Dr. Valbona Nathanaili

Shpikje si teknologjia dhe media janë të llojit që nuk do largohen kurrë nga skena. Thjesht në të ardhmen do jenë edhe më shumë. Realiteti është që fëmijët e vegjël po rriten në një botë mbushur me pajisje dixhitale, që janë shndërruar në një instrument në shtëpi, në shkollë, në punë dhe në komunitet. Teknologjia si mjet për komunikim dhe bashkëpunim, përfshirë rolin e saj në rrjete sociale është shndërruar pothuaj në një kulturë kryesore. Në veçanti, këto mjete kanë ndryshuar edhe mënyrën se si prindërit dhe familjet menaxhojnë jetën e përditshme apo edhe mënyrën e prindërimit. Jo më pak mbrapa janë edhe mësuesit. Teknologjia përdoret si bazë materiale në klasë me fëmijë të vegjël apo edhe për të komunikuar me prindërit dhe familjet. Emergjenca është që fëmijët kanë nevojë për aftësi digjitale.

Nga ana tjetër, ritmi i ndryshimit është kaq i shpejtë sa shoqëria gjendet në një lloj udhëkryqi se deri ku do shkojmë me përdorimin e saj. Dhe sigurisht kanë filluar edhe shqetësimet e para. Ekziston një lloj korrelacioni ndërmjet zhvillimit të shëndetit të fëmijës dhe kohës së kaluar përpara pajisjeve të tilla. Shqetësimi kryesor lidhet me mbipeshën, sepse koha që kalohet me teknologji është pasive, jo ineteraktive.

Krahas mbipeshës, rezultatet të tjera të mundshme negative që shoqërizohen me kohën pasive kaluar përpara një ekrani janë të tilla si, parregullsi në gjumë, probleme me sjelljen, përqendrimin dhe vëmendjen, ulje të performancës akademike, si dhe ndikim negativ në shoqërizimin dhe zhvillimin e gjuhës.

Disa studiues këmbëngulin që teknologjia të mos përdoret në programet e fëmijërisë së hershme – konkretisht deri në moshën 2 vjeç koha e kaluar përpara ekranit duhet të jetë e barabartë me zero. Ndërsa për fëmijë më të mëdhenj se 2, rekomandimi mund të përmblidhet në një formë të tillë: koha e ekranit (përfshirë televizionin, videot, mediat dixhitale, lojëra video, media mobile, telefona celularë dhe internet) për fëmijët parashkollorë (mosha 2 deri 5 vjeç) në më pak se 30 minuta/javë për fëmijët në programe gjysmëditore dhe më pak se 1 orë/javë në programet ditore të plota. Sa u takon prindërve, duhet punuar për të kufizuar kohën e ekranit në më pak se 1 orë/ditë për fëmijë nga mosha 2 deri në 5 vjeç dhe kjo orë duhet të jetë sa më cilësore. Këto rekomandime për të kufizuar ekspozimin e fëmijëve përpara ekranit lidhen me dy faktorë që mund të kontribuojnë në mbipeshën e fëmijërisë së hershme: konsumi i ushqimit dhe pijeve që fëmijët mund të provojnë kur janë duke shikuar televizion ose kur ndërveprojnë me njëri-tjetrin me media dhe rritja e sasisë së kohës së përgjithshme të ekranit në të cilën ata janë të ekspozuar, për shkak të varësisë së krijohet.

  • Kujdes, me kohë përpara ekranit kuptohet koha e kaluar përpara çdo lloj ekrani të një pajisje elektronike.

Sfida për mësuesit e nivelit parashkollor është të bëjnë zgjedhje të informuara që të maksimizojnë mundësitë e të mësuarit për fëmijët gjatë kohës së lejuar përpara ekranit, si dhe të shndërrohen në ndërmjetës potencial për paralajmërimin për çdo keqpërdorim dhe përdorim të tepërt të tij, edhe pse këto pajisje ofrojnë programe të reja që rrisin simpatinë dhe përdorimin e tyre për fëmijët e vegjël.

Përdorimi i teknologjisë – Këshilla për prindër të rinj dhe mësues

Akoma, teknologjia nuk duhet të përdoret në emër të teknologjisë dhe risisë. Përdorimi pasiv i teknologjisë dhe i çdo lloj ekrani është mënyra më e papërshtatshme që një mësues gjen për angazhimin e fëmijës në lojë, me fëmijët e tjerë dhe të rriturit.

Për disa studiues, problemet e mësipërme mund të balancohen, sepse përfundimi i vetëm logjik që kemi është, që nëse përmbajtja arsimore është e mirë – dhe kjo është shumë e rëndësishme – nuk ka rëndësi formati në të cilin mësohet. Me pak fjalë, ka disa shfaqje televizive, faqe internetit apo aplikacione dixhitale me vlera edukative , që ofrojnë vërtet vlera edukative. Pra, kur përcaktojmë kohën që fëmijët kalojnë përpara ekranit duhet të merret parasysh edhe sa efektive dhe e përshtatshme është dhe këtu del roli i pazëvendësueshëm i mësuesit. Ndikimi i teknologjisë ndërmjetësohet nga mësuesit, që duhet të përdorin të njëjtat parime dhe praktika të përshtatshme zhvillimore që përdorin edhe kur u duhet të shfrytëzojnë materialet e shtypur apo mjeteve të tjera me përmbajtje mësimore për fëmijët e vegjël.

Zgjedhja e praktikave të përshtatshme për këtë lloj mjeti ndihmës për mësimin dhe zhvillimin e fëmijës duhet të udhëhiqet nga njerëz që kanë praktikat e përshtatshme për zhvillim, që zotërojnë njohuri, aftësi dhe përvojë në zgjedhjen dhe përdorimin e mjeteve teknologjike dhe media interaktive që i përshtaten moshave dhe niveleve të zhvillimit të fëmijëve në kujdesin e tyre, dhe ata e dinë se kur dhe si ta integrojnë teknologjinë në program në mënyrë efektive. Edukatorë që nuk kanë aftësitë teknologjike dhe shkrim-leximi dixhital kanë rrezik të bëjënë zgjedhje të papërshtatshme dhe në rrjedhojë të ndikojnë negativisht te fëmija.

Teknologjia dhe media nuk duhet të zëvendësojnë veprimtari të tilla si loja krijuese, eksplorimi dhe hulumtimi i jetës reale, aktivitetet fizike, ekskursionet në natyrë, bisedat dhe ndërveprimet shoqërore që janë shumë të rëndësishme në zhvillimin e fëmijëve. Teknologjia dhe media duhet të përdoren për të mbështetur të mësuarit, dhe jo si një aktivitet i izoluar për të zgjeruar hyrjen e fëmijëve të vegjël në përmbajtje të re.

Për fëmijët e vegjël në nivelin parashkollor, ndërveprimet e përgjegjshme me të rriturit janë thelbësore për zhvillimin e trurit, po aq sa për zhvillimin njohës, social, emocional, fizik dhe gjuhësor.

Teknologjia dhe media mund të jenë më shumë të pranishme në fëmijërinë e hershme nëse integrohen në mënyrë të natyrshme në mjedis, kurrikul dhe rutinën ditore. Integrimi i suksesshëm i teknologjisë dhe medias në programet e fëmijërisë së hershme përfshin përdorimin e burimeve të tilla si kompjuteri, kamera dixhitale, aplikacione të ndryshëm dhe internet; kur fokusi i fëmijës ose edukatorit është jo vetë teknologjia, por aktiviteti ose eksplorimi nëpërmjet saj. Sipas Edutopia, “Integrimi i teknologjisë ka qenë i suksesshëm kur përdorimi i teknologjisë dhe medias mbështet qëllimet e edukatorëve dhe programeve për fëmijët, kur ofron për fëmijët mjete dixhitale për të mësuar dhe komunikuar, dhe ndihmon në përmirësimin e rezultateve të fëmijëve”.