Në banesat e dy qendrave historike Gjirokastër dhe Berat, përgjatë shek. XVIII-XIX
Nga Maksi Mitrojorgji
Në zgjidhjet funksionale të banesave në Gjirokastër dhe në Berat, mjediset e banimit zënë pjesën kryesore të planimetrive të tyre. Nga këto mjedise dallohet oda e mirë, e cila zë një vend të rëndësishëm në kompozimin e saj dhe për të cilën tregohet një përkujdesje e veçantë në aspektin arkitektoniko-artistik.[1] Në aspektin historik, kjo hapësirë ka pasur dhe emërtime të tjera, nga të cilat përmenden: “oda e mirë”, “oda e madhe”, “oda e verës”, “oda e miqve”, “oda e pritjes” etj. Këto emërtime, të cilat e shkëpusin dallueshëm nga mjediset e tjera të banimit, pasi vihet theksi jo vetëm në vlerësimin cilësor, por dhe në pozicionin, trajtimin dhe përmasat e odës.
Funksioni
Oda e mirë ka një funksion të qartë: pritjen e mikut të shtëpisë, i cili edhe kur vjen për një vizitë të shkurtër, qoftë prej disa orësh, qëndron aty. Ky është dhe mjedisi i ceremonive, ku familja pret urimet dhe ngushëllimet. Kur miku kalon edhe natën në familjen pritëse, ai fle në odën e miqve. Në këtë odë fle edhe i zoti i shtëpisë, – natyrisht për të nderuar mikun. Oda e mirë ka pasur dhe funksione të tjera, ajo shërbente si mjedis ku bëheshin bisedime ose marrëveshje. Nga të gjitha këto funksione të odës së mirë, më kryesoret ishin vend ndënjieje dhe vend fjetjeje. Këto funksione i kryenin dhe mjediset e tjera të banimit, por pavarësisht se miku është person i afërt ose jo i familjes, sipas traditës shqiptare, ai kërkon gjithsesi një trajtim e nderim më të veçantë.
Kjo përkujdesje që i bëhej mikut, shprehet edhe në trajtimin e brendshëm të odës së mirë, e cila nga pikëpamja dekorative, qëndronte shumë më lart se odat e tjera. Por ajo shfrytëzohet dhe kur nuk luan funksionet e lartpërmendura, sepse aty mund të flenë edhe anëtarët e familjes. Kujdes i veçantë tregohet edhe për pajisjen me punime avlëmendi, si qilima e velenxa, si dhe me prodhime të tjera, si mangalli, që shërbente për ngrohje etj., duke na prezantuar një vlerësim edhe në aspektin etnografik.[2] Për këto arsye, oda e mirë, siç u theksua më parë, gjithmonë zë vendin më të parapëlqyer në kompozimin e banesave.
Elementet kryesore karakteristike, që marrin pjesë në formulimin arkitektoniko-dekorativ të brendësisë së odës së mirë, në banesat popullore të të dyja qendrave historike, Gjirokastër dhe Berat, mund t’i klasifikojmë në: kompleksi musandër-dhipato, dollapët, dyert, oxhaku dekorativ, tavani dekorativ, dritaret, fashaturat dhe sergjenët.
Kompleksi musandër-dhipato, krijon një volum më vete, përveç volumit të vetë dhomës. Ai gjithmonë vendoset në pjesën fundore të odës. Në pjesën ballore të odës janë të vendosura dritaret dhe mbidritaret, të kompozuara në grupe dyshe ose treshe dhe, sipas zgjidhjeve të odës, edhe në faqet anësore, kjo më e theksuar në odën e Beratit. Oxhaku zë vend gjithmonë në faqet anësore të odës së mirë dhe shoqërohet në të dyja anët me kamaret dhe dollapët e murit. Nimet (minderët) dhe sergjenët e qarkojnë odën jo gjithmonë nga të trija anët. Dhe, së fundi, tavani mbyll hapësirën e odës së mirë në pjesën e sipërme. Elementet arkitektoniko-dekorativë, si kompleksi musandër-mafil, dollapët e murit, sergjenët e minderët, kryejnë funksionin e orendive dhe janë pjesë përbërëse e formulimit të arkitekturës së brendshme të odës.
Nga ana kompozicionale, vendosja e odës së mirë është zgjidhur në një mënyrë të tillë, që i jep përparësi përkujdesjes që miku të shkojë drejt saj në rrugën më të shkurtër të mundshme dhe pa shqetësuar mjediset e tjera, përveç atyre të ndërlidhjes. Ky kujdes fillon që në derën e hyrjes, kur kalon nga mjedisi ndërlidhës për në odën e mirë: në shumicën e rasteve, dera ka një trajtim me dekoracion dhe përmasa më të mëdha se ato të dyerve të mjediseve të tjera. Oda e mirë gjirokastrite, me proporcionet e saj, ka një formë të përzgjatur planimetrike me raporte të brinjëve 1: 2,2, ndërsa lartësia është relativisht e madhe dhe shkon nga 3,5 – 4 metra.[3] Ndërsa oda e Beratit ka një theksim drejt formës katërkëndëshe, me raporte të brinjëve 1:1,1 – 1:1,2 dhe lartësi 3 – 3,5 m. Oda e mirë shpreh një ndërlidhje të trefishtë ndërmjet konceptimit të saj si mjedis për një sërë funksionesh, sistemit strukturor mbajtës dhe elementeve arkitektonike. Edhe elementet strukturore mbajtëse, në odën e mirë luajnë një rol me rëndësi, me kontributin e tyre për funksionimin e saj.
Struktura mbajtëse ka ndikuar në përcaktimin e dimensioneve dhe kompozimin volumor të këtij mjedisi, si dhe një lidhje të tërthortë interier-eksterier nëpërmjet hapësirave të dritareve dhe dyerve, duke përcaktuar kështu edhe rregullimin e brendësisë së banesës. Sistemi strukturor mbajtës i odës së mirë, në banesën gjirokastrite, përbëhet gjithmonë nga tri faqet e ndërtuara me mur guri, ndërsa balli zakonisht është me skelet druri. Në ato të Beratit, sidomos në tipet më të zhvilluara, rritet pjesa me skelet druri, duke përfshirë dhe faqet anësore. Mund të përmendim dhe vendosjen e tubave prej qeramike në brendësi të mureve prej guri të odave të miqve, të cilat shërbenin, sipas të dhënave, për të mos u dëgjuar nga jashtë zhurmat e shtëpisë dhe bisedat që zhvilloheshin në këtë mjedis të rëndësishëm të banesës popullore qytetare.[4] Po ashtu, elemente të tjera, si trarët e dyshemesë dhe trarët e tavanit, plotësojnë gjithë strukturën mbajtëse të odës së mirë.
Duke analizuar me detaje aspektin kompozicional dhe trajtimin arkitektoniko-dekorativ të odës së mirë në përgjithësi, mund të themi që këto dy elemente nuk lidhen ngushtësisht me tipologjinë e banesave të të dyja qendrave. Megjithatë, në formacionin feudal të shoqërisë, ky mjedis ka pasur tipare të theksuara lokale, me karakteristika të dalluara. Natyrisht, me këtë kemi parasysh kryesisht trajtimin dekorativ, ndërsa kompozimi shquan për njësinë e dalluar në të dyja qendrat historike. Për dallimet në trajtimin arkitektoniko-dekrativ kanë ndikuar si faktorët ekonomiko-shoqërorë, që lidhen me shkallët e ndryshme të zhvillimit të të dyja qendrave, ashtu dhe me traditat ndërtimore, të lidhura me parapëlqimet për repertorin e zbukurimores. Parë në rrafshin e ndryshimeve historike, lindja e elementeve kapitaliste, krahas fluksit të gjerë të rindërtimeve sipas tipologjisë tradicionale të banesave, në të dyja qendrat solli dhe ndryshime në trajtimin e dekoracionit të odës së mirë. Prirja e përgjithshme shkon drejt thjeshtimit të zbukurimores, baraztrajtimit të pamjeve të jashtme me ato të brendshme dhe fillimin e futjes së orendive bashkëkohore. Kështu që oda e mirë në të dyja dy qendrat, megjithëse vazhdon të ketë përparësi, pëson ndryshime të rëndësishme, në krahasim me tipologjinë.
Këto ndryshime qëndrojnë në radhë të parë në thjeshtimin e ndjeshëm të trajtimit zbukurimor të brendësisë, rrallimin e ndërtimit të oxhakut, thjeshtimin e bllokut të musandrave, i cili madje fillon të mos ndërtohet më. Dollapët e murit dhe kamaret i takojmë rrallë gjatë kësaj kohe. Nimet gjithashtu nuk përdoren më, ndërsa në odën e miqve fillojnë të hyjnë gjithnjë e më gjerësisht mobiljet e lëvizshme. Pra, procesi i largimit nga pajisjet fikse, të cilat kishin si funksion vendosjen dhe ruajtjen e shtresave ose objekteve të tjera të përdorimit familjar, shoqërohet me atë të futjes përherë e më gjerë të mobiljeve, të cilat i japin një rikonceptim odës së mirë. Kjo dukuri, që thjeshtëson ndjeshëm odën e mirë, duke i hequr orenditë prej arkitekturës së brendësisë si pjesë të saj përbërëse, nuk është vetëm e banesës shqiptare, por dhe më gjerë, në rrafshin e arkitekturës popullore ballkanike.
Si në çdo krijimtari artistike, mjeshtri popullor është udhëhequr gjithmonë nga përkujdesje të dalluara estetike, gjatë realizimit të elementeve arkitektonike e dekorative të odës së mirë. Gjithçka që ka dalë nga dora e mjeshtrit ose e gruas shqiptare, pa cenuar funksionin thelbësor, ka një shprehje të qartë vlerash estetike, të cilat natyrisht janë në shkallë të ndryshme, në përputhje me kohën, përkatësinë klasore të përdoruesit si dhe nivelin profesional të mjeshtrit ose prodhuesit.
Në përgjithësi, në gamën e larmishme të punimeve të odës së mirë, raporti mes funksionales dhe dekoratives është mbajtur në kufij të tillë, që nuk i kanë lënë shteg formalizmit. Në këto raste, në përshkrimin e elementeve arkitektonike të odës së mirë, elementi funksional bëhet shkak për krijime të vërteta arti, të zbatuara veçanërisht në dru.
Shënim: Në aspektin strukturor dhe teknik, lënda e drurit është materiali më i zakonshëm i përdorur në banesat popullore dhe kryesisht në elementet arkitektonike të odës së mirë. Meqenëse ky material nuk reziston për një kohë të gjatë, atëhere dhe jeta e një banese është e kufizuar dhe, për rrjedhojë, ka pak shembuj që kalojnë të 250 vitet e mbijetesës. Mesatarisht, banesat e shqyrtuara në studimin e parashtruar kanë një moshë ndërmjet 100-250 vitesh.
- [1] E. Riza “Oda e miqve në banesën qytetare shqiptare”, në Etnografia shqiptare, 1983, nr. 13, f. 268.
- [2] A. Muka “Aspekte metodologjike të studimit të banesës popullore”, në Kultura popullore, 1980/1, f. 99-112.
- [3] Emin Riza “Qyteti muze i Gjirokastrës”, Tiranë 1980, f. 97.
- [4] T. Gjoka “Mbi vlerat akustike të arkitekturës së traditës”, në Monumentet, 1981/1 (21), f. 45-50.