Apeli: ta ndihmojmë shkollën dhe ta mbështesim

Nga Valbona Nathanaili

Urime fëmijëve dhe mësuesve sot për fillimin e vitit të ri shkollor! Dëshira do ishte që urimi të ishte tradicional. Por COVID-19 e ka bërë këtë fillimviti të jashtëzakonshëm! Jo sepse na e largoi vëmendjen nga fokusi ynë kryesor – shkollimi dhe edukimi, por sepse po na detyron ta përziejmë me nota të theksuara shqetësimi për shëndetin dhe mirëqenin e fëmijëve dhe të mësuesve që u japin mësim e u qëndrojnë afër, sepse ndryshe nga vitet e tjera, më shumë se kurrë shkolla ka nevojë për mbështetjen e prindërve dhe të shoqërisë.

Terreni ku po ecim është i panjohur. Asnjë nuk mund të thotë me siguri se si do të reagojnë fëmijët ndaj gjithë atyre masave dhe protokolleve të reja që janë vendosur, dhe këtu fillon e mbaron shqetësimi më i madh që kemi, këtu fillon e mbaron pjesa e njohur dhe e panjohur e ekuacionit shkollë të këtij viti. Por një gjë është e sigurt: kërkohet punë e përkushtim! Pas afro gjashtë muajsh shkëputje nga shkolla dhe një karantine të tejzgjatur, gërshetuar me një verë pothuaj në gjendje të lirë, kthimi i fëmijëve në nxënës nuk duket të jetë i lehtë. Masat e marra nuk kënaqin as prindërit dhe as ne që punojmë për shkollën. Papritmas çdo gjë është bërë e komplikuar! Dhe e debatueshme! Orë mësimi të reduktuara në 25 dhe 30 minuta, ku jo vetëm nuk bëhet mësim, por rriten edhe shkaqet për transmetimin e sëmundjes, shkolla me katër turne ku nxënësit do të futen në mjedise që nuk kanë kohë të pastrohen e ajrosen si duhen, mungesë vizioni për të alternuar dhe përdorur me mençuri e efikasitet ditën e shkollës së një fëmije, masat anti COVID-19 me synimin parësor që ka shkolla: mësimin. Shtuar edhe një formular që duhet ta firmosi prindi e nxënësi, pa asnjë notë humane dhe logjikë juridike, që shton stresin te fëmijët dhe akoma më shumë te prindërit!

Apeli i parë është për prindërit! Të dashur prindër, bashkëpunoni sa më shumë me mësuesit! Ndiqni protokollet që ju jep shkolla! Kur mendoni se ka diçka që nuk shkon, diçka që del jashtë logjikës së zakonshme (si tabela më poshtë), reagoni! Pyesni për detaje, kërkoni sqarime dhe sugjeroni. Por kini kujdes: mësuesit do të ndjekin e zbatojnë gjithnjë protokollin që u japin drejtuesit, prandaj mos u mërzisni me ta se nuk është faji i tyre. Janë kontakti i parë i juaji me shkollën e fëmijës dhe çdo pikëpyetje që keni janë të parët me të cilët komunikoni! Drejt! Por në këtë rast nuk është mjaft! Jam e sigurt që mësuesit duan të bëjnë më të mirën, po aq e sigurt që shumë prej tyre mund të kenë të njëjtat shqetësime si ju! Për të mirën e fëmijës në radhë të parë dhe më pas edhe të të gjithëve, mos e lini me kaq! Kërkoni takim me drejtorin, flisni me kryetarin e Këshillit të Prindërve apo të Bordit të Shkollës, drejtojuni Medias ose Ministrisë me një peticion, të cilin sa më shumë ta firmosin, aq më të madh e ka fuqinë e marrjes në konsideratë! Më të vështirë e kanë prindërit, fëmijët e të cilëve ndjekin shkollat publike, ku ndryshimi kërkon më shumë burokraci dhe asnjë nuk e di sa është buxheti që do shoqërojë masat e propozuara, por duke qenë më shumë edhe forcën e kanë më të madhe! Shkollat duhet t’i mbajmë të hapura, sepse përndryshe do bëhet edhe më keq se në mars, sepse përndryshe e kemi të humbur bastin për një të ardhme më të mirë! Dhe shkollat mund të mbahen të hapura vetëm nëse arrijmë të gjithë bashkë të komunikojmë, të diskutojmë dhe vendosim se çfarë është më e mirë për të gjithë në këtë situatë!

Apeli i dytë është për MAS! Detyra e MAS në këtë periudhë është ta bëjë gjithë situatën sa më të sigurt nga pikëpamja shëndetësore dhe sa më të përshtatshme për një mësim cilësor. Konkretisht, në formularin e vetëdeklarimit që duhet ta firmosi prindi dhe fëmija – në foto – formulimi lë shumë për të dëshiruar!

Asnjë në botë nuk mund ta thotë nëse është apo jo i sëmurë me COVID-19, pa pasur përgjigjen e një testi të kryer nga një institucion i specializuar dhe certifikuar! Kam kohë që ngre pikëpyetjen, nëse Ministria e Arsimit bashkëpunon me Ministrinë e Shëndetësisë, por formulari të heq çdo lloj dyshimi! Pa harruar që edhe vetë testi ka një % të caktuar besueshmërie! Ndërkohë, juristët dhe psikologët ngrenë probleme të tjera: të parët e bëjnë nul vlefshmërinë juridike, duke theksuar problemin e moshës së mitur, ndërsa të dytët stresin që transmeton.

Formulari duhet të riformulohet edhe një herë! Me sa duket, dita e parë e shkollës po nis me probleme! Dhe jo për faj të fëmijëve! Dhe as të prindërve! Por të institucionit që duhet të kujdesej në mos për mënjanimin e problemeve, të paktën për minimizimin e tyre!

***

Më poshtë një intervistë në Top Channel, në lidhje me masat anti-Covid, marrë nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Me ftesë të Bieta Sulo, në emisionin “Ftesë në 5”, Dr. Valbona Nathanaili dhe Kristi Gongo.