Nga Ruchir Sharma

A po marrin vendet më të mirën e mundshme nga vendndodhja e tyre?

Shembulli i Dubait (4114 km katror)

Për shekuj, Dubai ka qenë thjesht shkretëtirë, me një qendër tregtare që mbahej nga shpirti i aventurës, rrethuar nga plazhe koralesh të bardha dhe populluar nga tregtarë perlash e kontrabandistë ari. Vetëm në vitin 2002, emirati i vogël u mundësoi të huajve blerjen e tokës, njëkohësisht me krijimin e shumë lehtësirave për zotërimin e saj. Familja sunduese e Mohammed bin Rashid Al Maktoumit u ofroi blerësve të huaj leje qëndrimi falas, taksa të ulëta dhe hua të lira. Kushtet ishin të parezistueshme. Të huajt vërshuan në turma. Nga gjysmë milion, popullsia u rrit menjëherë në dy milionë, ndërkohë që grataçielat, portet e vogla për jahte dhe ishujt e krijuar nga dora e njeriut në formën e palmave në det mbinin brenda një nate, bashkë me zhvillimin e kulturës kozmopolitane të një ekstravagance të pashpirt. Emirati i zymtë i pak kohëve më parë u bë i famshëm për spektaklet që ofronte me arkitekturën publike – hotele me formën e një anije lundrimi, apo qendra tregtare më e madhe në botë – ndërsa sa u takon shtëpive private janë pa dyshim vlerë më vete dhe e pakrahasueshme.

Në vitin 2008 kur shpërtheu flluska e borxhit global, mendimi i parë që më kaloi në kokë ishte se qyteti i dalë nga rëra e bardhë do i kthehej përsëri shkretëtirës. Dubai ishte i ekspozuar ndaj krizës për borxhin e madh, prej 120 miliardë dollarë, për ndërtimin e ndërtesave publike e private, në një vend ku të ardhurat vjetore të PBB-së shkonin në vetëm 80 miliardë dollarë.

Në muajt e parë të vitit 2009, Sheikh Mohammed dha publikisht premtimin se emirati i tij ishte në gjendje të paguante borxhet, por nuk arriti ta mbajë fjalën me vetëm dy javë – kaq ishte koha e vonesës në pagesën e këstit të radhës. Tregu u shkërmoq dhe ekonomia rrëshqiti në një humbëtirë të thellë. Gjatë udhëtimeve të mia kaloj shpesh nga Dubai dhe gjithmonë isha skeptik nëse ky vend do ia dilte të mëkëmbej ndonjëherë, por nënvlerësoja kapacitetin e tij për t’u përshtatur.

Nga shtatë emiratet, ose principatat mbretërore që janë pjesë e Emirateve të Bashkuara Arabe, Dubai është ai me histori më të veçantë. Dubai bën gjithmonë përpara dhe e rrit prosperitetin e tij sa herë fqinjët e tij janë keq,  – në fakt fqinjët e tij gjithmonë janë në periudha të trazuara. Dubai ka lulëzuar në periudhën ndërmjet dy luftërave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Irak, pastaj edhe pas sulmeve terroriste në kullat binjake më 9/11 dhe përsëri edhe pas shpërthimit të revoltave të Pranverës Arabe të vitit 2011. Ndërsa revoltat shpërndaheshin në të gjithë botën arabe, Dubai u riformësua edhe më fuqimisht nga problemet që kishte me borxhin. Investitorë nga të katër anët e botës filluan t’i derdhnin paratë e tyre në Dubai, ndërkohë që i tërhiqnin, për shembull, nga Egjipti, Libia e Siria. Ndërsa shumë nga ekonomitë e Lindjes së Mesme kishin mbetur të mbërthyera pas zhvillimeve të paparashikuara politike, Dubai bënte me dije ritmet e shpejta të rritjes së tij ekonomike në vlerë më të mëdha me disa pikë sesa mesatarja e vendeve të botës në zhvillim. Qyteti port ishte destinacioni më i kërkuar për shumë punëkërkues. Popullsia rritej me një ritëm vjetor të përafërt me 10%. Hotelet që kishin shumë dhoma bosh në vitin 2009 u mbushën përsëri në vitin 2013. Udhëtarët që mbërrinin nga udhët ajrore pothuaj u dyfishuan në pesë vjet, për të mbërritur në shifrën 65 milionë dhe duke shndërruar Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait në një nga pesë aeroportet më të frekuentuara në botë.

Skeptikët si puna ime vënë në dyshim çdo gjë. Fillimisht pyeta veten se ku do mund t’i gjente Maktoums klientët për qendrën e tij tregtare më të madhe në botë dhe punonjësit për ndërtesën më të gjatë në botë, por doli se ai mundej. Por në këtë periudhë është e rëndësishme të theksojmë se ekonomia nuk ishte e orientuar më drejt projekteve të mëdha të ndërtimit; si pjesë e PBB-së, ndërtimi kishte rënë nga më shumë se 30% në vitin 2008 në 20%. Transporti, tregtia dhe industria e turizmit, strehuar në gratacielat e mëdha ishin zhvilluar më së miri. Por kjo nuk do të thotë se Sheikh Maktoum kishte humbur shijen për të qenë dramatik, kur lajmëroi një mega-projekt të ri prej 130 miliardë dollarësh në vitin 2012, përfshirë ndërtimin e një qyteti të ri me vlerë 100 miliardë dollarë, të cilit do ia vendoste emrin e tij, me një pishinë noti me sipërfaqe 0.2 km2 që do të jetë, sigurisht, pishina më e madhe në botë. Lajmërimi i mësipërm u shoqërua me frikën dhe shqetësimin se Dubai po luante përsëri me kartën e borxhit ekstravagant. Për skeptikët, një nga projektuesit vendas vari një poster, të barabartë në madhësi me atë të tridhjetë kateve, në një ndërtesë në pronësi të tij në qendër të qytetit, ku shkruante këtë mesazh: “Keep calm, there is no bubble.”

Në vitin 2013, isha më pak i shqetësuar nga kërcënimi i flluskës dhe më shumë nga gjetja e përgjigjes për çështjen kurioze se çfarë e bënte Dubain të ishte kaq rigjallërues. Përgjigjja bazike më e pranueshme është se Dubai kishte mundur të ndërtonte një shtëpi të hapur në një fqinjësi të mbyllur. Rrethuar nga shtete-naftëtare, në gjendje të prodhonin pasuri përrallore, por në shënjestër të luftërave civile dhe shkatërrimeve nga përplasjet e sekteve myslimane, vetëm Dubai i mbante dyert hapur dhe mirëpriste të gjithë të porsaardhurit. Në këtë rajon janë shumë njerëz që kërkojnë një pikë sigurie. Dubai është parajsa qiellore në tokë dhe të gjithë sigurohen në ruajtjen e status quosë së tij. Dubai është vendi ku takohen udhëheqësit rebelë talibanë, piratët somalezë dhe guerilasit kurdë për të lidhur marrëveshje ose bërë tregti armësh, por për sa kohë që mbajnë kokën ulur dhe nuk shqetësojnë paqen lokale, sikundër shkruan James Rickards në veprën e tij Currency Wars. Në librin e tij, Rickards krahason Dubain modern të ditëve të sotme me qytetin plot sharm Casablanca në filmin e Hollivudit: “tokë neutrale”, ku armiqtë e luftërave përqark mund “të takohen, rekrutojnë dhe tradhtojnë njëri-tjetrin pa frikën e arrestimit të menjëhershëm”.[i]

“Dubai është shembulli ekstrem i pozicionit të favorshëm gjeografik, një vend që ka bërë të pamundurën për të përfituar sa më shumë nga vendndodhja e tij gjeografike.”

Dubai mund të kishte rënë viktimë e mosfunksionimit ekonomik e politik që pllakosi gjithë Lindjen e Mesme, por përkundrazi, arriti ta menaxhojë situatën dhe ta kthejë në favor, duke u shndërruar në nyjën tregtare të një rajoni, toka e të cilit mban 60% të rezervave të njohura botërore të naftës. Në peizazhin botëror të rrugëve tregtare, mbushur plot me pika kalimi të turbullta – nga ngushtica e Malakës, në Kanalin e Panamasë e në ngushticën e Hormuzit – ylli i Dubait shkëlqen veçan dhe vështron se si nafta ikën jashtë shteteve-naftëtare të trazuara, si Iraku dhe Irani. Në fakt, Dubai ka qenë shumë më i begatë se fqinjët e tij naftëmbajtës, sepse diti ta shndërrojë veten në pikë kyçe për anijet, sikundër edhe për udhëtime, teknologji informacioni e deri shërbime financiare.

Në Dubai shteti duket i tërhequr, por çdo gjë monitorohet, shpesh nëpërmjet kamerave të vëzhgimit. Nëse ecni me shpejtësi më të madhe se vlera e lejuar në rrugën Sheikh Zayed,  – arteria kryesore e vendit dhe ku zakonisht lind dëshira për gara shpejtësie, – rrallë do mund të shihni ndonjë polic, por në momentin e parë që do të hapni e-mailin, do të gjeni gjobën për tejkalim shpejtësie. Në rastin e keq, kur kjo shpejtësi e madhe përfundon në aksident, policët shfaqen në çast, me makina Lamborghini, që janë pjesë e stacioneve të policisë. Prezenca e një shteti high-tech dhe të mirëfinancuar mund të na ndihmojë të shpjegojmë pse Dubai nuk ka qenë deri më sot objekt i ndonjë sulmi terrorist të suksesshëm, ndonëse nuk duhet të kenë munguar, sepse raportet e policisë tregojnë për disa të tilla, zbuluar vitet e fundit. Minoritetet ndihen të sigurta për shkak të tolerancës, që jo vetëm inkurajohet, por edhe kërkohet të zbatohet me forcë:

Dubai është shtëpia e më shumë se njëqind nacionaliteteve, nga punëtorët pakistanezë deri te futbollistët e famshëm britanikë, nga priftërinjtë e krishterë, murgjit e tempujve Hindu, besimtarët e rinj të Sikh gurdwara deri te ata të xhamive Shiite, diçka e padëgjuar dhe e paparë në vendet e tjera të Gjirit me dominancë Sunni.

Ndonëse shtete të tjera të Gjirit, si Arabia Saudite, Bahrai dhe Katari kërkojnë, po ashtu, të konkurrojnë për të qenë pjesë e tregtisë dhe e investimeve në Lindjen e Mesme, këto shoqëri konservative nuk kanë mundur akoma të demonstrojnë se janë të hapura ndaj monedhës dhe mënyrave të huaja, ndoshta pjesërisht sepse janë të pasura në naftë, ndërsa Dubai nuk është. E vetmja zgjedhje e Dubait ishte të shndërrohej në një lloj Casablanca e ditëve të sotme. Cilado ka qenë arsyeja, diferencat janë mahnitëse. Arabia Saudite po ndërton ndërtesën më të lartë në botë, një titull që po përpiqet t’ia vjedhë Dubait – Dubai është shtëpia e ndërtesës neofuturiste Burj Khalifa, që mban titullin ndërtesa më e lartë në botë që në vitin 2008. Por a do mund të vendosen të huajt në Arabinë Saudite, një vend aq i mbyllur, që akoma e ka shumë të vështirë të pranojë turistë të huaj, veçanërisht një grua të pambuluar? Në vitin 2013, Arabia Saudite tërhiqte afro pesë milionë myslimanë si vizitorë, kryesisht ata që bënin pelegrinazhin vjetor në Mekë, një numër që as nuk mund të krahasohet me 65 milionë turistë që vizituan Dubain e vogël. Duke krijuar një oaz liberal dhe paqeruajtës, Dubai arrin të tërheqë edhe parà nga e gjithë bota, përfshirë edhe nga fqinjët e tij konservatorë. Fluturimet që kanë si pikënisje Riadin, kryeqytetin e Arabisë Saudite, janë plot me gra saudite që flakin tej shaminë që në gjysmë të udhëtimit, të gatshme për të marrë mallrat më të mira në qendrat tregtare më të mëdha të botës, të kalojnë momente të paharrueshme në plazhe dhe të shijojnë çdo gjë nga ato që Dubai ka me shumicë për të ofruar.

Edhe para se ta merrte titullin e vendit ku kryqëzohen të gjitha rrugët e globit në vitet 2000, Dubai kishte arritur të mos ishte pjesë e betejave të brendshme që zhvilloheshin në rajonin e Lindjes së Mesme, përfshirë edhe ato që buronin nga ndarjet e dhunshme Shiite-Sunni. Pas revolucionit të vitit 1979, që e shndërroi Iranin në një theokraci Shiite, monarkët Sunni të rajonit të Golfit, përfshirë edhe ata nga Arabia Saudite dhe akoma më shumë ata që ishin pjesë e Emirateve të Bashkuara Arabe, filluan t’i shmangin lidhjet me qeverinë religjioze të Teheranit, si ato politike, ashtu edhe tregtare. Vetëm Emirati i Dubait i mbajti dyert e hapura për Teheranin. Në mesin e viteve 2000, pas akuzave ndaj Iranit për zhvillimin e armëve bërthamore, kur pjesa më e madhe e vendeve të botës zbatonin sanksione ndaj tij, Dubai ishte hendeku më i madh në terrenin e sanksioneve. Kur të gjitha bankat e mëdha ndërkombëtare tërhoqën degët e tyre nga Teherani, Dubai i mbajti të hapur kanalet e komunikimit nëpërmjet sistemit hawala, një rrjet informal për transferimin e parave. Për dekada me radhë, Dubai ka qenë shtëpia e komunitetit më të madh iranian që ndodhet jashtë kufijve të vendit – në fakt, në vend të parë ndodhen Shtetet e Bashkuara të Amerikës – me 450,000 rezidentë dhe dhjetëra-mijëra biznese iraniane, krahas faktit që nga Dubai nisen çdo javë afro dyqind fluturime drejt Iranit.

Sekreti i Dubait është të qenët i hapur për këdo, por fati që ndodhet pranë Iranit mund të jetë arsye për një bum edhe më të madh në vitet në vijim. I pyetur se si e shpjegon aftësinë rigjeneruese ekonomike të Dubait, Rahul Sharma, ish-redaktor i Khaleej Times, sugjeron se përgjigjja gjendet në shtegun që dikur gjendej përgjatë Dubai Creek dhe sot është shndërruar në një lumë bërë nga dora e njeriut, ose edhe te skelat e ndërtimit, anijet me vela që zbukurojnë brigjet, kondicionerët e makinat larëse që mbushin maunet, pjesa më e madhe e të cilave nisen drejt Iranit. Ndërsa për Karim Sadjadpourin, bashkëpunëtor i Carnegie Endowment for International Peace, suksesi i Dubait është, pjesërisht, edhe për shkak të izolimit dhe dështimit të Iranit, sepse pjesa më e madhe e tregtisë së emiratit është me Iranin dhe konsiston në rieksportimin e mallrave nga shumë vende që nuk dëshirojnë të bëjnë biznes me të. Në vitin 2015, kur qeveria iraniane bëri hapa përpara në arritjen e një marrëveshjeje për heqjen e sanksioneve, u fol se Dubai mund të vendoste përsëri në funksion lidhjet e vjetra dhe të afërta që kishte me mbretërinë persiane për t’u shndërruar në “Hong Kongun e Iranit”. Referenca në lidhje me sa më sipër shkon mbrapa në kohë, në vitet 1980, kur Pekini po dilte nga izolimi, ndërsa ishulli i lirë i Hong Kongut po merrte me sukses rolin e ndërlidhësit kryesor të Kinës me botën e jashtme. Hong Kongu është një tjetër shembull i mirë se si fati i të qenët në një vendndodhje të favorshme, kombinuar me një politikë të mirë, mund të shndërrohen në faktorë kyç për një bum ekonomik.

Këto raste janë një ilustrim shumë i mirë që na inkurajojnë të ngremë një çështje të rëndësishme për ekonominë: A po bën vendi maksimumin e mundshëm në shfrytëzimin e vendndodhjes gjeografike në të cilën ndodhet? Për të gjetur fatlumët, zakonisht kërkoj për ato vende që shfrytëzojnë sa munden vendndodhjen e tyre, duke i hapur dyert tregtisë dhe investimeve me botën e me fqinjët, si dhe përpiqen të vendosin në një balancë sa më të drejtë zhvillimin dhe rritjen e qyteteve kryesore me ato që ndodhen në rajone të largëta.

Dubai është qyteti-shtet me 2.2 milionë banorë dhe nuk ka asnjë provincë në zotërim, por kultivimi i fuqishëm i lidhjeve me fqinjët dhe, së fundmi, edhe me gjithë botën, na tregojnë se edhe kur vendndodhja gjeografike nuk është më shumë se thjesht një shkretëtirë mund të transformohet në një mrekulli, falë udhëheqjes nga njerëz të talentuar.