Dr. Valbona Nathanaili

Shkëputur (me shkurtime dhe pa referenca) nga libri “Komercializimi i shkollimit”. / Botues: Fondacioni “Henrietta Leavitt”, 2019

Politika, përkufizime, probleme të përgjithshme

Politika është një vendim ose tërësi vendimesh, eksplicitë ose implicitë, që shërbejnë si udhërrëfyes për vendime të mëtejshme, si burim për inicimin e veprimeve të reja ose si referencë për frenimin a zbatimin e atyre ekzistuese. Sigurisht që ka shumë përkufizime për politikën. Politika është procesi përmes së cilit organizohet jeta e përbashkët në një shoqëri. Blakemore pohon se politika është “synime dhe qëllime, ose formulime, të atyre që presim të ndodhin”. Harman argumenton se: “[Politika]… është shprehja, implicite ose eksplicite, e ndjekjes së një kursi të qëllimshëm, që po ndiqet ose do të ndiqet, dhe e orientuar drejt plotësimit të disa synimeve të dëshiruara, në përgjigje të një problemi të njohur ose çështjeje që na shqetëson”. Por Harman nuk e sheh politikën vetëm si veprim, por edhe si pozicion ose qëndrim, kur shprehet se: “Politika mund të mendohet edhe si një pozicion ose qëndrim i zhvilluar në përgjigje të një problemi apo çështjeje konflikti” (Ibid).

Politikat dallohen nga njëra-tjetra në varësi të qëllimit, kompleksitetit, amplitudës së zgjedhjeve apo kritereve të vendosura, proceseve të hartimit apo mënyrave që propozojnë për zbatim. Për sektorë të ndryshëm mund të hartohen politika të posaçme. Politikat zakonisht shprehen nëpërmjet programeve, por mund të formulohen ose shpallen edhe me mënyra të tjera, si për shembull nëpërmjet fjalimit të një zyrtari të lartë të shtetit apo deklaratës për shtyp të institucionit përkatës. Për çështje specifike, që kanë të bëjnë kryesisht me menaxhimin e punëve të përditshme, politika mund të shprehet me vendime afatshkurtra, që ndryshe quhen edhe politika të vogla; për çështje strategjike apo shpërndarjen e burimeve në shkallë të gjerë, hartohen programe të gjera e të shumëfishta.

Politikat mund të marrin forma nga më të ndryshmet. Frikësim, manipulim dhe negocim klasifikohen si formë e pushtetit të fortë politik; frymëzim apo krijimi i rrjeteve të besimit klasifikohen si formë e pushtetit të butë të saj. “Inteligjencë politike” është aftësia për të matur dobësitë, pasiguritë, pëlqimet apo mospëlqimet ndaj të tjerëve dhe për t’i kthyer në instrumente personalë, shumë të ngjashëm me ato që Makiaveli i quante aftësi politike, tepër të rëndësishme në instalimin dhe nxitjen e pushtetit të fortë politik.

Politikat lindin nga trysnitë politike dhe gjenden brenda një sistemi politik, qëllimi i të cilit është të transformojë “konfliktet e grupit për burime publike dhe vlera, në kurse të autorizuara veprimi që lidhen me shpërndarjen e tyre”. Politika është sistematike dhe jo e rastësishme. Ajo është synim-orientuar dhe komplekse, e koordinuar, me disa kurse veprimi dhe jo një aktivitet i veçantë dhe i izoluar. Sa më përfshirës harku i synimeve politike, aq më problematik bëhet hartimi i programit të saj, veçanërisht në shoqëritë në tranzicion apo me konflikte të ndryshme. Taylor et al (1997) shprehen në këtë formë:

  • … politika është më shumë se një tekst i thjeshtë politik i shkruar. Në të përfshihen procese shumë më parë se të artikulohen në formën e teksteve dhe procese të cilat vazhdojnë edhe pasi teksti është formuluar; ajo modifikon vlerat e pohuara, veprimet e dëshiruara dhe praktikën aktuale. Politika shoqërohet gjithmonë nga kontestimi, i cili bëhet pjesë e politikës dhe e agjendës së saj sapo formulohet, nëpërmjet inicimit të veprimeve për shkëmbime të paevitueshme që përfshihen në formulim dhe zbatim. Kontestimi vjen nga vlera që njihen, nga zëra që dëgjohen ose që janë “autoritarë” në politikë apo nga ato grupe të cilët do të përfitojnë direkt si rrjedhojë e këtyre politikave.

Gjuha e shprehjes politike: analizë e shkurtër e tyre

Politikat mund të paraqiten në terma të ndryshëm, por më shpesh gjenden të formuluara në trajtën e:

  1. arritjes së objektivave
  2. zgjidhjes së problemeve.

Gjuha e përdorur mund të ketë pamje nga më të ndryshmet. Për shembull, partitë politike udhëhoqën negociatat për kompromis; nëpërmjet këtij procesi politik, u arrit pranimi i këtyre pikëpamjeve dhe vlerave.

Nocioni i politikës në ndjekje të objektivave themelore politike mund të ilustrohet me studimin e Kogan në të cilën ai i referohet politikave si “deklarata operacionale të vlerave” ose “shpërndarja autoritare e vlerave”. Një këndvështrim i tillë, në mënyrë shumë të dobishme, e fut politikën në kontekstin e çështjeve themelore me të cilat ajo identifikohet. Për shembull, në rastin e arsimit, mund të shpreheshim: Për çfarë është arsimi? Për çfarë arsimojmë? Kush vendos? Shërbimi që na siguron Kogan është vendosja e vlerave në qendër të kuptimit të politikave. Kogan identifikon katër vlera kryesore që mbështesin dhe informojnë politikën arsimore:

  1. Arsimore
  2. Sociale
  3. ekonomike
  4. institucionale

Kogan i klasifikon vlerat në themelore dhe sekondare: vlerat arsimore, sociale dhe ekonomike janë vlera themelore, që nuk kërkojnë të mbrohen më tej, sepse perceptohen si të drejta nga ata që besojnë, ndërsa vlerat institucionale janë vlera sekondare ose konsekuentiale, të cilat e mbartin argumentin në zonën e konsekuencave, të instrumenteve dhe instituteve. Vlerat instrumentale ose sekondare justifikohen nga masa deri në të cilën ato mbështesin ose çojnë më tej vlerat themelore.

Hierarkia e vlerave është dobiprurëse, sepse hedh dritë në rëndësinë relative që kanë faktorë të ndryshëm që udhëheqin politikat. Për shembull, nëse synojmë të nxisim përparimin e shoqërisë, duhet ta vëmë theksin në aftësimin për përfshirje aktive në ushtrimin dhe zhvillimin e demokracisë si dhe respektimin e shtetit ligjor; nëse synojmë që nxënësit tanë të mos pajtohen me asnjë lloj forme diskriminimi, duhet të nxisim të menduarin kritik; nëse synojmë rritjen e identitetit kombëtar, duhet të kërkojmë njohjen, vlerësimin dhe ruajtjen e vlerave kombëtare etj.

Për të pasur një udhërrëfyes në përcaktimin e vlerave, na ndihmojnë dy perceptime shumë të rëndësishme: ndarja, që u bën Weber, fakteve nga vlerat dhe roli që ka mësuesi në to, si dhe tri shkallët e klasifikimit të vlerave në varësi të gjykimit që u bëjmë atyre, sipas Lawrence Kohlberg.

Weber është shumë i qartë rreth nevojës së kontrollit të vlerave personale nga mësuesit në klasë. Sipas këndvështrimit të tij, akademikët kanë të drejtë perfekte të shprehin vlerat e tyre personale në fjalime të ndryshme, në shtyp dhe kështu me radhë, por jo në auditor: auditori akademik ku mbahen leksionet është ndryshe. Weber kundërshtonte të gjithë ata mësues të cilët predikonin “vlerësimet e tyre për çështje aktuale, në ‘emër të shkencës’, në auditorët e privilegjuar qeveritarë në të cilët ata jo vetëm kontrolloheshin në ato që thonin, por edhe nuk mund të kundërshtonin … auditori i leksioneve duhet ndarë veçan nga diskutimet publike.” Vija ndarëse shumë e rëndësishme ndërmjet një fjalimi publik dhe një leksioni akademik qëndron në natyrën e audiencës. Një turmë që dëgjon një fjalim publik ka zgjedhur të jetë atje dhe mund të largohet kur të dojë, por jo një student: një student që kërkon të ecë përpara nuk ka zgjedhje tjetër përveç se të qëndrojë e të dëgjojë me kujdes shkallën e vlerave që u servir profesori. Pra, akademiku duhet të shprehë fakte, jo vlera personale në klasë. Ndonëse mësuesit shpesh tentojnë të vendosin vlerat personale në orën e tyre të mësimit sepse ato e bëjnë atë më interesante, është e rëndësishme të theksojmë se duhet të jenë shumë të matur në ato që zgjedhin të manifestojnë, sepse vlera të tilla e dobësojnë ‘shijen’ e studentit për të bërë analiza empirike të kthjellta. Weber mbante një qëndrim të tillë, sepse besonte se është e mundur të ndahen vlerat nga faktet.

Duke referuar përsëri Weber, si mësuesi, edhe hulumtuesi, duhet të ndajnë në mënyrë të pakushtëzuar paraqitjen e fakteve empirike nga vlerësimet e veta personale, për shembull, të japin vlerësime të tilla si e kënaqshme apo e pakënaqshme. Ai shpesh diferenconte dijen ekzistuese rreth çfarë është, nga dija normative që duhet të jetë. Sipas pikëpamjes së Weber nuk ka asnjë mënyrë shkencore për zgjedhje ndërmjet pozicioneve alternative të vlerave. Për rrjedhojë, nuk duhet të prezumojmë bërjen e zgjedhjeve të caktuara për njerëzit. Shkencat sociale, të cilat në mënyrë shumë strikte janë shkenca empirike, janë më pak të përshtatshmet për të shpëtuar individët nga vështirësia e bërjes së zgjedhjes. Por pavarësisht këtyre deklamimeve, Weber nuk veproi mbi këtë bazë të thjeshtë të ndarjes së fakteve nga vlerat apo të përjashtimit të tyre total nga hulumtimi shkencor. Ai u jep një farë roli vlerave për aspekte të veçanta të procesit kërkimor, kur thotë se “sjellja me moral indiferent nuk ka kurfarrë lidhje me ‘objektivitetin’ shkencor” dhe, më tej akoma, kur thotë për shembull se “shteti roman vuajti nga sëmundjet që kishte marrë shoqëria e tij”. Ritzer & Godman (2004: 120) argumentojnë se në veprën e Weber jo vetëm që vlerat janë një mjet i rëndësishëm në zgjedhjen e subjekteve, por edhe përfshihen në ‘kapjen’ e atyre dijeve që kanë kuptim për botën sociale. Në një rast të veçantë Weber ka shkruar për rëndësinë e vlerave nga “pikëpamja e interesave të Evropës moderne”, pra zgjedhja e objektit për studim duhet të bëhet në bazë të asaj që konsiderohej e rëndësishme në atë shoqëri të veçantë në të cilën jeton hulumtuesi.

Ndarja që Weber u bën vlerave nga faktet duhet pasur në vëmendje nga mësuesit, për të vënë sa më pak nga vetja e tyre si individë në orën e mësimit, për të interpretuar sa më pak dhe për të përdorur referencën sa më shumë. Sigurisht nuk duhet keqkuptuar fakti se vetë ora e mësimit është vlerë, por kur zhvillohet në bazë të një programi e plani të hartuar e miratuar nga organet kompetente është fakt. Pra vetë vlera, në kuptimin e Weber, mund të jetë fakt, sa kohë që është e formatuar sipas një orientimi të dhënë. Për këtë fakt e ka fjalën Weber, ose kështu duhet ta interpretojmë, dhe për këtë arsye është futur në këto rrjeshta.

Shkallët e gjykimit moral sipas Lawrence Kohlberg

Sipas Kohlberg, shkallët e gjykimit të moralit mund të klasifikohen në tri nivele: parakonvencional, konvencional dhe postkonvencional:

Niveli I (parakonvencional) i arsyetimit moral është i zakonshëm për fëmijët, ndonëse mund të vihet re edhe tek të rriturit; morali shihet i lidhur direkt me pasojat. Një fëmijë me moral parakonvencional nuk i ka bërë për vete akoma rregullat e shoqërisë.

  1. Bindje ndaj ligjit, me synim shmangien e ndëshkimit dhe fitimin e një shpërblimi: Si mund ta shmang ndëshkimin?
  2. Tendencë për vetëinteres: Çfarë fitoj? Sa duhet të jap për të fituar diçka?

Niveli II (konvencional) i arsyetimit për moralin është tipik për adoleshentët dhe të rriturit. Ky nivel lidhet me identitetin e grupit: individët e gjykojnë moralitetin e veprimeve nisur nga krahasimi i tyre me ato të pikëpamjeve të shoqërisë, çfarë do të mendojnë të tjerët, sa “i mirë” apo “ i keq” jam, sa “trendi” apo sa “popullor” jam në grupin, klasën apo shkollën time. Individët u binden rregullave dhe ndjekin normat e shoqërisë edhe kur nuk shoqërohen me pasoja; në këtë nivel nuk ngrihen pyetje që vënë në diskutim drejtësinë dhe as sovranitetin apo autoritetin e rregullave.

  1. Marrëveshje dhe konformitet interpersonal: krijohen norma morale, çfarë është sjellje e mirë dhe çfarë është sjellje e keqe.
  2. Autoritet dhe tendencë për të mbajtur rregull social: ligj dhe rregulla morale.

Niveli III (postkonvencional) është rreth zgjedhjes së vetëdijshme të vlerave nga ana e individit, bazuar në ndërgjegjen personale dhe jetën që bën. Vlerat janë bërë të brendshme dhe sensi i detyrës zëvendësohet nga përgjegjësia personale. Individi që ka një shkallë të tillë gjykimi moral ka pikëpamjet e tij për shoqërinë; mund të mos u bindet rregullave kur mendon se janë në kundërshti me parimet e tij etike: rregullat nuk janë absolute, që duhet t’u bindesh pa i diskutuar, e keqja ka nevojë për rigjykim dhe e gabuara e grupit jo detyrimisht vlerësohet si e tillë edhe prej tij. Moralistët postkonvencionalistë kanë parimet e tyre etike, përgjithësisht parime ku përfshihen të drejtat themelore njerëzore, si e drejta për të jetuar atë lloj jete që mendon se është më e përshtatshme.

  1. Orientim për krijimin e një kontrate sociale
  2. Parime etike universale

Dija dhe përvoja e grumbulluar në secilën fazë, shërben si bazë për fazën tjetër, ndonëse mund të ndikohen nga njëra-tjetra.

Shkolla synon të edukojë vlera që zakonisht gjenden në nivelin e dytë, atë konvencional, sikundër janë njohja me të drejtat dhe detyrat si qytetar apo respekti reciprok, bindja ndaj ligjit dhe konceptimi i të mirës apo të keqes së përgjithshme të pranuar e gjykuar si të tillë nga të gjithë. Nxitja e të menduarit kritik dhe respekti ndaj diversitetit, si një trend i ri në misionin e edukimit që po e shohim në shumë shkolla të ditëve të sotme, synon të nxisë ato gjykime që i çojnë vlerat morale në nivelin e tretë, atë postkonvencional. Sigurisht që një mision i tillë mund të duket si i pamundur në sistemin parauniversitar, por e rëndësishme edhe të theksojmë se vlerat i japin kuptim misionit të arsimit. Duke pranuar se arsimi luan një rol të rëndësishëm në gjenerimin e vlerave, atëherë detyra e arsimit nuk është vetëm përgatitja e njerëzve të rinj për tregun e punës, por edhe përgatitja e tyre si qytetarë të mirë të një shoqërie demokratike. Një arsim i mirë duhet të gjejë balancën e duhur në edukimin e këtyre vlerave.

Korniza konceptuale: konteksti, teksti dhe pasojat

Konceptimi i politikës si funksion i zgjidhjes së problemeve është e rëndësishme, sepse nuk i shmang problemet, as nuk i mohon ato, por përkundrazi, i njeh, i identifikon dhe, mbi bazën e tyre, merr masa për gjetjen dhe hartimin e zgjidhjeve si dhe të strategjive për ndërhyrje.

Argumenti që shtrohet këtu është se nuk mund të kuptojmë se çfarë ndodh në institucionet tona arsimore, pa kuptuar që politikat kanë shumë faza dhe janë me shumë lidhje. Për më tepër, procesi i të bërit politikë nuk ka as fillim dhe as fund.

Pyetje që ndihmojnë: Pse kemi përshtatur një politikë të tillë? Mbi çfarë termash? Mbi çfarë baze mund të justifikohet një zgjedhje e tillë? Në interes të kujt është? Në ç’mënyrë janë negociuar interesat konkurruese? Pse na duhet, tamam në këtë kohë, një politikë e tillë? Cilat janë pasojat?

Një qasje e rëndësishme në analizën e politikës dhe pikë referimi për të marrë në analizë politikat arsimore, është korniza për analizë politike hartuar nga Taylor et al (1997), e cila fokusohet në tri aspekte të rëndësishme: konteksti, teksti dhe pasojat. Sot konteksti po bëhet përditë e më shumë global. Pra, politika nuk duhet parë vetëm si produkt apo vetëm si rezultat. Kufizimi i të parit të politikës vetëm si produkt është se e shkëput atë nga konteksti në të cilin është marrë: cili është qëllimi i politikës? Çfarë po përpiqet të arrijë?

Konteksti

Konteksti ka të bëjë me situatën dhe trysninë që çojnë në hartimin e një politike të caktuar. Pra, kur hartojmë një politikë të caktuar, na duhet të marrim në analizë faktorë politikë, socialë dhe ekonomikë që bëhen shkak që një çështje e caktuar të futet në agjendën e politikave. Sigurisht që në një analizë të tillë duhet të përfshihen roli që luajnë grupe të ndryshme interesi apo lëvizje sociale që mund të kenë detyruar politikëbërësit t’i përgjigjen një çështjeje të caktuar. Në këtë pikë është e rëndësishme të kuptojmë se si politikat aktuale mund të lidhen me përvoja të mëparshme politike, deri në çfarë mase bashkohen apo kanë konflikte me njëra-tjetrën; sigurisht që një analizë e kontekstit mund të zhvillohet në nivele të ndryshme. Politikat në nivel shtetëror apo institucional duhet të përfshijnë një analizë të tillë, sa kohë synimi është krijimi i një pamjeje sa më të plotë të procesit politik.

Teksti

Teksti zakonisht i referohet përmbajtjes së vetë politikës. Si artikulohet politika? Çfarë synon të arrijë? Cilat janë vlerat e përfshira? Janë të thjeshta e të qarta apo jo? Kërkon veprim, nëse po, nga kush dhe çfarë? Është me vlerë të theksojmë se analiza e tekstit të një politike nuk është aq e thjeshtë sa mund të mendohet. Edhe politikat më të qarta shpesh kanë nevojë të interpretohen; është e rëndësishme të kuptohet si ajo që thuhet qartë e hapur, ashtu edhe ajo që nuk thuhet.

Pasojat

Nëse tekstet politike janë të hapura për interpretime të ndryshme nga praktikuesit, atëherë me shumë gjasa, edhe zbatimet në praktikë do të jenë po aq të ndryshme. Më tej akoma, ndryshimet mund të amplifikohen, sa kohë që kushtet unike në çdo institucion mund të formatojnë akoma më tej zbatimin e politikës. Në procesin e zbatimit zakonisht kemi të bëjmë me hendeqe dhe përthyerje, duke rezultuar në atë që përshkruhet më së miri si “përthyrje e politikës”.

Korniza analitike e paraqitur nga Taylor et al (1997) që fokusohet tek konteksti, teksti dhe pasojat e politikës është një model shumë i mirë për të bërë analiza politike, një mundësi për të eksploruar në mënyrë më të plotë pasojat e saj si dhe për t’u zhvendosur nga procesi i formulimit, në atë të zbatimit. Sipas Bell & Stevenson kemi katër nivele:

  1. Mjedisi social-politik

Mjedisi social është vendi nga derivon politika dhe brenda të ciit janë formuluar parimet kryesore drejtuese të saj.

  1. Drejtimi strategjik

Drejtimi strategjik e ka burimin në mjedisin social-politik dhe i cili përkufizon gjerësisht politikën dhe ngre kriteret për sukses ndërkohë që ato zbatohen në sfera të aktiviteteve të ndryshme, si në arsim.

  1. Parimet organizacionale

Parimet organizacionale tregojnë parametrat brenda të cilave do të zbatohet politika me këto sfera aktiviteti.

  1. Praktika operacionale

Praktikat operacionale bazohen në parimet organizative të cilat janë marrëveshje të hollësishme organizacionale që janë të nevojshme për të zbatuar politikën në nivel institucional dhe për t’i përkthyer politika të tilla zbatuese në procedura institucionale dhe programe specifike veprimi.

Në termat e përkthimit të politikës në veprim, të katër nivelet janë në marrëdhënie hierarkie me njëri-tjetrin: dy të parët lidhen me formulimin e politikave dhe dy të tjerët me zbatimin e tyre. Të katër nivelet mbivendosen me njëri tjetrin, në kuptimin që politika arsimore, derivuar nga një diskutim më i gjerë social-politik, ndërmjetësohet nga formulimi i një drejtimi strategjik në kontekst kombëtar e rajonal i cili, në këmbim, gjeneron procese organizacionale me të cilat shkollat janë lokalizuar dhe përmbajtja e kurrikulës, pedagogjia dhe vlerësimi janë përcaktuar. Në këtë mënyrë, politika e legjitimuar dhe e derivuar nga, për shembull, teoria e kapitalit njerëzor, përkthehet në aktivitete në shkolla dhe në klasa. Mund të shihet se një analizë e debateve në mjedisin socio-ekonomik, që çon në lindjen e një politike arsimore mund të lehtësojë kuptimin më të hollësishëm të elementit kontekst të kornizës së Taylor et al (1997). Drejtimi strategjik dhe parimet organizuese sigurojnë një depërtim më të hollësishëm në tekstin e politikës, synimet dhe qëllimet e saj, ndërkohë që një ekzaminim i praktikës operacionale do e fokusonte vëmendjen në pasojat e politikës, në interpretimin dhe zbatimin e saj. Katër hapat e modelit të prezantuar për zhvillimin e politikës e vënë gishtin në trajektoren politike që rrjedh nga shteti qendror poshtë. Ajo pasqyron mbështetjen e rëndësishme të shtetit dhe pushtetit të tij në formësimin e politikave arsimore.

Konkluzion

Politika ka natyrë komplekse dhe është e vështirë të japim një përkufizim të thjeshtë të politikës apo ta përshkruajmë atë si një proces politik. Ajo që kuptojmë me politikë apo ajo që duhet konceptuar si e tillë kërkon një të kuptuar të gjerë të një vargu procesesh me lidhje të brendshme të shumëfishta (Bell & Stevenson. Ajo që shpesh na paraqitet si politikë nuk është më shumë se një pohim a deklaratë synimesh, një plan veprimi apo set udhëzimesh (Bacharach & Laëler). Në një nivel të caktuar, synimi i një politike të tillë mund të jetë i qartë, por është e rëndësishme ta vendosim politikën në një kontekst më të gjerë. Politika është pushteti për të përcaktuar atë që do të bëhet ose jo. Këto janë çështje thellësisht politike. Ata që e paraqesin politikën, bëjnë edhe interpretimin e përmbajtjes së saj në mënyra të ndryshme; ata që e marrin këtë politikë do të bëjnë të njëjtën gjë – do të interpretojnë; një politikë e “vetme” mund të kuptohet më mirë si një pluralizëm politikash që dalin dhe zhvillohen përmes një procesi politik që fillon me formulimin e mbaron me zbatimin. Procesi me katër faza fillon me njohjen e rëndësisë së mjedisit më të gjerë socio-politik në formësimin e diskutimit në të cilin do të zhvillohet debati publik. Nga një diskutim i tillë, do të zhvillohet një drejtim strategjik në të cilin politika të veçanta arsimore përkufizohen më qartë dhe kriteret për sukses jepen më drejt. Ndërkohë që teksti politik del me qartësi më të madhe, në këmbim ai formëson parimet organizacionale, dhe së fundmi, edhe praktikat operacionale, që formësojnë përvojën e politikës në nivel institucional.

Në realitet, ky nuk është një proces linear i drejtë, gjatë të cilit politika përparon me bindje nga një fazë në tjetrën Ball (Ibid). Diferencat në thekse, diferencat në interpretime dhe diferencat në mënyra të sjelli ndaj politikës janë gjithmonë të pranishme dhe, në një pjesë të madhe, reflektojnë diferencat në vlerat që e mbështesin atë politikë – politika duhet parë si shpërndarje autoritare e vlerave. Konfliktet brenda një politike të caktuar përfaqësojnë luftën ndërmjet vlerave të kundërta. Vlerat janë po aq të rëndësishme si në të kuptuarin e politikës, ashtu edhe në nevojën për ta parë si produkt dhe proces. Për rrjedhojë, politika mund të shihet si deklaratë operacionale e vlerave dhe si kapacitet për të operuar vlerat përmes aftësive për të ushtruar influencë në pikat kryesore të katër fazave të zhvillimit politik. Qartësisht që vlera të tilla janë ato të individit – besimet dhe parimet të cilat këta individë i vlerësojnë më së shumti. Ato janë lentja përmes të cilës perceptojnë botën, kompasi moral që përcakton rrezen e veprimeve dhe përgjigjeve ndaj mjedisit (Begley, 2004). Sidoqoftë, vlerat nuk pluskojnë në mënyrë të pavarur nga mjedisi në të cilin gjenden. Vlerat në mënyrë konstante formohen e formatohen, riformohen e riformatohen. Qasjet pluraliste ndaj zhvillimit të politikës theksojnë masën në të cilën vlerat janë të afta të formësojnë politikën, por është po aq e rëndësishme të theksojmë aftësinë që ka politika në formësimin e vlerave.

Ky është një proces që përsëritet e përsëritet dhe që ngre një pyetje shumë të rëndësishme: “Deri ku shtrihet pushteti?” Deri në çfarë mase individët mund të formësojnë politikën, ose deri në çfarë mase influenca e individëve mund të formësohet nga politika?

E rëndësishme është që në demokraci, politika duhet të përmbushë disa kushte:

  • Politika ka nevojë për ide dhe vlera të cilat vendosin qëllimet dhe standardet e organizimit politik. Liria, drejtësia dhe solidariteti paraqesin parime të atilla të cilat mund ta udhëheqin organizimin politik të një shoqërie.
  • Politika ka nevojë për organizata të tilla shoqërore, të cilat do t’i njohin interesat, do t’i bashkojnë të njëjtat dhe do të komunikojnë me institucionet qeveritare dhe partiake. Partitë politike, por gjithashtu edhe biznesi dhe shoqatat punëtore, si dhe organizatat joqeveritare të shoqërisë civile, paraqesin lloj të atillë të organizatave, të cilat mund t’i identifikojnë dhe bashkojnë interesat shoqërore.
  • Politika ka nevojë për institucione të cilat mbledhin propozime për organizimin e shoqërisë, dhe të cilat pastaj i prezantojnë, diskutojnë, marrin vendim për to dhe i zbatojnë. Parlamentet dhe qeveritë, të cilët zakonisht mbështeten në partitë politike, paraqesin institucione më të rëndësishme të politikës në një shtet demokratik.
  • Politika ka nevojë për qytetarë aktivë të cilët marrin pjesë në diskutime politike me ide të tyre, kërkesa dhe pritshmëri dhe të cilët në mënyrë aktive kontribuojnë drejt funksionimit të institucioneve politike.

Politikat për komente të Fondacionit “Henrietta Leavitt”

    • Komentet nuk shfaqen menjëherë, sepse kalojnë në sitën e moderimit, për aprovim ose jo, të Fondacionit “Henrietta Leavitt”. Komentet që nuk kanë lidhje me argumentin e temën, po ashtu edhe ato që përmbajnë mesazhe jodashamirëse, reklama, apo sulme personale nuk aprovohen.
    • Ju lutem kini në vëmendje këto politika përpara se të lini komentin tuaj!