Komercializim apo edukim qytetar: rasti i arsimit[1]
Nga Colin Crouch
Artikulli është pjesë e Antologjisë “Komercializimi i shkollimit” / Zgjodhi dhe përgatiti për botim: Valbona Nathanaili / Botohet një fragment. Të plotë mund ta lexoni në veprën me të njëjtin titull. ISBN 978-9928-4543-3-1
Kontratat e qeverisë të një shteti që po komercializon mirëqenien e shtetasve të tij janë shumë tërheqëse. Sikundër kemi vënë në dukje deri më tani, domosdoshmërish janë afatgjata – në rastin e ndërtesave, si për shembull ndërtesat shkollore, shkojnë nga 25 deri në 30 vjet. Në fakt, duhet të jetë shumë e vështirë, të themi, për një LEA (autoriteti lokal arsimor; e ngjashme me DAR/ZA në Shqipëri – shënim i përkthyesit), të kontraktojë për menaxhimin e shërbimit të pranimit në shkollat që janë brenda juridiksionit të saj, firma të ndryshme për një a dy vjet, sa kohë që kurba e mësimnxënies përfshin njohjen e distriktit dhe të shkollave të tij dhe të dyja bashkë imponojnë vështirësi të konsiderueshme. Nga ana tjetër, procese që shtrihen në terma kaq afatgjatë e bëjnë shumë të vështirë menaxhimin e pakënaqësisë ndaj cilësisë së shërbimit që po ofrohet. Akoma, përgjatë një periudhe, të themi edhe shtatëvjeçare, është e pritshme që kontraktori të zhvillojë marrëdhënie shumë të ngushta me personelin e autoritetit kontraktues, duke e bërë atë një të brendshëm shumë të privilegjuar kur vjen koha e mbarimit të afateve të kontratës dhe të lidhjes së një të reje.
Duke vazhduar me argumentet, në nxitimin e vrullshëm për komercializim, qeveria ka financuar me fonde shumë të mëdha pjesën më të madhe të këtyre zhvillimeve. Për shembull, qeveria (britanike- shënim i përkthyesit), investoi 1.8 milionë sterlina në projektet e ‘Modelit të ri’, ku pjesa e luanit të financimeve shkoi për firmat private, ndonëse punën më të madhe me eksperimentin e bënë stafet e LEA-ve. Rrjedhja e informacionit brenda projekteve është tërësisht e njëanshme, sipas kahut LEA-firmë: firmat private mësojnë çdo gjë që duan të dinë nga puna që po bëjnë LEA-t, si dhe njohin deri në detaje financat e tyre, por asgjë e ngjashme nuk dihet për mënyrën me të cilën po operojnë vetë firmat, thjesht heshtje absolute. Në këtë mënyrë, firmat private janë gjithnjë në pozita shumë të privilegjuara për të kontraktuar pjesë të zgjedhura të punës së LEA-ve. Firmat subvencionohen për përpjekjet e tyre për të siguruar kontrata fitimprurëse
Karakteri i firmave që hyjnë në këtë treg të ri është udhëzues dhe ka shumë të tilla që janë krijuar posaçërisht me këtë synim. Themeluesit e saj kanë qenë kryesisht mësues ose ish-staf i LEA-ve, të cilët kanë nuhatur shanset për më shumë fitime nëse dalin privat, në një kohë kur qeveria po shkurton shpenzimet në administrim brenda sektorit publik, por po i zëvendëson me shumë më tepër fonde nëse i njëjti shërbim sigurohet privatisht. Këto firma mbështeten pothuaj tërësisht në stafin ekzistues të LEA-ve, me të cilët zëvendësojnë stafin e mëparshëm nëse e fitojnë kontratën.
Pjesëmarrëse të tjera në garën për privatizim janë firma me histori të gjatë në sektorë të tjerë të ekonomisë, por që kanë zhvilluar degë me shërbime në arsim, falë inkurajimit që kanë pasur nga qeveria. Për shembull, Arthur Andersen dhe PriceWaterhouseCoopers ishin dy firma që ofronin këshilla për menaxhimin dhe financat për korporatat, përpara se të futeshin edhe në biznesin e arsimit. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për Group 4, që më parë ofronte shërbime sigurie dhe specialistë për burgjet private, apo W.S. Atkins, një nga firmat që doli nga procesi i komercializimit të ndërtesave qeveritare lokale dhe shërbimeve të tjera. Rast tjetër për t’u përmendur është Serco, me përvojë në sistemet e paralajmërimit të minave, burgjeve private dhe institucione të riedukimit për të mitur, por që bleu Agjencinë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, një firmë inspektimi në fakt, në fund të viteve 2000. Akoma, Amey Roadstone, një korporatë që merrej kryesisht me ndërtimin e autostradave, krijoi lidhje me Nord-Anglia, një firmë e specializuar në arsim. Të gjitha kompanitë e sipërpërmendura kishin, paraprakisht, përvoja të gjata dhe të suksesshme në mënyrën e fitimit të kontratave të llojeve të ndryshme me qeverinë, burime shumë të fuqishme lobimi në Whitehall dhe Westminster, sikundër edhe kontakte të besueshëm brenda qeverisë. Ishin këta faktorë që u kishin dhënë sukses në të shkuarën në fitimin e kontratave me qeverinë dhe që i inkurajuan të futen edhe në sektorin e ri të komercializimit të shërbimeve publike në fushën e arsimit, një degë biznesi që për ta ishte krejtësisht e re. Dhe kjo është, në fakt, e vetmja vlerë e shtuar që ato sollën në sistemin arsimor. Është vlera e të qenit të brendshëm në Whitehall, një vlerë që është domethënëse në marrjen e këtij shërbimi vetëm sepse qeveria ka vendosur të kontraktojë me ta. Pra, nuk është një cilësi a një tjetër që përbën arsye për t’u kontraktuar dhe që fitoi falë tyre për ofrimin e një shërbimi, ose se do të bëjë maksimumin për t’i ofruar shërbim konsumatorit final.
Rreziku që trashëgohet nga ky sistem kontraktuesish të privilegjuar dhe të brendshëm shumëfishohet, ndërsa modeli përhapet nga shkolla në shkollë. Me dobësimin e LEA-vë, në shkallën që e kanë të pamundur të monitorojnë se çfarë po ndodh në shkolla me aktivitetet e kontraktuara, praktikisht nuk ka asnjë kontroll se si do të menaxhohen marrëdhëniet kontraktuore ndërmjet lobistëve të korporatave tepër të aftë profesionalisht dhe trupave qeverisëse, të cilat duhet të nisen thjesht nga vullneti i mirë për punë.
Në zemër të problemit qendron fakti që këto tregje të reja në arsim reklamohen nga qeveria në përgjigje të kërkesave të firmave që janë krijuar. Nuk është rasti se kemi një kërkesë që nuk është plotësuar dhe ndaj së cilës firma duhet të përgjigjet. Kërkesa është që qeveria të plotësojë çfarë duan ofruesit e firmës private të shërbimit dhe jo çfarë duan të marrin konsumatorët. Duhet përsëri të sjellim në vëmendje se është vetë qeveria, dhe jo qytetarët-konsumatorë, që është shndërruar në klient të shtetit të mirëqenies së komercializuar.
[1] Publikuar fillimisht në “Commercialization or Citizenship: Education Policy and the future of Public Services“. London: Fabian Society, 2003, ff. 26-35 & 50-7. Më pas në “Philosophy of Education” (Ed. Randall Curren), me titull “Commercialization or Citizenship: The Case of Education”. Në botimin shqip është ruajtur përmbajtja dhe titulli i botimit të Curren, dhe njësoj si në botimin e Curren, është përfshirë vetëm pjesa e edukimit.
who’s who
Colin Crouch (1944, Isleworth, Londër) është “Profesor Emeritues” pranë University of Warwick dhe anëtar i jashtëm shkencor pranë “Max Planck Institute” për Shkencat Sociale, Cologne, Gjermani. Publikimet përfshijnë marrëdhëniet e sociologjisë me industrinë, sociologjinë ekonomike, si dhe çështje aktuale që shqetësojnë politikat evropiane dhe ato britanike. Aktualisht po merret me studimin krahasues ndërmjet shoqërive të vendeve evropiane, si dhe me marrëdhëniet problematike ndërmjet demokracisë dhe pabarazive ekonomike në shoqëritë post-moderne. Gjatë periudhës 2012-2016 ka qenë nënkryetar i Akademisë Britanike për Shkencat Sociale.
Autor i veprave (listuar pjesërisht): Will the Gig Economy Prevail? (2019, Polity Press); Can Neoliberalism be Saved from Itself? ( 2018, Social Europe); The Globalization Backlash (2018, Polity Books); Society and Social Change in 21st Century Europe (2016, Macmillan); Governing Social Risks in Post-Crisis Europe (2015, Edward Elgar Publishing); The Knowledge Corrupters (2015, Polity Books); Post-Democracy (2004, Polity Books).
Botohet me lejen e autorit. Copyright © Fondacioni “Henrietta Leavitt”. Asnjë pjesë e këtij botimi, mbrojtur nga Ligji i Shtetit Shqiptar “Për të drejtat e autorit dhe të drejta të tjera lidhur me të”, nuk mund të riprodhohet, ruhet, transmetohet a përdoret me asnjë formë a mjet grafik, elektronik apo mekanik, përfshirë por jo kufizuar fotokopje, skanime, digjitalizim, rrjet web apo sisteme të tjerë, pa lejen me shkrim të botuesit.