Këndime englisht-shqip or Albanian-english reader

Nga Margaret M. Hasluck

Sixteen Albanian Folk-Stories Collected and translated, with two grammars and vocabularies by Margaret M. Hasluck.

Botues: Cambridge, University Press, 1932

Antropologia skoceze Margaret M. Hasluck (1885–1948) ka jetuar në Elbasan nga viti 1926, deri më 1939, ku bleu edhe një shtëpi. Më 1939, me pushtimin e Shqipërisë nga Italia detyrohet të largohet nga Shqipëria.

Më 1932, Hasluck botoi një përmbledhje përrallash, mbledhur po në zonën e Elbasanit, treguar, në pjesën më të madhe nga fëmijë dhe rrëfyer sipas gjuhës së tyre. “Këndime englisht-shqip or Albanian-english reader” u botua nga Cambridge, University Press. Përrallat janë gjithsej 16 dhe, krahas variantit shqip, gjendet edhe ai anglisht. Pjesë e kësaj përmbledhje është edhe një përrallë e rrëfyer nga Lef Nosi, në atë kohë zv. Drejtor i shtypshkronjës së Elbasanit dhe mik i ngushtë i Margaret. Nosi e mbështet “përrallën e tij” në atë të një plake. Më poshtë është përralla e Nosit, përshtatur në gjuhën e sotme. Sigurisht që përralla ka shumë probleme etike dhe merr, herë pas here, edhe dimensione diskriminuese ndaj gruas, por sipas vetë Hasluck (shih parathënien), “përrallat janë një mënyrë e mirë për të mësuar gjuhën e vendit”. Leximi, sot, i librit shkon përtej synimit fillestar të autorit.

Parathanje

Ky libër i offrohet atyne Shqiptarve që dishërojnë me mësue me folë gjuhën englishte, si dhe atyne Englezve e Amerikanve që dishërojnë me mësues me folë gjuhën shqipe.

Teksti shqip përbáhet prej përrallash të popullit, sepse në çdo vend përrallat janë pranue si nji nga mjetet mȃ të mirë për me mësue me folë nji gjuhë të huejë.

Përrallat janë mbëledhë n’Elbasan, sepse dialekti i këti qyteti ȃsht pranue prej Shtetit si dialekt zyrtar edhe çdo i huej që e mëson ktȇ mund të kuptojë lehtë edhe dialektet e tjerë. Për mbledhjen e ktyne përrallave më ndihmuan zz. Parasqevi Gegnasi, Aleksandër Xhuvani, edhe Dhimitër Paparistja.

Disa terme grammatikale, të cilat édhe nuk janë përdorë po me ate mënyrë prej auktorvet shqiptarë qi kanë botue grammatika, u shtrëngova t’i zavendëzoj me terme latine, të cilat përdoren në gjithë gjuhët europiane përveç greqishtes. Në shum rasa termevet latine u kam vûmë pranë me paranthesë edhe termet e veprës të z. A. Xhuvani, Libri i Gjuhës Shqipe.

Si e huejë, kam pasë nevojë për bashkpunimin e nji Shqiptari, i cili të më ndihmonte në përkthimin e sa mȃ tepër në rendimin e fjalorthëvet edhe në pjesën e grammatikës. Për ktȇ bashkpunim i u drejtova z. Lef Nosi, i cili édhe nuk m’a kurseu, gjȃ për të cilën i falem nderës botënisht.

Përmbajtja

Albanian Alphabet

Outlines of Albanian Grammar: Introduction/ Accentuation/ Article / Noun / Attributive Article / Adjective / Demonstrative Adjective / Pronoun (I) Personal (II) Possessive (III) Reflexive / Verb (A) Auxilary (B) N-Stems (C) T-Stems (D) Consonantal Stems (other than N and T) (E) Irregullar.

Albanian Texts

“Miu”, nga Fila Vasil Çerekes, 12 vjeç; “Vlera e maces”, nga Mihal Sulkuqi, vjeç 13, “Kokonja”, nga Sherif Suparaku, vjeç 12; “Plaku e Divat”, nga Petrit Suparaku, vjeç 12, “Pipiloja”, nga Hasan Muzhaqi, vjeç 13, “Dreni”, nga zoti Lef Nosi, prej një plake, “Bakçevanxhiu”, “Toklamán Beu”, “Të tri kutijat”.

Përkthimet në anglisht

The Spahi / The Robbers and the Traveller / Kotsamitsi / Chevalier Ahmed / The Parents and the Dervish / The Wild Horses / The Dream.

Fjalurthi Shqip – Englisht

Fjalurthi Englisht – Shqip

“Spahiu”, “Vjédhësit enè udhëtari”, “Kocamici”, “Prindët enè Dervishi”, “Kolt e egër”, “Andrra”.

Albanian – English Vocabulary

English -Albanian Vocabulary

 

Dreri

Nga zoti Lef Nosi

(prej një plake)

Përshtatur me gjuhën e sotme, V. Nathanaili

Na ishte kush na ishte. Na ishte një herë një i pasur. Ky i pasuri na kishte një vajzë dhe një djalë. Vajza ishte aq e bukur, sa biri i mbretit, kur e pa, ra menjëherë në dashuri me të. Por i ati nuk donte t’ia jepte vajzën, me gjithë këmbënguljen e tij. Një ditë prej ditësh, e vendosi: mori gruan, vajzën e djalin dhe ikën në një vend tjetër. Mbas disa kohësh, gruaja dhe burri vdiqën. Fëmijët, motër e vëlla, mbetën vetëm dhe shumë shpejt u varfëruan.

Biri i mbretit nuk e kishte harruar vajzën e bukur. Vazhdonte ta kërkonte në të gjitha vendet. Por edhe i vëllai, njëlloj si babai, nuk donte që motra e tij të martohej me birin e mbretit. Një ditë prej ditësh, vëllai i thotë motrës: motër, unë do të bëhem dre. Ti do jetosh lart, te ky plepi. Unë do vi çdo ditë, në drekë e në darkë dhe do sjell ushqim. Ti do zbresësh nga plepi dhe do hamë bashkë.

Te rrënjët e plepit ishte një burim i ftohtë. Një ditë, ndërsa kthehej nga gjuetia, biri i mbretit u ul të shplodhej e të pinte pak ujë të ftohtë. Kali, kur pa në ujin e burimit, shkëlqimin e bukurisë së vajzës, hingëlliu fort. Kur pa edhe djali i mbretit në ujë, njohu vajzën dhe ju lut që të zbriste.

Por vajza nuk zbriti. Jo, i tha, kam frikë. Isuf-dreri më ka thënë që po zbrita më ha njeri. I biri i mbretit ju lut e ju lut, por vajza nuk zbriti. I mërzitur, kthehet në pronat e tij dhe filloi të mendonte se çfarë të bënte. Të nesërmen dërgon njerëzit e tij të sharronin pemën. Ata sharronin pak, por sa vinte dreri, largoheshin nga frika. Dreri e lëpinte pemën dhe pema bëhej edhe më e fortë, edhe më e lartë. Kështu përditë, derisa njerëzit e mbretit nuk erdhën më. I mërzitur akoma më shumë, biri i mbretit nuk dinte çfarë të bënte. Një grua e vjetër, kur e pa ashtu të mërzitur, i’u afrua dhe I tha: vajzën e zbres unë nga pema, por dua një çiflik si shpërblim. Biri i mbretit pranoi.

Atëherë plaka mori një tepsi, ca miell e hi, pak dru zjarri dhe u nis për tek vendi ku ishte vajza. Poshtë pemës, pranë burimit, ndezi zjarrin dhe filloi të gatuante bukën, por në vend të miellit, në tepsi hidhte hi.

E sheh vajza nga lart dhe i thërret: “Moj plakë, jo ashtu moj, jo, se në vend të miellit po merr hi”. E dëgjon plaka dhe i thotë: “Ah, moj bijë, e mjera unë që nuk shoh mirë nga sytë. Zbrit poshtë dhe më ndihmo se dua të bëj bukë dhe t’ia çoj birit tim në arë”. Por vajza i përgjigjet: “Nuk zbres dot se më sheh biri i mbretit dhe më kap”.

Të nesërmen plaka kthehet prapë dhe vepron po njëlloj, por vajza nuk zbret. Të pasnesërmen, plaka shkon përsëri poshtë pemës, po me vete kishte një dash dhe një thikë. Birit të mbretit i thotë të mëshifet prapa pemës. Fillon të therri dashin. Vajza e sheh dhe i thërret: “Çfarë po bën, moj plakë? Kujdes se po e therr nga shini”. Ah moj bijë, – i thotë prapë plaka, unë e mjera nuk shoh nga sytë, zbrit poshtë dhe më ndihmo. Këtë radhë, vajzës i mbushet mendja dhe zbret. Sapo zbret, i biri i mbretit i afrohet, e kap, e hyp në vithe të kalit dhe e çon në sarajet e veta.

Kur vjen Isuf-dreri me bukën në drekë, e gjen pemën bosh. E motra nuk ishte. I shkon pas erës dhe mbërrin deri në pronat e mbretit, aty ku ishte e motra. “Motër, jam këtu, hajde”. Nuk mundem, – i’a ktheu motra. Më kanë mbyllur me çelës. Po unë çfarë të bëj, thotë Isuf-dreri dhe, pa marrë përgjigje, largohet.

Biri i mbretit vuri kurorë me vajzën, u martuan dhe u bënë burrë e grua.