Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, nga qyteti i Elbasanit, deklaron për zgjedhjet e 25 prillit:

Në të kaluarën, gara politike në qytetin e Elbasanit ka qenë shumë e rëndësishme ndaj ishte koha e duhur për të ardhur këtu dhe për ta parë situatën personalisht. Për të takuar liderët politikë, por edhe njerëzit.

SHBA ka qenë shumë e qartë për pritshmëritë për kandidatë të pastër. Është thelbësore që drejtuesit politikë të marrin përgjegjësi që të sigurojnë se listat e tyre janë në përputhje me ligjin shqiptar.

Disa persona mund të thonë “Ky person është i përcaktuar nga SHBA, por nuk është i dënuar”.

Kjo nuk ka lidhje nëse SHBA pëlqen dikë apo jo, kjo ka lidhje me përcaktimet e formuluara nga Sekretari Amerikan i Shtetit, bazuar në hulumtime, nëse një person përbën kërcënim për SHBA. Ka ardhur koha që votuesit shqiptarë të gjykojnë nëse kjo përbën kërcënim edhe për ta!

Janë 3 njerëz që Sekretari i Shtetit të SHBA ka përcaktuar – nuk do i përmend emrat e tyre  dhe nuk do dalin nga goja ime – por ju mund t’i shihni dhe t’i gjeni!

Për çështjen e listave zgjedhore, qëndrimi i SHBA-ve është shumë i qartë dhe ndoshta jo diplomatik, por disa parti e kanë marrë në konsideratë! Jo të gjitha, por pjesa më e madhe, po!

Tashmë është detyrë e KQZ-së dhe e prokurorëve që të bëjnë Vetingun e kandidatëve. Mos u habitni nëse disa kandidatë nuk do të kualifikohen! Këtu qëndron fuqia përfundimtare dhe fuqia përfundimtare janë votuesit.

Një përmirësim shumë i mirë është fakti që votuesi s’do votojë vetëm partinë, por për kandidatët. Kam dëgjuar që blerja e votës është problem në Elbasan dhe jo vetëm në Elbasan.

Ata që blejnë vota, dua t’u them: Jeni duke shkelur ligjin! Dhe po turpëroni nderin tuaj!

Ndërsa atyre që kërkojnë ta shesin votë, u them: Vota është pushteti juaj, mos e dorëzoni atë.

Nga një takim që kam pasur në KQZ, u sigurova se do të ndalohet, kategorikisht, marrja e telefonave brenda vendit të votimit, si dhe fotografimi i votës.

Pozicioni i SHBA-ve është shumë i qartë! Bisedat e mia me udhëheqësit politikë janë të hapura, sipas stilit tim. Kam besim se Shqipëria do të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme! Të gjithë kemi një rol për të luajtur, përfshirë edhe median.