2 qershor 2020
Artikulli bazohet në informacionin e medias ndërkombëtare
Shënim:
- Titulli ka doza ironie dhe perifrazon moton “Launching Amerika in space” që shoqëroi lëshimin e raketave tregtare “Demo 2” të “SpaceX” në hapësirë, me dy astronatë të NASA-s.
- Fotot që shoqërojnë artikullin janë zgjedhur të protestës dhe ndjesës, njëkohësisht, të policisë për vrasjen e kryer nga kolegu i tyre, si dhe për dhunën e brutalitetin e ushtruar po nga shumë prej tyre!
Për disa ditë me radhë, Amerika zgjohet me pamje lufte. Një stacioni policie në Minneapolis i është vënë flaka, ndërsa një makinë policie është parë të futet në mes të turmës së protestuesve në New York. Policë me helmeta dhe numra të paidentifikuar patrullojnë në rrugët e Minneapolis dhe kanë qenë agresivë me njerëzit që nuk kanë pranuar të futen në shtëpi. Policia ka qenë njësoj e ashpër edhe ndaj kongresmenit afro-amerikan Joyce Beatty, ndërsa përpiqej të shuante një konfrontim në rrugët e Ohajos. Policia ka përdorur edhe plumba gome dhe bombola me gaz lotsjellës.

Shkaku i protestave është vrasja e George Floyd, më 25 maj, nga polici Derek Chauvin, ish-oficer në Departamentin e Policisë në Minneapolis. Skema ku Chauvin shtyp, me gjak të ftohtë, kokën e Floyd për afro nëntë minuta, ndërkohë që në një video – regjistruar nga një telefon celular – dëgjohet se edhe të ketë thënë “Nuk mund të marr frymë”, kanë ngritur njerëzit në revolta dhe kanë ndezur edhe njëherë flakët e protestave anti-racizëm në të gjithë vendin.
Katër ditë pas vdekjes së Floyd dhe protestave të ashpra në të gjithë vendin, më 29 maj, është dhënë lajmi i arrestimit të Chauvin, me akuzën për “Vrasje të shkallës së tretë dhe vrasje të shkallës së dytë”. Chauvin do të dalë përpara një gjykate më datë 8 qershor. Amerika është e përfshirë në trazira që nuk janë parë për më shumë se 50 vjet.
Tubimet që filluan paqësisht ditët e para janë bërë më të dhunshme dhe jo vetëm natën. Më shumë se 100 qytete në të gjithë Amerikën kanë parë protesta gjatë ditëve të kaluara. Vrasja e George Floyd është bërë shkas për të sjellë edhe një herë në vëmendje të opinionit publik vrasje të ngjashme bërë në të kaluarën ndaj njerëzve të komunitetit të zinj në ShBA, si dhe problemin e dhunës së ushtruar nga forcat policore ndaj njerëzve të pafajshëm.
Protestuesit në Gjeorgji përkujtuan Ahmaud Arbery, 25 vjeç, i zi, vrarë ndërsa vraponte, në përpjekje t’u shpëtonte dy burrave të bardhë që e ndoqën dhe e qëlluan për vdekje, me pretendimin se besonin, pa prova, se ishte një hajdut. Kaluan javë më parë derisa zyrtarët lokalë vendosën të formulojnë akuzat ndaj babait dhe djalit që ndoqën dhe vranë Arbury.
Në Louisville, Kentucky, protestuesit marshuan në kujtim të Breonna Taylor, një teknike 26-vjeçare, afrikano-amerikane, punonjëse e urgjencës, të cilët oficerët e policisë e vranë ndërsa ekzekutuan një urdhër “pa trokitje” në banesën e saj (policia pretendon se ata e identifikuan veten; familja e konteston këtë).
Turmat në të gjithë Amerikën kanë brohoritur “Duart lart! Mos gjuaj!”, një slogan i përdorur për të tërhequr vëmendjen për numrin e lartë të vrasjeve policore në Amerikë – vetëm gjatë vitit 2019, në ShBA janë vrarë 1,099 njerëz, ku pjesa më e madhe kanë qenë afrikano-amerikanë – në shifra, tre herë më shumë se të bardhët.
Më 1967, kur trazirat racore u përhapën në qytetet amerikane, presidenti i kohës Lyndon Johnson formoi një komision për të hetuar shkaqet. Në një fjalim mbajtur në një televizion kombëtar, ndërmjet të tjerave, Lincoln shprehet:
- Ne kërkojmë më shumë sesa qetësinë e pakëndshme të ligjit ushtarak. Ne kërkojmë paqe që bazohet në respektin e njeriu për njeriun… Ne kërkojmë rend publik bazuar në përparim të qëndrueshëm në plotësimin e nevojave të të gjithë njerëzve tanë.
Më 1964, Dr. Martin Luther King Jr. ka marrë Çmimin Nobel për Paqen, me motivacionin “Për fushatën jo të dhunshme kundër racizmit”.