Artikulli është pjesë e nismës së Dr. Valbona Nathanaili “Integrimi nga brenda” i Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Parime të përgjithshme
Në kuadrin e sistemit legjislativ të Bashkimit Europian, ekzistojnë shumë parime që shërbejnë si bazë për marrjen e vendimeve, të domosdoshme kryesisht në rastet kur disa akte janë të paqarta ose ka një konflikt ndërmjet disa kategori aktesh. Disa prej këtyre parimeve parashikohen në traktate, të tjera burojnë nga praktikat e Bashkimit Europian dhe të institucioneve të tij, veçanërisht nga Gjykata Europiane e Drejtësisë. Në funksion të rolit të tyre, këto parime të përgjithshme mund të jenë parime veprimi (domethënë gjenden në aktet, veprimet dhe politikat e Bashkimit Europian) ose parime zbatimi (domethënë përdoren nga instancat gjyqësore, për vënien në zbatim të së drejtës komunitare).
Parime veprimi të Bashkimit Europian
- Parimi i ushtrimit të kompetencave: Bashkimi Europian nuk vepron përveçse në masën në të cilën Traktatet i kanë dhënë kompetenca sektoriale dhe vetëm në ato fusha ku kjo është e nevojshme për përmbushjen e objektivave të traktateve. Për të mos bllokuar veprimet e Bashkimit Europian dhe në përmbushje të këtij parimi ekziston, gjithsesi, një parashikim, përmes të cilit, për arritjen e objektivave, Bashkimi Europian mund të veprojë edhe në fusha në të cilat nuk ka kompetenca të përcaktuara në traktate.
- Parimi i solidaritetit komunitar: Bashkimi Europian është krijuar për interesin/përfitimin e përbashkët të shteteve anëtare dhe të shtetasve të tyre, arsyeja pse shtetet anëtare duhet të veprojnë në solidaritet, duke siguruar rishpërndarjen e barasvlershme dhe uniforme të përfitimeve që burojnë nga pjesëmarrja në BE.
- Principi i barazisë, i mosdiskriminimit dhe i garantimit të të drejtave fondamentale: Bashkimi Europian synon që, përmes veprimeve dhe politikave të veta, të promovojë respektin për të drejtat e njeriut dhe barazinë ndërmjet personave, si dhe të luftojë çdo lloj diskriminimi. Në nivel ndërkombëtar, aplikimi i principit të barazisë përfaqëson, ndër të tjera, mungesën e një statusi të privilegjuar ose të dominimit të një shteti anëtar ndaj të tjerëve.
- Parimi i subsidiaritetit: Vendimet në kuadrin e Bashkimit Europian duhet të merren në nivelin më të afërt me ata që preken direkt nga zbatimi i këtyre vendimeve. Në rrjedhojë, do të merren vendime dhe do të iniciohen veprime në nivel superior (komunitar, kombëtar dhe rajonal), vetëm atëherë kur interesat e atyre që preken nga këto vendime dhe veprime, nuk mund të mbrohen me vendime të marra në një nivel inferior (respektivisht, kombëtar, rajonal ose lokal) ose, kur interesat e atyre që preken mund të mbrohen më mirë, nëse vendimet merren në nivel superior.
- Parimi i proporcionalitetit: Për të marrë një vendim, në kuadrin e Bashkimit Europian, verifikohet paraprakisht nëse masa është e nevojshme dhe është përshtatur me objektivat të cilave synon t’u përgjigjet. Vendimi përfaqëson një vlerësim, që merr në shqyrtim të gjitha interesat e vëna në diskutim, duke kërkuar të shmangë abuzimet e mundshme.
Parime zbatimi të Bashkimit Europian
- Parimi i zbatimit të së drejtës komunitare: Për të siguruar një funksionim të mirë të sistemit juridik komunitar dhe frytshmërinë e masave të ndërmarra, komunitetet kanë zhvilluar shumë parime të zbatimit të së drejtës komunitare. Një rol me rëndësi në përcaktimin dhe garantimin e respektimit të këtyre parimeve ka pasur Gjykata e Drejtësisë e Komuniteteve Europiane, përmes vendimeve të marra në gjykimin e disa rasteve. Parimet më të rëndësishme gjatë zbatimit të së drejtës komunitare janë: supermacia e së drejtës komunitare, zbatimi direkt, efekti direkt dhe efekti indirekt.
- Parimi i supermacisë së të drejtës komunitare mbi atë kombëtare: Në rast konflikti ndërmjet një ligji kombëtar dhe së drejtës komunitare (të Bashkimit Europian), në parim, është norma komunitare (traktatet, por edhe legjislacioni i derivuar) që zbatohet në të gjitha rastet. Ky parim është i vlefshëm për të gjitha llojet e normave komunitare dhe, respektivisht, kombëtare (kushtetuese, legjislative ose administrative), pavarësisht nga data e hyrjes në fuqi (pavarësisht nëse norma kombëtare është marrë para apo pas asaj komunitare).