George Orwell

Në epokën tonë, ligjërimi dhe shkrimi politik konsistojnë kryesisht në mbrojtjen e së pambrojtshmes. Gjëra të tilla si vazhdimi i sundimit anglez në Indi, spastrimet dhe internimet politike në Rusi, lëshimi i bombave atomike në Japoni edhe mund të mbrohen, por ama vetëm përmes argumentesh tejet brutale për t’u gëlltitur nga njerëzit dhe që nuk përputhen kurresesi me qëllimet e shpallura të partive politike. Kështu që detyrimisht gjuha politike duhet të përdorë masivisht eufemizma dhe shprehje të vagullta e pyetje retorike.

Fshatra të tërë bombardohen nga ajri, kasollet hidhen në erë nga plumbat shpërthyes, dhe e gjitha kjo quhet proces paqeje. Miliona fshatarëve u grabiten fermat dhe detyrohen të marrin rrugët vetëm me një trastë në shpine, dhe kjo quhet transferim i popullsisë ose ndreqje kufinjsh. Njerëzit burgosen për vite të tëra pa gjyq, qëllohen nga pas në zverk ose çohen të vdesin nga skorbuti nëpër kampet e Arktikut, dhe kjo quhet eliminim i elementeve të dyshimtë

Një frazeologji e tillë nevojitet kur dikush dëshiron të emërtojë gjëra, pa dashur të krijojë imazhe mendore rreth tyre. Imagjinoni për një çast një profesor të gjuhës angleze, i cili përpiqet të mbrojë totalitarizmin rus. Ai nuk mund të shprehet drejtpërdrejt duke thënë: “jam i bindur se mund t’i heqësh qafe kundërshtarët politikë, nëse kjo sjell rezultate të mira”. Me shumë gjasë ai do ta formulojë kështu idenë e tij: 

  • “Duke e pranuar që regjimi sovjetik shfaq disa tipare, të cilat humanitaristët priren t’i kundërshtojnë, mendoj se duhet të biem dakord për faktin se një farë kufizimi i të drejtës për opozitë politike është një proces shoqërues i pashmangshëm i periudhave tranzitore dhe se masat e rrepta ndaj popullit rus janë justifikuar gjerësisht përballë arritjeve konkrete.

Ky stil i fryrë përbën në vetvete njëlloj eufemizmi. Një masë e madhe fjalësh me rrënjë latine bie si dëborë e bardhë butësisht mbi faktet duke i mbuluar të gjitha detajet. Armiku më i madh i gjuhës së qartë është pasinqeriteti. Kur ka një hendek midis qëllimeve reale dhe atyre të deklaruara, personi i drejtohet instinktivisht fjalëve të gjata dhe idiomave të stërpërdorura, si të ishte një sepje prej së cilës kullon bojë curril. (Oruell 1967: 153-4)