- Titulli i librit: Elementi. Si ta gjesh pasionin për të ndryshuar gjithçka
- Autor: Ken Robinson dhe Lou Aronica
- Përktheu: Valbona Nathanaili
- Botues: Pema, Prishtinë, 2020 / Faqe 324, Çmimi:1200 lekë
KREU I ELEMENTI/ Shkëputur një pjesë
Gillian ishte vetëm tetë vjeç, por e ardhmja e saj dukej në rrezik. Arritjet në shkollë ishin katastrofë, të paktën nëse u referohemi shqetësimeve që ngrinin mësuesit. Detyrat i dorëzonte me vonesë, përtej afateve të caktuara, shkrimin e kishte të tmerrshëm dhe rezultatet në teste nga më të dobëtat. Përpos këtyre, ishte kokëçarje edhe për shokët e shoqet e klasës. Asnjë minutë nuk ishte e qetë. Një herë shikonte nga dritarja, dhe një herë tjetër bënte zhurma të kota, duke e detyruar mësuesen të ndërpriste mësimin, për t’i tërhequr vëmendjen. Por vetëm për një çast, sepse veprimi i radhës i Gillian-ës ishte ngacmimi i ndonjë fëmije që kishte përreth. Rezultati? Asgjë nga këto më sipër nuk ishin shqetësim për vetë Gillian-ën. Thjesht sepse ishte mësuar që çdo i rritur që kishte pranë ta korrigjonte për atë që bënte. Gillian-ës as edhe për një moment nuk i shkonte mendja se ishte fëmijë i vështirë. Gjithsesi, shkolla ishte e shqetësuar për të. Deri sa arriti dita që drejtoresha i dërgoi një letër prindërve të saj!
Mendimi i shkollës ishte që Gillian-a kishte një farë disfunksioni në të nxënë dhe ishte më e përshtatshme të ndiqte një shkollë për fëmijë me nevoja të veçanta. Gjithë sa përshkruam më sipër ka ndodhur në vitet 1930. Mendoj që nëse sot do të kishim një rast të tillë, fëmija do të diagnostikohej me Çrregullim hiperaktiv në mungesën e vëmendjes[1] dhe, ose do i kishin dhënë Ritalin – një lloj ilaçi që rekomandojnë për raste të tillë – ose diçka të ngjashme me të. Por në atë kohë njerëzit nuk e dinin që ekzistonte një diagnozë e tillë dhe u duhej t’ia dilnin pa të.
Prindërit e Gillian-ës e lexuan letrën e shkollës me shumë shqetësim, por vendosën të hidhen menjëherë në aksion. Mamaja e veshi Gillian-ën me rrobat më të mira që kishte në shtëpi, ia krehu flokët dhe lidhi bishtkali dhe, së bashku, përdore, u nisën për një vlerësim te psikologu, në frikën e konstatimit të më së keqes.
Gillian-a më pohoi se mbante mend që shkuan në një zyrë të madhe zbukuruar në dru lisi, mbushur me libra veshur me lëkurë që qëndronin në disa rafte të mëdhenj, ndërsa në tavolinën e stërmadhe qëndronte një burrë veshur me një xhaketë me cirka. Ai u ngrit nga vendi dhe më shoqëroi deri në anën tjetër të dhomës. Në fund të këtij udhëtimi të shkurtër, më ftoi të ulem në një kolltuk të madh prej lëkure – vazhdoi tregimin Gillian-a.
Këmbët nuk më arrinim në dysheme, ndërsa të qëndruarit ulur më bëri shumë të kujdesshme për çfarë pritej të ndodhte. Pritja u shoqërua me nervozizëm. Çfarë përshtypje do t’i bëja? Instiktivisht, ashtu ulur si isha, futa duart në hapësirën ndërmjet këmbëve dhe sipërfaqes ku isha ulur për të fshehur çdo lëvizje të padëshiruar. Psikologu u kthye edhe një herë në tavolinën e tij të stërmadhe dhe, për njëzet minutat në vijim, pyeti mamanë rreth vështirësive që kisha unë në shkollë dhe problemeve që shkaktoja sipas raporteve që bënin mësuesit. Ndonëse nuk më drejtoi direkt as edhe një pyetje, gjithë kohën më vështronte me shumë kujdes. E gjithë skena më bëri konfuze dhe ishte aspak e lehtë. Edhe pse në moshë të njomë, kuptova se ai burrë do të luante një rol të rëndësishëm në jetën time.
Gillian-a e dinte çfarë do të thoshte të ndiqje “shkollë speciale” dhe nuk donte të kishte as edhe lidhjen më të vogël me një institucion të tillë. Intuitivisht kuptonte se nuk kishte ndonjë problem të vërtetë, ndonëse të gjithë besonin se duhej të kishte jo një, por disa. Por duke dëgjuar përgjigjet e mamasë, duket se edhe ajo vetë filloi të ndihej me probleme.
Ndoshta, – mendoi Gillian-a, – ata kanë të drejtë!
Por erdhi një çast që mamaja dhe psikologu pushuan së foluri. Burri u ngrit nga karrigia, u drejtua drejt kolltukut ku qëndronte vajza e vogël dhe u ul pranë saj.
“Gillian-a, gjithë kohën ke qenë shumë e duruar dhe dëshiroj të të falënderoj për këtë” – i tha. “Por druaj se do të të duhet të jesh e duruar për një kohë edhe më të gjatë. Më duhet të flas me mamanë tuaj privatisht. Do të largohemi nga dhoma për disa minuta. Të lutem, mos u shqetëso. Nuk do të zgjasë shumë.”
Gillian-a tundi kokën për t’i treguar që kishte kuptuar gjithë sa i kishin kërkuar, pa qenë në gjendje të fshihte një lloj shqetësimi për faktin që, dy të rritur, po i kërkonin të qëndronte vetëm, në një dhomë. Përpara se të largohej nga dhoma, burri psikolog iu drejtua përsëri tavolinës, sa për të ndezur një radio që gjendej mbi të.
Sapo arritën në korridorin e jashtëm, doktori iu drejtua mamasë së Gillian-ës: “Ju lutem, do të qëndrojmë këtu për pak minuta. Do të vështrojmë çfarë po bën vajza” dhe, pa mbaruar mirë fjalinë, hapi një dritare të vogël që shihte në dhomë, njëkohësisht e padukshme nga brenda. Të dy u pozicionuan për të parë sa më mirë. Pothuaj menjëherë, Gillian-a u ngrit dhe filloi të lëvizë me ritmin e muzikës. Të dy të rriturit vështruan pafolur për pak kohë, të përthithur nga hijeshia e lëvizjeve të vajzës. Çdokush do ta kishte të lehtë të vërente se gjithçka ishte shumë e natyrshme, ndoshta edhe primitive, në lëvizjet e Gillian-ës. Sikundër do ta kishte jashtëzakonisht të lehtë të konstatonte kënaqësinë që pasqyronte çdo qelizë e fytyrës së saj.
Së fundmi, psikologu u kthye nga mamaja dhe i tha: “Znj. Lynne, Gillian-a nuk është e sëmurë! Thjesht i pëlqen të vallëzojë. Çoje vërtet në një shkollë me nevoja të veçanta, por zgjidhe që të jetë shkollë baleti!”
Pyeta Gillian-ën se çfarë ndodhi më pas. Më tha se mamaja bëri pikërisht çfarë i sugjeroi psikologu. “Nuk gjej dot fjalët të përshkruaj sa e mrekullueshme ishte!” – u përgjigj. “Më çuan në një shkollë që ishte plot me nxënës si puna ime. Njerëz që nuk mund të qëndronin ulur. Njerëz që kur u duhej të mendonin, viheshin në lëvizje!”
Gillian-a filloi ta frekuentojë shkollën e baletit çdo javë, ndërsa praktikohej në shtëpi çdo pasdite. Më pas, mori pjesë në një audicion që organizonte Shkolla Mbretërore e Baletit të Londrës. E pranuan! Aktivitetet u shtuan, sepse u bë pjesë e Kompanisë Mbretërore të Baletit, ku performonte në rolin e solistes në shfaqje që jepeshin në të katër anët e botës. Kur kësaj pjese të karrierës i erdhi fundi, formoi kompaninë e saj teatrore muzikore, me të cilën prodhoi një seri shfaqjesh shumë të suksesshme në Londër dhe Nju York. Një vend të rëndësishëm në suksesin e saj zë edhe bashkëpunimi me Andrew Lloyd Webber, me të cilën krijoi produksionet muzikore më të rëndësishme në historinë e teatrit, nga mund të veçojmë Cats dhe The Phantom of the Opera.
Gillian-a e vogël, vajza me të ardhmen në rrezik të madh, që njihet në gjithë botën si Gillian Lynne, u bë një nga koreografet më të arrira të kohëve tona, shfaqjet e së cilës kanë mbushur me kënaqësi miliona njerëz në të gjithë botën dhe kanë sjellë edhe më shumë të ardhura në dollarë. E gjitha kjo, sepse dikush pati mirësinë të vështrojë thellë në sytë e saj – dikush që kishte parë fëmijë si ajo edhe më parë dhe dinte të lexonte shenjat që shfaqnin. Ndoshta një person tjetër do e kishte rekomanduar direkt për në spital dhe do e kishte dendur me ilaçe, ose thjesht do i kishte rekomanduar të qetësohej. Por Gillian-a nuk ishte një fëmijë problematik. Gillian-a nuk kishte nevojë të shkonte në një shkollë për fëmijë me nevoja të veçanta.
Gillian-a thjesht kishte nevojë të ishte ajo që vërtet ishte!
[1] Shënim V. Nathanaili. Termi anglisht është Attention deficit hyperactivity disorder, ndërsa akronimet anglisht ADHD përdoren edhe në variantin shqip.
Kanë thënë për librin
- Elementi ofron shembuj kuptimplotë, se si zbulimi i anës më të mirë që fshihet brenda, gjithsecilit nga ne, është në gjendje të na ndryshojë jetën. Stephen R. Covey, autor i “The 7 Habits of Highly Effective People”
- Në këtë libër, Ken Robinson merr në analizë temën e kreativitetit dhe të risisë dhe i paraqet në mënyrë të tillë, sa të bën të vendosësh t’i shndërrosh ëndrrat në realitet. Me një stil të mrekullueshëm dhe të thjeshtë për t’u lexuar, do mund të njiheni me historitë e shumë prej atyre që kanë vepruar në këtë mënyrë… Është një libër që u ndriçon mendjen dhe u mbush zemrën me shpresë të gjithë atyre që e lexojnë. Susan Jeffers, Ph.D., autore e librit të shumë-shitur “Feel the Fear and Do It Anyway” dhe “Life is Huge!”
- Një libër fantastik dhe frymëzues! Dikur kanë thënë, se një jetë që nuk e marrim në analizë nuk ka vlerë të jetohet! Më se e vërtetë! Dhe Ken Robinson nuk na lë të dyshojmë fare në lidhje me të! Sikur edhe vetëm faqen e parë të lexoni dhe do ta gjeni veten në përpjekjen për të lënë mënjanë çdo gjurmë të egos, me të vetmin synim: për të kërkuar brenda vetes dhuntitë e talentet e fshehur. Warren Bennis, autor i “On Becoming a Leader: The Leadership Classic”
- Robinson (që mendon krejt ndryshe nga ne), i famshëm për punën e tij në fushat e kreativitetit, risisë dhe burimeve njerëzore, adreson sfidat e punës këmbëngulëse dhe të kushtëzuar, që kur formatohen me talentin individual dhe pasionin, na ndihmojnë të arrijmë mirëqenien dhe suksesin… Motivues dhe bindës, ky libër frymëzues dhe interesant i drejtohet një rrethi të gjerë lexuesish. Publishers Weekly
- Ken Robinson është njeri i jashtëzakonshëm, një nga ata pak që janë në gjendje të shohin te ju jo vetëm personin, por edhe çfarë ndodh brenda këtij personi, duke ju bërë të ndiheni të çliruar dhe të lumtur. Jam krenare që gjendem në rreshtat e librit të tij, si një nga ato që Robinson mendon se e kam arritur Elementin. Leximi i këtij libri ju ndihmon të identifikoni përpjekjet që duhet të bëjë secili prej nesh për të arritur më të mirën që mund të japim. Gillian Lynne, koreografe e veprave muzikore “Cats” dhe “The Phantom of the Opera”
- Ndërkohë që bota është në ndryshim të shpejtë, me një ritëm shumë më të madh se kurrë më parë, institucionet, shkollat dhe vetë mendësia jonë vazhdojnë të jenë të kapur në kurthin e zakoneve të së shkuarës. Rezultati është një humbje masive në talente! Libri Elementi që keni në dorë është një apel, veshur me nota pasioni dhe këmbëngulje, për të menduar ndryshe rreth vetes dhe mundësive që kemi për t’u përballur me të ardhmen. Alvin Toffler, autor i “The Future Shock”
- Një analizë e shkëlqyer dhe sfiduese e kreativitetit dhe mundësisë për t’ia dalë në botën globale të së nesërmes. Harry Lodge, bashkautor për “Younger Next Year”
- Do veçoj analizën, që autori i bën sistemit shkollor aktual, shoqëruar me nota shqetësuese për testet dhe standardizimin e aftësive dhe arritjeve, si dhe me apelin për ta transformuar në përputhje me synimet dhe nevojat e këtij shekulli ku jetojmë. Valbona Nathanaili, autore e “Komercializimi i shkollimit”, Antologji