Dr. në pedagogji Valbona Nathanaili

“Protesta për plotësimin e 8 kërkesave bazike” e studentëve të universiteteve publike detyroi politikën të dëgjojë dhe të fillojë të kuptojë se çfarë bëhet në universitete! Por analiza e zhvillimeve në arsim këta vitet e fundit dhe në përgjithësi e gjithë arsimit pas  viteve ’90, tregon se politika në arsim ka qenë shumë politike dhe pak profesionale në hartimin e politikave, tepër ndëshkuese e përjashtuese dhe aspak bashkëpunuese e shpërblyese me ekspertët. E njëjta analizë më detyron të dyshoj në shkallën e sinqeritetit dhe vullnetit për të ndryshuar realisht gjendjen. Gjithsesi, falë këtyre protestave, shpresoj që ky reflektim të jetë më pak politik dhe më shumë profesional.

Një nga rrjedhojat e kësaj politike në politikat e arsimit të lartë ka qenë masivizimi. Nëse flasim në terma absolutë sa i takon numrit të të regjistruarve, vetëm gjatë periudhës 2004-2012, kemi këto shifra: në vitin akademik 2004-2005, numri i studentëve që u regjistruan në një institucion të arsimit të lartë, publik e privat, ishte 63 257, ndërkohë që në vitin akademik 2011-2012, numri i studentëve të regjistruar shkoi në 160 839, që do të thotë se brenda një periudhe shtatëvjeçare numri është rritur me 97 582 studentë!  

Por masivizimi i arsimit të lartë nuk duhet të na trembë! Ky lloj masivizimi përputhet me objektivat e OSBE-së e të BE-së. Shqipëria është pjesëmarrëse në “Hapësirën Europiane të Arsimit të Lartë” dhe të gjitha dokumentet dhe komunikatat ministrore e theksojnë këtë kërkesë. Në argumentin “pro” masivizimit të arsimit të lartë, duhet theksuar se shoqëria ka vetëm përfitim, sepse është një shërbim që na çon përpara. Akoma, masivizimi i arsimit të lartë është fakt pothuaj në të gjithë botën. Shteti dhe universitetet, bashkë dhe veç e veç, ndërmarrin një mijë e një politika e nisma për t’i bërë të rinjtë e të vjetrit pjesë të sistemit arsimor dhe të mësuarit përgjatë gjithë jetës. Pra, askush nuk duhet të dyshojë se arsimi i lartë është masivizuar. Ajo që vihet në pikëpyetje është sa cilësor është ai. Pasojat kanë qenë dramatike në cilësinë e edukimit në këtë nivel në Shqipëri, sepse ka qenë një masivizim spontan, kaotik, i pakontrolluar e i pashoqëruar me një legjislacion korrekt e kërkesa të forta. Sepse janë bërë  politika të këqija!

Së pari, sepse masivizimi i arsimit të lartë u shoqërua me një masivizim edhe të institucioneve publike që e ofronin këtë shërbim. Në vitin 1992-1993, me vendim qeverie, të gjitha Institutet (Elbasan, Shkodër, Gjirokastër e Korçë) u shndërruan, brenda ditës, në universitete, ndonëse programet dhe, bashkë me to, edhe diplomat, ishin krejtësisht të ndryshme nga ato që ofronte Universiteti i Tiranës, në përmbajtje dhe emërtesë. Një vit më vonë, më 1994, në Vlorë hapet Universiteti Teknologjik i Vlorës. Numrit të  pakontrolluar të institucionet publike i shtohen universitetet private. Në vitin 2002 shfaqen universitetet e para private, që fillimisht vërtet janë të profilizuara dhe pak (vetëm pesë), por në vitin 2009 numri i tyre shkon në 34. Brenda një periudhe vetëm shtatëvjeçare, shënojnë një rritje me 85.3%. Për të njëjtën periudhë, nga të profilizuar, shndërrohen gjithnjë e më të përgjithshëm, duke ofruar programe që shtriheshin pothuaj në të gjitha fushat e dijes, një lloj copy-paste institucional në shkallë kombëtare. Por me defekte! Sepse kërkoheshin pedagogë, dekanë e rektorë, doktorë shkencash, profesorë të asociuar e profesorë!

Së dyti, krahasuar me vendet e rajonit ka një ndryshim të ndjeshëm. Numri i studentëve të regjistruar në një institucion të arsimit të lartë duket vërtet i madh në terma absolutë, por nëse e llogarisim në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë, koeficenti është më i vogël. Nga ana tjetër, numri i universiteteve/një mijë banorë në Shqipëri është shumë herë më i madh se ai i vendeve të rajonit. Këtu mund të bëhen disa deduksione:

  • masivizimi në Shqipëri i arsimit të lartë ka vend për nxitje me politika mbështetëse;
  • një pjesë e mirë e të rinjve zgjedhin të arsimohen jashtë vendit, kryesisht ata më të mirët, dhe ne nuk bëjmë asgjë për t’i mbajtur;
  • hapja pa kriter e universiteteve dhe funksionimi i mëtejshëm i tyre në kundërshtim me logjikën e një institucioni të tillë, që kërkon dy boshte: mësimdhënie cilësore e kërkim shkencor.

Deduksioni i fundit: “hapja pa kriter e universiteteve”, – është çelësi për fillimin e argumentit për përmirësim!

Për shembull, çfarë kuptimi ka që Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës ka ndryshuar pothuaj krejtësisht synimin fillestar për të cilin u hap, – të qenit i profilizuar, – ndërkohë që sot ofron programe të ngjashme me shumë universitete të tjera, private e publike, një pjesë e të cilëve janë dy hapa larg, në Tiranë! Nga faqja on-line e universitetit mund të vlerësosh lehtësisht edhe cilësinë e programeve që ofrohen, si dhe të kërkimit shkencor që zhvillohet. Duke u ndalur te kërkimi shkencore, konstatohet se puna shkencore në këtë universitet udhëhiqet nga 31 objektiva, ndërkohë që të gjithë manualët e pedagogjisë rekomandojnë të punohet me jo më shumë se 4-5 objektiva. Nga 31 objektivat shkencorë që listohen, në objektivin nr. 31 lexon:

Pasqyrimi i aktiviteteve në kohë reale në faqen zyrtare të UAMD-së dhe i organizatave e institucioneve partnere, si dhe mediatizimi i aktiviteteve dhe gjithë veprimtarisë së UAMD-së në të gjitha format e mundshme (media, media sociale, web-e), për rritjen e impaktit, propogandimin e ofertës UAMD, si dhe për rritjen e imazhit publik të Universitetit “Aleksandër Moisiu”.

Sigurisht që një universitet duhet të pretendojë më shumë se një shkollë e mesme! Ky është qëllimi pse funksionojnë. Hulumtimi në rubrikat e tjera të kërkimit shkencor nuk ofron më shumë! Biblioteka digjitale e Universitetit “Aleksandër Moisiu” përbëhet nga punimet e studentëve të nivelit master, si dhe leksione të skanuara të disa pedagogëve, ndërsa qendra kërkimore ekziston si koncept. Por universiteti ka tagrin të japë edhe gradën shkencore “Doktor” – në faqe gjenden të publikuara 3 punime doktorature!

Në garën e reduktimit të kërkimit shkencor në aktivitete nuk mbetet prapa as Universiteti i Gjirokastrës!

Analiza e faqeve on-line të universiteteve të tjera jep të njëjtën pamje sa i takon cilësisë. Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës (UT), Departamenti i Fizikës, puna shkencore është vetëm si rubrikë, gjithë hapësira tjetër është bosh (dt. 23.12.2018).

Përsëri nga faqet on-line, një universitet ka fakultet sportiv, por e vetmja fushë sporti është parkingu rreth ndërtesës; një tjetër ka fakultet për përgatitjen e teknikëve në fushën e imazherisë mjekësore, por përgjegjësi i departamentit jep psikologji!

Universitete të tillë janë thjesht “grabitqarë”. Mburren se kanë shumë studentë! Mburren se kanë shumë programe! Por grabisin të ardhurat, grabisin shpresën, grabisin ëndrrat tona për një shoqëri të mirë. Janë arsyeja pse largohen të rinjtë. 

Së treti, cilësia e dobët me të cilën vijnë studentët nga një nivel i mëparshëm arsimor. Faktori kryesor është reduktimi i gjimnazeve nga katër në tre klasë, me arsyetimin që një klasë e bën në sistemin nëntëvjeçar. Por mësuesit e ciklit nëntëvjeçar nuk janë të aftë të përballojnë atë nivel dijesh që kërkon gjimnazi. Kjo ndikoi në thjeshtëzimin në maksimum të kurrikulës së gjimnazit, sepse edhe nga ky nivel nxënësit vinin me boshllëqe.

Pyetjet që mund të shtrohen janë shumë. Zinxhiri nga një nivel edukimi në një tjetër nuk funksionon. Gjithsesi, duke mbetur në arsimin e lartë, dhe në vijim të argumenteve sa më sipër, mund të fillojmë me një pyetje të thjeshtë: Pse duhan mbajtur kaq shumë universitete publike? Përpos të tjerave, kaq shumë shpenzime buxheti për të mbajtur rektorë e zëvendës rektorë? Është mirë që disa universitete të mbyllen (si emra) dhe t’u bashkëngjiten atyre te të cilët ekziston mundësia se mund të ribëhen. Po ashtu, një ide e mirë është edhe profilizimi për disa universitete të tjera publike, në varësi të vendndodhjes gjeografike.

Një vështirësi tjetër në funksionimin e cilësisë është edhe legjislacioni aktual e vendime të ndryshme nxjerrë në funksion të tij. Sepse në ligjin aktual për arsimin e lartë, Nr. 80/2015, ndonëse është më i mirë se i mëparshmi, fryma dhe nene të veçanta nuk na ndihmojnë të përmirësojmë gjendjen bazuar në të, ose ndryshe ligji nuk nxit ndryshime pozitive në arsimin publik.

Nga ligji, vendosja e theksit te ekselenti që vjen nga shkolla e mesme nuk e zgjeron suksesin e shoqërisë, sepse ekselentë të tillë rrallë dalin jashtë modeleve të paracaktuara sociale dhe rrallë lulëzojnë jashtë mjediseve inkurajues të njohur. Këta individë mund të na bëjnë të ëndërrojmë, por tullat i vendos masa dhe kemi nevojë që këto tulla të zënë vend mirë. Për më tepër, vlerësimi dhe shndërrimi në kult i aftësive dhe meritës, në pedagogji, njihet si një lloj “evolucioni negativ” i shoqërisë dhe etiketohet si justifikim për të qenë indiferent ndaj fëmijëve që u takojnë shtresave në nevojë, si dhe për mungesën e veprimeve dhe masave që i lënë në nivelin ku janë.

Vendosja e theksit në të gjithë diskursin e pas-protestës nuk duhet të jetë te ekselenti që vjen nga shkolla e mesme, sepse vazhdoj të këmbëngul që mesatarja e shkollës së mesme na tregon se janë të mirë, por jo sa të mirë do të jenë, por duhet të jetë te ekselenti që prodhon universiteti, pra studenti në dalje. Kjo është vlera e shtuar e universitetit dhe ky është universiteti i mirë.  

Dhjetor 2018, Rruga e Durrësit, përballë Ministrisë së Arsimit e të Sporteve. Pamje nga “Protesta për plotësimin e 8 kërkesave bazike” e studentëve të universiteteve publike.

Bazuar në këtë ligj nuk mund të shkojmë përtej tetë pikave që kërkuan studentët këtë dhjetor dhe gjasat janë të kemi një protestë të ngjashme vetëm disa muaj më vonë!

Bëjmë dot universitet të mirë? Kjo kërkon politika të mira dhe ekspertë të mirë! Arsimi duhet shpallur emergjencë kombëtare, të paktën për një periudhë katërvjeçare! Sepse arsimi nuk pret… dhe jo vetëm arsim i lartë!