Nga Valbona Nathanaili

  • Lexime për çdo moshë! 

Në një artikull të botuar disa kohë më parë në New Yorker, Hugh Grant, pyetjes: “Cilin libër do të merrni me vete në një ishull të shkretë?”, pa hezituar, i përgjigjet, “Spektrin e Otocarit”, një libër për fëmijë, autor i të cilit është belgu i famshëm Hergé (pseudonimi i Georges Remi).

Më 1983, i ftuar për të luajtur me violinë në studion e emisionit “Le Grand Échiquier”, gazetarja franceze surprizohet nga fakti që një fëmijë 12 vjeç nuk njihte Tintinin – kështu shprehet Tedi Papavrami në librin e tij “Fugë për violinë” dhe, pak më tutje shton:

  • Aventurat e heroit biond me cullufe dhe pa moshë, më bëjnë për vete nga misteri që fshihet pas pamjes së tij naive… Një ditë vendos mbi lexhio një vëllim të aventurave të Tintin dhe papritur çdo gjë ndryshon! Mërzia e përsëritjes pa fund avullon dhe ëndërrimet e mija të çrregullta që zakonisht përplasen trishtueshëm mbi vetveten zhvillohen tani në universin e organizuar dhe mbërthyes të aventurave të Tintinit.

Njësoj si Tedi Papavrami, edhe unë nuk e kisha lexuar “Spektrin e Otocarit”, por kurreshtja që më ngjalli përshkrimi, e futi librin në listën e atyre “që duhen lexuar”. Për herë të parë, libri me titullin “Bëmat e Tintinit, skeptri i Otocarit”, është botuar në gjuhën origjinale më vitin 1939, ndërsa në shqip ka ardhur në vitin 2014. Përpos sa më sipër, zgjedhja ka edhe një arsye tjetër: Paolo Muner, – një italian që ka jetuar e punuar në Shqipëri për një kohë të gjatë, shumë i pasionuar pas historisë sonë, – më shkruan se aventurat e Tintinit në vendin imagjinar të Ballkanit, që në libër quhet Sildavia, është Shqipëria.

Muner i referohet studiueses Olimpia Gargano, pranë Universitetit Nice Sophia Antipolis. Artikulli “Illyria, Syldavia, Elbonia e altrove: la reinvenzione narrativa dell’Albania fra spazi immaginari ed eterotopie” i Gargano-s gjendet i botuar në përmbledhjen me titull “Landscapes and mindscapes. Metodologie di recerca, percorsi geocentrati e poetiche dello spazio in una proespettiva comparata”, nën kujdesin e Stefania De Luca, Carmen Gallo dhe Danilo Marino, Marchese editore.

Sipas Gargano, karakteristikat e personazheve, të ngjarjeve dhe të peizazhit të librit, përputhen më së shumti me ato të Shqipërisë. Argumentet e Gargano-s, në mënyrë të përmbledhur dhe me shpjegime, po i paraqes sipas dy aspekteve kryesorë: vizivë dhe historikë e përshkrues.

Nga pikëpamja vizive, në libër, në botimin shqip:

  • F. 21 Ngjashmëria fizike e mbretit të Sildavisë, Muskar XII, me mbretin Zog I.
  • F. 21, Skeptri i Otocarit IV;
  • f. 60, Tabela në derën e Ministrisë së Brendshme;
  • f. 54. Tenda prapa çiftit mbretëror, të gjitha kanë simbolin e Sildavias, një zog, që të kujton shqiponjën tonë, vetëm se në fantazinë e Herge është me një kokë.

Nga pikëpamja historike e përshkruese:

  • F. 19 Përshkrimi i Sildavisë: tërheq vëmendjen e të huajve për foklorin dhe bukuritë natyrore, një vend i vogël, por fatkeqësisht pak i njohur… krejt i izoluar deri tani… me pamje të bukura e të egra, shumë i njohur për mikpritjen e vendasve… fushat janë pjellore dhe të pasura në kullota e bagëti… nëntoka e pasur me minerale… Përputhet krejtësisht me Shqipërinë.
  • F. 19 Mbreti Muscar I (alias Hveghi), heroi kombëtar që arriti të mposhtë turqit dhe të bashkojë e mbajë të bashkuar gjithë vendin, revokon heroin tonë kombëtar, Skënderbeun.
  • F. 26 Besa e burrit, një dukuri e ngritur në institucion dhe me të cilën na kanë identifikuar shumë nga të huajt që kanë vizituar Shqipërinë.
  • F. 53 Marrja e pushtetit dhe f. 58, grusht shteti. Historia e pushtimit dhe aneksimit të vendit, për kohën kur është shkruar libri, janë pothuaj identike: më 7 prill 1939 Shqipëria pushtohet nga Italia; emri i diktatorit të Sildavias është Müsstler, një kombinim i emrave të Musolinit dhe Hitlerit.

A do ta merrja me vete edhe unë Spektrin e Otocarit, një lloj si Hugh Grant, në një ishull të shkretë? Brezi im është rritur me libra të tjerë, por secili nga fëmijët që e lexon sot, me siguri që mbas 20 – 30 vjetësh do kishte dëshirë t’i rikthehej edhe një herë magjisë së librave të bukur të lexuar në fëmijëri.