Drejt Hapësirës Europiane të Arsimit të Lartë: në përgjigje të sfidave në një botë të globalizuar  

Përshtati: Valbona Nathanaili

  1. Hyrje
  • 1.1 Ne, Ministrat përgjegjës për Arsimin e Lartë në vendet pjesëmarrëse në Procesin e Bolonjës, jemi takuar në Londër, për të shqyrtuar progresin e bërë që nga takimi ynë në Bergen, më 2005.
  • 1.2 Bazuar në kriterin e vendosur dhe pranuar për anëtarësim të vendeve të ndryshëm, ne mirëpresim Republikën e Malit të Zi si anëtar të Procesit të Bolonjës.
  • 1.3 Zhvillimet e këtyre dy viteve të fundit na kanë çuar, në mënyrë domethënëse, një hap më pranë në realizimin e Hapësirës Europiane të Arsimit të Lartë (EHEA). Duke ndërtuar mbi trashëgiminë tonë kulturore Europiane, të pasur dhe të ndryshme, ne po zhvillojmë një EHEA bazuar në autonominë institucionale, lirinë akademike, mundësi të barabarta dhe parime demokratike që të gjitha së bashku do të lehtësojnë lëvizshmërinë, rrisin punësimin dhe fuqizojnë aftësitë tërheqëse e konkurruese të Europës. Ndërsa hedhim vështrimin përpara, ne njohim që, në një botë në ndryshim, do të ketë gjithmonë një nevojë të vazhdueshme për të adaptuar sistemet tona të arsimit të latë, për t’u siguruar se EHEA mbetet konkurruese dhe për të parë nëse do të mund të jemi në gjendje t’i përgjigjemi në mënyrë efektive sfidave të globalizimit. Në terma afat shkurtër, ne çmojmë: zbatimi i reformave të Bolonjës është një detyrë e rëndësishme; përkrahjen e vazhdueshme dhe angazhimin e të gjithë partnerëve në këtë proces. Ne përshëndesim kontributin e grupeve të punës dhe seminareve në ndihmesën e dhënë për të udhëhequr përpara progresin. Ne biem dakord të vazhdojmë punën së bashku, në partnership, duke ndihmuar njëri tjetrin në përpjekjet tona dhe promovimin e shkëmbimit të praktikave të mira.
  • 1.4 Ne riafirmojmë angazhimin tonë në rritje në të bërit të pajtueshëm dhe të krahasueshëm sistemin tonë të arsimit të lartë, duke respektuar, në të njëjtën kohë, diversitetin e tij. Ne njohim ndikimin e rëndësishëm që instituciont e arsimit të lartë (HEI-) ushtrojnë në zhvillimin e shoqërisë sonë, bazuar në traditat e tyre si qendra të të mësuarit, kërkimit shkencor, krijimit dhe transferimit të njohurive, po ashtu sikurse edhe në rolin e tyre thelbësor në përcaktimin dhe transmetimin e atyre vlerave, që i përkasin asaj shoqërie, mbi të cilën janë ndërtuar. Synimi ynë është të sigurohemi se HEI- tona kanë burimet e nevojshme për të vazhduar të përmbushin të gjitha qëllimet e vendosura. Këto qëllime përfshijnë: përgatitjen e studentëve për jetë, si qytetarë aktivë të një shoqërie demokratike; përgatitjen e studentëve për karrierën e tyre të ardhshme dhe aftësimin e karakteristikave të tyre personale të zhvillimit; krijimin dhe mbajtjen e një baze të gjerë e të avancuar dijesh; stimulimin e kërkimit shkencor dhe risisë.
  • 1.5 Ne, në vazhdim, nënvizojmë rëndësinë e institucioneve të fuqishëm, ndonëse të ndryshëm, të mbështetur financiarisht në mënyrë të përshtatshme, autonomë e të kontrollueshëm. Parimet e mosdiskriminimit dhe mundësive të barabarta duhen respektuar dhe promovuar në të gjithë EHEA. Ne angazhohemi të mbajmë këto parime dhe ju sigurojmë se, as studentët dhe as stafi, nuk do të vuajnë nga ndonjë lloj diskriminimi.

 2. Progresi drejt EHEA

2.1 Raporti ynë mbi vlerësimin e gjendjes, së bashku me raportin Tendencë V të EUA, raportin e ESIB Bolonja me Sytë e Studentëve dhe Fokus Eurydice mbi Strukturën e Arsimit të Lartë në Europë, konfirmojnë se kemi patur një progres të mirë të përgjithshëm në dy vitet e fundit. Ekziston një vetëdije në rritje se, një rezultat i rëndësishëm i procesit duhet të jetë një lëvizje drejt një arsimi të lartë me qendër-studentin, larg nga të mësuarit me mësuesin në qendër. Ne do të vazhdojmë të mbështesim këtë zhvillim të rëndësishëm.

Lëvizshmëria 

  • 2.2 Lëvizja e stafit, studentëve dhe të diplomuarve është një nga elementët thelbësorë të Procesit të Bolonjës, që krijon mundësi për rritje personale, që zhvillon bashkëpunimin ndërkombëtar ndërmjet individëve dhe institucioneve, që thekson cilësinë e arsimit të lartë e të kërkimit shkencor e i jep substancë dimensionit Europian.
  • 2.3 Që nga viti 1999 është bërë shumë progress, por përsëri mbeten shumë sfida. Ndërmjet pengesave që lidhen me lëvizshmërinë, ato që lidhen me emigracionin, njohjen, stimujt e pamjaftueshëm financiarë dhe pensionet jofleksibël, zenë vendin më të dukshëm. Ne vlerësojmë përgjegjësinë e Qeverive të caktuara në lehtësimin e procedurave për dhënien e vizave dhe të lejeve të punës, si të përshtatshme. Ku këto masa janë jashtë kompetencës tonë, si Ministra për Arsimin e Lartë, ne zotohemi të punojmë brenda qeverive tona respektive për të patur një progres vendimtar në këtë fushë. Në nivel kombëtar, ne do të punojmë për të zbatuar plotësisht mjetet dhe procedurat e pranuara për njohjen dhe do të marrim në shqyrtim iniciativa të mëtejshme për lëvizshmërinë, për stafin dhe për studentët. Kjo përfshin inkurajimin e një rritje të konsiderueshme të numrit të programeve të përbashkëta dhe krijimin e kurrikulave fleksibël, si dhe duke u bërë thirrje institucioneve tona për të marrë përgjegjësi më të mëdha përkundrejt lëvizshmërisë së stafit dhe studentëve, të balancuar më shumë e në mënyrë të drejtë, mes të vendeve të EHEA.

Struktura e shkallëve të studimit

2.4 Një progres i mirë është bërë në nivel kombëtar dhe institucional përkundrejt synimit tonë për një EHEA bazuar në një sistem tre-ciklesh shkallësh studimi. Numri i studentëve të regjistruar në kurset e dy-cikleve të para është rritur në mënyrë domethënëse dhe ka patur një reduktim në barrierat strukturale ndërmjet cikleve. Ngjashmërisht, ka patur një rritje në numrin e programeve të strukturuar për të përftuar titullin doktor. Ne nënvizojmë rëndësinë e reformës kurrikulare që rezulton në kualifikime që përshtaten më mirë me nevojat e tregut të punës si dhe mundësi për vazhdimin e studimeve të mëtejshme. Në të ardhmen, përpjekjet duhet të përqëndrohen në heqjen e barrierave ndërmjet cikleve për mundësi e progres dhe për një zbatim të përshtatshëm të ECTS, bazuar në rezultatet e të lexuarit dhe ngarkesës së punës të studentit. Ne theksojmë rëndësinë e përmirësimit gradual të punësimit, ndërsa vëmë re se të dhënat e mbledhura mbi këtë çështje kanë nevojë të zhvillohen më tej.

Njohja

  • 2.5 Njohja e drejtë e kualifikimeve në arsimin e lartë, periudhave të studimit dhe të mësuarit të mëparshëm, duke përfshirë edhe njohjen e mësimit jo-formal dhe informal, janë komponentë thelbësorë të EHEA, në kontekstin e brendshëm dhe atë global. Shkallë studimi lehtësisht të lexueshme dhe të krahasueshme, si dhe informacion të arritshëm mbi sistemet arsimore dhe kornizat e kualifikimeve, janë parakushte për lëvizshmërinë e qytetarëve dhe për të siguruar vazhdimësi në tërheqjen dhe konkurrencën e EHEA. Ndërsa kemi kënaqësinë të pohojmë se 38 anëtarë të Procesit të Bolonjës, duke përfshirë edhe Malin e Zi, e kanë ratifikuar tashmë Konventën e Këshillit të Europës/UNESCO-s mbi njohjen e kualifikimeve në lidhje me Arsimin e Lartë në rajonin Europian (Konventa e Njohjes së Lisbonës), ne u bëjmë thirrje anëtarëve të mbetur të bëjnë të njëjtën gjë lidhur me një problem të tillë me rëndësi prioritare.
  • 2.6 Ka pasur progres në zbatimin e Konventës së Njohjes së Lisbonës (LRC), ECTS dhe shtojcave të diplomës, por gama e qasjeve kombëtare dhe institucionale për njohje duhet të jetë më koherente. Prandaj, për të përmirësuar praktikat e njohjes, ne kërkojmë nga Grupi i Ndjekjes së Bolonjës (BFUG) të punojë me rrjetet ENIC/NARIC për të analizuar planet tona kombëtare të veprimit dhe përhapjen e praktikës së mirë.

Kornizat e kualifikimeve

  • 2.7 Kornizat e kualifikimeve janë instrumenta të rëndësishëm në arritjen e krahasueshmërisë dhe transparencës brenda EHEA dhe lehtësimin e lëvizjes së studentëve brenda, si edhe midis, sistemeve të arsimit të lartë. Ato gjithashtu duhet të ndihmojnë HEI- për të zhvilluar modulet dhe programet e studimit bazuar në rezultatet e mësimit dhe kreditet, si dhe për të përmirësuar njohjen e kualifikimeve si dhe të gjitha formave të mëparshme të mësimit.
  • 2.8 Ne konstatojmë se është bërë një progres fillestar në zbatimin e kornizave kombëtare të kualifikimeve, por është e nevojshme për shumë më tepër përpjekje. Ne zotohemi për të zbatuar plotësisht kornizat kombëtare të atyre kualifikimeve, të certifikuara sipas Kornizës kryesore për Kualifikimet e EHEA, deri më vitin 2010. Duke pranuar se një detyrë e tillë është një sfidë më vete, ne i kërkojmë Këshillit të Europës të mbështesë shkëmbimin e përvojave në hartimin e kornizave kombëtare të kualifikimeve. Ne theksojmë se kornizat e kualifikimeve duhet të projektohen në mënyrë të tillë që të inkurajojnë një lëvizje më të madhe të studentëve e mësimdhënësve dhe të përmirësojnë punësimin.
  • 2.9 Ne jemi të kënaqur se kornizat e kualifikimeve kombëtare janë të pajtueshme me Kornizën kryesore për Kualifikimet e EHEA dhe do të jenë në përputhje edhe me propozimin e Komisionit Europian për një Kornizë Europiane të Kualifikimeve për të mësuarit përgjatë gjithë jetës.
  • 2.10 Ne e shohim Kornizën për Kualifikimet të EHEA, mbi të cilën ramë dakord në Bergen, si një element qendror për promovimin e arsimit të lartë Europian në kontekst global.

Të mësuarit përgjatë gjithë jetës: 2.11 Raporti i vlerësimit të gjendjes tregon se ekzistojnë disa elementë të mësuarit fleksibël në shumicën e vendeve, por zhvillimi më sistematik i mënyrave të mësuarit fleksibël në përkrahje të të mësuarit përgjatë gjithë jetës është akoma në hapat e parë. Pra, ne i kërkojmë BFUG të rrisë shkëmbimin e praktikave dhe punës të mirë për të arritur në një të kuptuar të thjeshtë të rolit të arsimit të lartë në të mësuarit përgjatë gjithë jetës. Thuhet se vetëm në një numër të vogël të vendeve të EHEA jepet informacion paraprak lidhur me mundësitë dhe kreditet. Duke punuar në bashkëpunim me ENIC/NARIC, ne ftojmë BFUG të hartojë propozime për përmirësimin e njohjen e të mësuarit paraprakisht.

Sigurimi i cilësisë dhe regjistri Europian i agjencive të sigurimit të cilësisë

  • 2.12 Standardet dhe Udhëzimet për Sigurimin e Cilësisë në EHEA adaptuar në Bergen (ESG), kanë qenë një udhërrëfyes i fuqishëm i ndryshimit në lidhje me sigurimin e cilësisë. Të gjitha vendet kanë filluar zbatimin e tyre dhe disa kanë bërë progres të rëndësishëm. Veçanërisht, sigurimi i jashtëm i cilësisë po zhvillohet shumë më mirë se më parë. Që nga viti 2005, përfshirja e nxënësve është shtrirë në të gjitha nivelet, ndonëse akoma ka vend për përmirësim. Sa kohë që përgjegjësia kryesore për cilësinë qëndron tek HEI-, ato duhet të vazhdojnë të zhvillojnë sistemet e tyre të sigurimit të cilësisë. Ne pranojmë përparimin e bërë në lidhje me njohjen reciproke të akreditimit dhe të vendimeve mbi sigurimin e cilësisë, dhe inkurajojmë bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërkombëtar ndërmjet agjencive të sigurimit të cilësisë.
  • 2.13  Forumi i parë Europian mbi Sigurimin e Cilësisë, organizuar së bashku nga EUA, ENQA, EURASHE dhe ESIB (Grupi E4), më 2006, na dhanë një mundësi për të diskutuar zhvillimet Europiane në sigurimin e cilësisë. Ne inkurajojmë të katër organizatat të vazhdojnë të organizojnë forume Europiane mbi Sigurimin e Cilësisë në bazë vjetore, me synim lehtësimin e shkëmbimit të praktikave të mira dhe për të na siguruar njëkohësisht se cilësia në EHEA vazhdon të përmirësohet.
  • 2.14 Ne falënderojmë Grupin E4 që ju përgjigj kërkesës sonë për të zhvilluar më tej praktikat për ngritjen e Regjistrit Europian të Agjencive të Arsimit të Lartë për Sigurimin e Cilësisë. Synimi i këtij regjistri është të lejojë të gjithë grupet e interesit dhe publikun e gjerë, të ketë mundësi për të patur informacion objektiv rreth besueshmërisë të agjencive të sigurimit të cilësisë që punojnë në koherencë me ESG. Më tej, regjistri do të theksojë besueshmërinë në arsimin e lartë në EHEA dhe më gjerë; do të lehtësojë njohjen e ndërsjelltë të cilësisë së siguruar dhe vendimeve që lidhen me akreditimin. Ne përshëndesim themelimin e këtij regjistri nga Grupi E4, punën në partneritet, bazuar në modelin e tyre të propozuar mbi veprimin. Regjistri do të jetë vullnetar, me vetëfinancim, i pavarur dhe transparent. Aplikimet për përfshirje në regjistër duhet të vlerësohen mbi bazat e një pajtueshmërie të rëndësishme me ESG, evidentuar nëpërmjet një procesi shqyrtimi të pavarur, miratuar nga autoritetet kombëtare, aty ku ky miratim kërkohet nga këto autoritete. Ne i kërkojmë Grupit E4 të raportojë tek ne rregullisht lidhur me progresin përmes BFUG, dhe të na sigurojë se pas dy vjet operimi, ka një vlerësim të jashtëm lidhur me regjistrin, ku janë marrë në konsideratë pikëpamjet e të gjithë grupeve të interesit.

Kandidatët për doktoraturë: 

  • 2.15 Një objektiv i rëndësishëm mbetet përshtatja më e ngushtë e EHEA me Hapësirën Europiane të Kërkimit Shkencor ERA. Ne njohim vlerën e zhvillimit dhe ruajtjes së një shumëllojshmërie të gjerë të programeve për doktoraturë, të lidhura këto me kornizën gjithëpërfshirëse të kualifikimeve për EHEA, ndërsa bëjmë përpjekje për të shmnagur superregullat. Në të njëjtën kohë, ne vlerësojmë përgatitjen për ciklin e tretë dhe përmirësimin e statusit, perspektivat e karrierës dhe fondet për kërkuesit shkencorë në fazën e hershme si parakushte thelbësore për përmbushjen e objektivave Europianë mbi forcimin e kapaciteteve shkencore dhe përmirësimin e cilësis ë dhe konkurrencës së arsimit të lartë Europian.
  • 2.16 Ne ftojmë HEI- tona të forcojnë përpjekjet për futjen e programeve të doktoraturës në strategjitë dhe politikat institucionale, dhe të hartojnë rrugë të përshtatshme për karrierë dhe mundësi për kandidatët doktorantë e kërkuesit në fazën e hershme të hulumtimeve të tyre.
  • 2.17 Ne ftojmë EUA të vazhdojë të përkrahë shkëmbimin e eksperiencave ndërmjet HEI- në nivel programesh të reja doktorature që po shohim të lindin në të gjithë Europën, po ashtu sikurse edhe për çështje të tjera tepër të rëndësishme si: marrëveshjet transparente mbi mundësitë e ndjekjes së arsimit të lartë, mbikqyrja dhe procedurat e vlersimit, zhvillimin e aftësive të transferueshme dhe mënyrat që do të mundësojnë punësimin. Ne do të kërkojmë mundësitë më të mira për të inkurajuar një shkëmbim më të madh infomacioni mbi fondet e financimit dhe çështje të tjera që lidhen me to ndërmjet Qeverive tona apo me agjenci të tjera financimesh.

Dimensioni social: 2.18 Arsimi i lartë duhet të luajë një rol të fuqishëm në ushqimin e kohezionit social, redukatimin e pabarazive dhe ngritjen e nivelit të njohurive, aftësive dhe kompetencave në shoqëri. Politikat duhet të ndihmojnë në rritjen në maksimum të potencialeve të individëve përsa u takon zhvillimit personal dhe kontributit të tyre drejt një shoqërie të qëndrueshme e demokratike, bazuar në njohuri. Ne ndajmë aspiratën sociale që prurjet studentore në arsimin e latë, pjesëmarrja e tyre në të dhe përfundimi i tij, duhet të reflektojnë në të gjitha nivelet diversitetin e popullsisë sonë. Ne riafirmojmë rëndësinë që ka për studentët aftësia për të qenë në gjendje për të mbaruar studimet pa pengesa që lidhen me sfondin e tyre social apo kulturor. Më pas, ne vazhdojmë përpjekjet tona për të siguruar shërbime të përshtatshme për studentët, për të krijuar rrugë më fleksibël të mësuari drejt dhe arsimin e lartë dhe për të zgjeruar pjesëmarrjen në të gjitha nivelet mbi bazat e mundësive të barabarta.

Hapësira Europiane e Arsimit të Lartë në kontekst global

  • 2.19 Ne kemi kënaqësinë të deklarojmë se në shumë pjesë të botës, reformat e Bolonjës kanë ngjallur interesa të mëdha dhe stimuluar diskutime ndërmjet partnerëve Europianë dhe atyre ndërkombëtarë për një varg çështjesh. Ne mund të përmendim disa nga këto çështje, si për shembull njohjen e kualifikimeve, përfitimet që vijnë nga bashkëpunimet bazuar në partneritet, besimin dhe mirëkuptimin reciprok si dhe vlerat e çdo reforme të Procesit të Bolonjës. Për më tepër, ne shprehim mirënjohjen për përpjekjet e bëra në disa vende që u përkasin pjesëve të tjera të botës, me synim përshtatjen gjithmonë e më të mirë të sistemeve të tyre të arsimit të lartë me kuadrin e Bolonjës.
  • 2.20 Ne miratojmë strategjinë “Hapësira Europiane e Arsimit të Lartë në një kontekst global” dhe do të ndërmarrim hapa të mëtejshëm për të punuar me politikat në Hapësirat kryesore: përmirësimi i informacionit mbi, promovimi i tërheqjes dhe konkurrenca e EHEA; fuqizimi i bashkëpunimit bazuar në partneritet; intensifikimi i dialogut politik; përmirësimi i njohjes. E gjithë puna duhet të shihet në lidhje me Udhëzimet për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë ndërkufitar OECD/UNESCO.
  1. Përparësi për 2009

3.1 Për dy vitet e ardhshëm, ne biem dakord të përqëndrohemi në kompletimin e Linjës së Veprimit për të cilën kemi arritur në një marrëveshje, duke përfshirë përparësitë aktuale të sistemit me tre cikle, sigurimin e cilësisë dhe njohjen e shkallëve dhe periudhave të studimit. Ne do të fokusohemi në Hapësirat sa më poshtë për veprim.

Lëvizshmëria: 3.2 Në raportet tona për 2009, ne do të raportojmë mbi aksionet e marra në nivel kombëtar lidhur me promovimin e lëvizshmërisë së studentëve dhe stafit, duke përfshirë masat për një vlerësim në të ardhmen. Ne do të përqëndrohemi në sfidat kryesore kombëtare të identifikuara në paragrafin 2.3 më lart. Ne biem dakord, gjithashtu, të ngremë një rrjet ekspertësh kombëtarë me synim ndarjen e informacionit si dhe dhënien e ndihmës për identifikimin dhe tejkalimin e pengesave në lëvizhmërinë e borxheve studentore dhe fondeve.

Dimensioni social: 3.3 Në mënyrë të ngjashme, ne do të raportojmë strategjitë dhe politikat tona kombëtare për dimension social, duke përfshirë plane dhe masa veprimi për të vlerësuar efektivitetin e tyre. Ne do të ftojmë të gjithë grupet e interesit për të marrë pjesë dhe përkrahur këtë punë, deri në nivel kombëtar.

Mbledhja e të dhënave: 3.4 Ne njohim nevojën për përmirësimin e të dhënave mbi lëvizshmërinë dhe dimensionin social përmes gjithë vendeve që marrin pjesë në Procesin e Bolonjës. Për rrjedhojnë, ne i kërkojmë Komisionit Europian (Eurostat), në bashkëpunim me Eurostudent, të hartojë tregues e sigurojë të dhëna të krahasueshme dhe të besueshme për të matur progresin lidhur me plotësimin e objektivave të tilla si dimensioni social dhe lëvizshmëria e studentëve dhe stafit në të gjithë vendet e Bolonjës. Të dhënat në këtë fushë duhet të trajtojnë barazinë e pjesëmarrësve në arsimin e lartë dhe punësimin e të diplomuarve. Një detyrë e tillë duhet të realizohet në bashkëpunim me BFUG; një raport duhet të jetë gati për në Konferencën tonë të Ministrave të vitit 2009.

Punësimi: 3.5 Në vazhdimësi të futjes së sistemit me tre cikle shkallësh studimi, ne i kërkojmë BFUG të marrë në shqyrtim, në detaje më të hollësishme, se si mund të përmirësojmë punësimin në lidhje me secilin nga këto tre cikle si dhe në kontekstin e të mësuarit përgjatë gjithë jetës. Në këtë përgjegjësi duhet të përfshihen të gjitha grupet e interesit. Qeveritë dhe HEI- do të duhet të komunikojnë më shumë me punëdhënësit dhe grupet e tjera të interesit mbi racionalitetin e këtyre reformave. Ne do të punojmë, në mënyrë të përshtatshme, me qeveritë tona për të siguruar që strukturat e punësimit dhe të zhvillimit të karrierës brenda strukturave të shërbimit publik janë plotësisht në përputhje me sistemin e ri të shkallëve të studimit. Ne i bëjmë thirrje institucioneve të zhvillojnë më tej partneritete dhe bashkëpunim me punëdhënësit në procesin e vazhdueshëm të përtëritjes së kurrikulumit bazuar në rezultatet e mësimit.

 Hapësira Europiane e Arsimit të Lartë në kontekst global: 3.6 Ne i kërkojmë BFUG të raportojë rreth zhvillimit të përgjithshëm të arsimit të lartë në nivel Europian, kombëtar dhe institucional deri më 2009. Të gjithë grupet e interesit duhet të luajnë rolin që u takon në sferat e tyre të përgjegjësisë. Gjatë raportimit mbi zbatimin e strategjisë për EHEA në kontekst global, BFUG duhet, në veçanti, t’u kushtojë vëmendje të posaçme dy përparësive. Së pari, përmirësimit të informacionit të gatshëm për shfrytëzim lidhur me EHEA, nëpërmjet krijimit të website Sekretariati i Bolonjës dhe ndërtimit të handbook-ut të Bolonjës nga EUA; së dyti, përmirësimit të njohjes. Ne i bëjmë thirrje HEI-ve, qendrave ENIC/NARIC dhe autoriteteve të tjera kompetente të njohjes brenda EHEA, të vlerësojnë kualifikimet që vijnë nga pjesë të tjera të botës me të njëjtën dashamirësi e pa paragjykime, njësoj sikurse do të shpresonin që kualifikimet Europiane të vlerësoheshin nga vendet e tjera dhe ta bazonin këtë njohje në parimet e LRC.

Vlerësimi i gjendjes: 3.7 Ne i kërkojmë BFUG të vazhdojë procesin e vlerësimit të gjendjes, bazuar në raportet kombëtare, për të qenë në kohë për raportimin në Konferencën tonë Ministerale të vitit 2009. Ne jemi në pritje të zhvillimeve të mëtejshme që do të dalin nga analizat cilësore, veçanërisht ato që lidhen me lëvizjen, Procesin e Bolonjës në kontekts global dhe dimensionin social. Fushat që do të analizohen nga vlerësimi i gjendjes duhet të pëfshijnë sistemin e shkallëve të studimit dhe punësimin e të diplomuarve, njohjen e shkallëve dhe periudhave të studimit dhe zbatimin e të gjithë aspekteve të sigurimit të cilësisë në përputhje me ESG, duke patur parasysh në të njëjtën kohë zhvillimin e të mësuarit me qendër studentin, përqëndrimin në rezultatin e procesit të të mësuarit, trajtimin në një mënyrë të integruar të kornizave kombëtare të kualifikimeve, rezultateve dhe krediteve të mësimit, të mësuarit përgjatë gjithë jetës dhe njohjen e të mësuarit të mëparshëm.

  1. Duke shpresuar tek 2010 dhe më pas
  • 4.1 Ndërkohë që EHEA vazhdon të zhvillohet dhe t’i përgjigjet sfidave të globalizmit, ne themi paraprakisht se nevoja për bashkëpunim do të vazhdojë të ekzistojë edhe përtej vitit 2010.
  • 4.2 Ne jemi të vendosur të kapim vitin 2010, i cili do të shënojë kalimin nga Procesi i Bolonjës në EHEA, një mundësi për të ripohuar angazhimin tonë ndaj arsimit të lartë si një element i rëndësishëm në bërjen e shoqërive tona të qëndrueshme, si në nivel kombëtar, ashtu edhe në nivel Europian. Viti 2010 do të jetë një mundësi për të riformuluar vizionin, atë vizion që na motivon në vendosjen e Procesit të Bolonjës në lëvizje më 1999 dhe na jep rastin të ndërtojmë një EHEA mbështetur në vlera dhe vizione, që shkojnë përtej çështjeve të strukturave dhe mjeteve. Ne angazhohemi t’a shndërrojmë vitin 2010 në një mundësi për të rivendosur sistemet tona të arsimit të lartë në një rrugë që zgjatet përtej çështjeve të ditës dhe i aftëson më së miri të përballen me sfidat që do të përcaktojnë të ardhmen tonë.
  • 4.3 Ne i kërkojmë BFUG, si një e tërë, të marrë në konsideratë të mëtejshme se si mund të zhvillohet EHEA pas 2010 dhe të na raportojnë në takimin e ardhshëm ministror më 2009. Raporti duhet të përfshijë propozime lidhur me strukturat e duhura për mbështetje, duke pasur në vëmendje se marrëveshjet aktuale informale bashkëpunuese po funksionojnë më së miri dhe kanë sjellë ndryshime të paparashikuara.
  • 4.4 Duke u bazuar në vlerësimet e ushtruara më parë mbi gjendjen, Tendencat dhe Bolonja me Sytë Studentit, ne ftojmë BFUG të marrë në shqyrtim për vitin 2010 përgatitjen e një raporti, ku të përfshihet një vlerësim i pavarur, në bashkëpunim me anëtarët konsultativë, i progresit të përgjithshëm të Procesit të Bolonjës në të gjithë EHEA që nga viti 1999.
  • 4.5 Ne e delegojmë vendimin mbi natyrën, përmbajtjen dhe vendin e çdo takimi Ministror më 2010 tek BFUG, që do të merret brenda gjashtëmujorit të parë të 2008.
  • 4.6 Takimi ynë i ardhshëm do të organizohet në vendet e Beneluksit, në Leuven/Louvainla-Neuve, më 28-29 prill 2009.