Cilët libra qëndrojnë mbi komodinën tuaj, pranë shtratit, dhe presin të lexohen përpara gjumit?

Tedi Papavrami: Disa! Një libër i Schopenhauer “Le monde comme volonté et comme représentation”, një ese mbi muzikën, një integrale e shkrimtarit japonez Kawabata.

Kur dhe ku lexoni?

Tedi Papavrami: Në fakt këto kohë më tepër NUK lexoj… Jam duke u marrë me përkthimin e librit të Ismail Kadaresë “Kur grinden sunduesit” i cili më merr mjaft kohë. Mund ta quaj këtë aktivitet si një lexim shumë të ngadaltë, teknik dhe, shpresoj, të thellë. Ndryshe, lexoj zakonisht para se të fle ose gjatë udhëtimeve.

Çfarё gjinie libri preferoni nё pёrgjithёsi tё lexoni?

Tedi Papavrami: Romanet ose novelat. Ndryshe ese filozofike, psikanalitikë etj. Nuk lexoj mjaft poezi, nuk e kuptoj përse, megjithëse e shijoj një poemë të bukur kur e kam në dorë. Mbase një zakon i mbetur nga fëmijëria.

Cili ka qenё libri mё i preferuar pёr ju kur ishit fёmijё? Ndonjё personazh qё ju ka shërbyer si model?

Tedi Papavrami: Mbase aventurat e Pinokut. Pas moshës 12 vjeçare më tërhiqnin shumë autorët rusë. Identifikimet janë të shumtë, si tek të gjithë lexuesit. Model koshient nuk mund të them. Romanet e mirë përmbajnë gjithmonë vlera filozofike edhe pse ky konkluzion mbetet në dorë të lexuesit.

Cili ёshtё libri qё mund t’i ktheheni e ktheheni vazhdimisht?

Tedi Papavrami: Ka shumë. Për të marrë një të vetëm le të themi “Në kërkim të kohës së humbur” të Prustit.

Nëse do ju kërkonin t’i rekomandonit një libër Presidentit tё Shqipërisë?

Tedi Papavrami: Kryeministrit apo Presidentit? Presidentin nuk e njoh kështu që nuk di të them. Ndërsa Kryeministri ka lexuar me siguri shumë më tepër se unë, e njoh dashurinë e tij për letërsinë. Mund t’i rekomandoja “E thëna e Genzhit” të cilin mbase nuk e njeh, shkruar nga një aristokrate japoneze, Zonja Murasaki Shikibu, në shekullin e 10-të.

Cili është libri i fundit që ju ka bërë për të qeshur? Po libri i fundit që ju ka bërë të derdhni lot?

Tedi Papavrami: Për të qeshur mbaj mend të kem qeshur duke lexuar “Gjenealogjinë e moralit” të Niçes dhe përshkrimin e tij të krishtianizmit. Për të qarë, Pessoa, “Libri i mosqetësisë”.

Çfarë ju frymëzon për të shkruar?

Tedi Papavrami: Koha, koha që kalon!

Cilat histori ju tërheqin më shumë?

Tedi Papavrami: Më tërheqin më tepër se historitë shikimi i veçantë i shkrimtarit mbi to.

Cili është libri më i bukur që ju kanë bërë dhuratë?

Tedi Papavrami: Një biografi e J.S.Bach nga dirigjenti John Eliott Gardiner.

Nëse do ju kërkonin të shkruanit një biografi, kë figurë do të zgjidhnit?

Tedi Papavrami: Joseph Hassid , një violinist i rrallë që u çmend pas moshës 16 vjeç, çka e ndaloi fatkeqësisht karrierën e tij.

Cili është libri që rekomandoni se duhet lexuar “me patjetër” nga të gjithë?

Tedi Papavrami: Lista do të ishte e gjatë. Tepër e gjatë! Dhe të shumtë janë ata të cilët më mbetet të zbuloj, gjë për të cilën koha do të jetë e pamjaftueshme.