Edhe një nxënës më pak në një shkollë të mesme të një prej qyteteve tona!
Këtë radhë nuk janë prindërit që vendosin të largohen për një jetë e shkollim më të mirë për fëmijët. Jo! Por vetë shkolla, institucioni i edukimit, që e përze një të ri nga mjediset e saj, i mbyll dyert dhe i thotë shko ku të duash vetëm këtu jo!
Historia fillon me ngeljen për vjeshtë të një të riu 16-vjeçar në lëndën e gjeografisë, në klasën X, shoqëruar me një varg shkeljesh të dispozitave normative nga ana e shkollës dhe ka arritur në pikën ku mungon dëshira dhe vullneti për të vënë përpara përgjegjësisë fajtorët, ndërkohë që fëmija rrezikon të humbasë jo një vit, por dy.
Shkolla pretendon se e ka njoftuar të miturin ka mbetur për vjeshtë në gjeografi nëpërmjet mësueses kujdestare (jo mësuesit të lëndës), por nuk ka asnjë dokument që ta ketë thërritur gjatë vitit për ta vënë në dijeni, sikur edhe një herë të vetme prindin, se fëmija i tyre ka një lëndë në të cilën nuk përgatitet fare dhe rrezikon të mbesë. Në fund të vitit fëmija vlerësohet me notën 4 (katër) në lëndën e gjeografisë, e vetmja me këtë rezultat. Në vjeshtë përsëri 4 (katër). Aktualisht prindërit kërkojnë ri-vlerësim dhe t’u vihet në dispozicion gjithë dosja e vlerësimit, shkolla nuk e pranon, i mituri endet rrugëve.
Problemi që shtrohet më sipër është alarmant, sepse flet jo vetëm për papërgjegjshmëri – dhe ky është një dimension që lidhet më shumë me vlerat e etikën në punë – por sepse referon edhe një moskokëçarje totale për ligjet dhe dispozitat normative që udhëheqin punën në shkollë, ndërsa etika dhe empatia janë fjalë që mesa duket u mungojnë në fjalor pjesës më të madhe të drejtuesve, edhe pse harxhohen miliona për t’i trajnuar e dhënë një dëshmi aftësie në punë.
Shkeljet e dispozitave normative
- Neni 19 “Vlerësimi i nxënësit në klasat I-XII”, në pikën 2, deklaron se “qëllimi kryesor i vlerësimit është të mbështesë të nxënit dhe përparimin e nxënësit”, por vetëm këtë qëllim nuk e ka pasur vlerësimi në këtë lëndë. Shkolla nuk është në gjendje ta dokumentojë se vërtet është kryer një punë e tillë!

2. Bazuar përsëri në Dispozitat Normative, nota vjetore është e përbërë nga tri elementë (Fig. 2), por shkolla nuk i vë prindërit në dispozicion dosjen e fëmijës, me të gjitha vlerësimet e mësipërme. Ndërkohë, fëmija pretendon që e ka dorëzuar edhe projektin, si punë në grup, dhe vetëm ai është vlerësuar me notë negative.

3. Vjen vjeshta dhe mësuesi jo vetëm nuk i ka krijuar një program të posaçëm fëmijës që ka mbetur për vjeshtë në lëndën e tij, por nuk begenis as ta thërrasë sikur edhe një herë për një konsultim (përsëri në shkelje me dispozitat normative):

4. Më poshtë është një pjesë e shkresës e Zyrës Arsimore Vendore, dërguar prindit, në përgjigje të kërkesës së tij për të ngritur një komision ri-vlerësimi për fëmijën, në vijim të shkeljeve të gjetura. Përveç faktit që mësuesi nuk ka përgatitur një program orientues, vini re që prindi nuk është vënë kurrë në dijeni se fëmija ka mbetur për vjeshtë, por pretendohet vetëm që i është komunikuar fëmijës nga mësuesja kujdestare.

Përsëri 4 (katër) në gjeografi! Nëntë muaj shkollë dhe tre muaj vjeshtë dhe djali nuk di aq gjeografi sa të vlerësohet, të paktën, me notën 5 (pesë). Duhet ta fillojë edhe një herë, nga e para, klasën X, vetëm për “5 tema” në gjeografi! Prindërit të alarmuar fillojnë ecejekat për më shumë informacion. Si ka mundësi! Nuk u besohet! Tashmë jemi në nëntor 2022! “Djali ynë nuk është i dalluar, por mëson!” – deklarojnë. Djalin nuk e regjistrojnë as në klasën e mëparshme tek i njëjti gjimnaz: “Shko në një shkollë tjetër, tani është vonë, do humbasësh vitin përsëri” – është reakomandimi që i japin të ëmës.
Pikëpyetje të tjera – në lidhje me standardet
Si është e mundur, që në një qytet të vogël ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin, një djalë të mbesë dy herë në gjeografi në të njëjtën klasë! Si ka mundësi që shkolla të jetë kaq indiferente ndaj jetës së një fëmije! Ndërkohë që përditë e braktisin vendin me qindra mijëra vetë dhe ne numërojmë sa nxënës e studentë ka më pak nga një vit në tjetrin, dikush në shkollë merr guximin të bëhet palë me papërgjegjshmërinë! Si mund t’i thuash një fëmije mëso 5 tema, pa asnjë lloj profesionalizmi dhe më pas ta mbesësh! Mbi çfarë standardesh e normash ndërtohet puna në shkollë? Çfarë ka bërë shkolla që ai fëmijë 16 vjeçar e meriton vërtetë të përsërisë edhe një herë klasën X nga fillimi.
Prindi përballë mësuesit
Nuk më duhet fare qëndrimi i prindit, që në çdo rast është i justifikuar, sepse është gjithnjë në një marrëdhënie asimetrie pushteti me shkollën e mësuesit. Plus anën emocionale. Por më indinjon pozicioni i shkollës, i mësuesve e drejtuesve bashkë që kanë dy muaj dhe nuk gjejnë një zgjidhje, që nuk kanë frikë të veprojnë në shkelje të dispozitave normative, që pranojnë papërgjegjshmërinë e mësuesit por nuk pranojnë t’i japin të drejtë fëmijës për t’u trajtuar të paktën sipas kërkesave të ligjit, që e sorrollasin dhe i kanë mbyllur derën e shkollës.
Kultura e ligjit dhe e të drejtës
Në Shqipëri mungon kultura për t’ju drejtuar gjykatës për probleme të kësaj natyre. Sigurisht që përvoja me një institucion të tillë është shpesh e së njëjtës natyrë me atë që ky prind po përjeton nga shkolla, por duhet të fillohet. Është mundësia jonë për t’i vënë përpara përgjegjësisë të papërgjegjshmit dhe promovuar kulturën e shtetit ligjor, për t’i kthyer besimin një fëmije se shkolla është vendi ku mësuesi ka si qëllim kryesor mësimin dhe edukimin dhe jo përjashtimin e ndëshkimin, për ta bërë shkollën vërtet shkollë, për të mos i dhënë edhe kësaj familje një arsye më shumë për të ikur nga vendi!
Ftesë për bashkëpunim
Nëse ka ndonjë firmë ligjore që ofron asistencë falas për të miturit dhe mendon se mund ta ndjekë një problem të tillë ligjërisht, ju lutem të më kontaktoni në email: [email protected]!