“Zgjedhja Të përqafosh të mundurën” Autor Edith Eger

  • Në shqip: Valbona Nathanaili
  • ISBN 9789951817424 / F. 388
  • Shtëpia Botuese: Pema, Prishtinë / Viti i botimit: nëntor, 2022

Nga Dr. Philip Zimbardo

  • Psikolog dhe Emeritus Profesor në Universitetin e Stanford-it, Phil Zimbardo është krijuesi i eksperimentit të famshëm me burgun (1971), si dhe autor i disa librave të mirënjohur, përfshirë librin e shpallur nga “Nju Jork Times” si libri më i shitur dhe fitues i çmimit “William James” në fushën e psikologjisë “Efekti Lucifer: të kuptosh se si njerëzit e mirë shndërrohen në djaj” (2007); themelues dhe president i projektit “Imagjinata heroike”.
Edith Eger

Pranverë! Me ftesë të shefes së departamentit të psikiatrisë të “U.S. Navy”, Dr. Edith Eva Eger, hipi në një aeroplan luftarak pa dritare, që drejtohet për në një nga luftanijet më të mëdha në botë, aeroplanmbajtëses “Nimitz” të flotës amerikane detare, ankoruar në bregun kalifornian. Aeroplani fillon uljen në pistën e ngushtë, jo më të gjatë se 150 metra. Shumë shpejt ndjej forcën goditëse të frenimit, pasojë direkte e kapjes së mekanizmit që piloti lëshon nga bishti i aeroplanit, nga litari i fortë i anijes, që e ndihmon të ndalojë dhe të mos dalë në oqean. E vetmja grua në anije, Dr. Eger më jep mirëseardhjen në kabinën e kapitenit. Misioni i saj? T’u mësojë më shumë se pesëmijë detarëve të rinj si të përballen me kundërshtarin, traumat dhe kaosin e luftës.

Dr. Eger është eksperti klinik që ndihmon ushtarët që kanë përjetuar përvoja traumatike, shumë prej të cilëve pjesë e “Forcave operacioneve speciale”, që vuajnë nga çrregullimi i stresit post-traumatik ose dëmtime të ndryshme në tru. Çfarë aftësish ka kjo gjyshe e dhembshur dhe e dashur, të ndihmojë personelin ushtarak për të marrë veten nga brutaliteti i luftës?

Përpara se ta takoj personalisht, për herë të parë, kam komunikuar me Dr. Eger për mundësinë e mbajtjes se një leksioni, si pedagoge e ftuar, në një nga orët e kursit tim, “Psikologjia e kontrollit të trurit”, në “Stanford”. Mosha dhe theksi i të folurës, më krijuan në kokë imazhin e një “babushke” të botës së vjetër, me kokën mbuluar me shall, që e lidh me kujdes nën gushë. Por kur foli përpara studentëve të mi, munda të konstatoj, personalisht, fuqinë e saj për të shëruar. Shkëlqente e gjitha! Me një buzëqeshje që rrezatonte vetëm mirësi, me vathët që i rrezëllinin, flokët e verdhë në një nuancë të kuqe të ndezur dhe veshjen nga koka tek këmbët, që ime-shoqe ma shpjegoi më vonë se ishte e gjitha “Chanel”, tregoi për historitë e tmerrshme dhe tronditëse si e mbijetuar në kampet e vdekjes naziste me humor, pa më të voglën ndjenjë frike dhe nënshtrimi. Prania dhe vetë ngrohtësia që transmetonte mund të përshkruhen vetëm si dritë e pastër!

Jeta e Dr. Eger është e mbushur me histori të dhimbshme. E dërgojnë në Aushvitz kur ishte thjesht një adoleshente. Dhe pavarësisht torturave, urisë dhe kërcënimit të vazhdueshëm nga asgjësimi, ia del të ruajë lirinë për të menduar dhe për të qenë e pastër shpirtërisht. Tmerret që përjeton nuk e thyejnë. Përkundrazi, e forcojnë dhe e motivojnë. Në fakt, gjithçka që është sot, mençuria që tregon dhe mirësia që rrezaton e kanë burimin pikërisht në ato ngjarje që ka përjetuar në këtë periudhë të jetës.

Eger ka aftësinë t’i ndihmojë njerëzit të marrin veten nga traumat, sepse ka mundur të dalë vetë fitimtare nga një përvojë e tillë; sepse ka arritur të mposhtë mizorinë njerëzore ushtruar sistematikisht ndaj saj dhe ta shndërrojë në përvojë fitoreje për të tjerët – jo vetëm për një pjesë të mirë të personelit ushtarak që gjendet në bordin e aeroplanmbajtëses “Nimitz” të flotës amerikane detare, të cilët i ka ndihmuar të rifitojnë besimin tek vetja – por edhe për ata që kanë qenë viktima të abuzimit dhe indiferencës, që kanë vuajtur pasojat e varësisë nga droga dhe të sëmundjeve të ndryshme, që kanë humbur të dashurit apo edhe vetë shpresën për një jetë më të mirë. Për këdo që përballet me zhgënjime dhe i duhet të përballet me sfidat e jetës së përditshme, e kaluara e saj është frymëzim për të gjetur dhe bërë zgjedhjet tona, personale, ndërsa mesazhi? Të luftojmë të fitojmë pushtetin për të mposhtur vuajtjet, të përpiqemi të gjejmë farin që ndriçon dhe na orienton drejt bregut.

Në mbyllje të leksionit që mbajti përpara treqind studentëve të mi, secili prej tyre, në mënyrë krejt spontane, u ngrit në këmbë dhe e duartrokiti. Të paktën njëqind të tjerë, vajza dhe djem të rinj, iu drejtuan foltores, në pritje për ta falënderuar, përqafuar dhe shtrënguar dorën kësaj gruaje të jashtëzakonshme. Në dekada mësimdhënie, nuk i kam parë kurrë studentët kaq shumë të frymëzuar.

Më pas, në afro njëzet vjet bashkëpunim dhe udhëtime së bashku në të katër anët e botës, skena të tilla u bënë të zakonshme përpara çdo lloj audience: si kur fliste në një tavolinë të rrumbullakët në Flint, Michigan, për një grup të rinjsh dhe në një qytet që përpiqej të luftonte varfërinë, me më shumë se 50% papunësi dhe konflikte raciale gjithnjë në rritje, deri në Budapest, Hungari, qyteti ku iu vranë shumë nga të afërmit dhe ligjëroi përpara qindra njerëzve që kërkonin të linin pas dëmet e së kaluarës. Dhe gjithnjë kam qenë dëshmitar i po atyre emocioneve: prania e Edie-t i transformon njerëzit!

Ballin e librit në gjuhën shqip. Përktheu: Dr. Valbona Nathanaili

Në këtë libër, Dr. Eger shpalos njëherazi dhe në mënyrë të gërshetuar historitë e transformimit të pacientëve të saj, me historinë personale të mbijetesës në Aushvitz. Ndërkohë që historia e saj e mbijetesës përmban gjithë dramacitetin e historive të tjera të ngjashme treguar nga persona që njësoj si ajo ia dolën t’i mbijetojnë atij ferri, fakti që më motivoi më shumë për të shkruar parathënien e këtij libri është se Edie e përdor përvojën personale për të na ndihmuar të zbulojmë konceptin e lirisë për ne, si njerëz. Në këtë mënyrë, ky libër është shumë më tepër se një memuar i thjeshtë i Shoah – sigurisht, duke theksuar gjithnjë rëndësinë që kanë rrëfime të kësaj natyre për të mos harruar të kaluarën dhe për të ndaluar përsëritjen e historive të trishta! Synimi i autores është të na ndihmojë t’i shpëtojmë burgut që ndërtojmë në brendësi të mendjes. Shumë nga ne, në një mënyrë a tjetër shpesh ndihemi mendërisht të burgosur. Misioni i Edie-t është të na ndihmojë të kuptojmë, se ndërkohë që sillemi si gardianë të burgut tonë, mund të jemi edhe çlirimtarët e tij.

Shpesh herë, Edie prezantohet nga të rinjtë si “Ana Frank që nuk ka vdekur”, jo vetëm sepse Edie dhe Ana kanë qenë në të njëjtën moshë kur u futën në kamp, por sepse të dyja vajzat e reja karakterizohen nga e njëjta pafajësi dhe mirësi, që i frymëzon të besojnë në aftësitë më të mira tonat, si qenie njerëzore, pavarësisht mizorisë dhe persekutimit që pësojnë. Sigurisht, që në kohën kur Ana Frank shkruante ditarin e saj, Edie përjetonte kushtet ekstreme të kampit të përqendrimit, fakt që u jep gjykimeve të saj si e mbijetuar dhe kliniciste (dhe stërgjyshe) njëherazi nota bindëse dhe mallëngjyese.

Ndërkohë, njësoj si librat më të njohur për Holokaustin, edhe libri i Dr. Eger zbulon dhe analizon fuqinë e paepur të shpirtit njerëzor ndërkohë që i duhet të përballet me anët më të errëta të njeriut shndërruar në djall. Por fuqia e këtij libri shkon përtej. Dhe mund të kuptohet më mirë, nëse krahasojmë librin e Edie-t me një tjetër memuar të Shoah me autor Viktor Frankl, që tashmë ka zenë vend në klasikët e shkëlqyer për këtë temë “Njeriu në kërkim të të kuptuarit”. Në veprën e Dr. Eger gjejmë po atë mprehtësi dhe thellësi të dijes njerëzore që karakterizon veprën e Frankl-is, sikundër të njëjtën ngrohtësi dhe besim që të mundëson vetëm një jetë kushtuar psikanalizës. Nëse Viktor Frankl shtjellon psikologjinë e të burgosurve me të cilët ka ndarë kampin në Aushvitz, Dr. Eger na ofron psikologjinë e lirisë.

Në studimet e mia, për një kohë të gjatë jam marrë me bazat e psikologjisë të formave negative të ndikimit social. Jam përpjekur të kuptoj mekanizmat, me ndihmën e të cilëve arrijmë të ndihemi të qetë, të bindemi apo të mbajmë qëndrim kundër në situata ku paqja dhe e drejta duket se mund të vendoset vetëm me ndihmën e një rruge: heroizmit! Edie më ndihmoi të zbuloj se heroizmi nuk është karakteristikë vetëm e atyre që kryejnë vepra të jashtëzakonshme ose që ndërmarrin veprime, ndoshta edhe impulsive, në mbrojtje të vetes apo të tjerëve – ndonëse vetë Edie ka kryer akte të tilla. Përkundrazi, heroizmi duhet konceptuar edhe si mendësi, ose akt në rrjedhojë të akumulimit të mënyrave personale dhe sociale të të sjellit; ose si një mënyrë vlerësimi veçanërisht e vetes. Të jesh hero do të thotë të ndërmarrësh veprimet e duhura në momente vendimtare të jetës, të bësh përpjekje aktive për të adresuar padrejtësinë ose të ndikosh për një ndryshim pozitiv në botë. Të jesh hero kërkon shumë kurajë e akoma më shumë moral. Secili nga ne ka brenda vetes heroin që pret të zgjohet, që kërkon rastin të shprehet. Të gjithë jemi “heronj në formim e sipër”! Vendi ynë i kalitjes është jeta, me përvojat e përditshme që na ftojnë të vemë në zbatim sensin tonë të heroizmit: të angazhohemi për t’i kryer veprimet e përditshme me dashuri; të rrezatojmë dhembshuri, duke filluar me veten; të japim më të mirën tonë dhe të gjejmë tek tjetri përsëri më të mirën; të mbështesin dashurinë, edhe në marrëdhëniet më sfiduese; t’i gëzohemi lirisë së mendjes dhe ta praktikojmë pushtetin e saj. Edie është një heroinë – në fakt, nuk kam dyshuar kurrë – sepse na mëson, secilin nga ne, si të rritemi dhe të arrijmë të ndryshojmë tek vetja tipare dhe karakteristika të rëndësishme në terma afatgjatë, në gjendje të ndikojnë pozitivisht marrëdhëniet tona me të tjerët dhe vetë botën ku jetojmë.

Dy vjet më parë, së bashku me Edie vajtëm në Budapest, qyteti ku jetonte e motra e saj në kohën kur nazistët filluan represionet ndaj hebrenjve të Hungarisë. Vizituam edhe një sinagogë hebreje, oborri i të cilës ishte shndërruar në një memorial për Holokaustin, ndërsa muret mbushur me foto që tregonin jetën e tyre përpara, gjatë dhe pas luftës. Nuk munguam as edhe në “bregun e këpucëve” të Danubit, një tjetër memorial në nder të të vrarëve – disa prej të cilëve edhe familjarë të afërt të Edie – nga milicët e “Arrow Cross”, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pasi i rreshtuan në breg të lumit hebrenjtë që kishin gjetur nëpër lagje të ndryshme të qytetit, i urdhëruan të heqin këpucët dhe i pushkatuan të gjithë. Trupat e të vrarëve i lanë t’i merrte lumi!

E kaluara ndihej qartë. Sa më shumë kalonte dita, aq më e vështirë bëhej të shkëpusje ndonjë fjalë nga Edie. Erdhi një çast që mendova se duhej ta kishte shumë të vështirë, në mbrëmje, të fliste përpara një audience me 600 persona pas atij udhëtimi emocional në kohë, trazuar sigurisht nga kujtime shumë të dhimbshme. Por kur doli në skenë, nuk filloi me ndonjë histori mbushur me frikë, trauma apo tmerre, që udhëtimi ynë ia kishte bërë të vërtetë edhe një herë. Përkundrazi, filloi me një histori të bukur dhe të këndshme, fabula e të cilës ishte një akt heroizmi të përditshëm, por që na kujton se gjëra të tilla mund të ndodhin edhe në ferr. “A nuk është e mrekullueshme?” – pyeti veten Dr. Edie. “Ngjarjet më të këqija nxjerrin anën tonë më të mirë!”

Si gjithnjë, fjalimin e mbyll me elementin e saj karakteristik: “Në rregull, mbaruam së foluri! Tashmë e ka radhën vallëzimi! Jeni të gjithë të ftuar!” Audienca ngrihet si një trup i vetëm. Qindra njerëz i drejtohen skenës. Pa muzikë! Të gjithë kërcejnë! Dhe këndojnë e qeshin, përqafojnë njëri-tjetrin, në një festë të pakrahasueshme në nder të jetës.

Dr. Eger është një nga pak të mbijetuarit që mund të dëshmojë për tmerret e kampeve të përqendrimet. Libri është një kujtesë e ferrit dhe traumës të atyre që mundën t’i mbijetojnë deri në fund luftës. Mesazhi që transmeton është për të gjithë dhe mbart shpresë e frymëzon mundësi, pavarësisht nëse përpiqeni të leni pas shpine dhimbje apo vuajtje, nëse jeni të lidhur nga zinxhirët e një martese të keqe apo një familje të shkatërruar… dhe pavarësisht nëse burgu është vetë mendja juaj që beson se nuk mund të arrijë asgjë. Nëpërmjet këtij libri lexuesi ka mundësi të mësojë se si të zgjedhë lirinë dhe të jetë i gëzuar pavarësisht rrethanave.

“Zgjedhja” është një kronikë e jashtëzakonshme e heroizmit dhe shërimit, ripërtëritjes dhe dhembshurisë, mbijetesës me dinjitet dhe karakterit të fortë, kurajës dhe moralit pafund. Të gjithë kemi çfarë të mësojmë nga rasti frymëzues i Dr. Edie, nga historia e saj personale dhe e jashtëzakonshme.

San Francisko, Kaliforni

Janar, 2017