Michael Jordan

Puna dhe këmbëngulja e një kampioni

Michael Jordan

Michael Jordan, një nga basketbollistët më të mëdhenj të kohës, u la jashtë ekipit të universitetit nga trajneri dhe nuk arriti të rekrutohej as nga skuadra e kolegjit që kishte dëshirë të ndiqte (North Carolina State). Nuk u bë pjesë edhe e dy skuadrave të para të NBA-së, të cilat i kishin të gjitha mundësitë për ta zgjedhur. Çfarë gabimi i pafalshëm! Natyrshëm na shkon në mendje që një aftësi e tillë duhet të ketë qenë e dukshme që në fillim. Sepse kur vështrojmë te ai, ne shohim vetëm MICHAEL JORDAN. Por në fillim, ose në kohën kur trajnerët e skuadrave të mësipërme duhej të zgjidhnin, ata shihnin thjesht vetëm një Michael Jordan.

Kur Jordan u la jashtë skuadrës së shkollës, ndihej shumë keq, pothuaj i shkatërruar. Mamaja e tij shprehet: “I thashë të mos i humbte shpresat, por të vazhdonte të ushtrohej dhe të ishte edhe më shumë i disiplinuar.” Për fat të mirë, djali e dëgjoi. Ngrihej shumë herët dhe në gjashtë të mëngjesit ishte rrugës për në shkollë, për të pasur kohë e ushtruar deri sa të fillonte mësimi. Kur ndiqte Universitetin e Karolinës së Veriut, punonte vazhdimisht për të përmirësuar pikat e tij të dobëta – mbrojtjen në lojë, mbajtjen e topit me dorë dhe gjuajtjet. Trajneri kishte mbetur i befasuar nga vullneti i tij për punë dhe stërvitje – më shumë se çdo lojtar tjetër i skuadrës.

Biografët dëshmojnë, se një herë, pasi skuadra humbi ndeshjen e fundit të sezonit, Jordan u kthye në sallën e stërvitjes dhe filloi të praktikonte, për orë të tëra, gjuajtjet me dorë të lirë. Ai po përgatitej për sezonin e vitit në vijim. Edhe ku gjendej në majat e suksesit dhe të famës – mbasi e kishte shndërruar vetveten në sportistin gjeni – stërvitja e tij e paprerë mbeti legjendare. Ish-ndihmës trajneri i Bulls, John Bach, shprehet në këtë mënyrë në lidhje me vullnetin e tij për punë: “Gjeniu që vazhdimisht punonte të bëhej edhe më shumë gjeni”.

Për Jordan, suksesi buron nga mendja e njeriut: 

  • “Një mendje e qëndrueshme dhe një zemër e fortë janë shumë më të dobishme se sa përparësitë që mund të të japë fiziku që keni. Gjithmonë them se u besoj më shumë zemrës e mendjes”.

Politikat për komente të Fondacionit “Henrietta Leavitt”

  • Komentet nuk shfaqen menjëherë, sepse kalojnë në sitën e moderimit, për aprovim ose jo, të Fondacionit “Henrietta Leavitt”. Komentet që nuk kanë lidhje me argumentin e temën, po ashtu edhe ato që përmbajnë mesazhe jodashamirëse, reklama, apo sulme personale nuk aprovohen.
  • Ju lutem kini në vëmendje këto politika përpara se të lini komentin tuaj!