Lëviz shpesh me makinë dhe kuptoj e respektoj shumë punën e palodhur që kryejnë policët. Nuk më ka ndodhur, të paktën deri para disa ditësh, të dialogoj me ndonjë polic për gjobën e marrë që, për hir të së vërtetës, kanë pasur lidhje, kryesisht, me ndonjë parkim të gabuar. Dy minuta të mbyllësh makinën dhe gjoba flakërin në xhamin e saj. Veçanërisht nëse zotëron ndonjë makinë modeste – unë jam rasti. Gjithsesi, një polici rrugore efikase në krye të detyrës, ndonëse selektive, por përsëri respekte! Jemi lodhur aq shumë me mungesën e ligjit dhe të vigjilencës së policisë, sa marrjen e pagesën e gjobës, sigurisht me doza të shumta ironie, e shoh edhe në një aspekt tjetër: të paktën janë në krye të detyrës. Por nuk është ky thelbi, sepse sikundër thashë më parë, respektoj punën dhe rregullin.

Thelbi fillon para disa ditësh, kur pata “fatin e keq” të jem makina e gjashtë që kalon semaforin te ura e Lanës, sa kalon ish-hotel “Dajtin”, për të hyrë në atë segment të unazës që të çon në rrugën e Elbasanit dhe një punonjës i policisë rrugore më bën shenjë e kërkon të hap krahun. E sigurt se nuk kisha shkelur asnjë rregull qarkullimi, pres të më thotë arsyen e ndalimit. Pa lëvizur nga vendi, hap xhamin. Por polici, përpara se të flasë me mua, kërkon me radio, nga qendra, nëse kisha gjoba pa paguar. Mbasi u kalua kjo pengesë, më thotë: “Ke hyrë me të kuqe!”. Pa komentuar mënyrën se si u tha, përgjigja ime ishte e prerë: Jo, isha direkt pas makinës tjetër. Kështu thoni ju të gjithë, vazhdoi i njëjti ton i pakomentuar më sipër, por me disa oktava më lart. Nëse thoni se kam hyrë me të kuqe, më bind, i them. Unë jam e sigurt që jo, por … Shumë i kënaqur që më kishte çuar tamam aty ku ai ishte ekspert, më thotë: “Je makina e gjashtë që kalon semaforin. Semafori hapet aq sa mund të kalojnë pesë makina. Prandaj ke hyrë me të kuqe. Dokumentet…”

Foto nga Andrea Nathanaili. Foto është ilustruese dhe nuk pasqyron rastin

Është e panevojshme, mendoj, të vazhdoj të ilustroj ritualin e dorëzimit të dokumenteve e të verifikimit nga ana e tij, por është shumë e dobishme për një njeri normal të gjejë fillin e arsyetimit të këtij punonjësi të policisë rrugore. Jam dakord, – i thashë, që të më thuash se kam hyrë me të kuqe sepse ju patë semaforin e ndezur me të kuqe dhe unë që hyja pa e respektuar, por refuzoj të pranoj se jam makina e gjashtë dhe prandaj kam shkelur rregulloren e qarkullimit. Duke qenë se kam dhënë fizikë shumë vite në shkollë të mesme dhe kapitulli i kinematikës ka qenë një nga më të dashurit e mi, për një çast mendova t’i shpjegoja edhe elementë të tjerë që mund të ndikojnë te numri i makinave që mund të kalojnë për një kohë të caktuar në një rrugë të caktuar, sikundër janë shpejtësia e secilës prej tyre, madhësia e makinave, gatishmëria e makinës së parë për të hyrë ose jo tamam në çastin e ngjyrës jeshile të semaforit etj., etj., por të gjitha njohuritë e mia dhe të gjithë shkencëtarëve e dijetarëve që ishin lodhur aq shumë për të na i bërë të qarta avulluan, në çast, nga pragmatizmi dhe siguria e tij, të cilat i përforcoi edhe me deklaratën: Jam gati të shkoj deri në Gjyqin e Hagës për këtë që po them.

Zot fale! Dhe bashkë me të, të gjithë ata që i kanë thënë numëro pesë makina dhe ndal të gjashtën. Deri në Hagë, për këtë?! Jo, nuk isha dakord të shkoja deri në Hagë dhe ja bëra me dije.

Për ata që kanë shumë dëshirë të tregojnë anekdota me policë, ja dhe një tjetër: Çfarë bën një polic mbas semaforit? Numëron deri në pesë. Të gjashtës i thotë: hap krahun, je kundravajtje. Të qeshësh dhe të qash. I mjafton kaq të plotësojë një fletë gjobe dhe të të çojë në “komision” për shkelje të rregullave të qarkullimit. Por, mbi të gjitha, të të sjellë mbrapsht jo vetëm financat – të miat, sigurisht, jo të policisë, por edhe ditë të tëra, në pritje të të vijë radha për të dalë përpara komisionit që shqyrton këto raste. Më duhet të them Zot më fal dhe mua e, bashkë me mua, shumë “viktima” të tjera si mua, që kanë pasur fatin e keq të jenë të gjashtët në radhën e kalimit të atij “dreq” semafori që bëhet shkak të dëgjosh arsyetime të tilla. Sikur nuk na mjaftojnë.