Për të katërtin vit radhazi, Teatri i Metropolit organizon me fëmijët e shkollave publike “Hasan Vogli” dhe “Lidhja e Prizrenit” kampin e verës. Synimi është edukimi i fëmijëve ndryshe, nëpërmjet teatrit, si metodë e edukimit liberal.

Sonila Kapidani, drejtuese e Sektorit të Edukimit në Teatrin Metropol, duket shumë krijuese dhe e vendosur në realizimin e synimeve të saj. Këtë vit tema e kampit ishte konflikti, e cila u shtjellua nëpërmjet një qasje të re – vënies në skenë të një pjese teatrore për fëmijë, përshtatur për teatër nga Valbona Nathanaili, bazuar në përrallën me titull “Portokalli fluturues rrëfen historitë e tij” të një prej filozofëve më të njohur në fushën e zgjidhjes së konflikteve, Johan Galtung.

“Portokalli fluturues rrëfen historitë e tij” është një nga librat e paktë për fëmijë në gjuhën shqipe që trajton tema nga jeta e përditshme me një qasje të re, pa Princesha dhe Hirushe që e gjejnë fundin e lumtur te zgjidhja magjike.

Fabula e pjesës është një portokall i vogël që ka aftësinë të fluturojë nga një vend në tjetrin dhe t’u tregojë miqve të tij fëmijë se çfarë ka parë dhe, akoma më shumë, t’i mësojë të ndajnë ndërmjet tyre sa herë kanë një konflikt, ose sa herë dy palë duan të njëjtën gjë: të njëjtin portokall, të njëjtën tokë, të njëjtin det. Për Johan Galtung, zgjidhja e konfliktit nuk është kompromisi, sepse kompromisi është i përkohshëm, i kënaq palët vetëm për momentin. Ne duhet të gjejmë një zgjidhje që i kënaq të dyja palët, që i lumturon njësoj, që i bën të shohin para, – thekson Galtung. Por kjo kërkon propozime kreative, të mendosh të pamundurën, të realizosh ëndrrën, të shkosh përtej interesave të çastit, të gjesh zgjidhje afatgjata, në gjendje t’i rezistojnë kohës.

E gjithë pjesa teatrore shkruar nga Valbona Nathanaili mbështetet në këtë filozofi. Loja e fëmijëve ishte e mrekullueshme. Kori i portokalleve, dy grupet e ambasadorëve, dy vëllezërit, fëmijët e shkollës dhe avokati e sekretarja ishin të shkëlqyer në interpretim. Falë punës së palodhur të Sonilës dhe gjithë stafit mbështetës të saj, pjesa dukej e konsoliduar në të gjithë elementet: lojë e bukur, dialogë, aksion, fabul.

Duket ide e mirë që “Portokalli fluturues” të vazhdojë t’i tregojë historitë e tij në Teatrin e Metropolit për një kohë më të gjatë. Ndoshta mund të gjenden mundësitë të bëhet pjesë e sezonit të ardhshëm të shfaqjeve për fëmijë, jo vetëm si dëshirë për t’i afirmuar fëmijët si  aktorë të ardhshëm, jo vetëm si mjet për të zhvilluar edhe më tej synimin e këtij kampi vere – edukimin liberal, ose edukimin nëpërmjet arteve, por më shumë akoma: për të transmetuar, në një masë sa më të madhe njerëzish, nevojën që kemi për ta njohur konfliktin dhe për ta zgjidhur me mirëkuptim e dashuri.

Pjesa teatrore “Portokalli fluturues rrëfen historitë e tij” do të botohet së shpejti nga Fondacioni “Henrietta Leavitt” në formën e një libërthi të vogël.