Më datë 25 shtator 2021 u zhvillua Olimpiada III Ballkanike e Fizikës, organizuar nga “Shoqata e Fizikantëve” të Bullgarisë, në bashkëpunim me Shoqatat e Fizikantëve të vendeve të rajonit. “Olimpiada Ballkanike e Fizikës” ka një përvojë tre-vjeçare. Këtë vit, për herë të parë mori pjesë edhe Shqipëria. Për shkak të situatës Covid-19, pas diskutimeve të shumta, u vendos të zhvillohej on-line. Secili nga vendet pjesëmarrës, mori masat për organizimin korrekt të eventit, nëpërmjet lidhjes skype dhe nën vëzhgimin e përfaqësuesve të të gjitha vendeve.
Ekipi i Shqipërisë u përfaqësua me 4 nxënës të shkollës jo-publike “Turgut Ozal”, Durrës: Enkel Pengu. Viti IV, Damiano Musliaj, viti XI, Xhorxhia Rrudha, viti XII dhe Lorenca Dardha, viti XI.
Ditën e martë, datë 19 tetor 2021, në mjediset e kolegjit “Turgut Ozal”, Tiranë, u organizua ceremonia e shpërndarjes së certifikatave për nxënësit pjesëmarrës, në praninë e mësuesve dhe stafit të shkollës. Të pranishëm në ceremoni ishin edhe përfaqësuesi i Komitetit Shkencor të Olimpiadës Ballkanike të Fizikës, Prof. Asoc. Polikron Dhoqina, Lideri i ekipit për Shqipërinë Dr. Valbona Nathanaili, zëvendës lideri i ekipit për Shqipërinë Ma. Kastriot Capa, Administratori i përgjithshëm i “Turgut Ozal Education” Sh.a., drejtorët e shkollave “Turgut Ozal”, si dhe shefja e departamentit të fizikës në “Turgut Ozal Education” Sh.a.
Certifikatat u dhanë nga Assoc. prof. Polikron Dhoqina dhe Dr. Valbona Nathanaili, që përshendetën nxënësit dhe stafin e “Turgut Ozal” për nismën, mbështetjen dhe zhvillimin e këtij aktiviteti kaq të rëndësishëm për përfshirjen e të rinjve në shkencë dhe teknologji. Në takim, të pranishmit u angazhuan se ky orginizm i parë duhet të shërbejë si nismë e mirë e një bashkëpunimi të frytshëm, për të rritur jo vetëm numrin e nxënësve, por edhe gjeografinë e shkollave pjesëmarrëse.