Matematika dhe shkencat gjithnjë shpërblejnë
Shkenca dhe teknologjia janë çelësi për të jetuar në mënyrë aktive të sotmen dhe për t’u përgatitur për të ardhmen. Ato na premtojnë të mundësojnë atë që duket e papërfytyrueshme, por që për nevojat tona ka përmasën e të domosdoshmes. Dhe e bëjnë realitet!
“High tech” është i gjithëpranishëm në jetën e përditshme, që nga celulari te kartat e bankomatit, që nga interneti deri te automatizimi në industri e transport. Zhvillimi në këto fusha ka qenë pabesueshmërisht i shpejtë. Kujtojmë se jo më shumë se njëzet vjet më parë, pak flitej për “celularë” dhe “internet” dhe akoma më pak e kuptonin magjinë e tyre.
Tregjet e punës së vendeve me industri dhe ekonomi të zhvilluar kanë uri, si kurrë ndonjëherë, për specialistë e punonjës të kualifikuar në fushën e teknologjisë. Prognozat e tregut të punës pohojnë se kjo uri do të shtohet edhe më shumë, të paktën për një periudhë tridhjetë vjeçare.
Në këto kushte, çdo i ri apo e re që ka pasion e dashuri për shkencat e natyrës, për teknikën a matematikën, për fizikën a biologjinë, le ta konsiderojë si prioritare ndjekjen e studimeve në këto degë, le të përpiqet të thellohet në këto fusha e të mendojë për një karrierë të mundshme në këtë drejtim.
Pse? Sepse përfitimet janë shumëpalëshe. Në radhë të parë është vetë individi që sheh të plotësohen ëndrrat e interesat e tij. Më pas shoqëria, që pasurohet me anëtarë me vlera e kontribute.
Një apel për vajzat e reja!
Rrugëtimi i vajzave të reja në shkencë e teknologji është një mundësi e shkëlqyer për të ecur përpara, për të qenë të pavarura, për t’u bërë pjesë e elitës intelektuale në vendit. Veçanërisht në vende si ky i yni! Përfshirja e vajzave në shkencë është një start i mirë për t’u shkëputur nga vendi që i akordon shoqëria jonë, mbushur me tradita e histori patriarkale, ngjyrosur shpesh me ngjyra të errëta apo ngjyer në gjellën e motiveve të hidhura.
Jam e bindur se të gjitha të rejat që kanë pasion shkencat e teknologjinë do bëjnë zgjedhjet e duhura. Modelet dhe shembujt që mund të ndjekin kanë plot, në gjendje t’u përforcojnë besimin se kanë po aq aftësi sa edhe djemtë. Barrierat kryesore, me natyrë psikologjike e shoqërore, tejkalohen, mjafton dëshira!
Së fundi, dua të përmend edhe rolin e veçantë që ka matematika në fushën e shkencave të natyrës dhe të teknikës.
- Së pari matematika është gjuha në të cilën flitet e shkruhet në këto shkenca, është formalizmi që mundëson zhvillimin e tyre në vetvete, po aq sa edhe në komunikimin ndërmjet disiplinave të ndryshme, për të lejuar modelimin e të kuptuarit të fenomeneve gjithnjë e më komplekse.
- Së dyti, por jo më pak e rëndësishme është shkenca e të menduarit, e strukturave, e analizës sistematike. Matematika të mëson si të mësosh dhe si të kuptosh.
Sigurisht që të merresh me matematikë nuk është e lehtë! Kërkon punë e vullnet, këmbëngulje dhe disiplinë, mprehtësi e rigorozitet mendimi, fantazi e kreativitet, abstraksion e saktësi.
Por puna me matematikën është shpërblyese. Edhe në aspektin intelektual! Matematika dhe shkencat perfeksionojnë aftësitë. Ndërkohë që këto të fundit janë thelbësore për sukses.
Studoni matematikë dhe shkenca të sakta.
Mundi i investuar gjithnjë shpërblehet!
Eranda Dragoti – Çela
Eranda Dragoti – Çela (lindur Çela) ka kryer shkollën e mesme të përgjithshme në Gjimnazin “Gjergj Katrioti”, në Durrës. Diplomohet shkëlqyeshëm më qershor 1987. Më pas vazhdon studimet në degën Matematikë 5 vjeçare, pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. Edhe këtu diplomohet shkëlqyeshëm më korrik 1992. Emërtimi i diplomës “Matematikane”!
Në periudhën janar 1993-dhjetor 1995, kryen studimet e doktoraturës në Universitetin Teknik të Grazit (TU Graz), Austri, ku promovohet për rezultatet e shkëlqyera si Doktore e Shkencave Teknike. Teza e saj e doktoratës studion problemet e caktimeve (The quadratic assignment problems: special cases and relatives, TU Graz, 1995, anglisht). Një version i zgjeruar i tezës gjendet i botuar në formën e një monografie, me titull “The quadratic assignment problem: Theory and algorithms”, Kluwer Academic Publishers, Dordrecht:1998, The Netherlands.
Më pas vazhdon punën dhe studimet postdoktorale po në TU Graz, periudhë e cila shoqërohet me vizita kërkimore në universitete të ndryshme të Evropës, si në TU Eindhoven (Holandë), TU Denmark (Danimarkë), Universita degli Studi di Trento (Itali). Në maj 2001 i akordohet nga TU Graz “Venia Docendi”, në degën Matematikë e Aplikuar, me tezë docenture të titulluar “NP-hard location problems: efficiently solvable special cases and lower bounds” (anglisht).
Në periudhën shtator 2002 – gusht 2007 punon pranë Siemens, në Vjenë, ku drejton një ekip të matematikës së financave, aktiv në fushën e optimizimit të portofolave financiare dhe prognozave. Në shtator të vitit 2007 i kthehet përsëri punës në universitet, tashmë në gradën “Profesore e asociuar”, në TU Graz, ku edhe vazhdon të kontribuojë aktualisht.
Interesat profesionale fokusohen në fushën e optimizimit kombinator e diskret, në veçanti në identifikimin e problemeve të zgjidhshëm në kohë polinomiale e shfrytëzimin e tyre për të ndërtuar algoritme për zgjidhjen aproksimative të problemeve më të përgjithshme e komplekse. Tema të tjera interesash të ndërthurura ose jo me optimizimin kombinator janë teoria e algoritmeve në grafe, teoria e lojrave, optimizimi i portofoleve financiare, si edhe aplikime konkrete të metodave të optimizimit në industri e ekonomi.
Prof. Dragoti-Çela ka botuar aktualisht rreth 25 artikuj në revista shkencore të referuara; është pjesëmarrëse e rregullt dhe aktive në konferenca e simpoziume shkencore, si edhe referente për më shumë se 20 revista shkencore ndërkombëtare në fushën e saj të interesit. Është anëtare e Shoqatës Austriake të Matematikes (ÖMG), si edhe e Shoqatës Austriake të Kërkimeve Operacionale (ÖGOR). Ka shërbyer si pjesëtare e bordit drejtues të ÖGOR për periudhën dhjetor 2008 – dhjetor 2016.