12 korrik 2019, ora 20.30-22.00
Përsëri në Hënë, por me teleskop & Shpërndarja e Certifikatave dhe Çmimeve për pjesëmarrësit në Konkursin Kombëtar të Fizikës “Henrietta Leavitt” / 2019
Nga Mimoza Hafizi
On the moon… again!
Në mëngjesin e 21 Korrikut 1969, astronauti Neil Armstrong, zbriti nga moduli “Eagle” i anijes hapësinore “Apollo 11” dhe, teksa hidhte hapat robotikë mbi truallin hënor, artikuloi mesazhin e famshëm “Një hap i vogël për njeriun, por një kërcim gjigand për njerëzimin”.
Mbi 500 milionë banorë të Tokës po e ndiqnin direkt, përmes televizionit, këtë akt të parë të “pushtimit” të hapësirës nga qytetërimi i tyre.
Pesëdhjetë vjet më vonë, në ditët e korrikut 2019, gjithë bota ka vendosur të përkujtojë 50 vjetorin e zbritjes së njerit të parë në Hënë.
Edhe studentët e Fizikës, të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, të Universitetit të Tiranës, ju ftojnë t’u bashkoheni nismës së tyre, me mesazhin:
Përsëri në Hënë – por me teleskop!
Bashkohuni me ta, në sheshin Skënderbej, sonte datë 12 Korrik, ora 20.30, sepse duan t’ju ofrojnë instrumentat dhe dijet e tyre.
Le ta vëzhgojmë së bashku Hënën, me teleskopin tonë apo me instrumentet e secilit prej jush. Të shohim së bashku “Detin e Qetësisë” hënore, ku Armstrong dhe Aldrin zbritën për herë të parë, të shqyrtojmë relievin e satelitit tonë, si dhe vendet e zbarkimit të misioneve pasuese. 12 burra kanë vajtur në Hënë në shekullin e kaluar. Njerëzit po përgatiten për të zbarkuar në Mars.
Le të shohim edhe yllin e Shqipërisë me planetin e vet rrotull. Çfarë është ky yll? Le ta zbulojmë së bashku sonte, me shpresën për një qiell të hapur.