(me përjashtim të MASR që i propozon)

Nga Valbona Nathanaili

Draft-udhëzuesi i Ministrisë së Arsimit për fillimin e vitit shkollor 2020-2021, që qarkullon prej disa ditësh pothuaj në të gjitha mediat dhe portalet ka ngjallur shqetësim dhe pakënaqësi, si tek mësuesit, ashtu edhe te prindërit. Arsyet kryesore janë se hapat e propozuar, për skenarët e mundshëm të situatës covid-19 këtë fillim-vjeshte nuk përmbajnë masat dhe këshillat shkencore më të mira të mundshme të ekspertëve të fushës, nuk janë ndërtuar në konsultë me kolegët e shëndetësisë apo përditësimet e WHO, janë jorealiste dhe të pazbatueshme në kushte praktike, nuk bazohen në bashkëpunimin me prindërit dhe, çfarë është po aq e rëndësishme, nuk i përgjigjen pyetjes kryesore: në cilën pjesë të draft-udhëzuesit është edhe mësimi, ku mësuesit janë mësues dhe jo administratorë të një grupi fëmijësh që bëjnë sikur mësojnë në intervale prej 30 minutash?

Fillimisht, sipas MAS, skenarët e mundshëm të situatës Covid-19 për këtë fillim-vjeshte, janë tre:

Skenari 1: Mësimi zhvillohet në mjediset fizike të shkollës, duke ruajtur të gjitha rregullat e higjienës dhe të distancimit fizik në se situata e pandemisë është e qëndrueshme.

Skenari 2: Mësimi zhvillohet i kombinuar (një javë në shkollë dhe një javë në kushtet e shtëpisë), duke ruajtur të gjitha rregullat e higjienës dhe të distancimit fizik, në rast se do të ketë situatë të rënduar të pandemisë.

Skenari 3: Mësimi zhvillohet vetëm në distancë, nëse situata e Covid-19 përkeqësohet shumë në nivel kombëtar, në nivel lokal ose në nivel shkolle.

Në analizë, skenarët 2 dhe 3 nuk janë marrë në konsideratë. Skenari 2 është përjashtuar, sepse nuk përmban logjikën e një arsyetimi normal! Ndërsa skenari 3 është automatikisht i përjashtuar sepse e ka përjashtuar Kryeministri në një nga daljet e tij në media: nuk e mbyllim vendin! Dhe kjo fillon duke hapur shkollat. Në të gjithë botën, shkollat janë në qendër të vëmendjes, jo si të mbyllen, por si të hapen dhe të funksionojnë. Është realiteti i ri me të cilin duhet të përshtatemi jo duke u mbyllur, por duke mësuar të jemi të hapur dhe të kujdesshëm. Është për të ardhur keq që shpenzohen energji, letër dhe fjalë të kota për një skenar, që edhe vendet me numrin më të madh të rasteve të paraqitura dhe të fataliteteve i kanë përjashtuar si mundësi!

Skenari 1 që është ai për të cilin mund të diskutohet, gjithsesi ka një të metë në përkufizim, sepse nuk bën të qartë se çfarë kupton me “situatë të qëndrueshme pandemie!”. WHO nuk ka asnjë përkufizim për “situatë të qëndrueshme pandemie” dhe as në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë nuk gjendet një i tillë – ose të paktën e kanë hequr, pas këmbënguljes së profesionistëve se është absurde të thuash që “pandemia është e qëndrueshme”.

Me besimin se lexuesi kupton synimin për të ndihmuar në qartësimin e ideve, kam shumë dyshime në lidhje me infrastrukturën e propozuar për identifikimin e fëmijëve të sëmurë ose jo me COVID-19 në kohën e paraqitjes në shkollë. Matja e temperaturës me termometër digjital kërkon, minimalisht, 0.5 minuta kohë për çdo fëmijë. Kjo do të kërkojë, për një shkollë me 400 nxënës, 200 minuta, ose e përkthyer në orë më shumë se 3 orë! Përfytyroni se çfarë ndodh, ndërkohë, në oborr! Ministria e Arsimit duhet të kuptojë se prapa atyre fëmijëve qëndrojnë prindër të shqetësuar. Në rrjedhojë, propozoj hartimin e një marrëveshje me prindërit: paraqitja në mëngjes e fëmijës në shkollë, duhet të bëhet me një deklaratë për temperaturën, matur në darkë dhe në mëngjes! Ky quhet jo vetëm bashkëpunim, por edhe përfshirje dhe vizion.

Sigurisht që dyshimet e tjera kanë lidhje me higjienën e klasave dhe pastrimin e ajrosjen e tyre. Pastrimi dhe ajrosja e një klase kërkon të paktën 60 minuta! Ndërsa dezinfektimi i tyre herë pas here as që mund të mendohet – një shkollë normale ka zakonisht nga 2 deri në 3 punëtore pastrimi. Realizimi korrekt i proceseve të mësipërm kërkon njerëz dhe fonde shtesë – vetëm nëse nënkuptohet se do të bëhet nga nxënësit dhe mësuesit.

Akoma, mbajtja e maskave nga nxënësit e fillores do të jetë një sfidë më vete. Përditësimet e fundit nga WHO detyrojnë me mbajtjen e maskës si një i rritur, vetëm fëmijët mbi moshën 12 vjeç, veçanërisht kur është pothuaj e pamundur për të garantuar mbajtjen e distancës fizike prej më shumë se 1 metër (në Angli, për shembull, është zgjedhur të përqafohet një masë e tillë), ndërkohë që në rastin tonë, zgjedhja e një fjalori ndëshkues për të gjithë  ata fëmijë që nuk do mbajnë maskën apo do shkelin rregullat e distancimit social, me kërcënimin e “këshillit të etikës” të shkollave vetëm e rëndon situatën, në mos e bën edhe qesharake, sepse kush punon në arsim e di sa formale janë organe të tilla, pa harruar të theksojmë reagimin negativ që kanë fëmijët ndaj ndëshkimit, veçanërisht kur bëhet edhe publik.

Dhe vimë te pyetja kryesore: A do të bëhet mësim, nëse zbatohet draft-udhëzimi i propozuar nga Ministria e Arsimit?

Sipas rregullores, në shkolla dhe klasa nxënësit do të qëndrojnë në distancë 1.5-2 metra larg njëri-tjetrit. Në kushtet e Shqipërisë, në fakt, është një masë që mund të plotësohet vetëm në ndonjë shkollë fshati gjysmë të braktisur, sepse në asnjë nga shkollat e qendrave, dhe jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetet e mëdha të Shqipërisë, nuk mund të plotësohet një kusht i tillë, si edhe për shumë shkolla në Itali dhe SHBA – për të sjellë dy shembuj që tregojnë se problemet me të cilat hasemi janë të njëjta. Kjo nënkupton që në të gjitha shkollat e qyteteve kryesore të vendit duhet, të paktën, të përgjysmohet numri i nxënësve. Varianti që propozon Ministria e Arsimit të Shqipërisë, është të kalohet në dy, tre dhe katër turne brenda një shkolle, me orë mësimi që nuk shkojnë më shumë se 30 minuta, nga të cilat brenda një dite shkolle nuk do të zhvillohen të gjitha, por vetëm disa, të themi ato më “kryesoret”. Duke hapur një parantezë, vetëm në Shqipëri vazhdohet të kategorizohen lëndët në kryesore dhe jo, ndërkohë që kur një etiketim i tillë bëhet pikërisht nga ata që duhet të drejtojnë me politika dhe vizione, na duhet të shqetësohemi! Nga ana tjetër, nëse ka ndonjë fenomen që shkatërroi e hodhi në erë elementet më të mirë  të shkollës të trashëguar nga para viteve 1990 është shkolla me turne. Në fillim-vitet 2000, kam punuar drejtoreshë në gjimnazin e Laprakës për afro një vit dhe më ka tronditur gjendja e shkollës dhe e mësimit që gjeta: në atë kohë mësimi zhvillohej pasdite, me orë që zgjasnin tridhjetë minuta, në një nga shkollat 9-vjeçare të zonës! Është shumë të thuash që ishin kurse kundër analfabetizmit! Dhe kjo në situatë “të qëndrueshme” normale shëndetësore! Përfytyroni çfarë do të bëhet në një “situatë të qëndrueshme” pandemie!

Duke përjashtuar variantin me katër turne si “lajthitje vere”, edhe varianti me dy turne nuk duhet të lejohet! Ndërsa mësuesi, faktori më i rëndësishëm, ai që do e zbatojë këtë draft dhe do jetë përgjegjësi kryesor për gjithë mbarëvajtjen, nuk merret fare në konsideratë. Ose më mirë nënkuptohet se do punojë si robot. Sipas draft-udhëzimit, mësuesi do ta bëjë normën ditore dy, tre deri katër herë brenda një dite. Zgjidhja shqiptare është që “mësuesit do paguhen”! Mësuesit të paguhen për lodhjen, që edhe sikur vetëm normën ditore të bëjnë, do jetë një strapacim, por jo “të pretendohet se do të shpërblehen” për rraskapitjen dhe tejlodhjen e punës me dy dhe tre turne! Për më tepër që nuk flitet për një a dy javë, por muaj me radhë! Ka njeri në ministri që t’u shpjegojë se mësuesit janë njerëz dhe si të tillë kanë nevoja ditore dhe dita e punë së tyre nuk mund të shkojë 16 orë?!

Varianti i përgjysmimit të klasave (më normali), me propozimin që çdo gjë të zhvillohet në dy turne, mund të funksionojë vetëm duke dyfishuar stafet e shkollave dhe duke gjetur ndërtesa të reja për zhvillimin e mësimit (si në Itali dhe ShBA). Në Shqipëri, një zgjidhje mund të ishte të shfrytëzoheshin ndërtesat e universiteteve që fillojnë vonë në vjeshtë, si dhe duke angazhuar mësues të rinj e nga ata që kanë dalë në pension, por kanë dëshirë të përfshihen, kundrejt një pagese të mirë. Një alternativë tjetër që do e lehtësonte sistemin arsimor do ishte dërgimi i një pyetësori për prindërit (si në SHBA) – nëse do të parapëlqenin që fëmijët e tyre ta zhvillonin mësimin vetëm on-line, pra i plotësojnë të gjitha kushtet, si internet i vazhdueshëm, teknologjia përkatëse mbështetëse dhe prania e një të rrituri në formën e kujdestarit që do kujdeset për të gjithë  procesin që do zhvillohet në shtëpi – një zgjidhje shumë e thjeshtë dhe efikase veçanërisht për Tiranën Këto janë probleme që nuk mund t’u lihen shkollave në dorë, sepse kërkojnë shumë formularë e përgjegjësi për të cilat janë të papërgatitura.

Konkluzioni i vetëm është që Ministria e Arsimit duhet të dali me një draft të ri, realist dhe të zbatueshëm ku asgjë nuk i lihet në dorë rastësisë, ku mësuesit mbeten mësues dhe nxënësit mbeten nxënës, ku drejtorët e shkollave më shumë se xhandarë të situatës, të parashikohen si mbështetës së saj, ku prindërit janë aleati më i fuqishëm në përballimin e kësaj situate dhe Ministria udhëheq me vizion, masa të pranueshme dhe të zbatueshme. Zhvillimi “me gjasme” i mësimit është shërbimi më i keq që mund t’i bëhet një vendi.