndryshme apo të
përbashkëta që mund të kenë pasur, të gjitha mund të përmblidhen në një emërues: janë
hartuar në zyrat e MAS, larg kërkesave dhe nevojave që ka pasur realisht vendi, herë në
emër të politikës dhe herë në emër të paaftësisë. Rrallë me profesionalizëm.

Nëse ka fushë ku është eksperimentuar më shumë është arsimi. Nëse ka fushë ku shteti ka kërkuar të ruajë me çdo kusht monopolin e kontrollit është përsëri arsimi. Dhe këtu nuk flasim vetëm për sistemin parauniversitar, por edhe për atë universitar dhe, brenda këtij niveli, nuk bëhet fjalë vetëm për universitetet publike, por edhe për ato private. Ndërhyrja e fundit e shtetit në këtë nivel u manifestua edhe në procesin e pranimit dhe regjistrimit të kandidatëve për studentë për vitin akademik 2016-2017, frymëzuesja dhe zbatuesja e mënyrës së pranimit, ofruar dhe reklamuar nën sloganin “meritë-preferencë”.

Duke arsyetuar me termat e qeverisë, si dhe në kuadrin e një analize cilësore, – në Shqipëri, – filozofia e sistemit “meritë-preferencë” i ka rrënjët në periudhën e fund-viteve 1980, kur “merita” për studime universitare caktohej nga komiteti i partisë, në bazë të sfondit ideologjik të familjes dhe të notës mesatare të gjimnazit të kandidatit për student. Në të njëjtën analizë, – në Europë, – filozofia e sistemit “meritë-preferencë” i ka rrënjët në fillimet e historisë universitare, kur studimet universitare u ofroheshin vetëm një klase të caktuar njerëzish, të cilët presupozohej se do merrnin drejtimin e vendit, pra kishin synim më shumë krijimin e lidershipit, ose të një klase drejtuese. Për shembull, në Gjermani, më vitin 1960, vetëm 6% e nxënësve që mbaruan shkollën e mesme arritën të kalojnë provimet e pranimit për në universitet.[1]

Por pavarësisht se filozofia frymëzuese është e njëjtë në të dy shembujt e mësipërm, ekziston një dallim shumë i madh në mënyrën e zbatimit të saj: në rastin e Shqipërisë sistemi zbatohet larg universitetit, si hapësirë dhe si kohë, formësuar kryesisht nga faktorë ideologjikë, ndërsa në Gjermani sistemi zbatohet brenda në universitet, si hapësirë dhe si kohë, formësuar kryesisht mbi bazën e arritjeve të certifikuara nga vetë universiteti. Për të qenë shumë të qartë, universitetet në Gjermani i caktojnë vetë meritat e kandidatëve që ofrohen si preferencë për të vazhduar studimet. Në këtë proces, Ministria e Arsimit është diku në hapësirë, ose është thjesht një vendndodhje gjeografike. Në se analizojmë filozofinë e pranimit të studentëve në universitet në SHBA, kjo filozofi bazohet, kryesisht, në nevojat dhe pritshmëritë që kanë shoqëria, njerëzit dhe ekonomia. Pra, universiteti është një lloj bilete për një jetë më të mirë, për çdo qytetar të aftë të përftojë dhe të përdorë një dije të plotë dhe solide. Çdo vit, në SHBA diplomohen afro 3 milionë nxënës nga shkollat e mesme, nga të cilët 60% ose 1.8 milionë prej tyre regjistrohen në një kolegj. Sa i takon meritë-preferencës, edhe në SHBA sistemi zbatohet në universitet, si hapësirë dhe si kohë. Në ditët tona, të njëjtën filozofi, – të paktën për nivelin e parë të studimeve, – e kanë përqafuar edhe universitet në Europë dhe në pjesën më të madhe të botës sot. Sa i takon vendit tonë, lidhur me pranimet dhe regjistrimet në vitin akademik 2016-2017 në institucionet e arsimit të lartë, sigurisht që kemi një evoluim të filozofisë të këtij sistemi, sepse është hequr kriteri ideologjik, por është mbajtur vetëm nota mesatare, gjë që na largon përsëri, me vite-dritë, nga modeli i përgjithshëm botëror, ndërkohë që ri-gjallëron dimensionin “arkaik” të tij. Thënë me pak fjalë, ndryshimi rezulton jo cilësor, por thjesht sasior.

  • Vështrim historik

çështje dhe probleme, shqetësime dhe arritje që shoqërojnë pranimin e kandidatëve për studentë në institucionet e arsimit të lartë në disa vende në botë

Pranimi i kandidatëve për studentë në pjesën më të madhe të universiteteve në botë është ekskluzivisht vendim i universiteteve, në frymën e disa politikave, mbi bazën e të cilave vendosen kritere të caktuara, ose hartohen programe specifikë pranimi me synimin për të përkrahur e promovuar shtresa të caktuara të shoqërisë, por në të dyja rastet, të gjitha kërkesat vlerësohen nga vetë stafet e tyre. Për të identifikuar sa më sipër, studimi përmban një vështrim historik, mbështetur në dy burime kryesore: studimet e kryera nga vetë universitetet ose shoqatat e tyre, materializuar në botime të ndryshme, sikundër edhe raportimet në media. Paraqitja ndjek rendin kronologjik dhe shtrihet deri në fundin e viteve 1960, kohë në të cilën popullsia njeh rritje, ndërkohë që vetë shoqëria pranon të drejtën për arsim, edhe në nivel të lartë, si të drejtë universale, duke hequr dorë, përfundimisht, nga aksioma se “Shkolla e lartë është privilegj vetëm për një klasë të caktuar”. Ndonëse studimi bën një analizë kryesisht cilësore, duhet pranuar, se studimet në këtë fushë janë të pakta. Vendet e zgjedhura janë katër, me përvojë nga më të mirat në nivel global dhe, në të njëjtën kohë, mjaftueshëm për të dhënë një tablo të përgjithshme, e aftë të shërbejë si sistem krahasues për rastin tonë. Në Danimarkë, në fundin e viteve 1960, si rrjedhojë e shtimit të kërkesave për të ndjekur studimet e larta, universitetet fillojnë të zbatojnë “Politikën e regjistrimeve të hapura”, me synim pranimin e të diplomuarve nga një numër më i madh tipologjish të shkollave të mesme, por që shoqërohet, njëkohësisht, me rritjen e numrit të programeve përgatitës në shkollat e mesme, veçanërisht për adoleshentët dhe të rriturit që vinin nga kultura ose shtresa sociale në disavantazh.[2] Rritja e numrit të studentëve shërbeu si një mundësi e mirë edhe për rritjen e zhvillimin e vetë universiteteve. Në këtë rast, shteti u përgjigj jo duke kufizuar kërkesat për studime, por duke hapur universitete të reja. Shqetësime kryesore, në këtë kohë, sa i takon përfshirjes së shtetit, janë shtrirja gjeografike dhe madhësitë e universiteteve të reja që do të hapen, por jo regjistrimet në universitet.

Në SHBA, më vitin 1970, Universiteti i New Yorkut ndërmerr një nga nismat më ambicioze në plan kombëtar: promovimin e mundësive për të gjithë për të hyrë në universitet, nëpërmjet politikës së regjistrimit të hapur: pra asnjë kriter shtesë, përpos atij të mbarimit të një shkolle të mesme.[3] Gjatë një periudhe 14 vjeçare, universiteti studioi se sa shumë mundësi krijoi kjo politikë dhe se sa kjo politikë arriti të përkthehet në arritje arsimore. Ndonëse pati shumë studentë që diplomën BA, në vend ta merrnin për 4 vjet e morën për 6, numri i studentëve të regjistruar ishte me dhjetëra mijëra, – analiza tregoi pika të forta dhe të dobëta të kësaj politike. Po në këtë vend, në vitin 1997, sipas një paneli diskutimesh organizuar nga Departamenti Amerikan për Arsimin, barrierat për të ndjekur studimet e larta universitare, mund të përfshihen në një nga gjashtë kategoritë: financiare, akademike, race e gjinie, zgjedhjeje, motivimi dhe teknologjie, ndërkohë që diskutimet e mëtejshme ishin në frymën si të zvogëlohen edhe më shumë këto pengesa, fokusuar akoma në nevojën për politika më të mira publike. [4]

Më vitin 1998, Bennett, Marla Anne në temën e saj të disertacionit ka si synim të eksplorojë evolucionin e politikave dhe të praktikave që ndikuan në regjistrimin e studentëve të zinj në Universitetin e Sirakuzës gjatë periudhës 1942-1969. Sipas studiueses, rritja e numrit të studentëve të zinj mund të lidhet me popullaritetin e futbollistëve dhe të basketbollistëve, si dhe me dëshirën për të rekrutuar atletë të shkëlqyer të zinj.[5]

Më vitin 2014, në një intervistë dhënë në BBC, William Deresiewicz, profesor në Yale University, thekson trysninë që ushtrohet mbi nxënësit e shkollave të mesme në SHBA për të qenë “aplikantët model”, “më të besueshëm” dhe me “më shumë mundësi” për t’u pranuar në programet e studimit të institucioneve të arsimit të lartë. Në Australi, për Marguerite Mary Cullity, “qeveria është e angazhuar në zhvillimin e një sistemi të lartë universitar me mundësi dhe rezultate sa më të mira për të gjithë australianët”.[6] Për këtë qëllim, ajo nxit universitetet për të ofruar programe të ndryshme regjistrimi, si një mundësi e mirë për drejtësi sociale dhe strategji për të mësuarin gjatë gjithë jetës. Një nga parimet kryesore që ndiqet në këtë rast është se të gjithë australianët kanë të drejtën të ndjekin universitetin (Ibid: 114). Po ashtu, në këtë vend, programi i regjistrimeve në institucionet e arsimit të lartë përmban shumë alternativa, edhe në lidhje me moshën, – Australia ka shumë kandidatë për studentë që janë të moshës 21 vjeçare ose më shumë – dhe u jep mundësi të gjithëve të ndjekin një shkollë të lartë. Në studimin e cituar të Cullity merren në analizë çështjet dhe shqetësimet që shoqërojnë ndjekjen e studimeve të larta nga kjo kategori studentësh, sikundër edhe ndihma që u jepet atyre nga vetë universitetet australiane për t’u regjistruar dhe ndjekur studimet e larta. Studimi shtrihet për një periudhë pesë vjeçare dhe mbështetet nga vetë universitetet. Sipas autores, në këtë mënyrë kemi mundësi të hartojmë politika alternative pranimi (Ibid : 8). Sipas Komitetit të Australian të Zëvendës-kancelarëve, – organi përgjegjës për menaxhimin e përditshëm të universiteteve, në një raport të vitit 2002 me titull “Cilësi nëpërmjet diversifikimit”, pohohet: Sfida nuk është të gjejmë një zgjidhje të vetme dhe këtë t’u a imponojmë të gjithë studentëve, për të gjitha kurset që ndjekin dhe për të gjithë universitetet. Sfida jonë është të krijojmë mjedisin që mundëson sa më shumë diferenca, por gjithsesi efektiv në ndihmë të gjithë grupeve të studentëve.

Pranimi i kandidatëve për studentë për vitin akademik 2016-2017, në shqipëri, – çështje dhe probleme, shqetësime dhe arritje.

Në shtatorin e vitit 2016, të gjitha mediet e vendit raportonin një situatë dramatike sa i takon procesit të zgjedhjes e pranimit të maturantëve të brezit 2015-2016 në institucionet e arsimit të lartë, ku me qindra kandidatura nuk figuronin fituese në degët e ëndërruar dhe akoma më shumë nuk figuronin fare fituese. Për fatkeqësinë tonë, shumë prej tyre me mesatare të mirë dhe shumë të mirë. Sipas deklaratave të kryeministrit në media, kjo sepse fitojnë “më të mirët” dhe janë ata që zgjidhen fillimisht, nga sistemi, për të kryer studimet në një degë të caktuar të arsimit të lartë, për t’u lënë radhë të tjerëve, atyre “më pak të mirë”, të zgjedhin. Në të njëjtin nivel arsyetimi ishin edhe deklaratat e ministrit të radhës së arsimit. Por me gjithë refrenin ngushëllues të duetit kryeministër-ministër, pyetjet që shtrohen janë të shumta: Pse regjistrimi i kandidatëve për studentë në institucionet e arsimit të lartë në prag të vitit akademik 2016-2017 prodhoi aq shumë pakënaqësi, – pakënaqësi te studentët, pakënaqësi te prindërit dhe pakënaqësi te vetë stafet e universiteteve? Pse një proces i propaganduar si “Meritë-preferencë” nuk siguroi balancën e duhur ndërmjet meritës dhe preferencës për shumicën e kandidatëve për studentëve? Pse sistemi i përzgjedhjes rezultoi një proces i stërgjatë regjistrimesh dhe u shoqërua me sorollatje të kandidatëve për studentë nga një universitet në tjetrin, nga një raund aplikimesh në tjetrin, nga një vlerësim në tjetrin? Na duhet të ndryshojmë algoritmin e zgjedhjes, apo duhet të heqim dorë tërësisht nga kjo lloj filozofie e zgjedhjes?

Duke qenë se e gjithë përzgjedhja bazohet në rezultatet e shkollës së mesme, konvertuar vetëm në një lloj arritjeje, – në notë, – problematikat e shfaqura gjatë procesit të zgjedhjes, pranimit e regjistrimit të kandidatëve për studentë për sa më sipër, mund të ndahen në dy lloje: ato me natyrë teknike dhe ato me natyrë ideologjike.

Të natyrës teknike:

  • Mungesa e informacionit në shkollë të mesme në lidhje me kërkesat specifike që kishin universitete e fakultete të ndryshme.
  • Zgjedhja e gabuar e lëndëve, përcaktuese për një program të caktuar të lartë studimi. Për shembull shumë nxënës kishin zgjedhur matematikë të thelluar, ndërkohë që dëshira e tyre ishte të regjistroheshin në farmaci.
  • Mospërputhje e emrit të një programi që ofrohej në shkollë të mesme, me emrin e programit që e specifikonte dhe e kërkonte universiteti.
  • Numri i madh i zgjedhjeve për çdo student: sipas sistemit, çdo kandidat zgjedh 10 programe studimi. Ky numër zgjedhjesh, që në vështrim të parë është mundësi për më shumë, e shndërron mundësinë në absurditet, ndërsa vetë kandidatët, me frikën se mund të humbin të drejtën e studimit, të zgjedhin jo më në bazë të dëshirës dhe të talentit, por të probabilitetit për të fituar. Nga ana tjetër, një numër kaq i madh preferencash, bllokon, në çdo raund, 90% të numrit të vendeve bosh të mbetura në programet e studimit. E thënë ndryshe, përzgjedhja i ngjan lojës me matrushkat ruse: nga raundi në raund plotësohet 10% numrit të vendeve të mbetura bosh nga raundi i mëparshëm, ndërsa shumica, plot 90% e kandidatëve, presin raundin tjetër.
  • Përfshirja e MAS, nëpërmjet agjencive të saj në procesin e vlerësimit, rankimit dhe ndarjes së kandidatëve për studentë në universitete të ndryshme është shpenzim kohe dhe energjie.
  • Pjesëmarrja e kandidatëve për studentë në disa raunde zgjedhjeje dhe vlerësimi, përpos ngarkesës emocionale, është edhe shpenzim kohe dhe energjie.

Të natyrës ideologjike:

  • Sistemi fut në një thes të gjitha llojet e shkollave të arsimit të mesëm parauniversitar dhe atij të lartë. Futja në një thes e të gjitha llojeve të arsimit të mesëm parauniversitar bën barazimin e cilësisë së notës në të gjitha shkollat, ndërkohë që vetë MAS, për çdo rreth, në fund të çdo viti shkollor, bën një renditje të shkollave nga më e mira në më e dobëta, që nënkupton, nga vetë ajo, se puna që kryhet në shkolla nuk ka të njëjtën cilësi. Me referimin e mësipërm, – dhe besoj të pranuar nga të gjithë, – është shumë e vështirë të dalësh me mesatare 10 në një nga gjimnazet më të mirë të Tiranës dhe shumë e thjeshtë në një nga gjimnazet më të dobët të saj. Për të mos folur për gjimnazet më të dobët të një qyteti në cep të Shqipërisë. • Sistemi penalizon të talentuarit.
  • Sistemi është i pandershëm sepse vë shenjën e barazimit ndërmjet të gjithë universiteteve, ndërkohë që u ofron njëlloj, të varfërve dhe të pasurve, alternativa të njëjta shkollimi në lidhje me pagesën.
  • Sistemi është i pandershëm sepse nuk ka punë Ministria e Arsimit të përcaktojë, mbi bazën e një formule matematikore, sado e koklavitur dhe me variabla të jetë ajo, se për çfarë është i aftë dhe ku do japë më të mirën secili prej atyre mijëra maturantëve që kanë aplikuar për të vazhduar studimet në shkollën e lartë, – kjo është një punë që u takon universiteteve;
  • Sistemi është i pandershëm sepse premtimi ishte që shkolla e mesme dhe rezultatet e saj do ishin dëshmi për mbarimin e këtij niveli, dhe jo kusht për hyrje në universitet.
  • Sistemi është i pandershëm sepse vetë shkollat e mesme, për mungesë të mesuesve dhe të teksteve, nuk ofronin shumë nga lëndët që ju duheshin nxënësve për të marrë pikët maksimale, pra jo për mungesë të dëshirës, vullnetit a talentit të nxënësve për të qenë “më të mirët”;

Duke ju kthyer përsëri problematikës në vendin tonë për pranimet e regjistrimet në vitin akademik 2016-2017, nxitja për përfshirje në edukim duhet të jetë pjesë e politikave dhe e strategjisë së MAS. Me thellimin e hendekut ndërmjet të varfërve dhe të pasurve, Universiteti është një nga mundësitë, në mos e vetmja, për një zhvendosje vertikale në shkallët e shoqërisë dhe të ekonomisë të shtresave më të dobëta dhe më të varfra. Nga ana tjetër, sa më shumë njerëz me një diplomë universitare, aq më solide është një shoqëri në vlera dhe në ekonomi. MAS duhet të heqë dorë nga praktika e deritanishme e rankimit dhe e regjistrimit të kandidatëve në universitet. Në planin njerëzor, praktika e ndjekur nuk shpërblen përpjekjet reale, nuk promovon talentet, nuk lejon një shans të dytë. Në po këtë plan, praktika e ndjekur përjashton përgjithmonë nga një mundësi ata që mundësitë u ofrohen më vonë. Në planin institucional, praktika e ndjekur mbyt nismat për të ofruar programe regjistrimi me shumë alternativa e mundësi, kufizon autonominë e universiteteve. Ministria e Arsimit dhe agjencitë e varura nga ajo mund të merren me përllogaritjen e pikëve a të mesatares me të cilën një nxënës ka mbaruar shkollën e mesme, por jo të rankojë në bazë të tyre meritat. Merita nuk është vetëm notë. Të paktën në rastin e regjistrimeve për në universitet. Procesi i vlerësimit dhe rankimit të kandidatëve për studentë duhet të zhvillohet në universitet, iniciuar dhe drejtuar nga stafet akademike përkatëse, në bazë të kritereve të caktuar nga vetë ata, ku nota mesatare, – çfarëdo emri që t’i vihet: e ponderuar ose jo e ponderuar, mesatare e tre viteve e të gjitha lëndëve apo e disa lëndëve – është një nga kushtet për pranim, kusht i nevojshëm, por jo edhe i mjaftueshëm. MAS ka rol vetëm monitorues. Një lloj si në pjesën më të madhe të vendeve në botë.

  • REKOMANDIME
  1. Universitet duhet të ushtrojnë trysni mbi Ministrinë e Arsimit për të ndryshuar mënyrën e zbatimit të sistemit “meritëpreferencë”. MAS duhet të luajë rol në monitorimin e procesit të regjistrimit, por jo në vetë procesin.
  2. Të hiqet mesatarja si kusht për aplikim në universitet.
  3. Degë të ndryshme në universitet mund të jenë me numër të mbyllur, ose me numër të hapur.
  4. Universitet duhet të ushtrojnë trysni për të realizuar vlerësimin e jashtëm nga agjenci të jashtme të akredituara dhe për të mbyllur çdo institucion të arsimit të lartë që nuk vepron në përputhje me kushtet e licencimit. Këto akreditime duhet të jenë periodike.
  5. Të marrin rëndësi programet e pergatitjes, si fazë kalimtare për kalimin nga shkolla e mesme në universitet – për të gjithë ata studentë të cilët nuk mund të fitojnë një vend në universitet nga pjesëmarrja në një konkurs të zakonshëm.
  6. Të organizohet një forum me të gjithë institucionet e arsimit të lartë në lidhje me politikat për pranim në institucionet e arsimit të lartë.

Konkluzione

Nisur nga situata e vitit të kaluar, paraqitet si domosdoshmëri organizimi i një paneli ose forumi në lidhje me hartimin e politikave të reja për pranim në institucionet e arsimit të lartë. Çështja kryesore e diskutimit është në se duhet të mbahet a jo skema e propozuar nga qeveria në vitin akademik 2016-2017 dhe a duhet të zëvendësohet me një të re, ku rolin kryesor ta kenë vetë universitetet, në bazë të kushteve dhe strukturës që ofrojnë. Në mendimin tonë, skema meritë-preferencë e fokuson vështrimin vetëm në disa arritje ose të dhëna në lidhje me formimin akademik të kandidatëve për studentë, ndërkohë që nuk përfshin shumë të dhëna të tjera, përcaktuese për pasur një gjykim më të saktë për atë se çfarë ofrojnë dhe çfarë u plotësojmë. Është e nevojshme të nxiten dhe të mbështeten studime që marrin në analizë kënaqësinë, synimet, përfshirjen e arritjet e studentëve të pranuar sipas skemës meritëpreferencë, ofruar dhe zbatuar nga qeveria, për të pasur edhe një studim sasior në ndihmë të gjykimit të politikave sa i takon kësaj çështjeje. Të dhënat e studimit duhet t’i vihen në ndihmë politikës. Po në kuadrin e studimeve, është e rëndësishme të nxiten studime që analizojnë lidhjen ndërmjet pranimeve dhe rezultateve të arritura. Nisur nga përvoja botërore është e nevojshme të zgjerohet përkufizimi i pranimit në institucione të arsimit të lartë, me shumë pika kalimi, përfshirë kolegje, kurse e programe të ndryshme, në funksion të rritjes së cilësisë dhe përgatitjes së mëtejshme. Universitet duhet të hartojnë politika në lidhje me gjashtë barrierat kryesore për regjistrim në institucionet e arsimit të lartë, formuluar nga paneli i studiuesve në ShBA, por që janë aktuale edhe për vendin tonë.

[1] 1 Hoffman, Rolf. “US Higher education” në Internationalization of European Higher Education. RAABE, november 2009, F. 1.3, f. 4.

[2] Daalder, H. & Shils, E. (eds., 1982). Universities, Politicians and Bureaucrats: Europe and the United States. Cambridge University Press, f. 239

[3] Douglass, John Aubrey (2007). The Conditions for Admission: Access, Equity, and the Social Contract of Social Contract of Public Universities, f. 61.

[4] U.S. Department of Education, American Council on Education, Washington D.C. (1998). Reconceptualizing access in postsecondary education. Report of the Policy Panel on Access, f. 8.

[5] Bennett, Marla Anne (1998). Marginally accepted: Policies and practices influencing the enrollment of black students at Syracuse University from 1942 to 1969, Syracuse University, PhD, 1998, f. 311.

[6] Cullity, Marguerite Mary (2010). Alternative Entry Programs to University for Mature Age Students: Program characteristics that encourage or inhibit mature student participation, f. 12. 66.

Ribotuar me disa ndryshime