Komercializimi i arsimit të lartë, si pjesë e procesit të globalizimit dhe zbatim i qasjes së orientuar ndaj klientit
Nga Murat Akyıldız & Adem TEKİNAY
Artikulli është pjesë e Antologjisë “Komercializimi i shkollimit” / Zgjodhi dhe përgatiti për botim: Valbona Nathanaili / Botohet një fragment. Të plotë mund ta lexoni në veprën me të njëjtin titull. ISBN 978-9928-4543-3-1
Orientimi ndaj klientit, në arsimin e lartë, është shkaku apo pasoja e komercializimit?
Çdo sipërmarrje komerciale e përmban përpjekjen për treg, ndërkohë që e kundërta nuk është gjithnjë e vërtetë: çdo përpjekje për treg nuk do të thotë domosdoshmërish se përmban sipërmarrjen komerciale të tregut për t’u orientuar nga klienti. Orientimi nga klienti është një term i cili u bë pjesë e literaturës si një komponente e qasjes moderne të komercializimit në vitet 1950. Ndërkohë, nga ditët e para të përdorimit e deri më sot, termi është bërë aq popullor, sa pothuaj përfaqëson, i vetëm, qasjen moderne ndaj tregut.
Togfjalëshi ‘orientim ndaj klientit’ do të thotë shpërndarje e kërkesave dhe pritshmërive të konsumatorit brenda organizatës, me synim njohjen dhe kundërveprimin në mënyrë sa më të përshtatshme. Por ndonëse ‘orientim ndaj klientit’ është, në fakt, një term marketimi, në ditët e sotme është transformuar aq shumë, sa sot gjendet deri në formën e një aplikacioni për përdorim në aktivitetet e përditshme të biznesit, në kuadër të një menaxhimi cilësor e të plotë, ku theksohet veçanërisht të kuptuarit e integruar të menaxhimit. Një i kuptuar i tillë, i cili shërbeu si bazë për ngritjen e aplikacioneve të suksesshme në Japoni, edhe pse me kontributet e shkencëtarëve nga ShBA, u përshtat edhe nga shumë vende të tjera. Përshtatja e fundit që pësoi ishte ajo në sektorin e edukimit (Gelberg, 1997: 121).
Por duhet theksuar se nuk kemi ende një konsensus të plotë për atë se çfarë do të kuptojmë me konceptin “klient në sektorin e arsimit”, kjo për faktin sepse kërkohen kualifikime krejtësisht të ndryshme nga ato në sektorin e biznesit. Ndërkohë, ata që gjenden në të majtë të spektrit të politikës, argumentojnë nga këndvështrimi i interesit publik, se klienti i institucioneve arsimore është shteti. Thënë ndryshe, shteti përfaqëson opinionin publik. Të pozicionuarit në të djathtë të politikës pretendojnë se arsimi i lartë nuk mund të jetë i hapur krejtësisht për të gjithë. Sipas tyre, grupe të ndryshme shoqërore nuk plotësojnë kriteret për t’u pranuar dhe/ose për shkak të situatës financiare duhet të qëndrojnë larg këtij niveli edukimi. Në këtë kuadër, arsimi i lartë nuk duhet konsideruar interes publik, por një shërbim i nevojshëm që është në shitje, njësoj sikundër veprohet në sektorin bankar apo të sigurimeve. Në këtë kuptim, klienti i institucioneve arsimore është studenti (Cuthbert, 1996: 11-2).
Studiues të tjerë, që parapëlqejnë t’i mbrojnë argumentet e tyre me ndihmën e TQM-së dhe modelit të partneritetit, pohojnë se arsimi i lartë ka më shumë se një klient, ndonëse të privilegjuarit mbeten studentët (Spenbauer, 1995: 523; Maguad, 1997: 335-7; Revail, 1997: 248-9). Në të njëjtën linjë, por me një terminologji më ndryshe, ka studiues që pretendojnë se studentët janë materiali i papërpunuar, produkti që hyn në sistem, bashkë agjentë të fazës së transformimit, individë që pajisen me informacion, ose edhe aktorë shpërndarës që ndërmjetëson shpërndarjen e informacionit në dalje (Sahney et al: 152-4).
Maynard arsyeton se studentët nuk mund të përkufizohen si klientë dhe e shtjellon teorinë e tij në tre boshte kryesore: Pjesa më e madhe e studentëve, së pari, nuk kanë as edhe një ide se çfarë po mësojnë; së dyti, kanë njohuri të pamjaftueshme në lidhje me përmbajtjen e programit; së treti, janë të paaftë të përcaktojnë cilësitë e nevojshme dhe standardet e kërkuara për sukses (Micheal, 1997: 127). Nëse krahasojmë ciklin të drejta-përgjegjësi në marrëdhënien student-universitet dhe në marrëdhënien qytetar-shtet me marrëdhënien klient-biznes, Svensson dhe Wood argumentojnë se studenti nuk mund të përshkruhet si klient (2007: 23-9). Përndryshe, vazhdojnë autorët, çdo person që paguan për arsimin duhet t’i jepet diploma, pavarësisht arritjeve akademike, sepse ky është kuptimi i klientit. Në të kundërt, Eren (2003: 68) argumenton se qytetarët duhet të konsiderohen si klientë sa kohë që, në krahasim me të kaluarën, marrëdhënia qytetar-shtet është shndërruar në marrëdhënie me bazë publikun, falë pjesëmarrjes së këtij të fundit në këndvështrime e opinione.
Ndonëse kualifikimet e një studenti janë krejtësisht të ndryshme nga ato të një klienti, mungesa e çdo justifikimi për të përjashtuar studentët nga synimi i shndërrimit në klientë, në mënyrë të pashmangshme na sjell në pyetjen: Ndodhemi në një situatë të tillë, sepse nuk jemi të aftë të gjejmë termat e duhur për të përkufizuar ‘studentin’, apo është këmbëngulja e sistemit kapitalist ajo që e shndërron çdo aktor në klient, pa asnjë përjashtim? Duket se të kuptuarit tonë të zakonshëm dhe familjar për sa më sipër është në luftë me këtë ndryshim që po ndodh, ndryshim nën trysninë detyruese të kushteve të reja për të përkufizuar çdo individ në sektorin e shërbimeve publike si klient, ndryshim që po paraprihet nga një përgatitje psikologjike, e cila do të shërbejë më pas, për ditët kur vërtet për të gjithë dhe për gjithçka do të jemi klientë. Nëse vërtet ky është objektivi, atëherë kriteret e pranimit në universitet duhet të zëvendësohen me çmimin në parà që na mundëson të zgjedhim lirisht programin që dëshirojmë, provimet përfundimtare në mbrojtje të diplomës duhet të zëvendësohen me provime aftësish, njësoj sikundër veprohet në përfundim të një kursi trajnimi dhe, qershia mbi tortë – vetë diploma, që përfaqëson kompetenca dhe aftësi, duhet të zëvendësohet me një certifikatë që tregon kurset specifike që janë ndjekur në një program të dhënë për një periudhë të caktuar, ndërkohë që matja e asaj që është në gjendje të bëjë studenti t’i lihet bordeve të pavarura ekzaminimi.
Cover: Pikturë e vitit 1568 Nga Pieter Bruegel (Ati)
who’s who
Murat Akyildiz është pedagog pranë Çanakkale Onsekiz Mart University, Biga Vocational College, Turqi, dhe ka titullin akademik ‘Profesor i Asociuar’ në Marketing dhe Reklama. Është diplomuar pranë Fakultetit të Ekonomisë dhe Administrimit, Dokuz Eylul University. Pranë të njëjtit universitet ka kryer edhe studimet Master, si dhe ka fituar gradën shkencore ‘Doktor’ (Social Science Institutes). Mësimdhënia përfshin: marketing dhe etika në marketing, sjellja konsumatore, menaxhimi i shitjeve, hulumtime rreth tregut, menaxhimi i emrit e logos të kompanisë si dhe menaxhimi në shitjet në rrjete dyqanesh. Kërkimi shkencor fokusohet në: sjelljen konsumatore, menaxhimi i emrit të kompanisë, etika në parketim, si dhe logjistika e saj. Është autor i shumë artikujve shkencorë, botuar në revista kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe autor kapitujsh në disa libra. Kontakt: Murat Akyıldız Çanakale Onsekiz Mart Üniversity, Biga Vocational College, Department of Marketing [email protected]
Ahmet Adem Tekinay është pedagog i akuakulturës dhe rritjes së peshkut në Turqi. Është diplomuar pranë Fakultetit të Rritjes së Peshkut dhe Institutit të Shkencës, Universiteti i Ege, İzmir, Turkey. Ka fituar gradën shkencore ‘Doktor’ pranë Universitetit të Plymouth-it, Fakulteti i Shkencave, Departamenti i Biologjisë, Angli. Mësimdhënia përfshin: akuakulturë, ushqimi i peshkut dhe menaxhimi i fermave të peshkut. Ka konsultuar disa ferma peshku dhe fermerë për rritjen e ushqimeve për peshkun në Turqi, sa i takon eficiencës së kostove dhe menaxhimit. Është autor i shumë artikujve shkencorë, botuar në revista kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe autor kapitujsh në disa libra. Kontakt: Adem TEKİNAY Onsekiz Mart University, Biga Vocational College, Biga, Çanakkale Assistan Dean, [email protected]
Botohet me lejen e autorëve. Copyright © Fondacioni “Henrietta Leavitt”. Asnjë pjesë e këtij botimi, mbrojtur nga Ligji i Shtetit Shqiptar “Për të drejtat e autorit dhe të drejta të tjera lidhur me të”, nuk mund të riprodhohet, ruhet, transmetohet a përdoret me asnjë formë a mjet grafik, elektronik apo mekanik, përfshirë por jo kufizuar fotokopje, skanime, digjitalizim, rrjet web apo sisteme të tjerë, pa lejen me shkrim të botuesit.