Nga Andrea Nathanaili, Tiranë, tetor 2015

1. Zhvillime në lidhje me të drejtën e shprehjes, mendimit dhe komunikimit në gjuhën e pakicës (përfshirë transmetimet radio, shtypin e shkruar dhe kontaktet me to)

Garantimi i lirisë së shprehjes nuk mund të kuptohet i ndarë nga garantimi i një sërë lirish dhe të drejtash të tjera, të parashikuara në Kushtetutë, si: liria e shtypit, radios dhe televizionit (neni 22, pika 2). Liria e shprehjes me anë të mjeteve audiovizuale përfshin lirinë për ndërmarrje audiovizive, lirinë në përzgjedhjen e programeve në bazë të parimit të pavarësisë editoriale, si dhe lirinë në përzgjedhjen nga ana e individëve e programeve të dëshiruara. Neni 1 i ligjit nr. 8410 datë 30.09.1998 “Për Radion dhe Televizionin Publik e Privat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, garanton pluralizmin mediatik duke parashikuar që në territorin e Shqipërisë ushtrohet veprimtari publike dhe private në fushën e radios dhe televizionit.

Zbatimi në praktikë i konceptit të pluralizmit në lidhje me lirinë e shprehjes dhe informimit në sektorin audiovizual, ka një dimension të jashtëm, që konsiston në numrin e konsiderueshëm të subjekteve radiotelevizive të licencuara, dhe një dimension të brendshëm, që lidhet me larminë e programeve dhe informacioneve që i përcillen publikut.

Për sa i përket dimensionit të jashtëm, gjykohet se mjedisi audiovizual në Shqipëri është mjaft i pasur (numërohen rreth 56 radio, 90 televizione analoge, 64 kabllore, 4 rrjete satelitore). Kjo është bërë e mundur nëpërmjet procedurave e kritereve ligjore të licencimit, relativisht jo kufizuese, por edhe politikës liberalizuese që ka ndjekur KKRT, duke iu përmbajtur në çdo rast qëndrimit rigoroz të garantimit të trajtimit të barabartë të kërkesave dhe aplikimeve.

Në këtë proces të larmishëm licencimi, nuk janë përjashtuar dhe nuk përjashtohen edhe subjektet qe i përkasin minoriteteve apo pakicave kombëtare, përkundrazi, kërkesat e paraqitura nga këto subjekte janë trajtuar gjithmonë me përparësi, duke pasur ne konsiderate rëndësinë që kanë transmetimet në gjuhën e pakicave. Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit, në të gjitha takimet dhe aktivitetet e zhvilluara me përfaqësues të pakicave kombëtare, ka nxitur paraqitjen e kërkesave për aplikim, duke u angazhuar në trajtimin me përparësi të tyre.

E vërteta është që gjatë gjithë periudhës së ekzistencës së këtij institucioni, kërkesat për licencim në fushën e transmetimeve radiotelevizive nga subjekte që i përkasin pakicave kombëtare, kane qenë të kufizuara. Në përputhje të plotë me pikat 2 dhe 3 të nenit 9 të Konventës Kuadër “Për mbrojtjen e minoriteteve”, në të gjitha rastet kur janë paraqitur këto kërkesa, Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit i ka trajtuar ato me vëmendjen maksimale, duke lehtësuar dhe ndihmuar në licencimin e tyre. Bazuar në kërkesat e vetë subjekteve janë licencuar operatorët radiofonikë “Armonia” dhe “Prespa” si dhe televizioni “Armonia”, përkatësisht për minoritetin grek dhe maqedonas si dhe janë në proces formalizimi përsëritësit të cilët ritransmetojnë programe televizive greke ne qytetin e Gjirokastrës.

Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit është i gatshëm të trajtojë me përparësi çdo kërkesë që do të paraqitej në të ardhmen nga subjekte që përfaqësojnë pakicat kombëtare, në përputhje të plotë me kriteret dhe standardet që kërkohen në fushën e transmetimeve radiotelevizive.

2. Zhvillime sa i takon bazës ligjore për mediat, përfshirë edhe mediat në gjuhët e pakicave

Legjislacioni bazë në fushën e medias elektronike është ligji nr. 8410, datë, 30.09.1998 “Për Radion dhe Televizionin Publik e Privat në Republikën e Shqipërisë”. Ky ligj, që nga miratimi i tij në vitin 1999, i është nënshtruar një sërë amendimesh që prekin aspekte të ndryshme të tij. Gjatë 5 (pese) viteve të fundit ligjit 8410 i janë bërë disa ndryshime që kanë të bëjnë kryesisht me përcaktimin e kritereve të sakta profesionale dhe ligjore, në zgjedhjen e anëtarëve të KKRT-së dhe të KDRTSH -së, kuorumin dhe vendimmarrjen e tyre Këshillave, me qëllim përmirësimin e cilësisë së punës dhe realizimit të misionit të tyre; rregullimin e mëtejshëm lidhur me funksionimin e administratës së KKRT-së etj. Të gjitha këto ndryshime në legjislacionin e medias nuk kanë të bëjnë aspak dhe nuk prekin mediat në gjuhën e minoriteteve.

Duke iu referuar ligjit aktual, në nenin 4 të tij, parashikohet që ‘’Veprimtaria radiotelevizive respekton paanshmërisht të drejtën për informacion, bindjet politike e besimet fetare, personalitetin, dinjitetin, jetën private të njeriut, si dhe të drejtat e liritë themelore të tij”.

Neni 36 përcakton që ‘’Programet radiotelevizive publike dhe private respektojnë dinjitetin vetjak dhe të drejtat themelore të njeriut, paanshmërinë, plotësinë dhe pluralizmin e informacionit, të drejtat e fëmijëve dhe të adoleshentëve, rendin publik dhe sigurinë kombëtare, gjuhën dhe kulturën shqiptare, të drejtat kushtetuese e njerëzore të shtetasve, të pakicave kombëtare në përputhje me konventat ndërkombëtare të nënshkruara nga Republika e Shqipërisë, diversitetin fetar shqiptar”.

Ndërkohë që në nenin 38 parashikohet që ‘’Në radio dhe televizion nuk lejohet të jepen programe që nxisin dhunën, urrejtjen kombëtare, fetare e raciale, veprime antikushtetuese, ndarjen territoriale, diskriminimin për shkak të bindjeve politike dhe përkatësisë fetare”.

Gjatë kësaj periudhe, një risi është dhe miratimi i ligjit nr. 9742 datë, 28.05.2007 “Për Transmetimet Numerike në Republikën e Shqipërisë”, i cili përcakton kuadrin rregullues për hyrjen e transmetimeve numerike në Republikën e Shqipërisë. Ky ligj sjell përmirësime të nevojshme dhe plotëson disa mangësi që kishte legjislacioni ekzistues në fushën e mediave në raport me standardet dhe me praktikat e njohura ndërkombëtare si dhe me vetë zhvillimet teknologjike në këtë fushë.

Në kuadër të përmirësimit të kuadrit ligjor ekzistues me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, Kuvendi i Shqipërisë ka ndërmarrë iniciativën ligjore për miratimin e projektligjit të ri “Për Transmetimet me zë dhe figurë në Republikën e Shqipërisë” që rregullon fushën e mediave dhe shërbimeve me zë dhe pamore si dhe transmetimet numerike brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Kjo iniciativë ligjore është ndërmarrë në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin për Shqipërinë nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (nenet 70 dhe 102) si dhe nga akte të tjera ndërkombëtare, të cilat janë të detyrueshme për Shqipërinë, të miratuar në kuadër të Këshillit të Evropës dhe të BE-së. Kjo iniciative ligjore ka për qëllim të rregullojë me një ligj të vetëm dhe integral, dy fushat që aktualisht rregullohen nga dy ligje të ndryshme, të përmendura më lart.

Projektligji synon të ketë një përafrim të plotë me legjislacionin e BE-së në këtë fushë dhe me rekomandimet e Këshillit të Evropës. Projektligji është hartuar nga Komisioni Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët e Këshillit të Evropës dhe të Komisionit Evropian. Ky projekt-ligj është duke iu nënshtruar një procesi të gjerë këshillimi publik me te gjithë aktoret e interesuar.

3. Zhvillime për emisionet radio/televizive në gjuhët e pakicave

Lidhur me zhvillimet në këtë drejtim mund të shihet përgjigja e pyetjes së parë. Për më shumë hollësi shtojmë se disa radio, në kryeqytetin e Shqipërisë dhe në qendrat ku banon popullsi në pakicë etnike ose gjuhësore-kulturore, transmetojnë programe në gjuhën e këtyre pakicave. Të tilla janë:

  • Radio Televizioni publik (përmes studios së posaçme në Gjirokastër) transmeton programe në gjuhën greke
  • Radio “Sot 7” (Tiranë), që transmeton programe në gjuhën rome
  • Radio Televizioni ALPO (Gjirokastër) transmeton dy herë në javë programe në gjuhën greke
  • Radio Saranda, e cila transmeton një program të përditshëm (1/2 orë) në gjuhën greke.

Puna e këtyre mediave ka qenë faktor i rëndësishëm në promovimin e tolerancës dhe pluralizmit kulturor dhe krijimin e një klime harmonie ndërmjet komuniteteve të pakicave dhe shumicës së popullsisë.

KKRT, në zbatim të autoritetit që i jep ligji, i është drejtuar të gjithë operatorëve radiotelevizive në mënyrë të vazhdueshme, por edhe të drejtpërdrejtë, që raportimet e medias elektronike për çështje të komuniteteve e pakicave të jenë korrekte, jo diskriminuese duke promovuar një atmosferë të vlerësimit dhe diversitetit. Veçanërisht një rol të rëndësishëm në pasqyrimin e shqetësimeve e problemeve të tyre kanë luajtur televizionet lokale ku këto minoritete kanë qenë të pranishëm në shumë kronika e emisione duke pasqyruar aktivitete kulturore publike si dhe promovuar pjesë të traditave dhe të tyre.

Për një përmirësim të mëtejshëm të situatës në këtë drejtim është me interes vendosja e kontakteve me shoqatat e minoritetit rom dhe ato të komunitetit egjiptian, qoftë nëpërmjet shqyrtimit të ankesave të mundshme të tyre, qoftë përmes plotësimit të kërkesave të mirëpritura nga ana jonë për marrje licence për operatorë radiotelevizivë, konform kushteve të ligjit. Në këtë kontekst, KKRT u ka kërkuar publikisht anëtarëve të komunitetit rom dhe egjiptian të aplikojnë për licencim duke i ofruar edhe asistencën e domosdoshme.