Transformimi që pëson jeta nga ikja e njerëzve të dashur Autor BRONNIE WARE

Botues në gjuhën shqip Fondacioni “Henrietta Leavitt” – Fondacioni Shqiptar për Shkencë, Media dhe Demokraci

Fondacioni “Henrietta Leavitt” ka marrë të drejtën për përkthimin në shqip, botimin dhe shpërndarjen, të librit THE TOP FIVE REGRETS OF THE DYING, të autores Bronnie Ware. Botimi i parë në gjuhën origjinale (anglisht) 2012. Botimi i parë në shqip, mars 2019. Kontrata është nënshkruar me Hay House UK Ltd.

Librin mund ta gjeni, në Tiranë, pranë librarisë “Adrion” (Pallati i Kulturës) dhe librarisë “Albania”, si dhe në Elbasan, në libraritë “Ti Shqipëri më jep nder” dhe “Lindje-Perëndim”.

Pesë pengjet më të mëdha të jetës. Transformimi që pëson jeta nga ikja e njerëzve të dashur Autor BRONNIE WARE

Shqip: Valbona Nathanaili / Me parathënie nga Myftar Barbullushi / Redaktor: Andrea Nathanaili / ISBN 978-9928-4543-0-0 / Çmimi 1200 lekë / F. 330 / Fondacioni “Henrietta Leavitt”, Tiranë: 29 mars, 2019.

Hyrje

Në një mbrëmje të qetë vere, në oborrin e shtëpisë sime, në një qytet të vogël periferik, bisedoja me një mikun tim, thjesht me dëshirën për të zbavitur njëri-tjetrin. Tregonim histori e ngjarje nga më të ndryshmet. Në pamje të parë dukej një bisedë më se e zakonshme, si mund të bisedojnë dy njerëz në çdo vend të botës. Por në ndryshim nga gjithë bisedat e tjera, më vonë do të identifikohej si një nga më të rëndësishmet, të llojit që janë në gjendje të ndikojnë përgjithnjë jetën e një personi. Dhe ai person isha unë.

Cec-i punon si redaktor për Trad and Now, një nga revistat më të rëndësishme të muzikës folk në Australi. Por sa i njohur është për bagazhin e dijeve dhe dashurinë që ka për muzikën folk, po aq i njohur është edhe për buzëqeshjen e madhe që duket si e gdhendur në fytyrën tij. Bisedonim për dashurinë për muzikën dhe për sfidat e problemet me të cilat më ishte dashur të përballesha së fundmi, ndër të cilat edhe ajo e gjetjes së fondeve për blerjen e një kitare dhe organizimin e një kursi muzike për gratë e burgut. “Nëse ia del dhe e fillon projektin, më vë në dijeni, që të shkruaj një artikull”, – e mbylli me nota të theksuara kuraje këtë argument Cec.

Arrita vërtet të gjeja fondet dhe projekti u zhvillua sikundër e kisha planifikuar. Por vetëm pak kohë më vonë shkrova vetë një artikull për revistën, në lidhje me përvojat që kisha kaluar. Dhe pyetja e parë që i bëra vetes ishte: Pse nuk shkruaj më shumë histori që kanë lidhje, në një mënyrë a tjetër, me jetën time? Në fund të fundit, gjithnjë kam shkruar. Që kur isha vajzë e vogël dhe e kisha fytyrën me quka! Kam shkruar në kohët kur akoma përdornim letër e laps dhe zarfi e posta ishin mjetet e vetme për të shpërndarë lajmet e dashurinë për miqtë në të katër anët e botës.

Të shkruarit nuk e kam ndaluar as në moshë të rritur. Vazhdova të shkruaja letra në të njëjtën mënyrë për miqtë, sado arkaike mund të duket. Dhe këngë për kitarë! Letra e lapsi janë pjesë e mënyrës sime të të shprehurit. Por emocioni që më dha shkrimi i historisë për gratë e burgut, të cilin e përfundova në tavolinën e kuzhinës, e shtoi edhe më shumë dashurinë e vjetër për të shkruar. Sigurisht, përsëri sipas modës time, me letër e laps! I dërgova falënderimet e mia Cec-it dhe vendosa të mbaj një blog.

Ngjarjet që pasuan ndryshuan drejtimin e jetës time në mënyrën më të mirë të mundshme.

‘Frymëzim dhe çaj’ filloi në një shtëpizë të vogël të rehatshme, në Blue Mountains, Australi, në mënyrë shumë të natyrshme, me një filxhan çaj përpara. Një nga artikujt e parë përshkruante pengjet që kanë njerëzit në prag të vdekjes. Roli i kujdestares për të sëmurët në javët a ditët e fundit të jetës ishte puna e fundit që kisha kryer pak përpara zbatimit të projektit në burgun e grave, kështu që e kisha shumë të freskët si përvojë. Vetëm disa muaj pasi e kisha postuar në blog, artikulli fitoi një popullaritet të paparë, në mënyrë të atillë që vetëm në kohën e internetit mund të shpjegohet. Fillova të marr e-maile nga njerëz që nuk i njihja, që e vetmja lidhje që kishin krijuar me mua ishte nëpërmjet leximit të këtij artikulli dhe, më pas, edhe të artikujve të tjerë që fillova të postoj.

Pothuaj një vit më vonë jetoja në një shtëpizë tjetër, po aq të rehatshme, vetëm se në një zonë bujqësore, në një fermë. Mëngjesin e një të hëne, ndërsa u ula në tavolinën e verandës për të shkruar, vendosa të kontrolloj statistikat e trafikut në ueb, një veprim që çdo njeri që mban një blog e bën herë pas here. Një pamje e pabesueshme, por e mrekullueshme m’u shfaq përpara syve. Të nesërmen kontrollova përsëri. Dhe edhe të nesërmen tjetër. Tashmë isha plotësisht e sigurt!

Kisha shumë ndjekës! Artikulli me titull ‘Pesë pengjet më të mëdha të jetës’ ishte lexuar nga një numër i madh njerëzish. Shifrat fluturonin! Adresat e-mail që mbushnin postën time elektronike kishin shtrirje gjeografike në të katër anët e botës. Nuk mungonin kërkesat për ta përkthyer dhe botuar në revista a faqe të ndryshme, ose edhe postuar në blogje personalë. Njerëzit e lexonin në Suedi, suedisht, ndërsa udhëtonin me tren; në Indi, indisht, në pushimin e drekës, në zyrë. E lexonin anglishtfolësit e mi në Amerikë, ndërsa prisnin autobusin; në Irlandë, kur uleshin për të ngrënë mëngjes. Sigurisht që jo të gjithë pajtoheshin me ato që kisha shkruar, por e rëndësishme ishte se kisha mundur të ngjallja mjaftueshëm debat për të vazhduar përhapjen e atyre mesazheve në të gjithë botën. Përgjigja që kisha zgjedhur për ata që më kundërshtonin ishte ajo klasikja: “Mos e vrisni mesazherin!”. Thjesht po ndaja me pjesën tjetër të njerëzimit ato mesazhe që njerëzit që ishin në prag të vdekjes kishin ndarë me mua.

Gjithsesi, kjo pjesë kundërshtuese ishte shumë e vogël. Afro 90% e njerëzve më shkruanin se përmbajtja e artikullit ishte e mrekullueshme.

Ndërkohë që më përforcoi idenë se ne, si qenie njerëzore, kemi shumë gjëra të përbashkëta, pavarësisht diferencave kulturore. Ndërsa ndodhnin të gjitha këto, vazhdoja të jetoja në të njëjtën shtëpizë, duke iu gëzuar cicërimave të zogjve dhe gjithë peizazhit të egër që ofronte për sytë e mi përroi i vogël përballë. Çdo ditë ulesha në verandë dhe, ndërsa vazhdoja punën, gjeja kohë t’u përgjigjesha me “Po” mundësive që më paraqiteshin. Në muajt në vijim, numri i njerëzve që kishin lexuar ‘Pesë pengjet më të mëdha të jetës’ kishte arritur në një milion. Në fund të vitit, ky numër ishte tre herë më i madh.

Falë këtij numri kaq të madh njerëzish që shfaqën një lidhje të veçantë me këtë temë, si dhe të kërkesave të shumë të tjerëve që më kontaktuan më pas, vendosa ta zhvilloj edhe më tej si argument.

Gjithnjë kisha pasur synimin të shkruaja një libër të vërtetë, një dëshirë që besoj se e kanë pothuaj të gjithë ata që shkruajnë. Por sikundër kuptova më vonë, vetëm duke treguar historinë e jetës sime do mund të formuloja mësimet që mora ndërsa kujdesesha për njerëzit që ishin në prag të vdekjes. Vetëm në këtë mënyrë mund të filloja të shkruaja libri që dëshiroja. Tashmë ju e keni në dorë! 

Jam e sigurt që nga leximi i këtyre radhëve do keni mundësi të kuptoni, se nuk kam qenë kurrë nga ata persona, të aftë të ndjekin rrugën tradicionale në jetë – me kushtin që një rrugë e tillë vërtet ekziston! Në jetë udhëhiqem nga disa parime të brendshme. Këtë libër e kam shkruar thjesht si një grua që ka një histori për të ndarë. Por dua të shtoj, se duke qenë australiane, gjuha e shkruar dhe e përdorur është ajo e vendit tim, pavarësisht përpjekjeve për ta shkruar për një publik sa më të përgjithshëm anglishtfolës.

Pothuaj të gjithë emrat që do të gjeni në këtë libër janë ndryshuar, me synimin për të ruajtur privatësinë e të afërme dhe miqve që u referohen. Me disa përjashtime, si për shembull emri i mësuesit tim të parë të jogës, i shefes që kam pasur në qendrën e këshillimit për nënat e reja me fëmijë, i pronarit të parkut të furgonave, i mentorit në sistemin e burgjeve, si dhe emrat e disa autorëve të teksteve të këngëve. Kam bërë disa ndryshime të vogla edhe sa i takon pikëpamjes kronologjike të rrjedhës së ngjarjeve, me synimin për të bashkërenduar tematikat e diskutimit me pacientët.

Falënderimet e mia shkojnë te të gjithë ata që më kanë ndihmuar, në mënyra nga më të ndryshmet, në këtë rrugëtim. Një falënderim i veçantë, për mbështetjen dhe ndikimin profesional pozitiv, shkon për Marie Burrows, Elisabeta Cham, Valda Low, Rob Conway, Reesa Ryan, Barbara Gilder, Dad, Pablo Acosta, Bruce Reid, Joan Dennis, Siegfried Kunze, Jill Marr, Guy Kachel, Michael Bloeme, Ana Goncalvez, Kate and Col Baker, Ingrid Cliff, Mark Patterson, Jane Dargaville, Jo Wallace, Bernadette, si dhe për të gjithë ata që më mbështesin në krijimtarinë time, si dhe krijojnë lidhje pozitive me muzikën e shkrimet e mia.

Një falënderim, po ashtu, për të gjithë njerëzit që më dhanë një çati, në periudha të ndryshme të jetës. Faleminderit Mark Avellino, teze Jo, Sue Greig, Helen Atkins, xhaxha Fredi, Di & Greg Burns, Dusty Cuttell, Mardi McElvenny, si dhe të gjithë pacientët, që duke jetuar bashkë me ta, më kanë bërë t’i dua shtëpitë e tyre po aq sa edhe shtëpinë time. Një falënderim për çdo person që më ka ushqyer.

Për mbështetjen personale në rrugëtimin me të përpjeta e tatëpjeta të jetës sime, falënderoj miqtë e sotëm dhe të djeshëm, kudo ku gjenden, afër e larg. Faleminderit që më pasuroni jetën! Në mënyra nga më të larmishmet! Një falënderim i veçantë këtë radhë për Mark Neven, Sharon Rochford, Julie Skerrett, Mel Giallongo, Angeline Rattansey, Kateea McFarlane, Brad Antoniou, Angie Bidwell, Theresa Clancy, Barbra Squire, që shërbejnë në qendra të ndryshme meditimi dhe më kanë udhëhequr në rrugën time drejt gjetjes së paqes së brendshme, si dhe për partnerin tim. Keni qenë shtysa ime, në kohën kur më shumë se çdo gjë kërkoja të vegjetoja e të hiqja dorë!

Faleminderit, sigurisht, mamasë sime, Joy, personi me emrin që i përshtatet më shumë, që mund të ketë jetuar ndonjëherë në tokë. Më ke dhënë leksionin më të shenjtë të dashurisë me shembullin tënd natyral. Falënderime pafund, grua e shkëlqyer!

Mirënjohje për të gjithë njerëzit e mrekullueshëm që sot nuk janë midis nesh, historitë e të cilëve janë jo vetëm themelet e këtij libri, por kanë arritur të ndikojnë jetën time në mënyrë të jashtëzakonshme. Ky libër është një homazh për ta! Falënderoj, po ashtu, të afërmit që kanë lënë pas, për momentet e paharruara dhe të mrekullueshme që kemi përjetuar së bashku. Faleminderit për të gjitha!

Së fundmi, një falënderim edhe për laraskat, që me të tyren ‘këndonin’ nga pemët buzë përroit, ndërsa unë shkruaja librin. Laraskat dhe gjithë zogjtë e kopshtit më kanë bërë shoqëri shumë të këndshme, ndërsa kaloja nga një faqe e librit në tjetrin. Faleminderit, Zot, për mbështetjen dhe për gjithë ato gjëra të bukura që ke vendosur në rrugën time.

Ndonjëherë e kuptojmë shumë vonë se një moment i veçantë ka ndryshuar përgjithmonë drejtimin e jetës sonë. Shumë nga momentet që ndaj me ju në këtë libër më kanë ndryshuar jetën. Faleminderit Cec për zgjimin e shkrimtares brenda meje. Dhe faleminderit, ju, lexues, për mirësinë e të lexuarit të këtij libri dhe për lidhjen tonë.

Me dashamirësi

Broni

Nga veranda në perëndim të diellit

E martë pasdite

Lexo këtu rreth promovimit të librit në qytetin e Elbasanit

2 maj 2019 Promovim libri “Pesë pengjet më të mëdha të jetës” Autor Bronnie Ware

Lexo këtu rreth promovimit të librit në qytetin e Tiranës

8 prill 2019 Promovim libri “Pesë pengjet më të mëdha të jetës” Autor Bronnie Ware