Intervistë me Regi Ajdinin

Regi Ajdini është fituesi i Vendit të Parë, për nivelin 3 (klasa X) në Konkursin Kombëtar të Fizikës “Henrietta Leavitt” /2019

Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Më përshkruaj, të lutem, veten!

Regi Ajdini: Përshëndetje! Quhem Regi Ajdini. Jam 16 vjeç dhe jam nxënës në gjimnazin publik “Qemal Stafa”. Shkollën e mesme të ulët, ose ndryshe nëntëvjeçaren, e kam përfunduar në shkollën private “Ylber”. Më pëlqen shumë të merrem me not, çiklizëm dhe Speedcubing. Jam fëmija i dytë në një familje me tre fëmijë.

  • Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Pse vendosët të merrni pjesë në konkurs?

Regi Ajdini: Fizika është një nga pasionet e mia dhe m’u duk një mundësi shumë e mirë të provoja aftësitë dhe dijet e mia në këtë lëndë.

  • Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Fizika është lëndë që mësohet se duhet mesatare e mirë, apo është pjesë e pasionit a hobit tuaj?

Regi Ajdini: Fizika është pasioni im. Është një lëndë kaq tërheqëse dhe më ka bërë për vete nga ora e parë që kam filluar në shkollë. Mendoj se gjen zbatim në çdo moment të ditës dhe në çdo fushë të jetës sonë. Prandaj jo më kot fizika ka marrë edhe emrin “Mbretëresha e shkencave”

  • Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Në studimin e fizikës, mjaftoheni vetëm me tekstin e shkollës, apo përdorni edhe tekste e libra të tjerë? Nëse po, mund të referoni ndonjë autor, librat e të cilit i keni përdorur më shumë?

Regi Ajdini: Teksti shkollor nuk më ka ndihmuar aspak. Nuk gjej pothuaj asnjë informacion të dobishëm. Për më tepër, po ta krahasosh me tekstet e fizikës që përdoreshin deri disa breza më parë, është shumë i reduktuar. Për këtë arsye jam detyruar të mësoj në mënyrë autodidakte libra të vjetër të fizikës, kryesisht të Dr. Maksim Shimanit dhe Kristaq Pitit.

  • Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Në çfarë dege mendoni të vazhdoni studimet?

Regi Ajdini: Do të më pëlqente shumë të vazhdoja për arkitekturë. Në këtë degë të shkencës mendoj se gjenden të ndërthurura të dyja lëndët e mia të preferuara, edhe matematika, edhe fizika.

  • Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Fitimi i një çmimi në një konkurs kombëtar fizike është një arritje e madhe. Cili është hapi i radhës për të certifikuar arritjet tuaja? Ndonjë projekt i ri, angazhim, ese…

Regi Ajdini: Kam dëshirë të marr pjesë në konkurse të tjera fizike, olimpiada etj.! Dhe t’i fitoj edhe ato!

  • Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Kë dëshironi të falënderoni për arritjet e juaja?

Regi Ajdini: Do të doja të falënderoja çdo person që më ka mbështetur. Veçoj të afërmit dhe miqtë e mi, si dhe dy mësueset e fizikës, Stela Furriku (në nëntëvjeçare) dhe Migena Alia (në gjimnazin “Qemal Stafa”).

  • Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Çfarë do u këshillonit moshatarëve tuaj që ndoshta dëshirojnë të realizojnë të njëjtën ëndërr?

Regi Ajdini: Ndiq zemrën dhe dëshirat e tua në jetë dhe mos lejo asnjë person të të pengojë që të arrish qëllimet që i ke vënë vetes. Siç është dhe motoja e konkursit: “Pasioni dhe puna shpërblejnë!”