Ose si të kontrollosh narrativën e një pandemie  

Nga Steve Fuller/ Filozof postmodern, “Auguste Comte Chair” në Social Epistemology / Universiteti i Warwick-ut

Shqip: Valbona Nathanaili

Nga një pandemi kemi shumë për të humbur, por me shkrimet e fundit të Rupert Read jemi përballë detyrimit etik për të dhënë një kuptim të ri për parimin e parandalimit.  Për më tepër, që Covid-19, në muajt dhe vitet në vijim, do të tregohet nga ata që kuptuan se çfarë mund të fitohet në një situatë e tillë – dhe si të veprohet shpejt.

Pandemia COVID-19 e ka shndërruar Mbretërinë e Bashkuar në një vend ku mbizotëron post e vërteta (post-truth) dhe pro-veprimi (proactionary). Gjithsesi, për të vazhduar leximin e artikullit, mendoj se është e nevojshme njohja me këto dy terma të dobishëm, si më poshtë:

  • Post e vërteta: Ajo që ka rëndësi nuk është nëse është e vërtetë apo jo, por çfarë do të vendosim në lidhje me të.
  • Pro-veprimi: Duhet t’i qasemi pasigurisë me frymën e hapjes, jo në termat se çfarë mund të humbasim, por çfarë mund të sigurojmë, kur asgjë nuk është e garantuar.

Sapo që në Mbretërinë e Bashkuar u pranua se COVID-19 përbënte një kërcënim serioz, qeveria filloi të lëvizë, njëkohësisht, në dy fronte. Beteja e “rendit të parë” ishte fitimi në frontin e luftës kundër vetë virusit, ndërsa beteja e “rendit të dytë” mund të përkufizohet si përcaktimi i fushës së lojës ku do të zhvillohej kjo luftë. E para ishte një betejë mjekësore, ndërsa e dyta një betejë mediatike. Qeveria kuptoi, që në fillim, se do të ishte më mirë nëse investohej më shumë në betejën mediatike se sa në atë mjekësore. Argumenti përforcohet edhe më shumë, nëse pohojmë që beteja mediatike paraqet rëndësi më të madhe në terma afatgjatë, në atë që përfshin edhe betejën mjekësore, veçanërisht nëse Mbretëria e Bashkuar arrin të prodhojë, e para, vaksinën kundër virusit.

Pa më të voglin dyshim, gjithë sa më sipër është një mënyrë tepër post të vërtete e perceptimit të situatës: e vërteta nuk mohohet, por mohohet se e vërteta është, më shumë, një kontekst i pranuar ku mungon rëndësia që kanë të gjithë ata të përfshirë në të. Ky argument mund të shtjellohet më thjesht, nëse vlerësohet në qëndrimet e paqarta për një numër çështjesh, si për shembull në lidhje me numrin e njerëzve që kanë humbur jetën për shkak të corona-virusit, për testet dhe “pajisjet e mbrojtjes personale” që u ofrohen personelit mjekësor në spitale, si dhe punonjësve të tjerë që janë në front të punës etj. Numrat që raportohen nga qeveria janë të ndryshëm nga ato që raportohen nga armiqtë e saj, secili në dëshirën për t’i kthyer në përparësi e arritje personale.

(Shënim, Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Artikulli botohet me lejen e autorit. @ shqip: Fondacioni “Henrietta Leavitt”. Artikulli është botuar për herë të parë me “The Institute of Art and Ideas”. Në origjinal mund ta lexoni në këtë link: https://iai.tv/articles/creating-the-covid-19-story-auid-1529 )

Gjithsesi, duke qenë se qeveria është gjithnjë ajo që ka shërbimin, numrat që jep kanë vend për rishikim. Jo sepse qeveria po ndjek ndonjë agjendë diabolike post-moderne, apo sepse drejtimin e ka Dominic Cummings. Përkundrazi, pandemia është sheshi i lojërave për natyrën e post të vërtetës dhe qeveria është pozicionuar më së miri në ndjekjen e lëvizjeve. Në rrjedhojë, ndërsa qeveria paraqitet në gjithë solemnitetin e situatës, e përshkruan opozitën në ngjyra anekdotike dhe gjithnjë nën nivelin e prezantimit të gjendjes së përgjithshme, për çdo çast të caktuar kohe, për më tepër si një opozitë që gjithnjë adreson raste që mund të menaxhohen lehtësisht. Ndërgjegjësimi në këtë pikë na ndihmon të shpjegojmë vendimin për strategjinë që po ndjek opozita e Partisë Laburiste, duke funksionuar më shumë si zgjidhëse e hallit, se sa këshilltare e atij që ka timonin.

Përpos të gjithave, niveli i vdekshmërisë për shkak të COVID-19 do të vazhdojë të rishikohet në terma retrospektivë, ndërkohë që do të vazhdojmë ta njohim edhe më mirë edhe më shumë këtë virus të ri, nëpërmjet testimeve, që në këmbim do të thotë që ndoshta shumë njerëz që kanë humbur jetën, veçanërisht ditët e para të shpalljes së pandemisë, mund të jenë keqdiagnostikuar, si dhe përgjigjet e shumë testeve po të asaj kohe mund të mos kenë patur saktësinë e kërkuar. Ndërsa sa i takon çështjes së mbrojtjes me pajisje të personelit, përmbledhja mund të jetë edhe më e ashpër: cilësia dhe sasia e mbrojtjes së përshtatshme do të njihet vetëm pasi të jetë bërë numërimi i të gjithë jetëve të humbura.

Në fund të fundit, post-modernizmi diabolik ushqehet duke kapitalizuar mbi një situatë post të vërtete, që nuk është as vullneti, dhe as dëshira e dikujt

Vullneti i dukshëm i qeverisë për ta shndërruar pasigurinë që rrethon një krizë në përparësi për të, tregon anën e “pro-veprimit” të qasjes së përqafuar ndaj pandemisë. Duke qenë se asnjë nuk është i sigurt se çfarë funksionon dhe çfarë jo, qeveria ka toleruar përpjekje të konsiderueshme, në nivel improvizimi, bërë në terren, me pak komente shoqëruese, në vend që t’i kanalizojë në fokusin e narrativës së publikut të gjerë, se si duhet menaxhuar pandemia. Narrativa është përqendruar gjithnjë dhe kryesisht në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar – më shumë se në jetën e njerëzve që shërbejnë në të apo që shërbehen prej saj. Në fakt, qeveria e ka shndërruar pandeminë në një “test stresi” për sistemin, në një laborator të gjallë, që në kushtet e një “etike normale” nuk do të ishte lejuar.

Steve Fuller, Åsa Wikforss, Sacha Golob, Peter Pomerantsev shtrojnë pyetjen: A ka njeri që e zotëron monopolin e së vërtetës?

Thënë shkurt, retorika e “mbrojtjes” funksionon si një eufemizëm për një eksperiment social radikal. Argumenti nuk është cinik, por realist – më korrekt, Realpolitik. Ndoshta nuk është koincidencë që një nga këshilltarët akademikë të Boris Johnson është John Bew, autor i një historie të shkruar me mençuri për këtë koncept politik vital. Narrativa e “Mbrojtjes së Shërbimit Shëndetësor Kombëtar” funksionon në dy nivele. Nga pikëpamja logjistike, është kërkesa për t’u siguruar se nga gjenerimi i virusit, shtrimi i pacientëve në spitalet e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar nuk e tejkalon kapacitetin e përpunimit që ka sistemi. Ndërkohë, në termat e “imagjinatës kolektive”, Shërbimi Shëndetësor Kombëtar qëndron, në mënyrë metaforike, si solidaritet social në kohë krizash. Që do të thotë që çdo të enjte mbrëma, në ora 8 të darkës, njerëzit të dalin nga bindja e vetizolimit për të duartrokitur për Shërbimin Shëndetësor Kombëtar.

Kjo lidhje direkte e narrativës së vizionit strategjik, e frenimit të virusit, nëpërmjet një forme të re pjesëmarrjeje civile (aka “distancim social”) e ka shmangur vëmendjen, me efikasitet, nga numrat e dyshimtë dhe shpesh jo të mirë që kanë bashkëshoqëruar humbjet e jetëve apo edhe testet e kryera etj. Gjithsesi, qeveria ka promovuar edhe kundra-narrativa shumë më modeste, disa prej të cilave janë familjare për të, dhe jo vetëm sepse artikulohen nga “të dyshuarit e zakonshëm”. Sepse përqendrohen në kritikën e “menaxhimit të ri publik” – aka “neoliberal” – një qasje për mbështetjen e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar dhe të shërbimeve të tjera publike që ka filluar që në kohën e… kujt? Në kohën e Thatcher? Blair? Cameron? Zgjedhja është e juaja.

Retorika e “mbrojtjes” funksionon si një eufemizëm për një eksperiment social radikal.

Argumenti nuk është cinik, por realist – më korrekt, Realpolitik

Nuk është për t’u habitur, që prodhuesit më të artikuluar të kundër-narrativës në krizën aktuale, janë njerëz të praktikuar më së miri, si Richard Horton, botues i British Medical Journal. Gjithsesi, niveli i të kuptuarit të tyre, se çfarë po ndodh në terren në lidhje me COVID-19 nuk është më i mirë – dhe gjasat janë më i keq – se ai i qeverisë. Për më tepër, kritikët ekspertë, të tillë si Horton, është e nevojshme të jenë veçanërisht të kujdesshëm që të mos lejojnë, që apeli i tyre në formën e këshillave për “përgjegjshmëri” më të madhe nga ana e qeverisë të kalojë nëpërmjet fyerjes që ndjejnë se u është bërë, duke mos u përfshirë në këshilltarët shkencorë dhe mjekësorë të qeverisë. Askujt nuk i pëlqen humbësi idhnak i lojës së radhës, edhe nëse është i destinuar të fitojë në tjetrën!

Por pavarësisht elokuencës, kritika, me shumë mirësjellje, duhet lënë mënjanë – të paktën për tani – veçanërisht sa kohë që narrativa publike e qeverisë ka qenë e qëndrueshme: në kuptimin tonë, ka qenë “e qëndrueshme” ka vlerë edhe në medium, edhe në mesazh, mishëruar në përmbledhjet ditore për shtyp të Downing Street, nr. 10, që drejtohen gjithnjë nga një ministër i Kabinetit, në krah të të cilit qëndrojnë një shkencëtar dhe një këshilltar për shëndetin e popullatës. Këto përmbledhje zhvillohen gjithnjë me solemnitetin ritual, karakteristikë për shërbimin anglikan të Kishës së lartë dhe, pavarësisht çështjeve të ngritura nga gazetarët, përgjigjet mbeten gjithnjë në mantrën “Qëndroni në shtëpi! Mbroni Shërbimin Shëndetësor Kombëtar! Shpëtoni jetë!”

Në vazhdim të analizës, konferencat e përditshme për shtyp të qeverisë angleze janë pothuaj në kontrast të mprehtë me ato të Shtëpisë së Bardhë, që dallohen për kaotizmin e tyre, përgjatë të cilave Presidenti Trump improvizon nga një skenar i përgatitur, detajet e të cilit janë përgatitur më parë nga ekspertë të ndryshëm, në pritshmërinë që duhet të kënaqin gazetarët e pranishëm. Por ndërsa shtypit në Londër i ka ardhur në majë të hundës me të qenit “e qëndrueshme” të fokusit të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, kolegët e tyre në Washington janë gjithnjë në hava me politikën pa plan të ShBA.

Ndërkohë, ndërsa qeveria e Mbretërisë së Bashkuar mund të shkëlqejë në menaxhimin e përshtypjeve që përçon tek publiku këtë periudhë, e qeshura e fundit i takon opozitës. Dhe kjo do të duket në zgjedhjet e ardhshme – këtu është me vend të shohim precedentin. Winston Churchill fitoi Luftën e Dytë Botërore, për të humbur zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1945. Në rrjedhojë, nuk duhet të nënvlerësojmë vetë-pozicionimin e mprehtë të shumë kompetentit (ndonëse jo karizmatik) Keir Starmer, udhëheqës i laboristëve, që mund të luaj të njëjtin rol që luajti Attlee për Churchill-in e Johnson (Boris Johnson ka një libër me titull The Churchill Factor: How One Man Made History) – por kjo do të duket me kohë. Për momentin, një kambanë është emërimi që ka bërë Starmer, duke caktuar si sekretar në hije Nick Thomas-Symonds, një biograf i shquar edhe për Attlee dhe për Nye Bevan (Bevan njihet si  njeriu që qëndron pas krijimit të “Shërbimit Shëndetësor Kombëtar” në qeverinë e Attlee). Starmer arsyeton, ndoshta, se përballja me pandeminë është e lidhur me rishikimin ndaj dedikimit që duhet të kemi për shtetin e mirëqenies, në të cilën Partia Laboriste mund të kapitalizojë për t’u rikthyer në pushtet.

Por momenti i vitit 1945 nuk ka mbërritur ende! Ndërkohë që qeveria ka mbërritur në pikën që po luan lojën e saj të gjatë me virusin. Mbretëria e Bashkuar, formalisht, ka hyrë në “garën” e zhvillimit të vaksinës së COVID-19, në të cilën deri më tani, pjesëmarrës si konkurrentë të deklaruar janë vetëm ShBA dhe Kina. Nëse Mbretëria e Bashkuar ia del të zhvillojë vaksinën dhe ta prodhojë për përdorim masiv në një kohë rekord, të gjitha mangësitë e perceptura në menaxhimin e krizës do të harrohen. Për më tepër, Mbretëria e Bashkuar mund të prezantohet si shpëtuese e humanitetit, një sfond retorik që i bën jehonë arritjeve të mëparshme të shquara në shkencë dhe teknologji. Për të qenë të sigurt, mund të shtojmë se kjo aventurë mund të ketë më pak se 50% shans për sukses. Por “ia vlen barra qiranë”, parë pritshmëritë që ka arritja, nisur edhe nga motivi “risk i madh, shpërblim edhe më i madh”.

Kjo pasiguri radikale nuk duhet të shërbejë si burim frike, por shprese   

Ky stil të menduari është karakteristik i qasjes së përgjithshme të Boris Johnson ndaj politikës. Fraza “risk i madh, shpërblim edhe më i madh” së fundmi është shndërruar në familjare dhe rrethon agjencinë frymëzuese të kërkimit shkencor të Dominic Cummings, që ishte e fundit që u propozua për të marrë një fond nga buxheti i qeverisë, pak ditë përpara se Mbretëria e Bashkuar të kalonte në bllokim total. Dhe këtu takohen post e vërteta me pro-veprimin. Është një ndjesi që e gjejmë të kristalizuar në Eneidën e Virgjilit: Possunt quia posse videntur (‘Ata munden, sepse duket që munden’). Një perifrazim modern i shprehjes së mësipërme është ajo që përdoret, njëherazi, edhe në strategjinë ushtarake, edhe në futbollin amerikan: “Mbrojtja më e mirë është një shkelje e mirë”. Strategjia më e zakonshme që takohet në këto fusha loje është ajo e profecisë së vetë-përmbushjes. Ju e mposhtni kundërshtarin duke e frenuar edhe ta quajë blof. Sikundër shprehet Makiaveli, një kërcënim i projektuar më së miri mund të arrijë më shumë se sa forca të mëdha ushtarake të përfshira në të. Në terma më prozaikë, mund të thuhet: “Fiton duke u dukur si fitues!”

Ajo që e bën vaksinën një mjet aq të mirë në qasjen pro-vepruesepost të vërtetës ndaj pandemisë është, se rëndësia e saj bëhet më e madhe me rritjen e dështimit, për më tepër shtrirë edhe në terma afatgjatë, të mjeteve të angazhuara për menaxhimin e virusit, përfshirë testimet masive, procedurë e cila ka mundur të mbledhë lëvdata, nga të gjithë, vetëm në rastet e Gjermanisë dhe Koresë së Jugut. Basti është që mund të vijë një pikë, që vaksina jo vetëm të jetë e nevojshme, por të shndërrohet edhe në të domosdoshme, dhe Mbretëria e Bashkuar të jetë e para ta ketë atë. Kjo presupozon, se marrëdhënia me virusin në të ardhmen është, radikalisht e pasigurt, pavarësisht çdo lloj suksesi që mund të kemi në “rrafshimin e kurbës”. Gjithsesi, kjo pasiguri radikale nuk duhet të shërbejë si burim frike, por shprese – e cila operacionalizohet në mundësi për të bërë shpikje domethënëse në mjekësi.

Duke theksuar, se strategjinë e kam prezantuar në emër të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar – të cilën shumë mund ta kenë referuar si të pakujdesshme. Ndërkohë, edhe pse ekziston besimi, i përhapur, që lufta kundër virusit nuk mund të fitohet, nuk ka asnjë arsye për t’u paraqitur si humbës, sa kohë që jemi në pritje të një hedhje tjetër të zarit. Të tilla janë mënyrat e te qenit në kushtet e pro-veprimitpost të vërtetën.