Nga Prof. Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
- Fjala e përshëndetëse dhe e mirëseardhjes, në simpoziumin “Quo vadis humanitas” dhe promovimin e librit “Çfarë është jeta” të Erwin Schrodinger
Ky simpozium është i veçantë për temën e tij aq intriguese: “Ku po shkon njerëzimi?”, pyetje e shtruar që në origjinën e tonë, si qenie njerëzore, dhe gjithmonë, në çdo kohë, ka marrë e merr përgjigje të ndryshme dhe, çdo herë, përgjigjja ka më shumë të panjohura se vetë pyetja.
Pa dyshim idetë e Schrodingerit, të shtruara në librin e leksionet e tij mbi jetën “Çfarë është jeta” sollën në mendimin shkencor të kohës ndryshime kopernikane. Ato tronditën rëndë kufijtë e disiplinave, duke shembur kufijtë midis botës së gjallë dhe botës tjetër, duke relativizuar kufijtë midis tyre.

Zbulimet e idetë e mëdha prishin rehatinë mendore, cenojnë status quo-të, ndryshojnë rrjedhat e mendimit shkencor, bëhen shkak për ndryshime rrënjësore, për ide e qasje të reja. Të tilla kanë qenë, për dekada me radhë, idetë e Schrodingerit.
Pyetjet e idetë e tij janë edhe sot po aq aktuale. Raportet e njeriut me natyrën kanë ndryshuar, mendja e njeriut siç dihet arrin të dyfishojë trashëgiminë intelektuale të njerëzimit në harkun e dhjetë vjetëve, në saj të tyre kanë lindur sendet me tru dhe gjithnjë e më shumë ato kërkojnë të konkurrojnë e të sfidojnë vetë krijuesin e tyre, mbartësin e vetëm të mendimit, homo sapiensin.
Krahas këtyre zhvillimeve mahnitëse, njerëzimi dhe shkenca po përballen dhe me shumë sfida, pasi kanë prekur në zona delikate, si modifikimi gjenetik, vet kodin e jetës, pasi ndërkohë që mendohet të organizohet turizmi në Hënë, njerëzimi sfidohet këtu në Tokë nga shumë rreziqe të padukshme, si virusi Sars COV-2 e këto sfida, e kontraste bëjnë që gjithnjë e më të pashmangshme të jenë pyetjet: “Çfarë është jeta?”, “Si do jetë jeta?”, “Ku po shkon njerëzimi?”
Pyetje, të cilat i ka shtruar e u ka dhënë përgjigje si askush më parë nobelisti Schrodinger me librin e tij. Prandaj ardhja e veprës së tij në shqip, qoftë dhe me vonesë, është shumë e mirëpritur. Lexuesi shqiptar ka nevojë për të, e veçanërisht kërkuesit e rinj.
Urime znj. Nathanaili për përkthimin e Shrodingerit në shqip!