Dr. Esmeralda Shehaj

Në periudhën post-komunizëm, Shqipëria ka përjetuar nivele të larta migrimi, pjesë e së cilës ishte edhe “Largimi i trurit”. Periudha 1989-1998, njihet si Faza I e “Largimit të trurit”. Gjatë kësaj periudhe lanë vendin 38.5 % e akademikëve dhe kërkuesve (Strategjia Kombëtare e Migrimit). Universitetet publike ishin institucionet që u prekën më shumë nga ky fenomen, duke humbur rreth 1/3 e stafit mësimdhënës (Schimdt, 2003). Faza II fillon pas vitit 1998 dhe shtrihet deri në ditët tona. Në këtë fazë, “Largimi i trurit”, që njihet gjithashtu edhe si “Fenomeni Kanada” (UNDP, 2000), kemi një numër të lartë aplikimesh të të rinjve për migrim në SHBA (rreth 100 000 aplikime/vit) dhe Kanada (rreth 10 000 aplikime/vit), për disa vite me radhë.

Sa i takon aplikimeve për në Kanada, një nga kërkesat kryesore ishte diploma e universitetit, ndërkohë që shpesh fenomeni nuk ishte individual, por familjar, që nënkupton edhe probabilitete më të ulëta të kthimit, po aq sa edhe një nivel më të lartë humbje të kapitalit financiar & human. Në vitin 2011, 40% e akademikëve dhe kërkuesve jetonin jashtë vendit.

Për sa i përket vendndodhjes & vendbanimit, në vitin 2005, 26.3% e lektorëve dhe kërkuesve shqiptarë, që emigruan në periudhën post-komuniste, jetonin në SHBA; 18.4% në Kanada dhe 13.7% në Itali (UNDP, 2006). Duke ndjekur argumentin e Breinbauer, që “largimi i trurit” është tipikisht një largim i të rinjve, dhe pasur në vëmendje të dhënat, sipas të cilave 1/3 e shqiptarëve studiojnë jashtë vendit (Breinbauer, 2008), thithja e trurit është një çështje që vazhdon edhe sot, sepse këta të rinj që arsimohen jashtë i kanë të gjitha mundësitë të stabilizohen e të kërkojnë të qëndrojnë në vendet ku kanë kryer studimet.

Ky artikull paraqet arsyet e kthimit të individëve shumë të kualifikuar në Shqipëri, eksperiencat e jetuara në atdhe pas kthimit, si dhe mundësitë, kur ekzistojnë, për një ri-migrim në të ardhmen. Punimi bazohet në të dhëna të marra nga një pyetësor, zhvilluar në Shqipëri ndërmjet periudhës shtator 2010-janar 2011. Në pyetësor morën pjesë 108 individë që kanë studiuar jashtë dhe/ose kanë jetuar jashtë për periudha të zgjatura. Përzgjedhja e këtyre individëve nuk ishte rastësore, por u bë nëpërmjet rrjeteve sociale të hetuesve kryesorë të këtij studimi dhe u dominua, kryesisht, nga individë me prejardhje akademike. Nga personat që morën pjesë në anketim, 27 janë pedagogë me kohë të plotë të stafeve të universiteteve publike ose private; të tjerët janë të punësuar në institucione qeveritare ose shtetërore, si Ministritë dhe Banka Qendrore, si dhe në organizata / biznese private, kombëtare dhe ndërkombëtare.

Të dhëna demografike

Mosha mesatare e të anketuarve është afro 32 vjeç, që shtrihen në intervalin (20-55) vjeç. Shumica e të kthyerve janë 26-35 vjeç, ndërkohë që 56% janë femra. Akoma: 55% janë të pamartuar, 33% janë të martuar, 9% janë të fejuar, ndërsa pjesa tjetër janë të divorcuar/vejusha; 51% kanë përfunduar studimet master, 18% kanë përfunduar studimet e doktoraturës, 29% kanë një diplomë të nivelit të parë (bachelor) dhe vetëm 2% e të kthyerve kanë nivele më të ulëta të diplomës; 52 nga 108 të kthyer që janë përfshirë në zgjedhje kanë studiuar në fushën e shkencave ekonomike. Sa i takon gjuhës së folur, 95% pohojnë se e kanë gjuhën shqipe si gjuhë mëmë, ndërsa 5% flasin greqisht ose maqedonisht si gjuhën e tyre mëmë. Të gjithë flasin, të paktën, një gjuhë të huaj, 41% flasin tre dhe 31% flasin dy gjuhë të huaja. Shumica e të kthyerve të anketuar flasin anglisht (88%) dhe italisht (72%). Gjuhë të huaja të tjera që fliten prej tyre dhe që nuk janë të listuara në gamën e përgjigjeve janë: spanjisht, turqisht, bullgarisht etj. Mesatarisht, individët e kthyer të anketuar kanë ndenjur jashtë vendit për 5.8 vite, me një minimum prej 1 vit dhe një maksimum prej 15 vite, me një devijim standard 3.

Para migrimit jashtë vendit, gjysma e të kthyerve kanë ndërmarrë një trajnim të ndërtuar specifikisht për t’i përgatitur ata për të jetuar ose për të punuar jashtë vendit: 35% e të kthyerve kanë ndjekur kurse të gjuhëve të huaja, 15% kanë ndjekur studimet universitare, 12% kanë marrë pjesë në trajnim profesional dhe vetëm pak kanë ndjekur kurse për orientimin kulturor ose kurse pasuniversitare. Në total, ka 55 të kthyer që kanë ndjekur kurse të ndryshme për qëllime të përgatitjes për migrim dhe 43 prej tyre (78%) kanë marrë një diplomë ose një certifikatë për këtë trajnim. Përafërsisht 72% e rasteve (në të cilat ishte me rëndësi për të pyetur) raportojnë se ndjekja e këtyre trajnimeve/studimeve ishte e dobishme dhe 62% raportojnë se ishte e nevojshme për të gjetur punësim jashtë vendit.

Rreth 70% e të kthyerve kanë jetuar vetëm në një vend, të tjerë kanë jetuar në më shumë se një vend. Në episodin e parë të largimit për më shumë se 6 muaj, pjesa më e madhe e të kthyerve janë vendosur në Itali (26), Greqi (14), Rumani(13), Gjermani (12) dhe Mbretërinë e Bashkuar (10). Vende të tjera pritëse kanë qenë: Polonia, Bullgaria, Turqia, SHBA dhe ndër më pak të frekuentuarat Franca, Spanja, Norvegjia, Irlanda etj. Vendi i destinacionit të parë, përgjithësisht, përputhet me vendin ku individët e kthyer kanë kaluar pjesën më të madhe të kohës së tyre jashtë vendit. Në episodin e parë, periudha mesatare e qëndrimit është rreth 5 vite (me një minimum prej 6 muajsh, një maksimum prej 17 vitesh dhe devijim standard 3.3), e cila nuk është shumë e ndryshme nga e gjithë periudha jashtë vendit. Këto të dhëna mbështesin pikëpamjen se, në përgjithësi, emigrantët e kualifikuar synonin të qëndronin dhe të arrinin edukimin e tyre dhe /ose kualifikimin në vetëm një vend.

Arsye për të ikur

80 nga 108 të anketuar, si arsye të parë për zgjedhjen e destinacionit të parë për të migruar listojnë cilësinë e lartë të edukimit në universitet. Bursat e dhëna nga universitete të ndryshme të huaja janë arsyeja e dytë më e rëndësishme. Për pjesën tjetër të të anketuarve, renditja e arsyeve të listuara ka ngjashmëri, pavarësisht nëse ato janë përmendur si arsye e parë, e dytë apo e tretë për nga rëndësia. Këto arsye janë identifikuar, gjithashtu, si arsyet më të rëndësishme për t’u larguar nga vendi. Pra, si arsye kryesore për të lënë vendin e origjinës (jo vetëm në episodin e parë të migrimit), të anketuarit i përgjigjen në mënyrë të ngjashme, që sipas rëndësisë kanë këtë paraqitje:  

  • Edukimi dhe cilësia e tij, kualifikimi i mëtejshëm dhe bursat;
  • Mungesa e perspektivës për karrierë në të ardhmen dhe e një vendi pune;
  • Pamja pesimiste e zhvillimit ekonomik dhe politik të vendit; 
  • Mësimi i gjuhëve të huaja, eksperiencat e reja dhe kulturat;
  • Arsye familjare: të pavarur nga familjet e tyre, kujdesi për fëmijët etj.  

38% kanë përfituar nga skema të ndryshme mbështetëse, qeveritare dhe organizatash, të krijuara për të mbështetur njerëzit për të shkuar jashtë vendit për qëllime studimi a pune.

Vetëm pak individë të kthyer ishin të martuar në kohën që u larguan nga vendi dhe gjysma e të martuarve shkuan jashtë vendit me bashkëshortin/en e tyre. Të tjerë migruan vetëm për arsye të ndryshme, kryesisht sepse ishte më e favorshme nga ana financiare dhe/ose duhet të kujdeseshin për fëmijët. Ata që migruan me bashkëshortin/en, tregojnë se arsyeja për këtë ishte fakti që ishte më mirë për familjen të ishin bashkë në terma financiarë dhe emocionalë, ose sepse kishin vendosur të jetonin jashtë vendit në atë kohë. Gjatë periudhës që individët e kthyer qëndruan jashtë, në vendin ku shpenzuan pjesën më të madhe të kohës, përgjithësisht jetonin në zona ku shumica ose të gjithë banorët ishin vendas (87.9 %) dhe rreth 82 % deklaruan se kishin kontakte të shpeshta ose shumë të shpeshta me banorët lokalë, që mund të jetë një tregues i integrimit me kulturat e reja dhe mënyrën e jetesës.

Vetëm 8 (ose 7%) nga 108 emigrantë të kthyer, nuk kanë studiuar ose nuk janë trajnuar jashtë vendit; 67% kanë përfunduar studimet universitare, 41% kanë përfunduar studime post-universitare, 8% kanë ndjekur trajnime për orientim, 17% kanë ndjekur trajnim për gjuhët, 12% kanë marrë pjesë në trajnim në vendin e punës dhe 8% në trajnime për të rritur kualifikimet ekzistuese në nivelin e standardeve lokale.

63 nga të kthyerit e anketuar nuk kishin punuar ndërsa ishin jashtë vendit, ndërsa pjesa tjetër pohojnë se kanë kryer lloje të ndryshme punësh, shumë prej të cilave nuk kishin lidhje me profesionin kryesor apo atë të synuar, që mund të konsiderohet si “harxhim i trurit”. Rreth 58% punuan vetëm në një punë gjatë qëndrimit jashtë vendit dhe mesatarisht kanë qëndruar në vendin e tyre të parë të punës për dy vjet e gjysmë. Gjatë periudhave të migrimit, dy të tretat e individëve të kthyer nuk kishin patur ndonjë periudhë kur ata nuk mund të gjenin ndonjë punë (kanë punuar, mesatarisht, 32 orë/javë gjatë periudhave të punësimit); 1/3 ka hasur vështirësi në gjetjen e një pune dhe ka qenë e papunë për një periudhë mesatare 7 mujore.

Të gjithë individët e anketuar kanë ruajtur kontaktet me Shqipërinë: 1/4 ka ardhur në Shqipëri të paktën 1 herë/vit dhe rreth 40% kanë udhëtuar më shpesh; 12% kanë dërguar para tek familjet apo miqtë në vendin e origjinës gjatë periudhës së qëndrimit jashtë vendit, dhe kohët e fundit e bënë një gjë të tillë të paktën 1herë/vit. Remitancat u dërguan kryesisht tek familjet prindërit apo bashkëshorti/ja/fëmijët) dhe u përdorën për shpenzime jetese.

Arsyet kryesore për kthim në vendin e origjinës

Arsyet kryesore për kthim në vendin e origjinës janë të natyrës personale, konkretisht, lidhja e fortë emocionale që kanë pasur me familjet (32 individë) dhe vendin e tyre. Arsye të tjera të rëndësishme në këtë kontekst janë të lidhura me karrierën profesionale dhe perspektivat që kishin në vendin pritës krahasuar me vendin e origjinës. Disa prej emigrantëve u kthyen sepse nuk mundën të gjenin një punë, ose sepse  nuk iu ofruan shanse më të mira; të tjerë sepse kishin pritje për shanse më të mira për zhvillimin e karrierës në Shqipëri, ose thjesht sepse menduan se mund të gjenin një punë më lehtë aty. Së fundmi, në lidhje me arsyet profesionale, disa prej tyre u kthyen sepse kishin kontrata që duhet të ktheheshin në vendin e origjinës me përfundimin e studimeve. Një numër i konsiderueshëm individësh është kthyer, sepse kanë përfunduar studimet ose kanë fituar eksperiencën e kërkuar dhe/ose thjesht sepse nuk kishin si synim të qëndronin jashtë vendit për periudha më të gjata.

Për sa i përket arsyes së dytë më të rëndësishme që ndikoi vendimin e kthimit, situata është pak më ndryshe. Arsyet profesionale të renditura më sipër janë arsyet e dyta më të rëndësishme dhe janë të lidhura si me mundësitë profesionale në vendin pritës ashtu edhe në atë të origjinës. Arsyet personale dhe familjare, si dhe dëshira për të jetuar në Shqipëri dhe/ose për të kontribuar për zhvillimin e tij janë, gjithashtu, të rëndësishme. Arsye të tjera përfshijnë kostot e larta të studimit dhe jetesës jashtë vendit, sepse menduan se do të kishin një të ardhme dhe status ekonomik dhe social më të mirë në Shqipëri. Këto arsye gjenden, gjithashtu, të renditura kur individët e kthyer pyeten për një arsye të tretë për kthimin në vendin e tyre të origjinës.

Në disa raste, ishte e vështirë për individët e kthyer të anketuar që të deklaronin se cila nga arsyet ishte më e rëndësishmja kur ata vendosën të ktheheshin, sepse ndërthureshin. Lidhjet emocionale dhe sociale me familjet, miqtë dhe vendin e origjinës, mbeten arsyeja më e rëndësishme, e ndjekur nga arsye të karrierës profesionale. Qasja më e madhe në tregun e punës, njohuritë më të mira në lidhje me të dhe reputacioni i shtuar i diplomës së huaj, kanë ndikuar pozitivisht vendimin për t’u kthyer në vendin e origjinës.

Përafërsisht 29% e individëve të kthyer të anketuar sollën para me vete kur u kthyen dhe më shumë se gjysma e tyre (rreth 60%) i përdorën këto para për shpenzimet e përditshme të jetesës. Rreth 20% i ruajtën këto remitanca. Të tjerë i përdorën për të blerë shtëpi, mobilie apo të mira të tjera materiale (13%).

Rreth 93 % e individëve të kthyer janë të punësuar. Të kthyerit e anketuar e gjetën punën e tyre mesatarisht tre muaj pas kthimit dhe, që atëherë, kanë punuar, përafërsisht, 41 orë/javë. 35% e të anketuarve e gjetën punën duke dërguar CV-të në punëdhënës të ndryshëm, 32% nëpërmjet reklamimit në media dhe 18% nga miqtë a të afërmit. Një përqindje e ulët e individëve të kthyer ngritën biznesin e tyre.

90% e të anketuarve mendojnë se eksperiencat jashtë vendit i kanë ndihmuar të gjejnë mundësi më të mira për punë që nga kthimi i tyre; 58% mendojnë se edukimi dhe trajnimi jashtë vendit kanë qenë faktori më i rëndësishëm në gjetjen e punës; 36% e konsiderojnë eksperiencën e përgjithshme jashtë vendit si faktorin më të rëndësishëm.

Ata që nuk patën ndonjë avantazh nga edukimi/eksperienca jashtë vendit në gjetjen e një pune në vendin e origjinës, mendojnë se dobësimi i lidhjeve sociale me Shqipërinë ishte një faktor i rëndësishëm. Disa prej tyre mendojnë se edukimi jashtë vendit ndonjëherë nuk perceptohet si më i mirë, krahasuar me të tjerë që kanë studiuar në Shqipëri. Gjithashtu ka disa raste, kur të anketuarit thonë se ata janë diskriminuar në vendin e punës për shkak të edukimit të huaj.

Përafërsisht 70% e individëve të kthyer të anketuar, ndihen më mirë ose shumë më mirë se para largimit nga vendi dhe shumë pak prej tyre (8%) ndihen më keq. Ndjesia e tyre më e mirë lidhet kryesisht në terma profesionalë dhe financiarë, ndërkohë ata që ndihen më keq janë pesimistë për të ardhmen ose nuk kanë gjetur ende punësim në profesionin e tyre.

Synime për të ardhmen

Për sa i përket synimeve për të ardhmen, për ta lënë vendin e origjinës përsëri, të anketuarit ndahen në dy grupe pothuajse të barabartë. Në grupin e atyre që nuk marrin në konsideratë një largim të ri, faktori më i rëndësishëm ka natyrë familjare (79%). Më pas: mundësi më të mira për karrierë (22%), si dhe arsye emotive (18%).

Individëve të kthyer iu kërkua, gjithashtu, të rendisnin në një shkallë nga 1 (shumë e mundshme) në 5 (shumë e pamundur), mundësinë e largimit nga vendi në 6 muajt e ardhshëm dhe në 2 vitet e ardhshme. Rreth 10% e individëve të kthyer thonë se ka shumë mundësi që ata të largohen nga Shqipëria në gjashtë muajt e ardhshëm, % e cila rritet kur merret në konsideratë largimi nga Shqipëria në dy vitet e ardhshme (13%).

Në grupin e atyre që marrin në konsideratë një largim të ri, rreth 1/3 e të anketuarve do të donin të shkonin jashtë vendit për të ndjekur studime të avancuara ose një trajnim tjetër; 1/4 do ta bënte një gjë të tillë për një të ardhme më të mirë për ta, familjet dhe fëmijët, kushte më të mira sociale, politike dhe financiare, si dhe standarde e cilësi më të mira të jetesës. Ajo që duhet të theksohet është se disa nga individët e kthyer do të donin të migronin sërish, sepse nuk ndjejnë se marrin vlerësim për atë që bëjnë. Vendet kryesore potenciale për destinancion janë vendet e Europës Perëndimore, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja. Vendi i zgjedhur është i njëjtë me atë që individët kishin në mendje kur vlerësonin mundësinë e largimit nga vendi dhe për këtë arsye ofrojnë vlerësim të ngjashëm, kur konsiderojnë migrimin në një vend të caktuar. Arsyet kryesore për zgjedhjen e një vendi të caktuar janë cilësia e edukimit dhe eksperiencat e mëparshme të migrimit në atë vend. Arsye të tjera përfshijnë gjuhën dhe afërsinë gjeografike si dhe faktorët makro ekonomikë si: zhvillimi ekonomik, social dhe politik. Ndër arsyet me natyrë familjare, pasja e anëtarëve të familjes, miqve ose të afërmve jashtë vendit shpesh renditet si një faktor i rëndësishëm që ndikon destinacionin. Rreth 35% e të anketuarve janë në gjendje të financojnë shpërnguljen jashtë vendit, 42% nuk e dinë nëse munden dhe 22% nuk munden.

Konkluzione

  • Cilësia e ulët e arsimit të lartë në vend është një faktor shtytës për migrimin e përkohshëm ose të përhershëm ndërkombëtar. Një gjetje e tillë rrit përgjegjshmërinë për të rritur cilësinë e arsimit të lartë në Shqipëri, si një strategji për “thithjen e trurit” në terma afatgjatë ose për të minimizuar strategjinë e “largimit të trurit”.
  • Mungesa e perspektivës për karrierë në të ardhmen dhe pamja pesimiste në zhvillimin politik dhe ekonomik të vendit janë përcaktues të rëndësishëm për t’u sistemuar jashtë vendit ose për ri-migrim, ndërkohë që nga ana tjetër, ka dakordësi se një diplomë e huaj dhe/ose një eksperiencë pune jashtë vendit mund të rrisin mundësitë për paga më të larta dhe zhvillim të karrierës. Kjo gjetje bën thirrje për politikë-bërësit sa i përket rritjes së shpërblimeve për individët shumë të kualifikuar, gjë që duhet të futet në strategjitë e thithjes së trurit në të ardhmen.
  • Integrimi në vendin pritës nuk është një përcaktues i migrimit afatgjatë të individëve shumë të kualifikuar, por lidhjet e ngushta dhe kontakti i vazhdueshëm me familjet e lëna pas apo me vendin e origjinës mund të jenë përcaktues shumë të rëndësishëm të kthimit në vend. Gjithashtu, këto lidhje të ngushta mund të jenë përcaktues të rëndësishëm të vendimit për të mos ri-migruar. Natyra personale e këtyre fenomeneve dhe vendimet respektive përbëjnë një barrierë për politikë-bërësit, por lehtëson kthimin e “pakontrolluar”. Megjithatë, periudha e kërkuar për ri-integrimin në vendin e origjinës, e matur nga periudha mesatare e kohës për të gjetur një punë pas kthimit, është shumë e shkurtër dhe mund të krijojë nxitje për kthimin. Për më tepër, emigrantët e kthyer bien dakord për rëndësinë e edukimit të huaj apo trajnimit në gjetjen e një pune të re.
  • Strategjia e “Thithjes së trurit” ka qenë me pak rëndësi në vendimin për t’u kthyer për dy arsye kryesore: mungesa e informacionit dhe përshtypjet për një skemë korruptive. Megjithatë, duhet të theksohet se kjo strategji aplikohet vetëm tek doktoraturat e bëra jashtë vendit, dhe shumica e individëve të anketuar nuk kualifikohen. Të dhënat tregojnë se shumica e studentëve që i bëjnë studimet e tyre doktorale jashtë vendit nuk kthehen. Pritshmëria për shpërblime më të larta në vendin pritës për pjesën më të madhe të kësaj kategorie shumë të kualifikuar është një sfidë shumë e madhe për politikë-bërësit. Gjetjet nga pyetësori tregojnë se një zgjidhje e mundshme do të ishte bashkëpunimi (në distancë) me këtë kategori, duke i përfshirë në module apo projekte të dedikuara, duke kërkuar një qëndrim me afate të shkurtra në vend. Në fakt, qeveria e Shqipërisë aplikon edhe një tjetër skemë, e cila ofron mbështetje financiare për studentët shqiptarë doktorantë në universitetet e huaja, duke u kërkuar, në këmbim, një kontribut tre vjeçar në Shqipëri në përfundim të studimeve.
  • Edukimi jashtë vendit ka efektet e tij anësore (eksternalitetet). Një nga çështjet më interesante të ngritura nga individët e kthyer të anketuar ishte dobësimi i lidhjeve sociale ndërsa ishin jashtë vendit, dhe rëndësia e tyre për njëri-integrim më të shpejtë në shoqëri dhe në tregun e punës në kthim. Në opinionin tonë, pritjet apo perceptimet për infrastrukturën e punësimit, vështirësitë në gjetjen e një pune (nepotizmi, burokracia) dhe ndjenjat e mohimit relativ mund të çojnë në diskriminim në vendin e punës.
  • Punësimi në fushën e specializuar nuk është i garantuar. Suksesi matet në terma të të qenit i integruar profesionalisht në fushën respektive, në terma financiarë dhe në terma të perspektivave të mira.
  • Probabilitetii lartë i ri-migrimit në të ardhmen e afërt me shanse të shtuara të vetë-financimit të ri-migrimit.
  • Studime te avancuara apo trajnime të tjera është arsyeja kryesore për ri-migrim. Megjithatë, përbën shqetësim fakti që disa të kthyer do të donin të ri-migronin për shkak të mungesës së vlerësimit për atë që bëjnë në vendin e origjinës dhe studimeve të tyre jashtë.
  • Zhvillimi ekonomik, social dhe politik i vendit është një faktor shtytës shumë i rëndësishëm. Kjo gjetje e fundit sugjeron, se zhvillimi i qëndrueshëm i vendit dhe një klimë politike dhe sociale e qëndrueshme janë me përfitim për “thithjen e trurit” si dhe për vendin në përgjithësi.
  • Megjithatë, në mënyrë që të ofrohet një pamje më e plotë e migrimit dhe kthimit të individëve shumë të kualifikuar, këto gjetje duhet të analizohen dhe të konsiderohen jo si dimensione të ndara të “thithjes së trurit” apo “largimit të trurit”, por në një kornizë më të gjerë të ndërlidhjeve të përbashkëta ndërmjet arsyeve, faktorëve dhe eksperiencave, të cilat nuk janë gjithmonë të lehta për t’u ndikuar apo kontrolluar. Duke marrë parasysh të gjitha sa më sipër, krijimi i strategjive efektive të “thithjes së trurit” përbën një sfidë të vërtetë për politikë-bërësit.