Intervistë me Enea Pane

Enea Pane është fituesi i Vendit të Parë, për nivelin 2 (klasa XI) në Konkursin Kombëtar të Fizikës “Henrietta Leavitt” /2019

Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Më përshkruaj, të lutem, veten!

Enea Pane: Jam 17 vjeç dhe studioj në gjimnazin publik “Qemal Stafa”. Në kohën e lirë më pëlqen të luaj basketboll ose shah, si dhe të lexoj. Jam pak pesimist, por thellë jam tepër ëndërrimtar. Për mua koha e lirë nuk është thjesht diçka e lirë, por është një mundësi për të përmirësuar veten duke u marrë me diçka që ia vlen.

  • Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Pse vendosët të merrni pjesë në konkurs?

Enea Pane: Ma sugjeroi një miku im, duke e ditur se më pëlqen fizika.

  • Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Fizika është lëndë që mësohet se duhet mesatare e mirë, apo është pjesë e pasionit a hobit tuaj?

Enea Pane: Fizika për mua është pasion. Mendoj se duke pasur pasion fizikën, jam i bekuar, sepse jam një nga njerëzit e përzgjedhur për ta njohur universin nga afër.

  • Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Në studimin e fizikës, mjaftoheni vetëm me tekstin e shkollës, apo përdorni edhe tekste e libra të tjerë? Nëse po, mund të referoni ndonjë autor, librat e të cilit i keni përdorur më shumë?

Enea Pane: Informacioni që më ka shërbyer më shumë në studimin e fizikës është të kuptuarit se sa pak di unë rreth fizikës. Dhe sigurisht kjo më ka shtyrë të merrem dhe me libra të tjerë përveç librave shkollorë, në mënyrë që të “luftoj” injorancën. Jam marrë me disa libra, ku përmend: Kurs Fizike 1,2,3 nga Paul A. Tipler, Fundamentals of Physics nga Halliday & Resnick, Problems in General Physics nga I. E. Irodov, si dhe me disa libra të tjerë ushtrimesh nga autorë të ndryshëm shqiptarë.

  • Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Në çfarë dege mendoni të vazhdoni studimet?

Enea Pane: Mendoj t’i vazhdoj studimet e larta universitare në degën e fizikës.

  • Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Fitimi i një çmimi në një konkurs kombëtar fizike është një arritje e madhe. Cili është hapi i radhës për të certifikuar arritjet tuaja? Ndonjë projekt i ri, angazhim, ese…

Enea Pane: Pjesëmarrja në Olimpiadën e Metropoleve në Moskë, si dhe aplikimi në një universitet ku fizikës i jepet vëmendje parësore.

  • Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Kë dëshironi të falënderoni për arritjet e juaja?

Enea Pane: Dëshiroj të falënderoj pa përjashtim të gjithë mësuesit e mi të fizikës dhe familjen time.

  • Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Çfarë do u këshillonit moshatarëve tuaj që ndoshta dëshirojnë të realizojnë të njëjtën ëndërr?

Enea Pane: E kundërta e dijes nuk është injoranca, por është iluzioni i dijes. Mos u mjaftoni kurrë me aq sa dini, gjithmonë kërkoni për më shumë, pasi mendja njerëzore nuk është bërë për t’u mbajtur nën vargonj.