Nga Antonina Lukenchuk & Eileen Kolich

Përshtati Valbona Nathanaili 

Në këtë kapitull trajtohen tërësia e çështjeve që lidhen me konceptin e paradigmës, supozimet që mbështesin dhe ato që shpesh kanë prirjen të çojnë në keqkuptime sa i takon natyrës dhe llojeve të ndryshme të hulumtimit në shkencat e edukimit, si dhe vlerat që ka trajtimi filozofik i parimeve që mbështesin dhe ndërtojnë hulumtimin në shkencat humane.

Një nga pikënisjet sa i takon hulumtimit në shkencat e edukimit, marrë në konsideratë në kapitullin 1, ishte pozicionimi i saj, para së gjithash, në kornizën e traditës së hulumtimit që zhvillohet në shkencat humane. Kjo traditë ka një histori të gjatë në perëndim, por është me rëndësi të kihet në vëmendje, për shkak të paqartësisë së madhe që ka mbështjellë, së fundmi, përdorimi i fjalës shkencë dhe vendit që zë kur duam ta klasifikojmë në botën e shkencës dhe të artit. Fjala shkencë rrjedh nga scientia (latinisht) dhe mund të shpjegohet si: 1. Aktiviteti praktik dhe intelektual që përfshin studimin sistematik të strukturës dhe sjelljes së botës fizike e natyrore nëpërmjet vëzhgimit dhe përvojës; 2. Një aspekt i veçantë i saj … 3. Një bashkësi e organizuar, në mënyrë sistematike, e dijeve në një disiplinë të veçantë; 4. Njohja e çdo lloji (Stevenson & Lindberg, 2010, f. 1564). Ky përkufizim i zgjeruar i shkencës mund të zbatohet edhe për aktivitetin intelektual e praktik që synon studimin sistematik të fenomeneve me natyrë njerëzore. Shkenca e edukimit synon njohjen dhe të kuptuarin e tërësisë së çështjeve komplekse që përbëjnë botën njerëzore, për shembull, atyre kulturore, politike, morale, fetare e kështu me radhë.

Në perëndim, afërsisht deri në kohën e Revolucionit Industrial,[1] çështjet e mësipërme ishin objekt i filozofisë, detyra e së cilës ishte të siguronte një njohje sistematike dhe gjithëpërfshirëse të natyrës së universit dhe qenieve njerëzore në terma fizikë dhe metafizikë[2]. Çështjet që i takonin edukimit gjendeshin të integruara në hierakinë e arteve dhe të shkencave, të cilat të gjitha së bashku u shërbenin synimeve të përgjithshme filozofike. Pjesa më e madhe e  filozofëve të hershëm e atyre modernë nuk bënin diferencë ndërmjet aktiviteteve me natyrë filozofike, shkencore dhe atyre edukuese. Sokrati, Platoni, Aristoteli, Konfuci, Rumi, sikundër edhe shumë të tjerë, në optikën e sotme mund të quhen mësues, me të gjitha të drejtat. Filozofët e shkollës milesiane[3], (shek. 6 para Krishtit), të cilët mësonin se jetësorja dhe jojetësorja, lënda dhe shpirti, janë të gjitha mund të quhen si shkencëtarët e parë, me të gjitha të drejtat.

Zbulimet shkencore dhe progresi teknologjik që pasojnë Revolucionin Industrial janë shtysa për një ndarje dhe degëzim të arteve nga shkenca, sikundër edhe për një drejtim të ri të rolit të filozofisë. Filozofia merr një status të ri, suplementar, në shërbim të synimeve të disiplinave të veçanta. Filozofisë i hiqet kurora mbretërore. David Hume, një nga filozofët e shek. XVIII, përpiqet t’a konceptojë shkencën që merret me studimin e natyrës njerëzore si të bazuar në vëzhgimin dhe matjen e moralit të sjelljes, e cila u bë zanafilla e bihejviorizmit (Polkinghorne, 1983, 2004). Droysen, historian gjerman i shek. XIX, bën dallimin ndërmjet erklären (shpjegim) (si në shkencat e natyrës) dhe verstehen (të kuptuarit) (si në shkencat humane), një dallim që shërbeu për hapjen e një debati me natyrë metodologjike për hulumtimin në shkencat e edukimit. Akoma më tej, po në shek. XIX, Dilthey, gjerman, sugjeron që fjala Geistenwissenschaft, nuk mund të përkthehet saktësisht në anglisht. Kjo fjalë është e përbërë nga fjala vershehen (gjermanisht do të thotë të kuptuar) dhe Wissenschaft (gjermanisht do të thotë shkencë, të mësuar, njohuri). Shkenca e të kuptuarit, e njohur ndryshe edhe si hermenautikë[4], bëhet në këtë mënyrë shtrati[5] i shkencave natyrore, synimi tradicional i së cilës ishte shpjegimi (shih kap. 1 dhe 2).

Në fund të shek. XIX dhe fillim të shek. XX, në perëndim, shkencat sociale shfaqen si një përpjekje për të studjuar individët dhe sjelljen e tyre brenda grupeve sociale në nivel mikro e makro, si për shembull sociologjia, antropologjia, ekonomia dhe shkencat politike. Durkheim, Weber dhe Marx u bënë arkitektët e projekteve të mëdha sociale, që ende vazhdojnë të provokojnë imagjinatën sociale e politike të mendimtarëve të shumtë të ditëve tona (Lemert, 1999). August Comte u përpoq të ngrinte një shkencë ambicioze sociale pozitiviste, por që nuk ishte në gjendje t’i rezistonte provës së kohës. Në gjysmën e dytë të shek. XX, të gjithë pozitivistët që u përfshinë në shkencat sociale e natyrore kishin dështuar. Kishte ardhur koha për një vizion të ri për shkencën dhe metodat e hulumtimit shkencor.

Debatet metodologjike që përfshinë shkencat natyrore dhe sociale kërkonin rishikimin e koncepteve të njohjes dhe metodës shkencore të kalimit nga pozitivizmi në postpozitivizëm (shih kap. 1 dhe 2). Teoria e relativitetit e Ajnshtajnit dhe mekanika kuanike ishin ndër sfidat kryesore të pikëpamjes pozitiviste për shkencën. Në mesin e shek. XX, kundërshtimi i pozitivizmit nga filozofët e shkencës, si dhe konsensusi që pasoi se shkenca nuk është në gjendje të prodhojë dije përfundimtare, ose që dija është absolute (shënim, Nathanaili), shërbeu si sinjal për ndryshime radikale në të kuptuarin e metodave që aplikohen në studimin e fenomeneve njerëzore. Dija u perceptua si e gabueshme dhe subjekt sprovash të mëtejshme, refuzimi, ose e pranuar me statusin e shpjegimit më të mirë që kemi për momentin (garanci e përkohshme) nga komuniteti i hulumtuesve në një fushë të veçantë të studimit.

… Kuptimi ynë për paradigmën[6] përfshin, por nuk është i limituar, në përkufizimin e Kuhn. Shumë hulumtues në fushën e edukimit (për shembull, Anfara & Mertz, 2006; Merriam et al, 2002) përdorin disa terma kur i referohen paradigmës: teori, kornizë teorike, kornizë konceptuale, një bashkësi idesh, disa parime drejtuese, perspektivë. Të gjitha përcaktimet e mësipërme do i marrim në konsideratë nën termin repertori konceptual. Repertori konceptual është një shprehje figurative që do të thotë “listë pa fund e përmbajtësve konceptualë” që përbëjnë një paradigëm të veçantë të hulumtimit, e ngjashme me listën e copëzave muzikore, pafundësia dhe konfigurimet e ndryshme të të cilave gjenerojnë produksione të shumëfishta.

Shënime 

  1. [1] Shënim, Nathanaili: Revolucioni Industrial është kalimi në proceset e reja të prodhimit. Fillon rreth viteve 1760 dhe shkon deri më 1820-1840. Gjatë kësaj periudhe kemi kalimin nga prodhimi me dorë në atë në fabrikë, te makinat me avull dhe përmirësimi i rendimentit të tyre, si dhe zëvendësimin e drurit me qymyr e karburantë të tjerë.
  2. [2] Shënim, Nathanaili (cituar: Ritzer, 2008, botimi i shtatë: ff.16-18). Comte shpjegon se historia e njohjes njerëzore ka kaluar në tre faza të rëndësishme intelektuale dhe, në të njëjtat faza, kanë kaluar edhe grupet, shoqëritë, shkenca, individët dhe edhe vetë mendja njerëzore. Ai përpunoi teorinë e tij, të quajtur “Teoria e evoluimit”, ose ligji me tre shkallë: 1. Faza teologjike, që i takon periudhës deri në vitet 1300. Ideja kryesore që mbizotëron është besimi në fuqitë e mbinatyrshme dhe figurat fetare, të modeluara sipas mendjes njerëzore. Në mënyrë të veçantë, besohet se bota sociale dhe ajo fizike janë produkt i Zotit. 2. Faza metafizike, që i takon periudhës 1300-1800. Ideja kryesore që mbizotëron është se forca abstrakte, si për shembull natyra, më shumë se sa zotat e personalizuara, janë në gjendje të shpjegojnë çdo gjë. 3. Faza pozitiviste, që i takon periudhës pas viteve 1800. Në këtë fazë është prirja për t’u shkëputur nga kërkimi për shkaqe absolute (braktisja e Zotit dhe natyrës) dhe, në vend të tyre, përqendrimi në vëzhgimin e botës sociale dhe natyre, në kërkim të formulimit të ligjeve që i udhëheqin ato.
  3. [3] Shënim, Nathanaili: Shkolla mileziane është shkolla e mendimit e themeluar në shek. 6 para Krishtit. Përfaqësohet me tre filozofë kryesorë, me prejardhje nga qyteti i Miletit, pranë detit Egje, Anadoll (Turqia e sotme): Thales, Anaximander dhe Anaximenes. Idetë e tyre ishin në kundërshti me pikëpamjet e përgjithshme mbi organizimin e botës, sipas së cilave çdo gjë mund të shpjegohej nëpërmjet vullnetit të jashtëm, kryesisht forcave të natyrës dhe Zotit. Milezianët e paraqisnin natyrën në termat e vëzhgimit metodologjik të njësive të ndryshme të saj. Këta mund të quhen si filozofët e parë vërtet shkencorë.
  4. [4]Shënim, Nathanaili: Mund te flasim edhe për “Hermeneutikën e dyfishtë”, prezantuar së pari nga Anthony  Giddens, një nga sociologët më të referuar në ditët tona, autor i “Sociologjisë”. Ai e përdor këtë term në librin “Pasojat e modernitetit”, sjellë në shqip nga V. Nathanaili, F. Tarifa dhe B. Bino (Botues UET Press – ISBN 978-99956-39-67-9). Në f. 15 të botimit anglisht (dhe f.16 të botimit shqip), e përdor konceptin e “hermeneutikës së dyfishtë” për të interpretuar marrëdhënien “dykahëshe” që ekziston ndërmjet koncepteve dhe shkencave shoqërore, në dallim nga marrëdhënia “njëkahëshe”  që ekziston ndërmjet koncepteve dhe shkencave natyrore: në shkencat natyrore ne i përdorim konceptet për të interpretuar mënyrën se si është strukturuar bota natyrore, pra zhvillojmë një të kuptuar një-kahësh – hermeneutika tradicionale ose, sipas Giddens “single hermeneutic” ose “oneway hermeneutic”. Ndërkohë që në shkencat sociale, gjatë “interpretimit të tekstit” ne, dashje pa dashje, përfshihemi në një “hermeneutikë të dyfishtë”, pasi njerëzit, mendojnë, bëjnë zgjedhje dhe e përdorin informacionin për të rikonceptuar të kuptuarin apo ndryshuar praktikën e tyre. Pra, kjo lidhje subjekt-çështje nuk është krejtësisht e pavaruar. Po citoj (anglisht): The relation between sociology and its subject matter – the action of human beings in condition of modernity – has to be understood instead in terms of the “double hermeneutic”. ….
  5. [5] Shënim, Nathanaili: Anglisht është fjala counterpoint.
  6. [6] Shënim, Nathanaili: Deri rreth viteve 1900, paradigma mbizotëruese në fizikë pohonte se drita ka natyrë valore (mbas braktisjes së natyrës korpuskulare të saj, shekuj më parë). Por, teoria e Ajnshtajnit për fotoefektin u mbështet mbi disa ekpserimente të reja. Kështu, nëse mbi një pllakë metalike që ndodhet në zbrazëti lëshojmë një rrezatim, atëherë ndodh dukuria e shkëputjes së elektroneve, e njohur ndryshe si dukuria e fotoefektit. Në përputhje me natyrën valore të dritës (teoria ekzistuese në atë kohë), duhet që sa më i madh të jetë intensiteti i rrezatimit, aq më e madhe të jetë edhe energjia me të cilën elektronet shkëputen nga pllaka. Por eksperimentet tregonin se energjia e elektroneve të shkëputur varej vetëm nga gjatësia e valës së rrezatimit (ose frekuenca e tij), ndërkohë që intensiteti i rrezatimit ndikonte vetëm në numrin e tyre, më pak ose më shumë. Teoria ekzistuese për natyrën valore të dritës nuk ishte në gjendje të shpjegonte një sjellje të tillë. Më 1905, Ajnshtajni publikoi teorinë e tij për dukurinë e fotoefektit, bazuar në hipotezën se drita ka natyrë korpuskulare. Pra, eksperimentet dhe vëzhgimin kërkonin një teori të re për natyrën e dritës, ose një paradigëm të re. Rruga për kalimin nga një paradigëm në tjetrën, mund të shpjegohet sipas skemës së propozuar nga Kuhn (Cituar: Ritzer, Sociological theory, 7th edition, 2008, f. A-10): Paradigma I. Shkenca ndjek një rrugë normale, shoqëruar me akumulimin e dijeve (drita ka natyrë valore); Lindin anomali (dukuri që nuk mund të shpjegohen me paradigmën I, si për shembull fotoefekti; Krizë(shumë të çara në shkencë, pyetje pa përgjigje); RevolucionParadigma II: Drita ka natyrë edhe valore, edhe korpuskulare.
  7. [6] Shënim, Nathanaili: Revolucioni Industrial është kalimi në proceset e reja të prodhimit. Fillon rreth viteve 1760 dhe shkon deri më 1820-1840. Gjatë kësaj periudhe kemi kalimin nga prodhimi me dorë në atë në fabrikë, në përdorimin e gjerë të makinave, përmirësimin e rendimentit të makinave me avull, si dhe zëvendësimin e drurit me qymyr e karburantë të tjerë.

Përmbledhje e librit

Çfarë është hulumtimi dhe kush quhet kërkues? Pse të merremi me hulumtim dhe cilat janë vlerat e tij? Si mund të dimë nëse ka diçka tjetër përtej horizontit tonë të dijes? Trajtimi i disa prej paradigmave të hulumtimit të shek. XXI, janë mundësi për të ditur më shumë, si dhe për shtruar pyetje rreth natyrës së tyre në shkencat e edukimit. Libri ofron një analizë të detajuar dhe të plotë të traditës filozofike perëndimore e joperëndimore, jep perspektiva të realitetit, dijes dhe vlerave që kanë qenë përgjegjëse në të shkuarën e janë ende sot për hulumtimin në Amerikën veriore. Cili është përkufizimi i paradigmës? Hulumtimi në shkencat e edukimit mund të bëhet duke i klasifikuar paradigmat në gjashtë grupe kryesore: empiriko-analitike, pragmatike, interpretuese, kritike, poststrukturaliste dhe transhendente. Libri mund të përdoret në kurset e masterit dhe të doktoraturës.

Pjesë nga parathënia

Pyetjet me të cilat Paul Gauguin (1848-1903) nënshkroi pikturën e tij, kryeveprën “Nga vimë? Kush jemi? Ku shkojmë?”(D’où Venons Nous /Que Sommes Nous /Où Allons Nous” janë endemike për mendjen njerëzore. Ato i nxitën njerëzit të fluturojnë në hënë, të zhyten në thellësitë e oqeaneve, të depërtojnë në nivelet bërthamore të energjisë dhe në trupin njerëzor e të krijojnë projekte sociale ambicioze.

Si do të ishte jeta jonë nëse nuk do të ishin disa individë kurajozë, të cilët guxuan të punojnë për projekte të paimagjinueshme?

Antonina Lukenchuk (PhD, Chernivtsi University, Ukraine; EdD, Northern Illinois University) is Associate Professor of Educational Foundations and Research at National Louis University in Chicago, Illinois. Her recent publications include chapters in edited volumes, articles in various journals, and a book, Reflections on the Nature of Self in the World and Adult Education: A Search for Inclusive Ways of Knowing.