Parathënie për librin “Çfarë është jeta” të Erwin SCHRÖDINGER

Dr. Valbona Nathanaili

Erwin Schrödinger

Dëshira për të sjellë në shqip librin “Çfarë është jeta” të Erwin Schrödinger është e hershme, por u shndërrua në emergjencë për dy arsye.

Së pari, shkenca dhe studimi i saj është konsideruar gjithnjë si ekskluzivitet i shkollës, pjesë e një edukimi formal. Dhe, në fakt, me të mbaruar studimet, një pjesë e mirë e publikut i shkëpusin lidhjet me shkencën. Por situata e pandemisë Covid-19 e shndërroi në domosdoshmëri vendimmarrjen e informuar, bazuar në shkencë. Afro njëzet vjet më parë, kur Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë inicioi reformat me bazë tekstin, askush nuk mund ta parashikonte se shkencat dhe, kryesisht, matematika dhe fizika, do të arrinin në një nivel të tillë, ku më shumë se dije do të ofronin kuriozitete, ku më shumë se arsyetimi, do të zinte vend përshkrimi. I njëjti fat i keq, fizikën e shoqëroi edhe në nivel universitar. “Shkenca pranë publikut” duhet të jetë motoja e kësaj periudhe. Si dhe rishikimi, edhe një herë, i kurrikulës së fizikës dhe i shkencave, në përgjithësi, në të gjitha nivelet e studimit. Së dyti, nga ambicia për të kontribuar sa më shumë në zgjerimin e kulturës së vendit, duke ndihmuar jo vetëm me shtimin e literaturës shkencore në gjuhën shqipe, por edhe me futjen e një mendësie të re, që i vlerëson shkencën dhe arritjet si pjesë të trashëgimisë së saj. Botimi i libërthit “Çfarë është jeta” të Erwin Schrödinger i jep librit shkencor shqip dimensionin e munguar publik, me shpresën se do të ndiqet edhe nga shumë të tjerë të këtij lloji. Aftësia e Schrödinger-it për t’i parashtruar të gjitha tezat, në mënyrë të tillë që mund të lexohen edhe nga një jo-fizikan dhe, në përgjithësi, nga një jo-profesionist i shkencave të natyrës është mahnitëse dhe ndoshta kjo është arsyeja pse është një nga librat më të lexuar, duke u bërë pjesë e trashëgimisë kulturore të botës dhe shndërruar, në të njëjtën kohë, në një klasik.

Jam me shumë fat që kam pasur mundësinë të bashkëpunoj dhe të njoh Prof. Steve Fuller, një nga mendjet më të ndritura të kësaj kohe. Kërkesës time, për ta shoqëruar botimin shqip të librit me një parathënie, ju përgjigj me shumë dashamirësi, duke shtjelluar pikërisht atë argument, i cili më ka lënë veçanërisht mbresa të jashtëzakonshme dhe që përbën edhe një nga tematikat kryesore: gërshetimin e qasjes filozofike për jetën me dijen shkencore. Janë të paktë filozofët që mund të argumentojnë zhvillimet në shkencë e teknologji, dhe aq më të paktë ata që janë në gjendje të parashikojnë apo të na ofrojnë perspektiva të zhvillimit të tyre. Steve Fuller është një prej tyre! Faleminderit!

“Çfarë është jeta? Aspekti fizik i qelizave të gjalla” është botuar për herë të parë, në formën e një broshure të vogël, më vitin 1944. Më shumë se dhjetë vjet më vonë, më 1958, botohet në të njëjtën formë edhe “Mendja dhe Materia”. Autobiografinë e tij, Schrödinger e shkruan në vitin 1960. Në botimin e vitit 1967, të Universitetit të Cambridge-t, të tre botimet e mësipërme përmblidhen në një, që në këtë botim shqip korrespondojnë me tri pjesët e para: Çfarë është jeta? Aspekti fizik i qelizave të gjalla;  Mendja dhe Materia; Shënime autobiografike. Në funksion të realizimit të synimeve të mësipërme, kam shtuar edhe një biografi të shkurtër të E. Schrödinger, duke u përpjekur të trajtoj ato pjesë të jetës së tij që mungojnë ose janë anashkaluar në autobiografi, si dhe leksionin e mbajtur me rastin e marrjes së Çmimit Nobel, më 12 dhjetor 1933, me titull “Ideja themelore e mekanikës valore”.

Leksioni që ka mbajtur Erwin Schrödinger, me rastin e marrjes së Çmimit “Nobel” është bërë pjesë e librit, si një mundësi për të pasur një tablo më të detajuar të historisë së mendimit fizik, si dhe në funksion të zgjerimit të biografisë shkencore të tij. Për të gjithë ata që e njohin sadopak kurrikulën e arsimit parauniversitar, tema trajtohet në vitin e fundit të shkollës së mesme të përgjithshme. Pra, vështirësia e të kuptuarit pothuaj tenton drejt zeros, por duhet theksuar fryma e përgjithshme e argumentimit të autorit, në funksion të ndarjes – si të papajtueshme – të teorisë valore nga ajo korpuskulare.

Libri është i pajisur me shënime. Shënimet e autorit janë si në origjinal dhe gjenden ose në fund të faqes, ose në fund të përmbajtjes përkatëse. Konkretisht, Kreu VI “Rregullsia, çrregullsia dhe entropia” dhe Epilogu “Rreth determinizmit dhe vullnetit të lirë” janë pajisur me shënime nga autori. Shënimet e mia gjenden, kryesisht, në fund. Jam përpjekur të zgjeroj disa koncepte që nuk janë më pjesë e një edukimi formal, si dhe disa të tjera për të cilat mendoj se është e nevojshme nisja e një debati. Në draftin e parë të botimit, shënimet ishin me shumicë, por më pas vendosa të reduktoj një pjesë të mirë të tyre, për t’i lënë lexuesit kënaqësinë e hulumtimit në literaturën e pasur, si dhe të zgjedhjes së atyre titujve e autorëve me të cilët ka të njëjtën qasje. Por pse jo, edhe të ndryshme, si një mundësi e mirë për të vënë përballë të kundërtat. Shënimet e Steve Fuller janë specifikuar me emër dhe referojnë terma apo koncepte të ndryshëm që kanë lidhje me parathënien e tij.

Sa më sipër janë përgjigjet për gjithçka që do të gjeni në këtë libër. Por nuk mund t’i rezistoj ngasjes së analizës së përmbajtjes. Pra, nëse Fuller është marrë me aspektin filozofik të shkencës në përgjithësi, dëshiroj ta plotësoj trajtimin e tij, duke u fokusuar në ideologjinë e shkencës së Schrödinger-it. Cilat janë disa nga tezat kryesore që merr në konsideratë? Ndërkohë dua të theksoj, se edhe sot, jemi po aq të paaftë për të shpjeguar shumë nga fenomenet që marrin jetë brenda organizmit sa edhe në kohën e Shrodingerit. Kemi përparuar shumë në teknologji, dhe nuk kemi ecur me të njëjtat ritme edhe në shkencë.

***

Erwin Schrödinger ka jetuar në të ashtuquajturën “Koha e artë” e fizikës, që kulmon me dy teori shumë të rëndësishme: “Mekanika kuantike”, që e ka burimin në vëzhgimet e Max Planck, më 1900, për mënyrën se si transmetohet energjia (në përpjekje për të zgjidhur “paradoksin e sobës”), si dhe “Teoria e përgjithshme e relativitetit”. Pak shpjegim na ndihmon të kuptojmë, më mirë, vlerat e jashtëzakonshme të tezave të autorit.

“Paradoksi i sobës” mund të përmblidhet në këtë mënyrë: duke qenë se rrezatimi përhapet në mënyrë të vazhdueshme, pra shtrihet në të gjitha gjatësitë e valës, edhe energjia që mbart është e vazhdueshme dhe merr të gjitha vlerat. Kjo do të thotë, se nëse qëndrojmë përpara sobës së ndezur, do të jenë të pranishme të gjitha gjatësitë e valëve, valët e dukshme dhe të padukshme, përfshirë te grup i dytë, edhe ato infra të kuqe, ultra vjollcë dhe rrezet x. Por si është e mundur që i vetmi përjetim që kemi është ai i një ndjenje të mirë të ngrohti? Si ka mundësi, që rrezatimi ultravjollcë që del nga dera e sobës së hapur, nuk shkakton djegie lëkure e kancer? Plancku ngriti hipotezën se duhet të heqim dorë nga ideja e rrezatimit të vazhdueshëm, pra të braktisim idenë se energjia mund të ketë çfarëdo vlere dhe të përqafojmë një të re – atë të transmetimit të energjisë me kuante, me porcione, me një madhësi plotësisht të përcaktuar për një gjatësi/frekuencë të caktuar vale (më pas u arrit në përfundimin se edhe rrezatimi e përthithja bëhen po njësoj). Një hipotezë e tillë i ruan sobës të gjitha veçoritë që ka: na ngroh dhe nuk na dëmton – përveç se ekonomikisht, duke qenë se çmimi i lëndës djegëse drusore është rritur ndjeshëm. Pse? Sipas hipotezës së Planck, në temperaturën në të cilën ndodh djegia e drurëve në sobë, energjia që prodhohet është aq e vogël, sa të mos mjaftojë edhe për krijimin e një kuanti të vetëm “ultravjollcë”. Që të prodhohet rrezatimi ultravjollcë, temperatura e trupit duhet të jetë shumë e lartë, të themi sa ajo e diellit.

Në zemër të teorive të mësipërme qëndron parimi i papërcaktueshmërisë së Hajzebergut (ose parimi i mungesës së njëkohshmërisë), sipas të cilit, në një çast të caktuar të kohës, mund të përcaktojmë, me saktësi të pafundme, ose vendndodhjen e thërrmijës, ose shpejtësinë e saj (ose-ose). Një konkluzion që Ajnshtajni e kundërshtoi, duke u shprehur me thënien e famshme: “Zoti nuk luan me zare” (ndërsa S. Hawking, bazuar në të njëjtin parim, thotë se “Zoti jo vetëm luan me zare, por ndonjëherë i hedh edhe në ndonjë vend ku nuk i shohim dot” – duke referuar, me pjesën e dytë të fjalisë, vrimat e zeza). Ajnshtajni, duke qenë determinist, besonte se nën këtë mantel pasigurie dhe dilemash, qëndron një botë fizike plotësisht e përcaktuar, duke ia vënë fajin për mosnjohjen e saj, pikërisht kufirit të dijeve që zotëron njeriu. Parimi i papërcaktueshmërisë zbatohet edhe në teorinë e relativitetit. Kështu, kur duam të krijojmë dy ngjarje që “ndodhin njëkohësisht”, na duhet patjetër të flasim për një sistem referimi: koha nuk vlen, sepse është relative.

Tezat kryesore që shtjellohen në libër

  1. Në përgjithësi, shkenca e fizikës studionte vetëm trupat jo të gjallë dhe të gjithë ligjet ishin në funksion të tyre. Pothuaj çdo teori fillonte me fjalinë: le të supozojmë se kemi një pikë materiale, që lëviz me shpejtësi v dhe në një çast të caktuar të kohës, gjendet në distancën x nga një sistem referimi. Schrödinger promovon idenë e studimit të organizmave të gjalla, si të përbërë nga të njëjtat molekula dhe atome që përbëhet edhe lënda “e vdekur” dhe, në rrjedhojë, edhe në shndërrimin e saj, në “objekt”, për të gjitha ligjet e shkencës që njohim. Për E. Schrödinger, nuk duhet të ketë ndonjë hendek të madh ndërmjet organizmave të gjallë dhe atyre jo të gjallë, por mënyra si i kemi studiuar nuk ka qenë ajo e duhura.[i] Schrödinger e shpjegon gjithçka me ndihmën e teorisë kuantike dhe natyrën statistikore të ligjeve të fizikës. Apeli i Schrödinger-it dhe nisma e tij për të studiuar biologjinë e jetës nga perspektiva e fizikës, më vitin 1944, përmbledhur në fjalinë “Ka ardhur koha t’i studiojmë organizmat e gjalla në termat e strukturës molekulare dhe atomike” frymëzuan dhe vazhdojnë të frymëzojnë shumë studiues, ndërmjet të cilëve mund të përmend Roger Penrose, fitues i Çmimit NOBEL në fizikë, në vitin 2020.
  2. Për Schrödinger, nuk duhet të pyesim pse atomet janë të vegjël, por pse ne jemi aq të mëdhenj në lidhje me ta; vlerëson rëndësinë e matjeve në fizikë; krahason fibrën kromozomike me kristalin aperiodik; shpjegon që gjeni është molekulë; thekson faktin, që ndryshe nga sa na mësohet në shkollë, molekula është një strukturë shumë e qëndrueshme.
  3. Schrödinger ka meritën e futjes së termit “entropi negative”. Sistemet fizike tentojnë drejt gjendjes së ekuilibrit, drejt gjendjes me entropi / çrregullsi maksimale. Në të njëjtën mënyrë vepron edhe trupi ynë, por “për të shpëtuar” nga kjo gjendje, thith nga mjedisi i jashtëm entropi “negative” (ushqimi) dhe çlirohet nga entropia pozitive (nëpërmjet metabolizmit). Ne akoma nuk e kemi zgjidhur dot se si njeriu, me gjithë këto funksione, u gjend papritur në mes të kësaj gjithësie.
  4. Schrödinger heq një paralele ndërmjet Teorisë së fizikës dhe Teorisë së Darwinit. Fizikës “iu desh” kuanti, për të shpjeguar shumë fenomene që kishin mbetur në udhëkryq, objekt debati e diskutimesh; Teorisë së Darwinit për evolucionin, i duhej një shpjegim i ri për mënyrën se si bëhet selektimi. Për Schrödinger, seleksionimi bëhet vetëm me ndihmën e mutacionit, pavarësisht nëse është i rastësishëm apo i drejtuar. Çdo lloj mutacioni përfaqëson një kërcim kuantik të molekulës përkatëse, rastësisht ose në mënyrë të detyruar, por kujdes me mutacionet – thekson Schrödinger. Ndërkohë, shpjegon shumë qartë rolin që ka edukimi: si ndikon edukimi dhe shkollimi i prindërve tek pasardhësi.
  5. Duke i bërë jehonë teorisë kuantike dhe parimit të papërcaktueshmërisë, Schrödinger ndihmon për të zbritur, nga froni i lavdisë, filozofinë deterministe, që kishte mbizotëruar në shkencë që nga koha e Njutonit. Si teoria kuantike, ashtu edhe parimi i papërcaktueshmërisë i bëjnë jehonë të pasigurtës, faktit që në botë nuk ka kufij dhe izolim, se termi “i parashikueshëm” ka vetëm karakteristikat e një mbiemri gjuhësor, por nuk gjen zbatim në natyrë.
  6. Schrödinger argumenton rreth rolit të mendjes në perceptimin e natyrës, duke theksuar rolin që luajnë shqisat në perceptimin e realitetit, por që nuk merret parasysh në asnjë matje. Ndërkohë, të mos harrojmë që në jetën e përditshme, aq shumë jemi rob të shqisave, sa jo rrallë dëgjon të thuhet “do ta shoh me sytë e mi”, duke harruar dozat e subjektivitetit, shpesh edhe në spektrin e paragjykimit, që i shtohen vlerësimit.

Dhe e fundit që dua të theksoj është kujdesi që tregon Schrödinger në referencat gjuhësore, që kanë lidhje me gjinitë. Përdor fjalën “men” për grupin e burrave dhe të grave dhe kërkon ndjesë, duke nënvizuar se ka parasysh edhe gratë, një defekt që në fakt e ka edhe shqipja: kur duam të flasim për një grup të përzier, gra dhe burra, e referojmë me një përemër të gjinisë mashkullore.

Tiranë, 21 nëntor 2020

Valbona Nathanaili

[i] Roger Penrose (8 gusht 1931, Colchester, Angli, Universiteti i Oxford-it) është fitues i Çmimit Nobel (1/2) për vitin 2020 me këtë motivacion: “Për zbulimin, që formimi i vrimave të zeza, është një parashikim, në vija të trasha, i teorisë së përgjithshme të relativitetit”. Roger Penrose, ndryshe nga shumë studiues të tjerë, kuptoi aparatin matematik të formimit të vrimave të zeza dhe na dha mjetet për të vërtetuar jo vetëm ekzistencën e tyre, por edhe për të kuptuar procesin a natyrshëm të shndërrimit të një ylli që po vdes, në një vrimë të zezë. Roger Penrose, në vitin 2020, Çmimin Nobel në fizikë e ndan së bashku me Reinhard Genzel (1/4) dhe Andrea Ghez (1/4), këta të fundit me këtë motivacion: “Për zbulimin e një objekti kompakt jashtëzakonisht të madh, në qendrën e galaktikës sonë”. Reinhard Genzel dhe Andrea Ghez siguruan provat më bindëse, deri më sot, të një vrime të zezë në qendër të Galaktikës sonë, Rruga e Qumështit. Ata arritën të zgjerojnë, edhe më shumë, kufijtë e teknologjisë, duke zhvilluar teknika të reja, për të kompensuar shtrembërimet që  shkakton atmosfera e Tokës.

P.S. Penrose, njësoj si Schrödinger, është marrë me studimin e problemit të lidhjes së mendjes me trupin.