Valbona Nathanaili
Problemet që u vunë re me testet e Maturës Shtetërore 2020, nuk janë të reja dhe të vetmet. Por u desh përballja me testin skandaloz të letërsisë, me zgjedhje të shumëfishtë në të gjithë përmbajtjen e tij – përpos gabimeve që u evidentuan nga specialistë të shumtë dhe kohës së pamjaftueshme – si dhe protestat e maturantëve, që shqetësimi të bëhej publik, që këto probleme të bëheshin të dukshme për të gjithë!
Burimi kryesor i tyre është në qasjen që është zgjedhur për ndërtimin e kurrikulës dhe në të gjithë elementet e saj.
E gjithë kurrikula e arsimit parauniversitar në Shqipëri shtjellohet rreth synimit “të aftësojmë nxënësit”. Kurrikulat e të gjitha lëndëve në sistemin shqiptar arsimor janë të tipit: Kurrikula e bazuar në kompetenca (IZhA, 2016. Kurrikula e bazuar në Kompetenca. Fusha: Histori, Shkalla: IV, Klasa: VIII).
Dija është kaluar në periferi! Një qasje e tillë, përqafuar në përshtatje të koncepteve të komercializimit të shkollimit dhe shndërrimit të shkollës në platformë ku të rinjtë përgatiten vetëm për tregun e punës, po i nënshtrohet kritikave të ashpra në të gjithë botën dhe është. Por nëse kjo qasje po kritikohet në arsimin e lartë, në arsimin parauniversitar është reduktuar në maksimum.
Akoma, shtimi i fokusit në mbajtjen e shënimeve dhe arritjen e objektivave (Crouch, Idem, 2001) është një tregues tjetër i trendit të vlerësimit të nxënësit si klient. Mësuesit nga edukatorë janë shndërruar në administratorë të klasës ku japin mësim!
Hannah Arendt (2007: 188-192) në artikullin “The crisis in Education”, numëron tre kriza që po kalon arsimi sot:
1. Ekziston bota e fëmijëve dhe shoqëria e formuar nga pjesëmarrja vetëm e fëmijëve, fëmijë të pavarur. I vetmi autoritet që thotë se çfarë duhet bërë dhe jo janë po fëmijët. Më shumë se punës, i jepet rëndësi lojës.
2. Mësimdhënia dhe profesionalizmi i mësuesve. I kushtohet më shumë vëmendje metodave të mësimdhënies dhe më pak thellimit të dijeve të mësuesve në lëndën që mëson.
3. Metodikat e mësimdhënies – lidhur me të dyja krizat e mëparshme – personifikuar në moton “mësojmë duke bërë”, që zbatohet në të gjitha nivelet e edukimit në mënyrë shumë pragmatike dhe naive.
Vlerësimi dhe shndërrimi në kult i aftësive dhe meritës, në pedagogji, njihet si një lloj “evolucioni negativ” i shoqërisë dhe etiketohet si justifikim për të qenë indiferent ndaj fëmijëve që u takojnë shtresave në nevojë, si dhe për mungesën e veprimeve dhe masave që i lënë në nivelin ku janë. Ky lloj fokusi po i shndërron institucionet e arsimit nga vende të zotërimit të dijes në shkolla të edukimit profesional. Në të tria problematikat e shtruara, fokusimi te aftësitë referon mallin: një mall i mirë shitet më mirë në treg. Një nxënës me aftësi përshtatet më mirë me tregun e punës.
Pra në secilën nga krizat, krijohet marrëdhënia nxënës-treg dhe jo nxënës-shoqëri.
Politikat për komente të Fondacionit “Henrietta Leavitt”
- Komentet nuk shfaqen menjëherë, sepse kalojnë në sitën e moderimit, për aprovim ose jo, të Fondacionit “Henrietta Leavitt”. Komentet që nuk kanë lidhje me argumentin e temën, po ashtu edhe ato që përmbajnë mesazhe jodashamirëse, reklama, apo sulme personale nuk aprovohen.
- Ju lutem kini në vëmendje këto politika përpara se të lini komentin tuaj!