Studiot dentare kanë qenë të parat në Shqipëri, që prej fillimit të lejimit të aktivitetit privat në vitin 1994 e në vazhdim, që në mënyrë të natyrshme dhe sistematike kanë përdorur mjete mbrojtëse një përdorimesh për çdo pacient, si maska, doreza, mantelina, përdorim dezinfektantësh me spry efektivë pas çdo pacienti, deri te sete veglash të paketuara dhe të sterilizuara me autoklavë.

E vërteta është që jo vetëm në këtë periudhë, por gjithmonë stomatologët kanë qenë në pararojë të kontrollit të infeksioneve! Mos harrojmë që përpara Covid-19 kanë ekzistuar dhe vazhdojnë të ekzistojnë Hepatiti B, Hepatiti C, HIV-i etj…!!

Çfarë ndryshon në këtë kohë pandemie?

Siç dihet, goja, sytë dhe hunda janë portat e hyrjes për coronavirusin! Flitet për rritje të higjienës personale, duke e vënë theksin te larja e duarve dhe mbajtja e maskës, ndërkohë që nuk flitet për kujdesin në përdorimin e furçave të dhëmbëve! Higjiena e gojës duhet të jetë gjithnjë përparësi!

Më poshtë po radhis disa rregulla praktike, të domosdoshme për higjienën e dhëmbëve, që kanë rëndësi për momentin që po jetojmë, ndërkohë që nuk mund të rrija pa renditur edhe disa këshilla bazike, që vlejnë gjithnjë:

  1. Lani duart para se të lani dhëmbët.Virusi transmetohet me anë të duarve që prekin fytyrën ose gojën.
  2. Dezinfektoni çdo javë furçën e dhëmbëve! Dezinfektimin e kokës së furçës mund ta realizoni në një përzierje të një pjese zbardhues shtëpiak (Hipoklorid apo Ace), me nëntë pjesë ujë, pra sipas raportit 9:1, ose duke përdorur alkool 70%. Një mënyrë tjetër është futja e furçës së dhëmbëve, për 5 minuta, në ujë të valuar 100 Gradë Celsius!
  3. Shpëlani furçën e dhëmbëve me ujë të nxehtë, pas çdo përdorimi!
  4. Vendosini furçat e dhëmbëve në një enë të hapur pas larjes, pa përdorur mbrojtëset e kokave të tyre. Shmangni përdorimin e kontejnerëve të udhëtimit ose mbajtësve të tjerë të vegjël që mbyllen. Mos e vendosni furçën në sirtar ose në vendet e errëta dhe të mbyllura!
  5. Mos lejoni, që kokat e furçave të dhëmbëve të prekin njëra-tjetrën, nëse ndani një mbajtës furçash në familje; më mirë akoma, ruajini furçat vetëm në mbajtëset individuale.
  6. Dezinfektoni vazhdimisht kontejnerin, ku vendosni furçën tuaj të dhëmbëve.
  7. Ruani furçën e dhëmbëve larg tualetit. Mos e vendosni furçën poshtë banakut, ose në sipërfaqe të cilat janë të vështira për t’u dezinfektuar mirë!
  8. Mos përdorni të njëjtën pastë dhëmbësh ose kuti të fillit dentar! Ne e dimë që mund të bartim virusin pesë ditë para shfaqjes së simptomave. Kështu që ndarja e pastës ose trajtimi i të njëjtës fije mund të transmetojë sëmundjen, edhe kur pala tjetër nuk është e sëmurë.
  9. Bëni kujdes në përdorimin e furçave elektrike ose WaterPik, duke dezinfektuar dorezat respektive me dezinfektues!
  10. Zëvendësoni furçën e dhëmbëve pas shërimit të infeksioneve virale ose bakteriale! Zëvendësojeni, rregullisht, furçën tuaj të dhëmbëve me një të re. Një furçë e vjetër nuk është e përshtatshme për të siguruar higjienën e kërkuar.
  11. Praktikoni distancimin social gjatë furçimit të dhëmbëve.
  12. Kurrë mos e ndani furçën tuaj personale të dhëmbëve me një tjetër – një këshillë që vlen për çdo periudhë, në fakt.
  13. Lajeni gojën rregullisht, për jo më pak se dy minuta, të paktën dy herë në ditë, ku një herë është ajo përpara gjumit.
  14. Bakteret nga goja juaj hyjnë në ajër ndërsa lani dhëmbët. Qëndroni gjashtë metra nga të tjerët ndërsa furçoni dhëmbët.

Më e RËNDËSISHMJA dhe që duhet përsëritur vazhdimisht:

Lani duart tuaja dhe duart e fëmijës suaj përpara se të furçoni dhëmbët! Mbajeni furçën e dhëmbëve të pastër!