Avokat Dr. Agim Muço

Avokat Dr. Agim Muço

Një pasdite të bukur korriku më bie telefoni… Mirëmbrëma Avokat! Valbona Nathanaili jam – u prezantua zëri matanë receptorit… – Mirëmbrëma Profesoreshë! – iu përgjigja unë, disi i stepur… Zëri vijoi: Sapo kam përfunduar së përkthyeri librin “Maradona: Dora e Zotit”, të autorit të njohur Jimmy Burns, botim i ripunuar, kushtuar biografisë së futbollistit të famshëm Diego Armando Maradona…

Me Zyshën isha njohur më parë nëpërmjet bashkëshortit të saj, mikut tim të mirë Prof. Andrea.

Paskeni bërë goxha punë Profesoreshë! – ishte reagimi i parë, shoqëruar me doza habie. Me sa duket, edhe unë, njësoj si të gjithë meshkujt e tjerë, më ka mbetur diku një mentalitet maskilist. Si ka mundësi, që një Zonjë që vjen nga radhët e botës akademike, të ketë përkthyer një libër që flet për futbollin, madje për më të madhin e tij, Maradonën!? Por nuk them asgjë nga këto! Përkundrazi! E përgëzoj për punën dhe vijoj më tej: Më thoni, ju lutem! – Avokat, di se jeni shumë i pasionuar pas futbollit, si dhe njohës i mirë i tij. Dëshiroj të bashkëpunojmë së bashku! Mundeni, ju lutem, të shkruani një parathënie për këtë libër?

Për një çast shtanga! Propozimi ishte i bukur, tërheqës, interesant, dashamirës, i papritur. Të kontribuoj në publikimin, në versionin shqip, të një libri të tillë! E falënderova Profesoreshën dhe i kërkova të më dërgojë përkthimin! E kisha dhënë përgjigjen…

Fillova ta lexoj biografinë e të madhit Maradona me një frymë. Kam qenë dhe do mbetem përjetësisht fans i tij! Libri i plotësonte të gjitha pritshmëritë e mia! Për më tepër, që nuk është thjesht një libër që trajton aspekte të ndryshme të lojës së futbollit, por një përmbledhje e një pune të jashtëzakonshme për të analizuar dritë-hijet e mitit Maradona! Dhe më ngjalli kujtime…

***

Qershor i vitit 1978. Pas disa ditësh do të niste turneu i Kampionatit Botëror të Futbollit në Argjentinë. Kishte disa muaj që flitej se do të kishim mundësi të ndiqnim edhe lojën e një vogëlushi argjentinas, të quajtur Maradona… një magjistar i topit… që nuk i ka lënë gjë Peles! Por kampionati filloi dhe rezultoi, se Trajneri Menoti nuk e përfshiu Maradonën e ri në listën e 22 futbollistëve që do të luanin në këtë kampionat… Djali nga fshati i humbur “Villa Fiorito”, sulmues i “Argentinos Juniors” thuhej se mbeti i zhgënjyer nga ky lajm. Ndërkohë Menoti e kishte thirrur në disa grumbullime të ekipit kombëtar. Duket se Menoti nuk ka dashur ta ndajë suksesin e shumëpritur, me famën e këtij talenti të së ardhmes… Në librin autobiografik “Unë jam El Diego”, Maradona shprehet për këtë moment dramatik të jetës së tij:

Them që mund të kisha luajtur edhe në Botërorin e 1978-s. Isha gati, ndihesha si kurrë ndonjëherë në formë… Por nuk ke çfarë bën, gjëra që ndodhin… Qava shumë… nuk e di se sa!!! Nuk ia kam falur Menotit, por nuk e kam urryer kurrë…

Në “Kupën e Botës, 1982” që do të zhvillohej në Spanjë, sipas dëshmive të miqve të Maradonës, të përshkruar në këtë libër nga Burns, “Argjentina” dhe Maradona ishin bërë gati për një sukses të dytë, por në fakt rezultoi të ishte vetëm një paraqitje e zbehtë. Humbje me “Italinë” me rezultatin 1:2, ku Maradona u masakrua nga i tmerrshmi i mbrojtjes italiane, Gentile. Mbi 20 faulla u shkaktuan ndaj tij… Gjyqtari i takimit mjaftohet, padrejtësisht, vetëm me një karton të verdhë… Në ndeshjen pasardhëse me “Brazilin”, Maradona i bezdisur nga braziliani Batista, kryen një faull të rëndë me shkelm kundër tij. Gjyqtari i akordon menjëherë kartonin e kuq, pa ia zgjatur shumë! Takimi përfundon 3-1 në favor të “Brazilit”. “Argjentina” së bashku me Maradonën bëjnë gati valixhet për në shtëpi. Bashkëpunimi i parë i Maradonës me Menotin dështon!

Pas disa javësh, Maradona nënshkruan me “Barcelonën” për një shumë marramendëse, përfshi edhe bonuse të ndryshme. Vlera më e lartë që i ishte ofruar deri atëherë një futbollisti… Te “Barcelona” Maradona njihet me trajnerin gjerman Udo Lattek, një trajner i madh, por shumë skrupuloz, me të cilin nuk e gjeti kurrë fjalën e përbashkët. Më pas u dëmtua rëndë në takimin me “Atletico de Bilbao” nga kasapi Goikoetxea – praktikisht i thyen këmbën – dhe nuk luajti për disa muaj. Ndërkohë acaron marrëdhëniet edhe me Presidentin Nuñez, aq sa qëndrimi tek “Barcelona” nuk është më i mirëpritur… Edhe pse më pas vjen Menoti, sërish të dy dështuan, sepse nuk fituan asnjë trofe, sa për të mbetur në historinë e klubit. Me ardhjen e anglezit Venables, Maradona nis të mendojë largimin.

Por ishte ndeshja e radhës me “Atletico de Bilbao”, ajo që i vendos kapakun qëndrimit të Maradonës tek “Barça”. Një betejë shkelmash dhe grushtesh mes tij dhe Goikoetxea skandalizon publikun në Spanjë dhe në botë. Dhe një nga shkaktarët e sherrit është dora vetë, Maradona. Pas kësaj ngjarje, Maradonën nuk e kërkon më asnjë nga të mëdhenjtë e futbollit.

Sherrxhiun dhe kapadaiun e vogël nuk e deshi pranë asnjë trajner, as në atë çast dhe as më kurrë në karierën e tij të mëvonshme… “Napoli” përfitoi dhe e bëri yllin të vetin. Largimi nga “Barcelona” bëhet i mundur vetëm falë një shume stratosferike. Maradona vjen te “Napoli” me një barrë borxhesh dhe dështimesh financiare, të shkaktuara nga jeta e shthurur, si dhe nga keq-menaxhimi i njerëzve që u kishte besuar parátë. “Napoli” i asaj kohe ishte një ekip i një niveli të mesit të tabelës. Atë vit, Presidenti Ferlaino, i këshilluar edhe nga Maradona, realizon një merkato të sukseshme dhe përfshin në ekip emra si Giordano, Garella, Renica, Bagni dhe më vonë edhe brazilianin Kareka. Maradona u kthye në mitin e qytetit, siç ka mbetur edhe sot…

Fatkeqësisht, imazhi i tij u keqpërdor nga Camorra napolitane. Duket se Maradona pranoi bashkëpunimin me familjet e mëdha të Camorras. Nën efektin e kokainës, jeta e tij sipas Burns, është krejtësisht e shthurur dhe plot aventura me femrat, nga të cilat jo pak i kërkojnë atësinë për fëmijën. Me “Napolin” fiton dy kampionate italiane, një kupë Italie dhe një kupë të UEFA-s, shumë trofe për një ekip modest si “Napoli”. Napolitanët që e donin si perëndi, si dhe një Itali e tërë, për 7 vjet patën fatin të përjetojnë magjinë e futbollit “ala Maradona”!

Në vitin 1986, “Kupa e Botës” vulosi përfundimisht faktin, se Maradona ishte më i madhi i futbollit, të luajtur ndonjëherë… Dy gjeste të tij të paharruara e lanë botën pa mend atëherë… Ato do të përbënin ngjarje, që në historinë e futbollit me të drejtë quhen si të pa përsëritshme… Goli i parë kundër “Anglisë” ishte një gol i shënuar me dorë nga Maradona. Arbitri akordoi gol. Anësori po flinte… Bota u pataks!

Pas ndeshjes, kur gazetaret e pyetën Maradonës, nëse ishte dora e tij, që shtyu topin në rrjetë, u përgjigj prerë: Ishte Dora e Zotit! Dikush nga media e quajti “Dora e Djallit”, por ishte e qartë, se ishte thjesht “Dora e Maradonës”… Kalojnë vetëm pak minuta dhe Maradonito shënon golin e dytë. Një perlë që nuk mund të harrohet, në jetë të jetëve… Triblon dhe shmang 5-6 futbollistë nga mesfusha e tij, përfshirë portierin Shilton dhe, më tej, e përcjell topin magjishëm në rrjetë! Argentina Campeones del Mundo! Maradona fiton “Topin e Artë”! Fansat e futbollit e votuan këtë gol, në faqen e FIFA-s në internet, si golin e shekullit.

Në Kampionatin Botëror të vitit 1990 në Itali përpiqet, së bashku me ekipin, të bëjë një rokadë, por e pamundur. Gjermanët hakmerren! “Argjentina” shpallet nën kampione bote. Bashkëpunimi me Karlos Bilardos si trajner është kurora e një suksesi të madh dhe të fundit. Bilardo ishte i vetmi që mundi të përshtatet me një gjeni, por edhe me më kryeneçin e futbollit, Maradonën.

Pas këtij kampionati, pati një sherr me Presidentin Ferlaino dhe “Federatën Italiane të Futbollit”, por me ndërhyrjen e FIFA-s Maradona dënohet për disa muaj. Për këtë arsye, largohet drejt fatit të tij, tashmë të pashpresë.

Në vitin 1992, Maradona shkon te “Sevilja” dhe më pas te “Newell’s Old Boys” dhe “Boca Juniors”, por më kot, sepse ylli i tij perëndon më së fundi, në Kampionatin Botëror të vitit 1994. Pas testeve u konstatua pozitiv. U dënua për një periudhë disa mujore. Karrierën e përfundoi tek “Boca Juniors”, në vitet 1995-1997, kur largohet nga futbolli përfundimisht. Provoi të bëjë më pas trajnerin, në disa ekipe, përfshirë edhe ekipin kombëtar, por edhe aty dështoi.

Më tej Burns tregon, mbështetur edhe nga dëshmi të miqve dhe kolegëve të Maradonës, se ai i vuajti pasojat e drogës… U kurua në Kubë, nën kujdesin e qeverisë së Kastros. Gjithsesi u përpoq të qëndrojë në qendër të medias botërore. Këndoi dhe u përpoq të bëjë “Showman-in”, duke ftuar figura të famshme të artit dhe sportit në emisionet e tij televizive. Maradona vazhdonte të paraqiste ende shumë interes për mediat.

Ato kuptuan, që miti i Maradonës nuk mund të shlyhej lehtë nga kujtesa e njerëzimit. Ndaj pavarësisht kusureve që pati në jetën e tij, mbetet një figurë e madhe e historisë së njerëzve të famshëm të shekullit XX dhe fillim shekullit XXI. Në ceremoninë e varrimit të Maradonës morën pjesë me qindra e mijëra argjentinas. Mediat në të gjithë botën e shpërndanë me shpejtësi lajmin e largimit të parakohshëm nga jeta… Argjentinasit, por edhe fansat kudo në botë, derdhën lot dhe u lutën për shpirtin e tij…

Ky libër i shkruar me vërtetësi nga Burns, vjen në një shqipe të zgjedhur dhe të  rrjedhshme nga përkthimi i Dr. Nathanaili, e cila njihet tashmë, si një përkthyese e spikatur e veprave të autorëve të mëdhenj botërorë.

Duke lexuar këtë libër, lexuesi do të njihet me kureshtje, me biografinë shumëngjyrëshe të një miti të botës së futbollit, atë të Diego Armando Maradonës!