Intervistë me Prof. Dr. AQIF GJOKUTAJ

Prostata është një organ gjendëror me peshë deri në 20 gr. dhe ndodhet nën fshikëzën e urinës, ngjitur me zorrën e trashë. Fshikëza e urinës dhe prostata lidhen me njera tjetrën nëpërmjet një kanali që kalon në brendësi të prostatës, duke e ndarë prostatën në dy pjesë të barabarta. Kanali prostatik është një strukturë anatomike tepër e rëndësishme, pasi ky kanal shërben jo vetëm për të zbrazur urinën. Në këtë kanal derdhet sperma që prodhohet nga testet si dhe sekrecionet e dy gjendrave që quhen Vezikulat Seminale, të cilat prodhojnë një lëng që është tepër i rëndësishëm për qelizat spermatike. Infeksionet e prostatës, rritja e volumit të prostatës si dhe kanceri i prostatës, mund ta ngushtojnë apo ta mbyllin plotësisht kanalin prostatik. Në raste të tilla të sëmurët urinojnë me shumë vështirësi, por ndodh shpesh që të sëmurët edhe mund të bllokohen, duke mos urinuar dot fare. Dhimbjet e forta i detyrojnë të sëmurët t’i drejtohen mjekut i cili bën rihapjen e kanalit prostatik me futjen e kateterit në fshikëzën e urinës dhe duke mundësuar në këtë mënyrë zbrazjen e saj.

  • A duhet t’i drejtohemi mjekut përpara se sëmundja të përshkallëzohet deri në bllokim të plotë të urinimit?

Në pamundësi për të mjekuar e shëruar plotësisht sëmundjet kancerogene, sot mjekësia synon në diagnostikimin e këtyre sëmundjeve në stadet e hershme të tyre. Pra, sa më herët të diagnostikohen këto sëmundje, aq më të mëdha janë edhe mundësitë për t’u shëruar plotësisht. Realizimi i këtij synimi shtron si detyrë shtrirjen e informimit për kancerin e prostatës, sidomos te grup moshat e meshkujve mbi 45 vjeç, me synim ndërgjegjësimin e këtyre grupmoshave për një diagnostikim në një fazë sa më të hershme të kancerit të prostatës

  • Cilat janë shenjat klinike të kancerit të prostatës?

Në stadet e hershme, kanceri i prostatës nuk jep shenja klinike. Në stadet më të avancuara, shfaqen shenja klinike si:

  1. Urinim i shpeshtë, sidomos natën
  2. Urinim i dobët, jo me forcë
  3. Ndërprerje e menjëhershme e urinimit si dhe rifillim i urinimit mbas disa sekondave
  4. Dhimbje dhe djegie gjatë urinimit
  5. Urinim me gjak, shoqëruar shpesh me copëza të vogla gjaku të mpiksur; prezencë e gjakut në spermë
  6. Dhimbje të lokalizuara në një ose disa kocka, sidomos në kockat e legenit dhe në vertebrat, dhimbje që vazhdojnë pa ndërprerje të paktën deri në dy javë, shenjë e kancerit të avancuar që tregon se ka prekur kockat.

Shenjat klinike të kancerit të prostatës nuk duhet të keqinterpretohen nga personat që kanë shenja tilla e përpiqen të realizojnë një vetëdiagnostim, pasi këto shenja takohen edhe në sëmundje të tjera të prostatës me origjinë jo kanceroze.

  • Pse personat e grupmoshave mbi 45 vjeç duhet të vizitohen te mjeku edhe kur nuk kanë shenja të prekjes nga kanceri i prostatës?

Personat e kësaj grupmoshe duhet të ekzaminohen sepse në këtë grupmoshë risku për t’u prekur nga kanceri i prostatës është i madh dhe sot mjekësia mundëson diagnostikimin e kancerit të prostatës në stadet e hershme të tij kur nuk janë shfaqur akoma shenja klinike. Nëse mjeku specialist konstaton gjatë ekzaminimit me gisht ndryshime në formën a madhësinë e prostatës apo edhe prezencën e formacioneve nodulare, atëhere pacientit i kërkohet të bëjë një ekzaminim për nivelin e P.S.A. në gjak si dhe ekzaminim ekografik.

  • Përse duhet bërë analiza e P.S.A.?

P.S.A. (antigeni specifik prostatik) është një test gjaku që shërben për të zbuluar prezencën e kancerit në prostatë. P.S.A. është një enzimë  që prodhohet në sasi të vogla nga prostata e shëndoshë. Studimet kanë treguar se kjo enzimë prodhohet edhe nga qelizat e kancerit të prostatës dhe sekretohet në sasi në nivele të ndryshme në gjak. Përcaktimi i nivelit të P.S.A si dhe të dhënat që marrim nga ekzaminimi me gisht i prostatës, janë vendimtare në diagnostikimin  e kancerit të prostatës, sidomos në stadet e hershme të tij, kur nuk kemi shenja klinike për prekje nga kanceri  prostatës

P.S.A. në nivelet 4 – 10 mg/ml (norma 0 – 4 mg/ml) është një tregues  që flet për prezencën e kancerit të prostatës nga 20 deri 50 % të rasteve të ekzaminuara. Nivelet e P.S.A nga 4 deri 10 konsiderohen në kufijtë e normës, ndërsa kur P.S.A. është mbi 10 mg/ml është një tregues që flet për prezencën e kancerit në prostatë. Faktorë të ndryshëm ndikojnë në uljen apo në rritjen e P.S.A. në gjak. Eshtë provuar se marrja e preparatit të proskarit te personat me prostatë të rritur jep një ulje artificiale të P.S.A. Me rritjen e moshës, kemi një farë tendence për rritje edhe të nivelit të P.S.A. në gjak sipas grupmoshave (shih Tabelën 1).

TABELA 1. Niveli i P.S.A. në përputhje me grupmoshën.

Mosha Niveli i P.S.A.(mg/ml)
40-49 2.5
50-59 3.5
60-69 4.5
70-79 6.5


Te personat e ekzaminuar me gisht apo me eko- transrektale rekomandohet që analiza e P.S.A të bëhet jo më shpejt se dy javë nga momenti i ekzaminimit, pasi prekja e prostatës rrit artificialisht nivelin e P.S.A.

Në rritjen e nivelit të P.S.A. ndikojnë edhe marrëdhëniet seksuale kur kryhen brenda 48 orëve, retensioni akut urinar (bllokimi urinar) si dhe marrja e disa medikamenteve në trajtimin e sëmundjeve të zemrës. P.S.A.-ja mund të gjendet në nivele të larta në 25 deri 50 % të rasteve te personat që kanë prostatë të rritur, si dhe te personat që vuajnë nga infeksionet e zgjatura të prostatës.

  • Mbas sa kohe duhet të përsëritet analiza e P.S.A?

Rekomandohet që analiza e P.S.A. të bëhet ÇDO VIT për burrat me moshë mbi 50 vjeç me probleme të prostatës, si dhe për personat mbi 40 vjeç që kanë të afërm me kancer prostate

  • Faktorët që favorizojnë prekjen nga kanceri i prostatës

Faktorët kryesorë që ndikojnë në prekjen nga kanceri i prostatës janë mosha dhe historia familjare.

Mundësia për t’u prekur nga kanceri i prostatës rritet me rritjen e moshës. Mosha mbi 65 vjeç është një nga faktorët kryesorë që favorizon prekjen nga kanceri i prostatës. Nga kanceri prostatës preken afro 10% e meshkujve në grup moshat 50-60 vjeç, përqindje e cila vjen duke u rritur nga 40 deri 50% te moshat mbi 70 vjeç.

Historia familjare. Rreziku për t’u prekur nga kanceri prostatës është më i madh te personat që kanë histori familjare të prekjes nga kanceri i prostatës të babait apo vëllait të tyre. Studimet në fushën e gjenetikës e lidhin kancerin e prostatës me trashëgiminë. Një teori e tillë i ndihmon studiuesit të kuptojnë më mirë se cili gen është përgjegjës dhe çfarë ndryshimesh ndodhin në gene.

  • Pse duhet Ekzaminimi Ekografik?

Nëse gjatë ekzaminimit me gisht të prostatës dyshohet për kancer prostate dhe P.S.A në gjak del e lartë, atëhere mjeku kërkon të marrë një imazh vizual eko-grafik të prostatës me anë të ekos abdominale apo tëekos transrektale. Ekzaminime të tilla janë procedura jo invasive, me kosto të lirë dhe teknikisht realizohen pa dhimbje te pacienti. Prostata me dimensione të rritura evidentohet lehtësisht në ekon abdominale. Për realizimin e këtij ekzaminimi duhet që pacienti ta ketë fshikëzën e urinës të mbushur, pra të mos ketë urinuar për disa orë. Ekzaminimi i prostatës me anë të ekos abdominale për zbulimin e kancerit të prostatës apo të gjëndrave që derdhen në prostatë, në rastet kur prostata ka dimensione të vogla, është i pamundur,

Këto vështirësi kalohen me ekzaminimin me eko-transrektale (eko me sondë në zorrën e trashë). Për realizimin e këtij ekzaminimi nuk kërkohet përgatitje e veçantë e të sëmurit, – këshillohet vetëm që i sëmuri të ketë dalë jashtë dhe të mos ketë urinuar, pra të ketë urinë në fshikëz. Ky ekzaminim shënon një kthesë rrënjësore në diagnozën e kancerit të prostatës, sidomos në zbulimin e kancerit të prostatës në stadet e hershme të tij, (në stadin e parë). Diagnostikimi i kancerit të prostatës në stadin e parë është një moment tepër i rëndësishëm, që ka të bëjë me vendimin që duhet të merret në lidhje me trajtimin dhe ecurinë e sëmundjes. Pra, sa më herët të diagnostikohet kanceri i prostatës, aq më të mëdha janë edhe mundësitë për t’u shëruar plotësisht.

Stadi I Në këtë stad, kanceri i prostatës ka një rritje shumë të ngadaltë dhe nuk ka shenja klinike. Për të moshuarit që nuk kanë shenja klinike, por kanë probleme serioze të shëndetit, observimi dhe pritja është opsioni më i mirë, ndërsa te meshkujt me moshë të re rekomandohet ndërhyrja kirurgjikale.

  • Pse duhet të jemi optimist në fitoren e luftës me kancerin e prostatës?

Kohët e fundit diskutohet gjerësisht thënia që është kthyer tashmë në proverbiale se “shumë meshkuj vdesin me kancer prostate, por jo nga kanceri i prostatës”. Një thënie e tillë e ka bazën në analizat shkencore. Zbulimi i kancerit të prostatës në stadet e hershme të tij është plotësisht i shërueshëm. Kanceri i prostatës prek, në përqindjen më të madhe, grup-moshat 60-70 vjeç. Nga kanceri prostatës preken 10 % e meshkujve në grup moshat 50 – 60 vjeç, përqindje e cila vjen duke u rritur, duke u shtrirë në intervalin nga 40 deri 50 % te moshat mbi 70 vjeç. Ecuria e kancerit nga momenti i zbulimit e deri në stadet e avancuara shkon mbi dhjetë vjet, – kohë e cila përgjithësisht përkon me vdekjen natyrale. Nëse mjeku që merr përsipër diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit të prostatës zbaton një protokoll rigoroz dhe trajtim me konceptet e kohës, thënia proverbiale se “shumë meshkuj vdesin me kancer prostate, por jo nga kanceri i prostatës” bëhet realitet.