Organizuar nga Fondacioni “Henrietta Leavitt”, në bashkëpunim me Dep. e Fizikës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. 

Fondacioni “Henrietta Leavitt”, organizatë jofitimprurëse e shoqërisë civile, organizon konkursin kombëtar të fizikës për sistemin parauniversitar, për vitin 2020. Konkursi zhvillohet për herë të dytë, me synimin për të qenë i përvitshëm. Emri i konkursit është “Henrietta Leavitt” (1868-1921). Leavitt ka qenë astronomia e parë, që falë një pune të palodhshme dhe pasiononte, përcaktoi vendin që zënë në univers galaktikat e yjet në lidhje me njëri-tjetrin dhe distancën e tyre nga Toka. Motoja e konkursit është “Pasioni dhe puna shpërblejnë!”

Përpara se të vazhdoni, ju lutem kini në vëmendje, që për shkak të situatës COVID-19, jemi të detyruar që konkursin ta zhvillojmë on-line!

Aktivitete që kanë lidhje me konkursin

a) NJOHJA ME KONKURSIN DHE REGJISTRIMI

Parime dhe synime Publiku duhet të njohë rëndësinë që ka fizika për shoqërinë dhe kulturën. Prindërit kanë nevojë të dinë nivelin e dijeve dhe të aftësive të fituara në lëndën e fizikës nga fëmijët e tyre në shkollë dhe burime të pavarura prej saj, ndërsa nxënësit të ndërgjegjësohen për rezultatet e pritshme në klasën pasardhëse. Për këto arsye, organizojmë këtë konkurs, me ftesën për pjesëmarrje. Konkursi përbëhet nga disa faza: a. Regjistrim b. Pjesëmarrje në konsultim (sipas dëshirës) c. Provim përgjithësues (vetëm me shkrim) ç. Shpërndarje e rezultateve dhe e certifikatave. d. Çmime dhe rekomandime për tre vendet e para.

Konkursi synon, nëpërmjet një provimi përgjithësues me shkrim:

  • të bëjë një vlerësim përmbledhës të dijeve të përftuara dhe aftësive të fituara në lëndën e fizikës në një nivel të caktuar, në mbyllje të vitit shkollor nga burime të pavarura nga shkolla dhe të njohë nxënësit, prindërit dhe mësuesit me rezultatet
  • të identifikojë gjendjen dhe rekomandojë një ndërhyrje të studiuar
  • të shërbejë si një mjet identifikues për rezultatet e pritshme në vitin pasardhës
  • të promovojë më të mirën që mësohet në shkolla, të nxisë përmirësimin dhe progresin

Konkursi kërkon të zbulojë më të pasionuarit, më të talentuarit, më studiuesit e shkencës së fizikës në radhët e të rinjve që ndjekin arsimin parauniversitar, falë rezultateve të arritura.

  • Ne kërkojmë mundësi për të zbuluar talentet
  • Ne përpiqemi të përmirësojmë cilësinë
  • Ne mbështesim më të mirët
  • Ne jemi për mundësi për të gjithë

Konkursi dëshiron të njohë të rinjtë me dijet dhe aftësitë që kërkohen në lëndën e fizikës për të pasur mundësi nesër të fitojnë konkurset e pranimit në shkolla dhe universitete serioze. Konkursi nuk është Olimpiadë fizike!

Grupi organizator Grupi Organizator angazhohet për sigurimin e një procesi cilësor, të drejtë, të paanshëm dhe korrekt. Strategjia e zgjedhur për zbatimin e këtyre parimeve, në të gjitha hallkat e organizimit dhe zhvillimit të konkursit, të korrigjimit dhe interpretimit të rezultateve, ka në fokus nivelin aktual të dijeve që merren, sot, në lëndën e fizikës, në sistemin parauniversitar.

Grupi Organizator ka këtë përbërje:

Bashkëpunime Grupi organizator synon të bashkërendojë punën me një komunitet sa më të gjerë mësuesish të fizikës, të punojmë së bashku dhe ndajmë përvojat më të mira, të çojmë përpara të menduarin dhe të kontribuojmë në fuqizimin e kësaj lënde në arsimin parauniversitar. Grupi organizator synon bashkëpunimin me të gjithë aktorët, mësues e drejtorë, prindër e shoqata, drejtues dhe vendimmarrës, Drejtoritë Arsimore dhe Zyrat Arsimore, gjatë gjithë fazave të organizimit dhe zhvillimit të konkursit. Synimi nuk është vetëm të vlerësojmë, por edhe të informojmë për nevojat dhe sfidat, për praktikat e përvojat më të mira, për arritjet dhe dobësitë. Ky bashkëpunim shihet me interes shumëpalësh.

Pritshmëri Ne besojmë se

  • konkursi do të gjallërojë interesin për fizikën si tek nxënësit, ashtu dhe tek mësuesit; do i nxisë të punojnë më shumë në përgatitjen për konkurset dhe olimpiadat e fizikës.
  • konkursi do të shërbejë si një hallkë e rëndësishme në parapërgatitjen për testet zyrtare kombëtare e ndërkombëtare, që kanë rëndësi të madhe për nxënësit, duke qenë se ka shumë ngjashmëri me zhvillimin e tyre (me alternativa), si dhe në materialet që trajtohen.
  • konkursi do të informojë publikun për rëndësinë që ka fizika për ekonominë dhe biznesin, për shoqërinë dhe kulturën.

Shkollat e ciklit parauniversitar dhe mësuesit mund t’i përdorin rezultatet e konkursit si një instrument informativ për të njohur nivelin e nxënësve të tyre, për të identifikuar problemet dhe mangësitë në dijet e tyre.

b) KONSULTIMI – për shkak të situatës Covid-19 nuk do te ketë!

c) ZHVILLIMI I KONKURSIT

  • Konkursi zhvillohet datë 11 shtator 2020, e premte, për të dy nivelet 2 & 3 (nga shtëpia).
  • Ora 10.00 fillojmë! Teza do të shpërndahet ose nëpërmjet e-mailit, ose do të mund të shkarkohet nëpërmjet një linku që do u jepet pjesëmarrësve. Deri në ora 12.30, teza e zgjidhur, e fotografuar, duhet të dërgohet në adresën [email protected]
  • Suksese!

d) REZULTATET DHE SHPËRNDARJA E CERTIFIKATAVE 

  • Rezultatet deri datë 1 tetor 2020.
  • Certifikatat për pjesëmarrësit dhe fituesit do të shpërndahen dt. 14 nëntor 2020, në kuadër të promovimit të librit “Çfarë është jeta”. Autor Erwin Schrödinger

e) FITUESIT PËR VITIN 2020   

Vendet e para në Konkursin Kombëtar të Fizikës “Henrietta Leavitt” / 2020

Niveli 1 – Klasa XII

  • Fitues i Çmimit të Dytë

Genta Sakaj, ish-nxënëse në shkollën private “Goja e artë”.

Niveli 2 – Klasa XI

  • Fitues i Çmimit të Parë

Amra Karini, nxënëse në gjimnazin “Ismal Qemali” – lexo intervistën https://fhl.org.al/amra-karini-mos-kini-frike-nga-deshtimet/

Niveli 3 – Klasa X

  • Fitues i Çmimit të Dytë   

David Agolli, nxënës në gjimnazin “Sami Frashëri”  – lexo intervistën https://fhl.org.al/david-agolli-mos-u-shtirni-si-dikush-qe-nuk-jeni/

  • Fitues i Çmimit të Tretë

Ketli Keta, nxënëse në gjimnazin “A. Z. Çajupi” – lexo intervistën https://fhl.org.al/interviste-me-ketli-keta/

f) Çmime dhe certifikata

  • Problemet dhe zgjidhjet e tyre, sikurse edhe emrat e pjesëmarrësve me rezultatet më të mira do të publikohen në faqen ueb të Fondacionit “Henrietta Leavitt”: www.fhl.org.al.
  • Në përfundim të konkursit, në një ceremoni të veçantë, do të jepen tre çmime, përkatësisht i parë, i dytë dhe i tretë, për secilin nivel.
  • Secili pjesëmarrës do të pajiset me certifikatë.
  • Certifikatat do të shpërndahen në një ceremoni të veçantë.

UDHËZIME TË PËRGJITHSHME

Nivelet e provimit Ky provim, për vitin 2020, konsiston në tre nivele të ndryshme, në varësi të klasës së çdo pjesëmarrësi. Këto janë si më poshtë:

  • Niveli 1: nxënës të klasës XII (Gjimnaz)
  • Niveli 2: nxënës të klasës XI (Gjimnaz)
  • Niveli 3: nxënës të klasës X (Gjimnaz)

Datat e konkursit, kohëzgjatja, vendi i zhvillimit dhe një model

  • Kohëzgjatja e konkursit është 2 orë e 30 minuta.

Në vitin 2020, datat e konkursit do të jenë (do të konfirmohet në vijim):

  • 11 shtator, e shtunë, ora 10.00 a.m. (Klasa XII)
  • 11 shtator, e shtunë, ora 10.00 a.m. (Klasa XI)
  • 11 shtator, e shtunë, ora 10.00 a.m. (Klasa X)

Konkursi do të zhvillohet on-line.

Klikoni për të parë një model dhe provuar veten:

Test, Klasa X, niveli 3, 2019 Konkursi Kombetar Henrietta Leavitt Testi okkkkkkkkkkk 2019 klasa XI 3 Test – model per konkursin Niveli 3

Qendra e konkursit Për vitin 2020, qendra e konkursit është vetëm në Tiranë.  Inkurajohet pjesëmarrja nga të gjitha rrethet.

Regjistrimi Regjistrimet fillojnë më datë 10 qershor 2020 dhe mbyllen datë 31 gusht 2020. Një nxënës quhet i regjistruar kur dërgon e-mail, në:

  • Adresa elektronike: [email protected]
  • Subjekt: Konkursi i Fizikës “Henrietta Leavitt” 2020 & Emri dhe Mbiemri i pjesëmarrësit (jo i atij nga niset e-maili) & Niveli… (Për shembull: Konkursi i Fizikës “Henrietta Leavitt” 2020 & Alma Cerova & Niveli 2). Në përbërje të e-mailit mund të përfshini një tekst që pasqyron kërkesat dhe pritshmëritë e juaja, apo edhe çdo pyetje a shqetësim që mund të keni.
  • Do merrni konfirmimin brenda 3 (tre) ditësh.

Pagesa Pjesëmarrja është pa pagesë. Por procedurat e regjistrimit duhet të ndiqen!

Anulim regjistrimi Nxënësit që janë regjistruar, por ndryshojnë mendje, mund të kërkojnë që të anulohet regjistrimi të paktën dy javë para zhvillimit të konkursit.

Nxënës të regjistruar që nuk marrin pjesë në konkurs

  • Nxënësit që regjistrohen, por nuk marrin pjesë në konkurs për arsye të ndryshme, nuk marrin certifikatë pjesëmarrjeje.
  • Informacioni për konkursin është i disponueshëm në faqen e internetit www.fhl.org.al/aplikime.

III. Konkursi dhe zhvillimi i tij

  • Konkursi është vetëm me shkrim dhe zhvillohet brenda kohës së planifikuar.
  • Konkursi fillon saktësisht në orën e lajmëruar.
  • Kandidati është i lirë të vendosë vetë radhën e zgjidhjeve të ushtrimeve, por ne rekomandojmë të ndjekë radhën e renditjes në fletën e provimit.
  • Rezultati është individual – nuk lejohet dhënia ose marrja e informacionit me pjesëmarrës të tjerë, për asnjë arsye, gjatë zhvillimit të provimit.

Fondacioni “Henrietta Leavitt” është i vetmi arbitër për përpilimin e çdo politike dhe rregulli për pjesëmarrje dhe zgjidhje pakënaqësie të mundshme.

Rezultatet e konkursit Konkursi i Fizikës Henrietta Leavitt” / 2020 bazohet në pjesëmarrje vullnetare. Vlerësimi total është një shumatore e përgjigjeve të sakta. Rezultatet e konkursit jepen vetëm në mënyrë individuale, për çdo pjesëmarrës. Pjesëmarrësi merr një fotokopje të fletës së tij të provimit. Organizatorët i ruajnë fletët origjinale jo më shumë se një vit nga data e zhvillimit. Rezultatet e konkursit dalin jo më vonë se dhjetë ditë nga dita e zhvillimit të konkursit. Rezultatet e konkursit mund të kontestohen brenda 5 (pesë) ditësh nga marrja e përgjigjes.

Etika dhe legjislacioni Organizimi i konkursit dhe të gjitha fazat që kanë lidhje me të zhvillohen në përputhje me normat e parimet e etikës. Ne jemi organizatë jo fitimprurëse, që nuk varemi nga shteti, por respektojmë të gjitha ligjet e shtetit shqiptar në fushën e privatësisë dhe të arsimit. Pjesëmarrja në konkurs do të thotë që janë lexuar dhe pranuar të gjitha kushtet dhe kërkesat e këtij konkursi.

UDHËZIME PËR PËRMBAJTJEN, SIPAS ÇDO NIVELI

Niveli 3: nxënës të klasës X (Gjimnaz) Vendndodhja, lëvizja, zhvendosja, vektorët, shpejtësia, nxitimi dhe marrëdhëniet ndërmjet tyre (për shembull, nxitimi si raport i ndryshimit të shpejtësisë me kohën); dallimi ndërmjet madhësive vektoriale (zhvendosja) dhe skalare (rruga, distanca); veprime me ekuacionet përkatëse; interpretimi i grafikëve, për shembull grafiku i varësisë së rrugës nga koha, i shpejtësisë nga koha; kuptimi i gradientit të një vije; kuptimi i sipërfaqes që kufizojnë grafikët e mësipërm.

Gjetja e rezultantes së forcave që veprojnë mbi një objekt; ligjet e Njutonit; dallimi ndërmjet masës dhe peshës. Impulsi. Lëvizja rrethore. Kuptimi i fërkimit, rezistencës së ajrit, shpejtësisë fillestare dhe përfundimtare, llogaritja e tyre. Forcat e tensionit të fijes, ekuilibri dhe lëvizja e trupave dhe e sistemeve të tyre në rrafshin e pjerrët dhe në një sistem. Susta, ligji i Hukut.

Elektriciteti dhe magnetizimi. Ngarkesa, tensioni, rezistenca, rryma elektrike, lidhjet ndërmjet tyre. Njohuri nga transformatorët. Rrjeti elektrik, bateria, llambat inkandeshente, rezistencat, diodat, kapaciteti, lidhjet në paralel, në seri dhe të përziera.

Valët dhe optika. Valët gjatësore dhe tërthore, transporti i energjisë pa transportin e lëndës. Amplituda, frekuenca, perioda, gjatësia e valës. Vetitë themelore të spektrit elektromagnetik (për shembull, identifikimi i llojeve të ndryshme të rrezatimit nëpërmjet gjatësisë/frekuencës së valës); natyra dhe vetitë e rrezatimit elektromagnetik. Tingulli.

Pasqyrimi nga pasqyrat e rrafshëta (këndi i rënies dhe këndi i pasqyrimit), gjetja e shëmbëllimit; përthyerja dhe koeficienti i përthyerjes; përthyerja e plotë e brendshme.

Interferenca dhe difraksioni; valët e qëndrueshme. Forcat e bashkëveprimit ndërmjet ngarkesave dhe forca me të cilën vepron fusha elektrike mbi një ngarkesë elektrike që gjendet në të.

 Niveli 2: nxënës të klasës XI (Gjimnaz) Energjia potenciale dhe kinetike, ruajtja dhe shndërrimi i tyre në njëra-tjetrën. Format më të zakonshme të “humbjes” së tyre. Ligji i ruajtjes së energjisë dhe momentit. Fuqia dhe puna. Burimet dhe përçimi i energjisë. Shndërrimet e energjisë. Energjia termike. Burimet e energjisë dhe prodhimi i energjisë elektrike. Trupat e ngurtë, lëngjet dhe gazet. Densiteti dhe trysnia. Tërheqja magnetike dhe elektromagnetizmi. Elektromotorët dhe induksioni elektromagnetik. Efekti fotoelektrik. Lënda dhe struktura atomike, përcaktimi i numrit atomik. Modeli i Borit për atomin. Radioaktiviteti dhe grimcat elementare. Atomet dhe radioaktiviteti. Rrezatimi dhe perioda e gjysmë-zbërthimit. Zbatime të radioaktivitetit. Grimcat elementare.

UDHËZIME PËR PËRMBAJTJEN E PROVIMIT Zgjidhja e problemeve mund të kërkojë njohuri vetëm nga një fushë e caktuar e fizikës, ose kombinim të disa prej tyre, por gjithnjë pa e kaluar nivelin maksimal të njohurive për të cilat konkurrohet. Përgjigjet numerike duhet të përmbajnë deri në dy shifra pas presjes dhjetore.

Pikët maksimale janë 70 dhe nuk janë më shumë se 30 ushtrime. I gjithë provimi është i përbërë nga dy sesione. Sesioni i parë përmban ushtrime me alternativa të shumta, ndërsa në sesionin e dytë zgjidhjet kërkohet që të jenë të arsyetuara, si dhe të llogariten madhësitë e kërkuara.

ANEKS Nëse keni arritur deri këtu… Pjesëmarrja është pa pagesë, por kontributet mirëpriten dhe janë shumë vlerësuara.

Për kontribute financiare: Numri i Llogarisë së Fondacionit “Henrietta Leavitt”:

  • SOCIETE GENERALE ALBANIA / Emri: FONDACIONI HENRIETTA LEAVITT
  • Nr. llogarisë: 10787231801 LEK / IBAN: AL33208110080000010787231801
  • Swift kodi i bankës: USALALTR
  • Shpjegim për pagesën: Kontribute për Konkursin e Fizikës Henrietta Leavitt”.

Për forma të tjera bashkëpunimi: Kontaktoni ju lutem një nga personat e grupit organizator.