Nga Ken Robinson dhe Lou Aronica
Përtej detyrimeve specifike sociale që mund të ndiejmë nga familjarët, të afërmit dhe miqtë, mund të themi se ka edhe të llojit që janë pjesë e kulturës sonë të përgjithshme. Në këtë argument, do ta përkufizoj kulturën si bashkësinë e vlerave dhe të formave të sjelljes që karakterizojnë grupe të ndryshme sociale. Kultura është sistemi i lejeve për të vepruar ose jo në një mënyrë të caktuar. Ndryshe janë sjelljet dhe qëndrimet e pranueshme dhe të papranueshme në komunitete të ndryshme, që janë miratuar ose që nuk janë miratuar. Nëse nuk jeni në gjendje të kuptoni dhe të silleni sipas kodeve të kulturës, thjesht etiketoheni si ‘i tmerrshëm’ (me shumë edukatë!).
Gjithmonë do ta kujtoj një burrë, që u vu në një situatë tmerrësisht të keqe, në Malibu, California. Ai parakaloi me një pamje të ngrefosur, por për ne krejtësisht të pabesueshme që do na ofrohej në atë vend, duke shkaktuar në plazhin e mbushur plot me të huaj, një lidhje të thellë, si ndërmjet njerëzve që shohin diçka, por nuk mund të ndihmojnë. Ishte rreth të dyzetave. Mendoj se duhej të ishte ndonjë lloj ekzekutivi dhe se në rrethana të caktuara duhej të bënte figurë, por këtu, në plazh, jo. Në një zonë ku mbizotëronte kultura fizike dhe atletika, ai dukej i zbehtë, leshator dhe me një trup të varur, që tregonte qartë se i kalonte ditët prapa tavolinës së punës, ndërsa netët në divan. Dhe përsëri mund t’ia falësh të gjitha këto. Por jo tangat e najlonit me figura të stampuara tigri.
Tangat të lenin përshtypjen sikur kishte vënë një maskë oksigjeni. Një fije elastike e ndihmonte t’i mbante gjërat në vend, rrotullohej nëpër bel dhe i shtrëngohej ndërmjet mollaqeve. Parada vazhdoi përgjatë gjithë gjatësisë së bregut, në dukje shumë i kënaqur që sytë e të gjithëve ishin drejtuar te ai. Të jepte përshtypjen se i kishte caktuar vetes rolin e modelit, një rol që e meritonte për shkak të tërheqjes fizike, si dhe të magnetizimit seksual të rrobave të banjës, që duhej të pasqyrohej në dritën e shkëlqyer të brohoritjeve popullore. Por me sa dukej nuk ishte ashtu! “Të paktën të ishte depiluar” – foli burri pranë meje.
Pse gjithë sa më sipër sikur na hipnotizoi? Dhe nuk kishte të bënte me faktin se ai kishte një opinion tepër të lartë për bukurinë e tij. Përkundrazi! Por ai ishte tërësisht larg kontekstit. Ajo lloj rrobe banjosh mund të kishte funksionuar në jug të Francës, por në Malibu, për arsye nga më të ndryshmet, ishte tërësisht e gabuar. Ka një kod të pashkruar për veshjen dhe pamjen e burrave në plazhet e California-s. Duhet të jetë një përzierje e mençur ndërmjet paraqitjes prej kapadaiu me modestinë e të qenit në publik. Busti i lyer me vaj dhe muskujt e fryrë janë shumë mirë, por mollaqet e zbuluara jo. Në të gjithë plazhet e Amerikës, paraqitja duhet të jetë një përzierje e të qenit seksi me maturinë, dhe gjithnjë pa e tepruar me të parën.
Pak kohë pas kësaj ngjarje, së bashku me bashkëshorten time, Terry, ishim në Barcelona në verë për pushime. Plazhet përreth moleve janë ngado dhe shpesh i gjen edhe në qendër të qytetit. Në kohën e drekës, zyrtarët e administratës, burra dhe gra, të rinj dhe të reja, i drejtohen plazheve të qytetit dhe bëjnë plazh kryesisht me tanga, por edhe lakuriq. Në Spanjë, një gjë e tillë është plotësisht e pranueshme. Do të ishte e çuditshme të shohësh dikë veshur në pantallona të shkurtra dhe me bluzë. Kultura e pranon që njerëzit të vinë vërdallë lakuriq në plazh.
Të gjitha kulturat sociale promovojnë atë që përshkruhet si “sjellje infektuese”. Një nga shembujt më të mirë është gjuha dhe, në veçanti, thekset dhe dialektet. Këto janë ilustrime të mrekullueshme të impulsit të kopjimit dhe të konformit. Do të ishte e çuditshme për dikë, lindur dhe rritur në malësitë e Scotland-it ose të Badlands të mos flasë dialektin lokal, një anglishte me theks lokal dhe, do të ishte e po aq pabesueshme, në mos e mahnitshme, të fillojë të flasë frëngjisht apo hebraisht. Dhe do të ishim njësoj të habitur, nëse një fëmijë e flet gjuhën lokale në një dialekt krejtësisht të ndryshëm, ose me theksin e një krahine tjetër. Instinkti natyror i një fëmije është të kopjojë e imitojë, dhe ndërsa rritet, përthith jo vetëm tingujt që dëgjon, por edhe ndjeshmëritë që shprehen dhe kulturën që përçon. Gjuhët janë mbartëset e gjeneve kulturore. Ndërsa mësojmë një gjuhë, thekset dhe mënyrat e të folurit të saj, njëkohësisht mësojmë edhe mënyrat si të mendojmë, ndjejmë dhe hyjmë në marrëdhënie.
Por kultura në të cilën rritemi ndikon jo vetëm vlerat dhe perceptimet tona. Ndikon edhe trupin tonë dhe mund të na ri-strukturojë edhe trurin. Gjuha, përsëri, është shembull kryesor. Ndërsa mësojmë të flasim, goja dhe organet tona të të folurit adaptohen në nxjerrjen e atyre tingujve që përdor gjuha jonë. Ndërsa rritemi, nëse mësojmë të flasim vetëm një apo dy gjuhë, bëhet fizikisht e vështirë krijimi i atyre tingujve që mund të kërkojë të folurit e një gjuhe tjetër, kultura e së cilës e merr për të mirëqenë – për shembull tingujt që bëhen me buzë të spanjishtes apo ato grykorë të frëngjishtes, apo tingujt muzikorë të disa gjuhëve aziatike. Që të flasësh një gjuhë të re, kërkon të trajnosh trupin për të prodhuar dhe kuptuar tinguj të rinj. Por sikundër theksuam edhe më lart, efektet e kulturës mund të shkojnë edhe më thellë – deri në strukturat aktuale të trurit.
Në këta vitet e fundit janë kryer një sërë studimesh të mrekullueshme për diferencat në perceptimet vizuale ndërmjet njerëzve që vinë nga Perëndimi dhe atyre që vinë nga Azia Lindore. Këto studime sugjerojnë që kultura ku rritemi ndikon proceset tona bazike, me mënyrën se si e shohim botën përreth. Në një nga këto studime, perëndimorëve dhe aziatikëve u kërkohej të vështronin një seri fotografish dhe, më pas, të shpjegonin çfarë panë. Analiza e përgjigjeve nxori në pah diferenca të rëndësishme. Nëse i përmbledhim, perëndimorët tentojnë të fokusohen më shumë në ato që spikatin në pikturë dhe i konsiderojnë si subjekt. Aziatikët fokusohen më shumë në të gjithë imazhin, përfshirë marrëdhëniet ndërmjet elementeve të ndryshëm. Për shembull, në një kopertinën e një libri shihej një skenë nga xhungla, përfshirë edhe një tigër. Për një fotografi të tillë, nëse pyesim një perëndimor se çfarë sheh, përgjithësisht pohon: një “Tigër.” Për lexuesit perëndimorë të këtij libri, përgjigja mund të duket më se e arsyeshme. Ndërkohë një aziatik përgjithësisht pohon, se sheh “xhunglën dhe një tigër” ose “tigri dhe xhungla”. Diferenca është shumë e rëndësishme dhe ka lidhje me diferencat e mëdha kulturore në pikëpamjet e aziatikëve dhe të perëndimorëve.
Në artin Aziatik është e zakonshme të mos theksohet portreti dhe individualiteti i subjektit, gjë pothuaj e padiskutueshme në artin Perëndimor. Në kulturën Aziatike i jepet më shumë rëndësi kolektivitetit dhe më pak individit. Filozofia Perëndimore, që në kohën e grekëve të lashtë ka theksuar rëndësinë e të menduarit kritik, të analizës logjike dhe të ndarjes së ideve nga gjërat në kategori. Filozofia kineze nuk bazohet dhe aq shumë në arsyetimin logjik dhe deduksionin, por tenton të theksojë marrëdhëniet dhe holizmin. Këto diferenca në perceptime bëhen shkas për diferenca në kujtesë dhe vlerësim. Të paktën një studim sugjeron se me kalimin e kohës, diferenca të tilla çojnë në diferenca strukturore në tru.
Kërkues shkencorë nga Illinoisi dhe Singapori kanë monitoruar aktivitetin e trurit në një grup vullnetarësh, të rinj dhe të vjetër, të cilët duhej të shikonin një seri imazhesh me subjekte dhe sfonde të ndryshëm. Duke përdorur rezonancën magnetike funksionale (fMRI), e fokusuan aparatin në atë pjesë të trurit që njihet si lobi lateral okupital, i cili është përgjegjës për perceptimin dhe përpunimin e informacionit vizual, si dhe organizimin e proceseve komplekse të perceptimit vizual të objekteve. Të gjithë pjesëmarrësit në moshë të re treguan aktivitet të ngjashëm të trurit, ndërsa sa i takon pjesëmarrësve të vjetër, matjet treguan diferenca në përgjigjen e neuroneve në varësi të origjinës: tek pjesëmarrësit e vjetër që vinin nga Perëndimi, lobi lateral okupital mbeti aktiv, ndërsa tek pjesëmarrësit e vjetër që vinin nga Azia, neuronet u përgjigjën në nivele minimale.
Dr. Michael Chee është profesor në “Cognitive Neuroscience Laboratory”, në Singapore dhe bashkautor në studimin e mësipërm. Nga konkluzionet: “Pjesët e trurit që përfshihen në procesimin e sfondit dhe të objekteve përfshihen në mënyra të ndryshme nga të dy grupet e pjesëmarrësve të vjetër, që vinë nga zona gjeografike të ndryshme dhe – do të thotë – edhe nga sfonde të ndryshëm kulturor”. Dr. Denise është pedagoge e psikologjisë në Universitetin e Illinois-it dhe kërkuese në shumë projekte shkencore. Në pikëpamjen e saj, këto diferenca rezultojnë të vinë si pasojë e faktit, që kulturat e Azisë lindore “janë më të ndërvarura dhe individët shpenzojnë më shumë kohë në monitorimin e mjedisit dhe të të tjerëve. Ndërsa Perëndimorët fokusohen te individi dhe objektet qendrore, sepse këto kultura kanë trendin të jenë të pavarura dhe të fokusohen më shumë te vetja se sa te tjetri.” Sipas Dr. Denise këto studime tregojnë se kultura mund të skalitet në tru.
Si dhe deri në çfarë mase ndodh sa më sipër, në ditët e sotme ka tërhequr një numër të madh studiuesish edhe nga disiplina të tjera. E qartë është vetëm, se ajo çfarë aktualisht shohim është një botë e ndikuar nga kultura, jo vetëm çfarë mendojmë se shohim. Kultura na ndikon të gjithë ne, në mënyra të paperceptueshme.