Marrëdhënia televizion – fëmijë. Media elektronike për edukimin e fëmijëve?
Nga Andrea Nathanaili
Veprimtaria e medias elektronike, e cila përfshin prodhimin dhe transmetimin e programeve në territorin e Republikës së Shqipqërisë, rregullohet me Ligjin nr. 8410, datë 30. 09. 1998, i ndryshuar, “Për radion dhe televizionin publik dhe privat në Republikën e Shqipërisë”, dhe me Ligjin nr. 9742, datë 28.05.2007 , “Për transemtimet numerike në Republikën e Shqipërisë.
Sistemi i mbrojtjes së fëmijëve në transmetimet radiotelevizive në Shqipëri përfshin tre drejtime kryesore: ligjin organik, aktet nënligjore, kodet e etikës. Ligji Nr. 8410, datë 30.09.1998 “Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, përcakton detyrimet e transmetuesve lidhur me respektimin e mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, të shprehura në:
- Nenin 4, përcaktohen parimet themelore të zhvillimit të veprimtarisë radiotelevizive, ku, midis të tjerash theksohet se: “Në këtë veprimtari respektohen në mënyrë të veçantë të drejtat, interesat dhe kërkesat morale e ligjore për mbrojtjen e të miturve.”
- Nenin 36, që përcakton se programet radiotelevizive duhet të respektojnë… “dinjitetin vetjak dhe të drejtat themelore të njeriut, dhe … të drejtat e fëmijëve dhe adoleshentëve….”,
- Nenin 38, i cili sanksionon ndalimin e programeve që nxisin dhunën, si dhe “prodhimi dhe transmetimi i programeve pornografike”,
- Nenin 43 ku thuhet se filmat e ndaluar për fëmijët nën moshën 14 vjeç nuk shfaqen në televizion, as pjesërisht, prej orës 06.00 deri në orën 02.00 të ditës tjetër.
- Nenet 56 dhe 57, që sanksionojnë ndalimin e reklamave që nxisin sjellje, të cilat rrezikojnë shëndetin dhe zhvillimin normal psikik të fëmijëve, të reklamave të pijeve alkoolike që drejtohen në veçanti fëmijëve si dhe kujdesin e veçantë në reklamat e destinuara për fëmijët, ose kur realizohen me fëmijë, për të mbrojtur interesat dhe veçantitë e moshës së tyre.
Rregullorja e hartuar dhe e miratuar nga AMA me vendimin nr. 795 dt. 27. 03. 2009, “Mbi shenjat paralajmëruese për respektimin e normave etiko–morale në programet radiotelevizive” është një akt nënligjor i rëndësishëm që ka për qëllim “rritjen e përgjegjësisë së operatorëve radiotelevizivë, që veprojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, ndaj zbatimit të kërkesave të ligjit për respektimin e normave morale dhe etike, veçanërisht mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, në programet radiotelevizive.
Kodi Etik i Medias Shqiptare, përgatitur nga Instituti Shqiptar i Medias në vitin 2006 është njohur dhe pranuar nga Shoqatat e transmetuesve radiotelevizivë. Në këtë kod, mes parimeve e kritereve të përgjithshme etike, theksohet në pjesë të veçantë (“Fëmijët dhe njerëzit e dobët”) respektimi i Konventës së OKB-së 1989, mbi të drejtat e fëmijëve, norma e kërkesa etike lidhur me publikimin e informacioneve e fotove me dhe për fëmijët, ruajtja e besimit, dinjitetit dhe jetës private të tyre, intervistimi me pëlqimin e prindërve për fëmijët nën 14 vjeç etj. Edhe në Kodet e Etikës të transmetuesve radiotelevizivë në Shqipëri, si organizma vetërregulluese, janë përfshirë në paragrafë të veçantë parime e norma etike që theksojnë domosdoshmërinë e respektimit e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në gjithë veprimtarinë e tyre radiotelevizive.
Nga analiza e programeve, vihet re se në vitet e fundit, si pasojë edhe e rritjes së numrit të operatorëve të licencuar kombëtarë e vendorë kemi një përmirësim në strukturë, krahas rritjes së ndjeshmërisë dhe ndërgjegjësimit për domosdoshmërinë dhe cilësinë e programeve për fëmijë, të rinj dhe adoleshentë. Kjo shfaqet jo vetëm në hartimin e dokumentacionit përkatës për marrjen e licencës për programe radiotelevizive, por dhe në respektimin e kërkesave ligjore në vijueshmëri, gjatë transmetimit të emisioneve, për gjithë periudhën e licencimit. Është përmirësuar gama e shumëllojshmëria e programeve për fëmijë, duke tentuar drejt emisioneve me mesazhe edukative e formuese, me problematikë dhe target sipas grupmoshave. Veçanërisht televizioni publik i ka shfrytëzuar mirë potencialet dhe përvojën e vet në këtë fushë, duke realizuar programe dhe emisione të sukseshme për fëmijë, me nivel të arrirë, me gjuhë televizive të përshtatshme, që kanë rritur audiencën e teleshikuesve të vegjël. Ndërsa televizionet private kombëtare i janë drejtuar më shumë grupmoshave 12-18 vjeç, përmes programeve muzikore e argëtuese, që në thelb të konceptimit të tyre kanë garat dhe konkurset. Por nuk mungojnë edhe përvojat negative, nga të cilat mund të listojë disa:
- intervista me fëmijët pa pëlqimin e prindërve
- intervistime të personave të përfshirë nga dhimbja
- cenim i dinjitetit e privatësisë së adoleshentëve viktima të shfrytëzimit, në familje me probleme sociale.
- përdorim i fëmijëve si mjet presioni, apo si “skupe” televizivë,
- keqtrajtim e dhunim i personave e fëmijëve me aftësi të kufizuara, fëmijëve të braktisur, të sëmurë, të abuzuar e të trafikuar
- viktima të filmimeve të padëshiruara.
- Përdorimin e fjalorit vulgar që deformon formimin gjuhësor e shëndetin mendor të fëmijëve.
Në përfundim, televizioni duhet të paraqitet si një plotësues i edukimit shkollor dhe familjar të fëmijëve, të nxisë një integrim sa më të plotë të fëmijëve në shoqëri, të mos bëhet arsye për shfaqjen e problemeve psikologjike dhe një zhvillimi të cunguar psikofizik apo në gjenerimin e konflikteve të reja.