Shoqata e Botuesve Shqiptarë, me rastin e Panairit të 23-t të Librit “Tirana 2020” (on line), përmes jurisë së ngritur, dha këto çmime dhe vlerësime për autorët, përkthyesit dhe lexuesit e vitit.
  • Çmimin e Autorit më të mirë e merr zoti Fatos Baxhaku (pas vdekjes) për librin “Në emër të Noes” me motivacionin:

Për stilin e veçantë e për t’u lakmuar të rrëfimit të historisë së Shqipërisë, në emër të Noes, vetë shkrimtari ynë, që gjen paqen në degën e ullirit.

  • Çmimin e Përkthyesit më të mirë e merr zoti Agim Doksani, për romanin e Elena Ferrantes, “Jeta e gënjeshtërt e të rriturve”, me motivacionin:

Për prurjen shumë cilësore në shqip të romanit, për respektimin e stilit, të sintaksës dhe pasurisë gjuhësore në përshkrimin e karaktereve.

  • Çmimin e Autorit më të mirë të letërsisë për fëmijë e merr zonja Adelina R. Mamaqi për librin “Ne tani lexojmë vetë” me motivacionin:
Për përmbushjen e qëllimit kryesor të letërsisë: eksplorimin e botës dhe njeriut. Për lehtësinë me të cilën përçon te lexuesit e vegjël filozofinë që të orienton drejt kuptimit të thelbit të ekzistencës. Për simbiozën mes autores dhe lexuesit që i drejtohet.
  • Çmimi i përkthimit nga letërsia franceze, i akordohet zotit Primo Shllaku, për romanin “Katedralja Shën Mëria e Parisit” me motivacionin:
Përmes sfidës së ripërkthimit, na risjell në shqip një vepër madhështore e kanonike përmes një verbi elegant e të kërkuar dhe një regjistri të riaktualizuar për lexuesin e shekullit të ri.
  • Çmimi i lexuesit më të mirë i jepet djaloshit Jamarbër Hoxha me këtë motivacion:
Për dashurinë dhe vëmendjen e veçantë që ai ka për librin dhe letërsinë.