- Komunikatë në Konferencën e Ministrave të Arsimit Përgjegjës për Arsimin e Lartë
- Bergen, 19-20 maj 2005
Përshtati: Valbona Nathanaili
Ne, Ministrat përgjegjës për arsimin e lartë në vendet pjesëmarrëse në Procesin e Bolonjës, u takuam për një rishikim afat mesëm dhe për të vendosur synime e përparësi deri më 2010. Në këtë konferencë, ne kemi mirëpritur Armeninë, Azerbaixhanin, Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën, si vende të reja pjesëmarrëse në Procesin e Bolonjës. Ne ndajmë së bashku të njëjtat mënyra të të kuptuarit rreth parimeve, objektivave dhe angazhimeve ndaj këtij Procesi, sikurse shprehet në Deklaratën e Bolonjës dhe komunikatat pasuese dalë nga Konferencat Ministerale në Pragë e Berlin. Ne konfirmojmë angazhimin tonë në koordinimin e politikave tona nëpërmjet Procesit të Bolonjës për të themeluar Hapësirën Europiane të Arsimit të Lartë (EHEA) deri më 2010 dhe angazhohemi në dhënien e ndihmës për vendet e reja pjesëmarrëse në zbatimin e synimeve të Procesit.
I. Partneritet
Ne theksojmë rolin qendror të institucioneve të arsimit të lartë, stafit dhe studentëve të tyre, si partnerë në Procesin e Bolonjës. Roli i tyre në zbatimin e Procesit bëhet gjithmonë e më shumë i rëndësishëm tani, që nevoja për reforma ligjore po shtrohet gjerësisht në vend dhe ne i inkurajojmë ata për të vazhduar dhe intensifikuar përpjekjet e tyre në themelimin e EHEA. Ne mirëpresim angazhimin e qartë të institucioneve të arsimit të lartë në Europë lidhur me Procesin dhe njohim se nevojitet kohë për të rregulluar më së miri ndikimin në ndryshimin strukturor në kurrikul, duke siguruar në këtë mënyrë futjen e risive në mësimdhënien dhe mësimin e proceseve për të cilat ka nevojë Europa. Ne mirëpresim përkrahje nga organizatat përfaqësuese të biznesit dhe partnerët socialë dhe presim të intensifikohet bashkëpunimi në arritjen e synimeve të Procesit të Bolonjës. Më tej, ne mirëpresim kontributin e institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare, partnerë të Procesit.
II. Vlerësimi i gjendjes
Ne u ndalëm në progresin e rëndësishën realizuar në arritjen e këtyre synimeve, sikurse vihet në dukje në Raportin e Përgjithshëm 2003-2005 të Grupit të Vazhdimësisë, në raportin Tendencë IV të EUA dhe në raportin e ESIB Bolonja me Sytë e Studentëve.
Në takimin tonë, në Berlin, ne i kërkuam Grupit tonë të Vazhdimësisë të bënte një përmbledhje në terma afat mesëm lidhur me tre përparësitë – sistemin e shkallëve të studimit, sigurimin e cilësisë dhe njohjen e shkallëve dhe periudhave të studimit. Nga raporti përmbledhës, ne vëmë re që është bërë një progres thelbësor në të tre këto përparësi. Do të ishte e rëndësishme të siguroheshim se një progres i tillë është i qëndrueshëm në të gjithë vendet pjesëmarrës. Në të njëjtën kohë, duam të ndalemi në nevojën për një shkëmbim më të madh ekspertize në ndërtimin e kapacitetit si në nivel institucional ashtu edhe qeverisës.
Sistemi i shkallëve të studimit
Ne vëmë re me kënaqësi se të dy ciklet e shkallëve të studimit të sistemit po zbatohen në shkallë të madhe, me më shumë se gjysmën e studentëve të regjistruar në shumicën e vendeve. Sidoqoftë, ekzistojnë akoma disa pengesa në mundësitë ndërmjet cikleve. Për më tepër, ndihet nevoja për më shumë dialog, ku duhet të përfshihen qeveritë, institucionet e partnerët socialë, për të rritur nivelin e punësimit të të diplomuarve me bachelor, duke përfshirë punësimin e tyre edhe në poste të përshtashme që lidhen me shërbimin publik.
Ne miratojmë kuadrin kryesor për kualifikime në EHEA, përbërë nga tre cikle (duke përfshirë: në kontekstin kombëtar, mundësi për kualifikimeve të ndërmjetme), përshkrimet e përgjithshme për çdo cikël bazuar në rezultatet e mësimit dhe zotësitë, si dhe grupimin e krediteve për ciklet e parë dhe të dytë. Ne zotohemi të përpunojmë kuadret kombëtare për kualifikime në përputhje me kuadrin kryesor të kualifikime vendosur nga EHEA deri më 2010, mbi të cilën ka nisur një punë që nga viti 2007. Ne i kërkojmë Grupit të Vazhdimësisë të raportojë mbi zbatimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të kuadrit kryesor.
Ne theksojmë rëndësinë e sigurimit të plotësimeve ndërmjet kuadrit kryesor të EHEA dhe kuadrit të gjerë të propozuar për kualifikime për të mësuarin përgjatë gjithë jetës, duke përfshirë arsimin e përgjithshëm dhe atë professional, si dhe trainime, që po zhvillohen tashmë si në vendet e Bashkimit Europian, ashtu edhe ndër vendet pjesëmarëse. Ne i kërkojmë Komisionit Europian të konsultojë tërësisht të gjitha palët në Procesin e Bolonjës ndërkohë që puna përparon.
Sigurimi i cilësisë
Pothuaj të gjitha vendet kanë bërë parashikime lidhur me një sistem që do të siguronte cilësinë, bazuar në kriteret vendosur nga Komunikata e Berlin-it dhe në bashkëpunim e rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh. Sidoqoftë, ka akoma vend për progres, në veçanti lidhur me përfshirjen e studentëve dhe bashkëpunimin në nivel ndërkombëtar. Në vazhdim, ne u kërkojmë institucioneve të arsimit të lartë të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të rivlerësuar cilësinë e aktiviteteve të tyre përmes paraqitjes sistematike të mekanizmave të brendshëm dhe ndërlidhjes direkte të tyre me sigurimin e cilësisë së jshtme.
Ne miratojmë standardet dhe drejtimet për sigurimin e cilësisë në Hapësirën Europiane të Arsimit të Lartë sikurse propozohet nga ENQA. Ne angazhohemi në prezantimin e modeleve të propozuar për vlerësime paralele nga agjencitë e sigurimit të cilësisë me bazë kombëtare, ndërsa respektojmë kriteret dhe drejtimet e përgjithshme të pranuara. Ne mirëpresim parimin e një regjistrimi Europian të agjencive për sigurimin e cilësisë bazuar në një bilanc kombëtar. Ne kërkojmë që praktikat e zbatimit të zhvillohen akoma në tej nga ENQA, në bashkëpunim me EUA, EURASHE dhe ESIB dhe raporti të vijë tek ne nëpërmjet Grupit të Vazhdimësisë. Ne theksojmë rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet agjencive të njohura me bazë kombëtare, me një orientim në rivlerësimin e njohjes së dyanshme të akreditimit apo vendimeve që lidhen me sigurimin e cilësisë.
Njohja e shkallëve dhe periudhave të studimit
Ne vëmë në dukje se 36 nga 45 vende pjesëmarrëse e kanë ratifikuar tashmë Konventën e Lisbonës mbi Njohjen. Ne nxisim ata që nuk janë pjesëmarrës deri më tani, të ratifikojnë Konventën pa vonesë. Ne angazhohemi në sigurimin e zbatimit të plotë të parimeve të saj dhe ta bashkangjisim atë në legjislacionin kombëtar në mënyrën më të përshtatshme. Ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve pjesëmarrëse të shqyrtojnë problemet e njohjes të identifikuara nga rrjetet ENIC/NARIC. Ne do ta hartojmë plane kombëtarë veprimi me synim përmirësimin e cilësisë të proceseve që shoqërojnë njohjen e kualifikimeve të huaja. Këto plane do të jenë pjesë e raportit kombëtar të vendit për Konferencën e radhës së Ministrave. Ne shprehim përkrahje për tekstet ndihmëse të Konventës së Lisbonës mbi Njohjen dhe u bëjmë thirrje autoriteteve kombëtare dhe grupeve të tjerë të interesit të njohin shkallët e përbashkëta të studimit të dhëna në dy ose më shumë vende në EHEA.
Ne e shohim zhvillimin e kuadrit kombëtar dhe Europian për kualifikimet si një mundësi për të ngulitur akoma më shumë të mësuarin përgjatë gjithë jetën në arsimin e lartë. Ne do të punojmë me institucionet e arsimit të lartë dhe organizma të tjerë për të përmirësuar njohjen e të mësuarit të mëparshëm duke përfshirë, aty ku është e mundur, të mësuarin jo-formal e formal për mundësi, dhe si një element, në programet e arsimit të lartë.
III. Sfida dhe përparësi të mëtejshme
Arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor
Ne theksojmë rëndësinë e arsimit të lartë, duke rivlerësuar më tej kërkimin shkencor në konsolidimin e arsimit të lartë dhe rëndësinë e tij në zhvillimin ekonomik dhe kulturor të shoqërisë sonë dhe në kohezonin social. Ne vëmë në dukje se përpjekjet për të prezantuar ndryshimin strukturor dhe përmirësuar cilësinë e mësimdhënies nuk duhet të na shpërqëndrojnë nga përpjekjet për fuqizimin e kërkimit dhe novacionit shkencor. Më tej, ne rivlerësojmë rëndësinë e kërkimit shkencor dhe trainimit në mbajtjen dhe përmirësimin e cilësisë së EHEA dhe në aftësitë e saj konkurruese e të tërheqjes. Me orientim në arritjen e rezultateve më të mira, ne njohim nevojën për përmirësim të sinergjisë ndërmjet sektorit të arsimit të lartë dhe sektorëve të tjerë kërkimorë përmes vendeve respektive dhe EHEA dhe Hapësirës Europiane të Kërkimit Shkencor.
Për të arritur këto objektiva, kualifikimet në nivel doktorature që përdorin përqasjen me bazë rezultatin, duhet të inkuadrohen tërësisht në kuadrin e përgjithshëm të EHEA. Komponentja thelbësore e një trainimi doktorature është avancimi i njohurive përmes kërkimit shkencor origjinal. Duke marrë në konsideratë nevojën për programe të strukturuar doktorature dhe për mbikqyrje e vlerësim transparent, ne vëmë në dukje se puna normale që çon në marrjen e një titulli të tillë në ciklin e tretë, në shumicën e vendeve, korrespondon me një periudhë të plotë studimesh prej 3-4 vitesh. Ne nxisim universitetet të sigurohen se programet e tyre të doktoraturës promovojnë trainim ndërdisiplinor dhe zhvillimin e aftësive të transferueshme, duke plotësuar kështu nevojat e një tregu pune gjithmonë në zgjerim. Ne duhet të arrijmë në një rritje të përgjithshme të numrit të kandidatëve për doktor që e marrin karrierën e tyre shkencore brenda EHEA. Ne i konsiderojmë pjesëmarrësit në ciklin e tretë të studimeve edhe si studentë, edhe si kërkues shkencorë në fazat e tyre të para. Ne ngarkojmë Grupin e Vazhdimësisë së Bolonjës, duke ftuar edhe Shoqatën Europiane të Universitetit së bashku me partnerë të tjerë të interesuar, të përgatisin një raport nën përgjegjësinë e Grupit të Vazhdimësisë për zhvillimin e mëtejshëm të parimeve themelore për programet e doktoraturës dhe t’ua paraqesin Ministrave më 2007. Duhet të shmangen superrregullat e programeve të doktoraturës.
Dimensioni social
Dimensioni social i Procesit të Bolonjës është pjesë përbërëse e EHEA dhe një kusht i nevojshëm për tërheqje dhe konkurrencë e saj. Më tej, ne rinovojmë angazhimin tonë në bërjen e arsimit të lartë cilësor mundësisht të barabartë për të gjithë dhe theksojmë nevojën për kushte të përshtatshme për studentët, në mënyrë që ata të jenë në gjendje të përfundojnë studimet e tyre pa pengesa që mund të vijnë për arsye ekonomike apo prejardhjes a përkatësisë sociale. Dimensioni social përfshin masat e marra nga qeveritë për të ndihmuar studentët, veçanërisht ata që vijnë nga grupe shoqërisht në disavantazh përsa i takon aspektit financiar dhe ekonomik e t’u sigurojë atyre shërbime drejtimi e këshillimi, me orientim në dhënien e sa më shumë mundësive.
Lëvizja
Ne njohim që lëvizja e studentëve dhe stafit përmes gjithë vendeve pjesëmarrëse mbetet një nga objektivat kryesorë të Procesit të Bolonjës. Të ndërgjegjshëm për ekzistencën e shumë sfidave të mbetura që duhen kaluar, ne rikonfirmojmë angazhimin tonë për të lehtësuar mundësinë e zhvendosjes së granteve dhe borxheve për aty ku është e përshtatshme përmes veprimeve të përbashkëta, me orientim në materializimin e lëvizjes brenda EHEA, në shndërrimin e saj një realitet. Ne do të intensifikojmë përpjekjet tona për heqjen e pengesave ndaj lëvizjes nëpërmjet lehtësimit të procedurave për marrjen e vizave dhe lejes së punës dhe duke inkurajuar pjesëmarrjen në programet e lëvizshmërisë. Ne u bëjmë thirrje institucioneve dhe studentëve të përdorin plotësisht programet e lëvizjes, duke dalë në mbrojtje të njohjes së plotë të periudhave të studimit brenda programeve të tilla, jashtë kufijve të vendit të tyre.
Tërheqja ndaj EHEA dhe bashkëpunimi me pjesë të tjera të botës
Hapësira Europiane e Arsimit të Lartë duhet të jetë e hapur dhe tërheqëse për pjesët e tjera të botës. Kontributi ynë në arritjen e një arsimi për të gjithë duhet të bazohet në parimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe në përputhje me punën ndërkombëtare që ka nisur në zhvillimin e udhëzimeve për sigurimin e cilësisë të arsimit të lartë ndërkufitar. Ne përsërisim që në bashkëpunimin ndërkombëtar në rang akademikësh, duhet të mbizotërojnë pikërisht vlerat akademke.
Ne e shohim Hapësirën Europiane të Arsimit të Latë si një partner në sistemet e arsimit të lartë në rajone të tjerë në botë, duke stimuluar një shkëmbim të balancuar ndërmjet studentëve e stafit si dhe institucioneve të arsimit të lartë. Ne nënvizojmë rëndësinë e të kuptuarit ndërkulturor dhe respektin për secilën prej këtyre kulturave. Ne presim të rivlerësohet Procesi i Bolonjës në kontinentet e tjera, duke ndarë eksperiencat tona mbi proceset reformuese me rajonët tanë fqinjë. Ne theksojmë nevojën për dialog mbi çështje të interesave të dyanshme. Ne kuptojmë nevojën për të identifikuar rajonet partnere dhe për të intensifikuar shkëmbimin e ideve dhe eksperiencave me këto rajone. Ne i kërkojmë Grupit të Vazhdimësisë të shtjellojë dhe të bie dakord mbi një strategji lidhur me këtë dimension të jashtëm.
IV. Duke i kushtuar vëmendje progesit për 2010
Ne ngarkojmë Grupin e Vazhdimësisë me vazhdimin dhe zgjerimin e procesit të vlerësimit dhe raportimit në kohë për Konferencën Ministerale të ardhshme. Ne presim që vlerësimi të bazohet në një metodologji të përshtatshme dhe të vazhdojë në fushat e sistemit të shkallëve të studimit, sigurimit të cilësisë dhe njohjes së shkallëve dhe periudhave të studimit, dhe deri më 2007 ne të kemi kompletuar në pjesën më të madhe zbatimin e këtyre tre përparësive të ndërmjetme.
Në veçanti, ne do të kërkojmë progres në:
- zbatimin e standardeve dhe udhëzuesve për sigurimin e cilësisë sikurse propozohet në raportin e ENQA;
- zbatimin e kornizave kombëtare për kualifikimet;
- dhënien dhe njohjen e shkallëve të përbashkëta të studimit, përfshirë edhe nivelin doktoraturë;
- krijimin e mundësive për mënyra fleksibël të të mësuari në arsimin e lartë, përfshirë procedurat për njohjen e studimeve të mëparshme.
Ne ngarkojmë, gjithashtu, Grupin e Vazhdimësisë, me prezantimin e të dhënave të krahasueshme mbi lëvizshmërinë e stafit dhe të studentëve, po ashtu me të dhënat që lidhen me situatën ekonomike e sociale të studentëve në vendet pjesëmarrëse si një bazë për një vlerësim të saktë në të ardhmen dhe raportim në kohë për konferencën e ardhshme të Ministrave. Në të ardhmen, vlerësimi duhet të llogarisë edhe dimensionin socal, të përkufizuar sa më poshtë.
V. Duke u përgatitur për 2010
Ndërtuar mbi arritjet të bëra deri më këtë kohë në Procesin e Bolonjës, ne dëshirojmë të themelojmë Hapësirën Europiane të Arsimit të Latë bazuar në parimet e cilësisë dhe transparencës. Ne duhet t’i gëzohemi trashëgimisë sonë të pasur dhe diversitetit kulturo në kontributin e një shoqërie bazuar në dije. Ne angazhohemi të mbajmë parimin e përgjegjësisë publike për arsimin e lartë në kontekstin e një shoqërie komplekse moderne. Ndërsa arsimi i lartë gjendet në kryqëzimin e kërkimit shkencor, arsimit dhe risisë, është në të njëjtën kohë çelës në konkurrencën Europiane. Ndërsa po i afrohemi gjithmonë e më shumë vitit 2010, ne marrim përsipër të sigurohemi se institucionet e arsimit të lartë gëzojnë autonominë e nevojshme për të zbatuar reformat e pranuara, dhe ne njohim nevojën për financime të qëndrueshme të institucioneve.
Hapësira Europiane e Arsimit të Lartë është strukturuar përreth tri cikleve, ku çdo shkallë ka funksion përgatitjen e studentit për tregun e punës, për kompetenca për të vazhduar më tutje e për të qenë një qytetar aktiv. Kuadri i përgjithshëm për kualifikime, seti i miratuar i standardeve dhe udhëzimeve Europiane për sigurimin e cilësisë dhe njohjen e shkallëve dhe periudhave të studimit, është në të njëjtën kohë edhe karakteristika kryesore e strukturës së EHEA.
Ne miratojmë strukturën e vazhdimësisë ngritur në Berlin, me përfshirjen e Strukturës Ndërkombëtare të Arsimit (EI) Pan-Europian, Shoqatës Europiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe Unionin e Konfederatave të Industrialistëve dhe Punëdhënësve Europianë (UNICE) si anëtarë të rinj konsultativë të Grupit të Vazhdimësisë.
Ndërsa Procesi i Bolonjës çon në krijimin e EHEA, ne duhet të kemi në konsideratë
arritjen e marrëveshjeve të përshtatshme, të nevojshme për të mbështetur zhvillimin e vazhdueshëm përtej 2010, dhe i kërkojmë Grupit të Vazhdimësisë të shqyrtojë këto çështje.
Konferenca tjetër e Ministrave do të mbahet në Londër, më 2007.
45 vendet pjesëmarrëse në Procesin e Bolonjës dhe anëtarë të grupit të Vazhdimësisë së saj janë: Shqipëria, Andorra, Armenia, Austria, Azerbaixhan, Belgjika (Komuniteti Flemish dhe Komuniteti Frëng), Bosnia dhe Herzegovina, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Selia e Shenjtë, Hungaria, Iceland, Ireland, Italia, Latvia, Liechtenstein, Lituania, Luksemburgu, Malta, Moldovia, Hollanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Rumania, Federata Ruse, Serbia dhe Mali i Zi, Republika Sllovake, Sllovenia, Spanja, Suedia, Switzerland, “ish Republika Jugosllave e Maqedonisë’, Turqia, Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar. Për më tepër, Komisioni Europian është anëtar me të drejtë vote në Grupin e Vazhdimësisë.
Këshilli i Europës, Unionet Kombëtare të Studentëve të Europës (ESIB), Struktura Arsimore Ndërkombëtare (EI) Pan-Europiane, Shoqata Europiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), Shoqata e Universitetit Europian (EUA), Shoqata Europiane e Institucioneve të Arsimit të Lartë (EURASHE), Qendra Europiane për Arsimin e Lartë (UNESCO-CEPES) dhe Unioni i Konfederatës Europiane të Industrialistëve dhe Punonjësve (UNICE)[1] janë anëtarë konsultativë të Grupit të Vazhdimësisë.
[1] Të gjitha akronimet janë në përputhje me inicialet anglisht.