Gara ndërkombëtare e vaksinimit kundër koronavirusit mund të duket se mbizotërohet nga gjigandë si Kina, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, të gjitha vende që kanë zhvilluar vaksina të shumëfishta dhe kanë shpërndarë miliona doza. Perceptim jo i saktë!  

Shtete të vegjël, në madhësinë e një apo disa ishujve të papërfillshëm, që vështirë të gjenden edhe në hartë, apo në territore jo më të mëdhenj se një qytet mesatar evropian, kanë arritur të vaksinojnë gati të gjithë popullsinë e tyre të rritur, duke provuar se më i madh nuk është domosdoshmërisht më mirë kur bëhet fjalë për vaksinimet.  

Gjibraltari i vogël (afro 34,000 banorë) ka vaksinuar të gjithë popullatën e tij të rritur – shprehet një zyrtar britanik i shëndetësisë (Gjibraltari është nën varësinë e Britanisë së Madhe, ndonëse pjesë e Gadishullit Iberik) dhe deklaron se është “kombi i parë në botë që përfundoi të gjithë programin e tij të vaksinimit të të rriturve”. Qyteti-shtet i Vatikanit, i konsideruar si vendi i pavarur më pak i populluar në botë, me vetëm 450 banorë që jetojnë me kohë të plotë, këtë javë plotësoi dozat e para të vaksinës Pfizer-BioNTech dhe fillon me dozat e dyta – deklaron zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë. Dhe jo shumë larg janë Seychelles, një arkipelag me mbi 100 ishuj në Oqeanin Indian me një popullsi prej 97,000 banorë, ku dozat janë administruar në shifrat 9 në 10 persona. Vende të tjera me performancë të lartë në lidhje me vaksinimin janë edhe Bermuda, një tjetër territor nën varësinë e Britanisë së Madhe (71,000 banorë); Monako, një shtet-qytet sovran me një popullsi më pak se 39,000 banorë; dhe Maldivet, një shtet tjetër arkipelagjik në Oqeanin Indian me një popullsi pak më shumë se 500,000 banorë.  

Shtete të vegjël, por të fuqishëm  

Faktori kryesor në suksesin e vaksinimit të këtyre vendeve sigurisht që nuk është e vështirë të gjendet: duke qenë se janë më të vegjël, kanë më pak njerëz për të vaksinuar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës aktualisht po vaksinojnë mbi 2 milion njerëz në ditë, shumë më tepër se e gjithë popullsia e të gjitha këtyre kombeve së bashku.  

Por nuk është vetëm kjo! Shumë vende të vogla po luftojnë për të vaksinuar popullatat e tyre, por suksesi në sigurimin e dozave varet edhe nga marrëdhëniet me shtetet e mëdha. Nga shtetet e mësipërm, disa prej tyre janë territore britanike përtej detit dhe ndonëse vetëqeverisëse, ekzistojnë nën sovranitetin e Britanisë dhe kanë Mbretëreshën Elizabeta II si kryetare shteti. Këtu po theksojmë vetëm se statusi i tyre si vende të pavarura është çështje e debateve shpesh të nxehta. Këto vende i kanë marrë vaksinat nga Britania e Madhe. Po ashtu, disa ishuj të vegjël si Palau dhe Ishujt Marshall kanë përfituar nga marrëdhëniet e tyre të ngushta me Shtetet e Bashkuara. Megjithëse të dy janë kombe të pavarura, kanë lidhje historike me ShBA përmes pakteve të asociimit të lirë. Këto vende kanë marrë doza vaksinash nga Shtetet e Bashkuara.”  

“Ishujt Marshall pretendojnë se do të jenë në gjendje të vaksinojnë të gjithë popullsinë e rritur deri në qershor, nëse jo më herët – shprehet një nga drejtuesit e shëndetësisë. Tërësia e dozave të vendit ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara dhe përbëhen kryesisht nga vaksina Moderna, e mbështetur nga SHBA”.  

Por edhe vende të tjera, që nuk kanë pasur marrëdhënie të forta zyrtare si këto më sipër, kanë qenë në gjendje të përdorin marrëdhëniet dypalëshe në një mënyrë a tjetër për të marrë doza.  

“Kemi shumë miq të mirë që na duan” – ka deklaruar Vanessa Lesperance, zyrtare e lartë e shëndetësisë në arkipelagun Seychelles (i frekuentuar shumë nga turistët), në shkurt 2021. India dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë dhuruar, secila, më shumë se 50,000 doza vaksinash për ishullin, duke reflektuar lidhjet e gjata të krijuara përmes tregtisë dhe imigracionit. Kjo i vë Seychelles në rrugën e duhur për t’u bërë një nga kombet e para sovrane që siguron edhe imunitetin e tufës (9 në 10 banorë të rritur janë vaksinuar), ndërkohë që qeveria pret të heqë kërkesat e karantinës për pothuajse të gjithë udhëtarët deri në fund të Marsit.  

Barbados udhëheqin, aktualisht, garën e vaksinave të Karaibeve, që përfitojnë përsëri falë diplomacisë dhe lidhjeve me Indinë. Zyrtarët e turizmit në vendin ishullor me afërsisht 301,000 njerëz pohojnë se së shpejti mund të fillojnë të ofrojnë vaksina edhe për vizitorët e huaj, një mënyrë e sigurt për të rritur industrinë e turizmit dhe për të zvogëluar rreziqet që lidhen me rihapjen e vendpushimeve, ndonëse nuk është e qartë sasia e dozave të vaksinave që do të ndahen për turistët. 

Situatë e komplikuar për vende të tjera të vogla  

Por ka shumë vende të tjerë të vegjël që jo vetëm nuk e kanë nisur procesin e vaksinimit, por që ndoshta do të duhet të kalojnë edhe muaj përpara se të sigurojnë dozat e para. Vanuatu (307,000 banorë), një ishull në Paqësor, ka deklaruar se vaksinimi i shumicës së popullsisë të rritur mund të zgjasë deri në fund të vitit 2023. 

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë në Bahamas pohojnë të njëjtën gjë: mund të sigurojnë vaksina nga prodhuesit kryesorë si Johnson & Johnson jo më parë se në fund të vitit 2022, duke e lënë vendin të mbështetet në donacionet dhe dozat e shpërndara përmes iniciativës globale Covax. 

Covax synon të sigurojë që edhe vendet e varfëra dhe më pak të fuqishme të kenë akses në vaksina. Arsyeja është që vaksinat, në fillim, shkuan për kombet më të mëdha dhe më të pasura.  

“Kepi ​​i Gjelbër”, një arkipelag i ishullit Atlantik me nën 600,000 banorë, të premten vaksinoi për herë të parë vetëm gjashtë punonjës të kujdesit shëndetësor me doza të siguruara nga një dërgesë e shpërndarë nga Covax. 

Probleme të tjera që lidhen me vaksinat është se në këta shtete të vegjël, shpesh nuk sigurohen as edhe kushtet për ta ruajtur vaksinën – për shembull, duke qenë se kërkojnë depo të ftohta, por shpesh ikin dritat.  

(Përshtatur nga Washington Post)