Procesi i Bolonjës dhe Hapësira e Arsimit të Lartë
Përshtati: Valbona Nathanaili
Shoqata e Universitetit Europian[1] përfaqëson më shumë se 620 individë, kolektiva dhe anëtarë të regjistruar, lokalizuar në 45 vende; institucione të arsimit të lartë, konferencat kombëtare të rektorëve dhe shoqatat kombëtare të institucioneve të arsimit të lartë; shoqatat rajonale dhe ndërkombëtare, rrjetet dhe institucionet ndëruniversitare. Themeluar më 31 mars 2001 me synim fuqizimin e përfaqësimit të institucioneve të arsimit të lartë në Europë, EUA është rezultat i një ndërthurrjeje ndërmjet (CRE) (Shoqata e Universiteteve Europianë) dhe Konfederatës së Konferencës së Rektorëve të Bashkimit Europian.
EUA synon të:
- Promovojë dhe ruajë vlerat dhe, në rastin e universiteteve, autonominë
- Përfaqësojë arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në rrethet politikë-bërëse
- Zhvillojë një dimension Europian në aktivitetet e anëtarëve
- Sigurojë informacion dhe shërbime të tjera domethënëse për anëtarët
- Promovojë partneritete në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor brenda Europës, ndërmjet Europës dhe me pjesën tjetër të botës.
Synimi i ndërtimit të një hapësirë të përbashkët Europiane për të udhëhequr aktivitetet për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor qëndrojnë në bazë të përpjekjeve të EUA.
Adresa: EUA Genève EUA Bruxelles / 10 rue du Conseil Général Rue d’Arlon 39-41 / CH – 1211 Genève 4 B – 1000 Bruxelles /tel. +41 22 3292644/3292251 tel. +32 2 2305544 / fax +41 22 3292821 fax +32 2 2305751 / [email protected] [email protected] / http//www.unige.ch/eua
MESAZH NGA SALAMANCA: DUKE MODELUAR HAPËSIRËN E ARSIMIT TË LARTË EUROPIAN
Mbi 3000 institucione të arsimit të lartë dhe organizatat e tyre kryesore përfaqësuese, u mblodhën në Salamanca, më 29-30 mars 2001. Synimi ishte të përgatisnin materialet për në takimin e Pragës të Ministrave të Arsimit të Lartë të vendeve që janë përfshirë në procesin e Bolonjës; ata pranuan synimet, parimet e prioritet sa më poshtë:
DUKE MODELUAR TË ARDHMEN
Institucionet e Arsimit të Lartë Europian riafirmojnë përkrahjen ndaj parimeve të deklaratës së Bolonjës dhe angazhimin e tyre në krijimin e një Hapësire Europiane të Arsimit të Lartë deri në fund të këtij dhjetëvjeçari. Ata e shohin themelimin e Shoqatës së Universitetit Europian (EUA) në Salamanca, si mbartës të vlerave praktike e simbolike në transmetimin më me efektivitet të zërit të tyre në qeveri e shoqëri, duke ju dhënë në këtë mënyrë një mbështetje në modelimin e të ardhmes së tyre në Hapësirën Europiane të Arsimit të Lartë.
PARIME
Autonomi me përgjegjësi
Progresi kërkon që universitetet Europiane të fuqizohen për të vepruar në përputhje me parimin udhëheqës të gërshetimit të autonomisë me përgjegjësinë. Duke qenë njësi arsimore e shoqërore, autonome e përgjegjëse para ligjit, ato konfirmojnë aderimin e tyre ndaj parimeve të Magna Charta Universitatum të vitit 1988 dhe në veçanti, ndaj asaj të lirisë akademike. Në këtë mënyrë, universitetet mund të jenë të aftë të modelojnë strategjitë e tyre, të zgjedhin prioritetet në mësimdhënie e kërkim shkencor, të ndajnë burimet, profilizojnë kurrikulën dhe të vendosin kritere për pranimin e profesorëve dhe studentëve. Institucionet Europiane të Arsimit të Lartë pranojnë sfidat e të operuarit në mjedise konkurruese në vendet e tyre, në Europë dhe në botë, por, nëse veprohet në këtë mënyrë, nevojitet një manaxhimin i mirë i kësaj lirie të duhur, nevojiten korniza rregullatore të lehta dhe mbështetëse, financime të drejta, ose, në këtë bashkëpunim e konkurrim pozitat e tyre do të jenë të pafavorshme e në disavantazh. Dinamika e nevojshme për plotësimin e Hapësirës Europiane të Arsimit të Lartë do të mbetet e paplotësuar ose do të rezultojë në një konkurrencë të pabarabartë, nëse miratohen kontrolle financiare e rregulla administrative super të hollësishme që aktualisht operojnë në shumë vende. Në arsimin e lartë, konkurrenca i shërben cilësisë; nuk është ekskluzivitet i bashkëpunimit dhe nuk mund të reduktohet në një koncept tregtar. Universitetet në disa vende në Europë nuk janë akomë në gjendje të konkurrojnë në terma të barabartë dhe po përballen, në veçanti, me rrjedhjen e trurit brenda për brenda Europës.
Arsimi si një përgjegjësi publike
Hapësira Europiane e Arsimit të Lartë duhet të ndërtohet:
- mbi bazën e traditave Europiane të arsimit, si një përgjegjësi publike
- si një mundësi e gjithanshme dhe e hapur për të gjithë, për të studiuar në të gjithë ciklet
- si një mjet për zhvillim personal dhe zgjatje të arsimimit përgjatë gjithë jetës;
- për krijimin e një ndjenje qytetarie, parë në terma afatshkurtër e afatgjatë shoqërorë.
Arsimi lartë bazuar në kërkimet shkencore
Ndërsa kërkimi shkencor është një forcë udhëheqëse në arsimin e lartë, krijimi i Hapësirës Europiane të Arsimit të Lartë duhet të ecë krah për krah me Hapësirën Europiane të Kërkimit Shkencor.
Organizimi i diversitetit
Arsimi i Lartë Europian karakterizohet nga një diversitet në terma gjuhësorë, sistemesh kombëtarë, tipe institucionesh dhe orientimi në kurrikula e profilë. Në të njëjtën kohë, e ardhmja e tij varet nga aftësia për të organizuar në mënyrë efektive këtë diversitet vlerash, në gjendje të prodhojë më shumë rezultate pozitive se sa vështirësi, më shumë fleksibilitet se sa thyeshmëri. Institucionet e arsimit të lartë dëshirojnë që ndërtimet e tyre të konvergjojnë, në veçanti për një subjekt të dhënë duhet gjetur emëruesi i përbashkët edhe përmes kufijve, duke e trajtuar diversitetin si një vlerë, dhe jo si një arsye për përjashtim apo njohje statusi. Ato angazhohen për të krijuar një vetërregullim të mjaftueshëm, me synim arritjen e një niveli minimal kohezioni, duke u siguruar në këtë mënyrë që përpjekjet e tyre drejt përputhshmërisë nuk po pengohen nga grindje të shumta në përkufizimin e zbatimin e krediteve, kategorive kryesore të shkallëve të arsimimit dhe kriteret mbi cilësinë.
ÇËSHTJE THEMELORE
Cilësia si një gur themeltar ndërtimi
Hapësira e Arsimit të Lartë Europian nevojitet të ndërtohet mbi vlera akademike themelore, ndërkohë që plotëson pritshmëritë e grupeve të interesit, si për shembull të demonstrojë cilësi. Në të vërtetë, vlerësimi i cilësisë duhet të bëhet në përputhje me synimet dhe misionin e institucioneve dhe të programeve; kërkohet një balancë ndërmjet risisë dhe traditës, ekselencës akademike dhe vlerave social/ekonomike, koherrencës së kurrikulës dhe lirisë së studentëve për të zgjedhur; në cilësi përfshihen mësimdhënia dhe kërkimi shkencor, qeverisja dhe administratimi, përgjegjësia ndaj nevojave të studentëve dhe sigurimi i shërbimeve jo-arsimore. Vetë cilësia, si term, nuk mjafton, ajo duhet demonstruar dhe garantuar, në mënyrë që të njihet e të besohet nga studentët, partnerët dhe shoqëria në vend, Europë dhe botë.
Cilësia është themeli kryesor për besim, përkatësi, pajtueshmëri dhe tërheqje në Hapësirën Europiane të Arsimit të Lartë.
Ndërtimi i besimit
Njësoj sikurse vlerësimi i kërkimit shkencor ka një dimension ndërkombëtar, të njëjtën gjë mund të themi edhe për cilësinë e siguruar në arsimin e lartë. Në Europë, sigurimi i cilësisë nuk duhet të bazohet vetëm në një agjenci që imponon thjesht një numër standardesh. Rruga drejt të ardhmes do të jetë ajo e projektimit të mekanizmave në nivel Europian për një pranim të dyanshëm që do të çojë në sigurimin e cilësisë, ku “akreditimi” është një opsion i mundshëm. Mekanizma të tillë duhet të respektojnë diferencat kombëtare, gjuhësore dhe ato në disiplina, e të mos mbingarkojnë universitetet.
Përkatësi
Përkatësia ndaj tregut Europian të punës ka nevojë të reflektohet në kurrikul në mënyra të ndryshme, në varësi të faktit nëse kërkesat e fituara janë për punësim mbas shkallës së parë të studimit apo asaj të dytë. Punësimit në perspektivën e të mësuarit përgjatë gjithë jetës mund t’i shërbehet më mirë përmes vlerës përkatëse të cilësisë së arsimit, diversitetit të përqasjeve dhe profileve të kurseve, fleksibilitetit të programave me shumë pika hyrjeje e daljeje dhe zhvillimit të aftësive dhe kompetencave të kryqëzuara të tilla si komunikimi dhe gjuhët, aftësia për të vënë në punë njohuritë, zgjidhja e problemeve, të punuarit në grup dhe proceset shoqërore.
Lëvizshmëri
Lëvizja e lirë e studentëve, stafit dhe të diplomuarve është një dimension thelbësor i Hapësirës Europiane të Arsimit të Lartë. Universitetet Europiane dëshirojnë të nxisin më shumë lëvizshmëri, të tipit “horizontal” dhe “vertikal”; të mos e shohin lëvizshmërinë virtuale si një zëvendësuese të lëvizshmërisë fizike. Ato kanë vullnetin të përdorin instrumentat ekzistuese për njohje dhe lëvizshmëri (ECTS, Konventën e Lisbonës, Suplementin e Diplomës, rrjetin NARIC/ENIC) në një mënyrë pozitive dhe fleksibël. Në këndvështrimin e rëndësisë së pajisjes të stafit mësimdhënës me eksperiencë Europiane, universitetet duhet të eleminojnë kërkesat kombëtare, pengesa apo frenime të tjera për akademikët në Europë. Duhet të theksojmë se është nevoja e një përqasjeje të përbashkët Europiane të lëvizshmërisë virtuale dhe arsimit transkombëtar.
Kualifikimet e pajtueshme të niveleve para dhe mbas diplomimit.
Institucionet e arsimit të lartë mbështesin lëvizjen drejt një kuadri kualifikimesh të pajtueshme, bazuar në një formulim të qartë lidhur me studimet para dhe mbas diplomimit. Ekziston një marrëveshje e përgjithshme se, për shkallët e para të studimit, duhet të kërkohet një sasi prej 180 deri 240 pikësh ECTS, por kjo sasi nevojitet të jetë e ndryshme kur flitet për punësim apo përgatitje kryesisht për më tutje, për studime mbas diplomimit. Në rrethana të caktuara, një universitet mund të vendosë të përgatisë një kurrikul të integruar, e cila mund të çojë direkt në një shkallë Master studimi. Për arritjen e vendimeve të tilla, rrjetet e punës bazuar në këtë tematikë mund të luajnë një rol të rëndësishëm. Universitetet janë të bindur në të mirat që përftohen nga zbatimi dhe transferimi i një sistemi kreditesh bazuar në ECTS dhe në të drejtën e tyre themelore për të vendosur në pranimin e krediteve të përftuara në një vend tjetër çfarëdo.
Tërheqja
Institucionet Europiane të Arsimit të Lartë dëshirojnë të jenë në pozita të atilla, sa të mund të tërheqin talente nga të katër anët e botës. Kjo kërkon veprime në nivel institucional, kombëtar dhe Europian. Masa të veçanta përfshijnë miratimin e një kurrikule, shkallë studimi të lexueshme brenda e jashtë Europës, sigurimin e një cilësie të besueshme, programe të zhvilluara në gjuhët kryesore te folura në botë, informacion dhe marketing të përshtatshëm, shërbime mirëseardhjeje për studentët dhe studiuesit e huaj si dhe strategji për të punuar në rrjet.
Suksesi varet gjithashtu nga heqja e shpejtë e rregullave që frenojnë imigracionin dhe tregun e punës. Institucionet Europiane të arsimit të lartë pranojnë që, kualifikimet për të cilat kanë nevojë e kërkojnë studentët e tyre, duhet të përdoren me efektivitet për synime që lidhen me studimet e karrierën e tyre në tërë Europën. Institucionet, organizatat dhe rrjetet e tyre, njohin rolin dhe përgjegjësitë në lidhje me këtë dhe konfirmojnë vullnetin e tyre për t’u organizuar në përputhje me kuadrin e autonomisë. Institucionet e arsimit të lartë, u bëjnë thirrje qeverive të vendeve të tyre e atyre në Europë, të lehtësojnë dhe inkurajojnë ndryshimet e të sigurojnë kuadrin e nevojshëm për koordinim dhe lëvizje që konvergjojnë. Ato pohojnë kapacitetin dhe vullnetin për të iniciuar dhe përkrahur progresin, në përpjekje të përbashkëta për të:
- ripërkufizuar arsimin dhe kërkimin e lartë në Europë
- reformuar dhe rinovuar kurrikulën dhe arsimin e lartë si një i tërë
- përmirësuar dhe ndërtuar dimensionin kërkimor në arsimin e lartë
- adaptuar mekanizma të pranuar në mënyrë të dyanshme për vlerësimin, sigurimin dhe certifikimin e cilësisë
- vendosur në një emërues të përbashkët, dimensionin Europian dhe pajtueshmërinë, ndërmjet institucioneve, shkallëve të studimit dhe kurrikulave të ndryshme
- promovuar lëvizjen e studentëve e stafit dhe punësimin e të diplomuarve në Europë
- përkrahur përpjekjet për modernizimin e universiteteve në vende ku sfidat e Hapësirës Europiane të Arsimit të Lartë janë më të mëdha.
- mposhtur afidën e të qenit të lexueshme, tërheqëse dhe konkurruese në vend, Europë dhe botë; dhe
- konsideruar arsimin e lartë, në vazhdimësi, si një përgjegjësi publike themelore
[1] Shoqata e Universitetit Europian – EUA, akronimet nga anglishtja the European University Association.