Strasburg, 8. XI. 2001

 Preambula

Shtetet Anëtare të Këshillit të Europës, shtetet e tjera palë të Konventës Kulturore Europiane dhe Komuniteti Europian, që e kanë firmosur atë;

  • Duke pasur parasysh që synimi i Këshillit të Europës është arritja e një bashkimi më të madh ndërmjet anëtarëve të tij me qëllim, në mënyrë të veçantë, ruajtjen dhe zhvillimin e idealeve dhe parimeve të cilat janë trashëgimia e tyre e përbashkët;
  • Duke pasur parasysh që trashëgimia europiane reflekton identitetin kulturor dhe larminë e popujve të tyre;
  • Duke pasur parasysh që materiali filmik është një pjesë e pandarë e trashëgimisë kulturore europiane dhe që shtetet do të sigurojnë që ai të ruhet dhe mbrohet për brezat e ardhshëm;
  • Duke pasur parasysh që materiali filmik është një formë e shprehjes kulturore që reflekton shoqërinë bashkëkohore dhe që ai është një mjet i shkëlqyer për regjistrimin e ngjarjeve ditore, bazat e historisë sonë dhe një reflektim i qytetërimit tonë;
  • Të ndërgjegjshëm për brishtësinë e materialit filmik dhe rreziqeve të cilat kërcënojnë ekzistencën e tij dhe transmetimin e tij tek brezat e ardhshëm;
  • Duke theksuar rëndësinë e përgjegjësisë së palëve për të mbrojtur, ruajtur dhe përdorur këtë trashëgimi;
  • Të vendosur për të bashkëpunuar dhe ndërmarrë veprime të përbashkëta me qëllim ruajtjen dhe sigurimin e vazhdimësisë së trashëgimisë kulturore audiovizuale;
  • Duke marrë parasysh traktatet ndërkombëtare në fuqi për mbrojtjen e të drejtës së autorit dhe të drejtave të lidhura me të;
  • Duke marrë parasysh punën e kryer nga institucione të tjera ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë audiovizuale,

kanë rënë dakord si më poshtë!

Kapitulli 1 Hyrje

Neni 1 Qëllimi i Konventës

Qëllimi i Konventës është të sigurojë mbrojtjen e trashëgimisë audiovizuale europiane dhe vlerësimin e saj, si në formën e artit ashtu edhe si trashëgimi e të shkuarës tonë, nëpërmjet mbledhjes, ruajtjes dhe përdorimit të materialit filmik për qëllime kulturore, shkencore dhe kërkimore në interes të publikut.

Neni 2 Përkufizime

Për qëllimin e kësaj Konvente:

  1. “material me imazh filmik” nënkupton çdo imazh filmik të regjistruar me çfarëdo lloj mënyre apo mjeti, të shoqëruar me zë apo pa zë, që mund të tregojë idenë e lëvizjes;
  2. “vepër kinematografike” nënkupton një material me imazh filmik të çdo metrazhi, veçanërisht veprat kinematografike të filmave të animuar dhe dokumentarëve, të cilat synohen të shfaqen në kinema;
  3. “organ arkivues” i referohet çdo institucioni të përcaktuar nga një shtet palë për të kryer funksionet e depozituesit ligjor;
  4. “organ depozitues vullnetar” i referohet çdo institucioni të përcaktuar nga një shtet palë për këtë qëllim.

Neni 3 Fusha e zbatimit

 Palët në këtë Konventë zbatojnë dispozitat e Konventës për të gjitha veprat kinematografike që nga momenti i hyrjes së saj në fuqi.

  1. Me hartimin e protokolleve në përputhje me nenin 18 të kësaj Konvente, zbatimi i kësaj Konvente mbulon edhe materialin me imazh filmik përveç veprave kinematografike, të tilla si prodhimet televizive.

Neni 4 Të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me të

Detyrimet e kësaj Konvente nuk prekin në asnjë mënyrë dispozitat në traktatet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe të drejtave të lidhura me to. Asnjë dispozitë në këtë Konventë nuk mund të interpretohet në cenim të kësaj mbrojtjeje.

Kapitull II Depozitimi ligjor

Neni 5 Detyrimi i përgjithshëm i depozitimit ligjor

  1. Çdo shtet palë, me anë të mjeteve legjislative apo mjeteve të tjera të përshtatshme, njoh detyrimin për të depozituar materialin me imazh filmik që përbën pjesë të trashëgimisë së tij audiovizuale dhe që është prodhuar apo bashkë-prodhuar në territorin e shtetit Palë në fjalë.
  2. Çdo shtet palë është i lirë të parashikojë një përjashtim nga depozitimi ligjor nëse materiali me imazh filmik është depozituar ligjërisht në një nga shtetet e tjera palë.

 Neni 6 Përcaktimi dhe detyrat e organeve arkivuese

 Çdo shtet anëtar përcakton një ose më shumë organe arkivuese, detyra e të cilëve është sigurimi i ruajtjes, dokumentimit, mirëmbajtjes dhe mundësisë së përdorimit të materialit me imazh filmik të depozituar.

  1. Organet e përcaktuara janë publike ose private, por nuk kontrollohen, drejtpërdrejt apo jo, nga ndonjë person fizik apo juridik të përfshirë kryesisht në aktivitete përfituese në sektorin e medias.
  2. Shtetet palë marrin përsipër të mbikëqyrin kryerjen e detyrave që i janë ngarkuar organeve arkivuese.

Neni 7 Mjetet teknike dhe financiare

 Çdo shtet palë siguron që organet arkivuese të kenë mjetet e nevojshme për të kryer detyrat e tyre, siç përcaktohet në nenin 6, paragrafi 1, të kësaj Konvente.

Neni 8 Kushtet e depozitimit ligjor

  1. Çdo shtet palë përcakton personat fizike ose juridikë që i nënshtrohen detyrimit për depozitim. Ai parashikon kushtet për këtë depozitim. Ai, në veçanti, siguron që organet arkivuese të marrin origjinalin ose një material nga i cili mund të riformohet vlera origjinale.
  2. Materiali depozitohet brenda një periudhe, maksimumi, prej 12 (dymbëdhjetë) muajsh pasi versioni përfundimtar të jetë shfaqur për herë të parë në publik apo në çdo periudhe tjetër të arsyeshme të specifikuar nga një shtet palë. Nëse, materiali nuk është shfaqur në publik, përcaktimi i afatit kohor fillon në fund të prodhimit.

Neni 9 Mirëmbajtja e materialit të depozituar

  1. Çdo shtet palë inkurajon dhe nxit mirëmbajtjen e materialit me imazh filmik të depozituar ligjërisht, që përbën pjesë të trashëgimisë së tij audiovizuale, cilësitë fizike të të cilit janë dëmtuar.
  2. Çdo shtet palë mund të lejojë në legjislacionin e tij riprodhimin e materialit me imazh filmik të depozituar ligjërisht për qëllime mirëmbajtjeje.

Neni 10 Masa emergjente

Çdo shtet palë bën rregullimet e nevojshme për të siguruar mbrojtjen e materialit me imazh filmik që përbën pjesë të trashëgimisë së tij audiovizuale, i cili i ekspozohet një rreziku të afërt që kërcënon ekzistencën e tij fizike, përveçse kur ai mbrohet ndryshe sipas kushteve të depozitimit ligjor.

Kapitulli III Depozitimi vullnetar

Neni 11 Nxitja e depozitimit vullnetar

 Çdo shtet palë inkurajon dhe nxit depozitimin vullnetar të materialit me imazh filmik që përbën pjesë të trashëgimisë së tij audiovizuale, përfshirë këtu materialin ndihmës, i cili nuk klasifikohet sipas nenit 5 të kësaj Konvente.

Neni 12 Vënia në dispozicion për publikun

Çdo shtet palë inkurajon organet e depozitimit vullnetar nëpërmjet kontratave me mbajtësit e të drejtave të specifikojnë kushtet sipas të cilave materiali me imazh filmik i depozituar mund të vihet në dispozicion për publikun.

Kapitulli IV Dispozita të përgjithshme të përbashkëta për organet arkivuese dhe organet e depozitimit vullnetar

Neni 13 Arkivat e përbashkëta

  1. Me qëllim arritjen e efektshme të qëllimeve të kësaj Konvente, shtetet palë mund të vendosin për krijimin e organeve të përbashkëta arkivuese dhe të organeve të përbashkëta të depozitimit vullnetar.
  2. Organi arkivues dhe organi i depozitimit vullnetar mund të jetë një dhe i njëjti institucion, me kushtin që të zbatohen dispozitat e specifikuara për çdo funksion.

Neni 14 Bashkëpunimi ndërmjet organeve arkivuese dhe organeve të depozitimit vullnetar

Çdo shtet palë inkurajon organet arkivuese apo organet e depozitimit vullnetar të tij të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe me organet e shteteve të tjera palë me qëllim për të lehtësuar:

  1. shkëmbimin e informacionit mbi materialin me imazh filmik;
  2. përpilimin e një filmo-grafie audiovizuale europiane;
  3. zhvillimin e një procedure standarde për mbledhjen, magazinimin dhe përditësimin e materialit me imazh filmik dhe informacionin që lidhet me të;
  4. zhvillimin e një standardi të përbashkët për shkëmbimin elektronik të informacionit;
  5. ruajtjen e pajisjeve për të treguar materialin me imazh filmik.

Neni 15 Kushtet kontraktuale të depozitimit

Çdo shtet palë inkurajon organet arkivuese dhe organet e depozitimit vullnetar të realizojnë kontrata me depozituesit, duke specifikuar të drejtat dhe detyrimet për materialin me imazh filmik të depozituar. Nëse nuk rregullohen me ligj, këto kontrata mund të specifikojnë kushtet mbi përgjegjësinë për çdo dëmtim të materialit të depozituar, tërheqjen e përkohshme apo të përhershme nga depozitimi prej mbajtësit të të drejtave dhe shpërblimit që duhet të paguhet nga mbajtësi i të drejtave për mirëmbajtjen e tij apo shërbime të tjera të organeve arkivuese apo organeve të depozitimit vullnetar.

Kapitulli V Zbatimi i Konventës

Neni 16  Komiteti i përhershëm

  1.  Për qëllime të kësaj Konvente, krijohet një komitet i përhershëm.
  2. Çdo shtet palë mund të përfaqësohet në Komitetin e Përhershëm me një ose më shumë delegatë. Çdo shtet palë ka të drejtën e votës. Çdo shtet palë në këtë Konventë ka një votë. Në lidhje me çështjet brenda kompetencës së tij, Komuniteti Europian ushtron të drejtën e tij për të votuar dhe ka të drejtën e një numri votash të barabartë me numrin e shteteve të tij anëtare që janë palë në këtë Konvente. Komuniteti Europian nuk e ushtron të drejtën e tij për të votuar kur çështja nuk është brenda kompetencës së tij.
  3. Komuniteti Europian apo çdo shtet, i përmendur në nenin 19, i cili nuk është palë në këtë Konventë, mund të përfaqësohet në komitetin e përhershëm me një vëzhgues.
  4. Komiteti i përhershëm thirret nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës. Takimi i parë i tij mbahet brenda 6 (gjashtë) muajve nga data e hyrjes në fuqi të Konventës. Ai mblidhet, më pas, sa herë që kërkohet nga një e treta e shteteve palë, ose Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës apo me iniciativën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës, në përputhje me dispozitat e nenit 18, paragrafi 2, ose me kërkesën e një ose më shumë shteteve palë në përputhje me dispozitat e nenit 17, paragrafi 1c.
  5. Shumica e shteteve palë përbën kuorumin e kërkuar për miratimin e vendimeve. Sipas dispozitave të nenit 16, paragrafi 6 dhe nenit 18, paragrafi 3, vendimet e Komitetit të Përhershëm merren me shumicën e dy të tretave të shteteve palë që janë të pranishme.
  6. Komiteti i Përhershëm mund të kërkojë këshillën e ekspertëve me qëllim që të realizojë funksionet e tij sipas kësaj Konvente. Ai me iniciativën e tij apo me kërkesë të organit të interesuar mund të ftojë çdo organizëm kombëtar apo ndërkombëtar, qeveritar apo jo-qeveritar, që është teknikisht i kualifikuar në fushat që mbulon Konventa, të përfaqësohet me një vëzhgues në të gjitha apo në një pjesë të takimeve të tij. Vendimi për të ftuar këto ekspertë merret me shumicën e dy të tretave të shteteve palë.
  7. Sipas dispozitave të kësaj Konvente, Komiteti i Përhershëm harton rregulloren e tij të brendshme.

Neni 17 Funksionet dhe raportet e Komitetit të Përhershëm

  1.  Komiteti i Përhershëm është përgjegjës për shqyrtimin e funksionimit dhe zbatimit të kësaj Konvente. Ai mund: t’u japë rekomandime shteteve palë në lidhje me zbatimin e Konventës; / të sugjerojë çdo ndryshim të nevojshëm të Konventës dhe t’i shqyrtojë ndryshimet e propozuara në përputhje me dispozitat e nenit 18; / të shqyrtojë, me kërkesë të një ose më shumë shteteve palë, çdo pyetje në lidhje me interpretimin e Konventës; / të japë rekomandime pranë Komitetit të Ministrave në lidhje me shtetet, përveç atyre të përmendura në nenin 19, që duhet të ftohen të aderojnë në këtë Konventë;
  2. Pas çdo takimi, Komiteti i Përhershëm i dërgon shteteve palë dhe Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës një raport mbi diskutimet e tij dhe çdo vendim të marrë.

Të plotë: MEDIA- SHQIP, FINAL

Politikat për komente të Fondacionit “Henrietta Leavitt”

  • Komentet nuk shfaqen menjëherë, sepse kalojnë në sitën e moderimit, për aprovim ose jo, të Fondacionit “Henrietta Leavitt”. Komentet që nuk kanë lidhje me argumentin e temën, po ashtu edhe ato që përmbajnë mesazhe jodashamirëse, reklama, apo sulme personale nuk aprovohen.
  • Ju lutem kini në vëmendje këto politika përpara se të lini komentin tuaj!